Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Martin Leka: Kryetari i Bashkisë, “lot dhe ditar kronkrondili”?!…

| E marte, 08.01.2008, 12:05 AM |


Nga Martin Leka

Që Tirana është mbushur me plehra, kjo tashmë dihet e shihet. Por që Kryetari i Bashkisë, përgjegjësi kryesor për gjendjen e pastrimit në qytet, do na çudiste në këtë farë feje qysh në fillim të vitit të ri, këtë askush s’e kishte menduar?!...
Dikur, në kohë fushatash elektorale, mbaj mend që shpeshherë, gjeja poshtë derës ose në korridor bashkë me njoftimet për kurse të ndryshme, njoftimet për punime hidraulike apo zhbllokim banjoje, katalogë mobiliesh të firmave të ndryshme, ulje çmimesh të artikujve të ndryshëm, edhe ndonjë fletëpalosje apo ndonjë letër në zarf të Kryetarit të Bashkisë, me fjalë shumë të bukura e dashamirëse për qytetarët e Tiranës të tipit “bashkë për Tiranën”! Dje, në të gjithë shtypin e ditës, si një qarkore e vërtetë, në të gjithë shtypin, diku si editorial e diku si opinion, diku në mes e diku në qoshe, një letër që Edi Rama u shkruan kryeqytetasve për plehrat.
Kjo nuk ka shumë rëndësi, por problemi qëndron në faktin se sa qytetarë kanë mundur të blejnë shtypin dje dhe sa të informuar janë ata me ato që u shkruan në letër kryetari i bashkisë. Në formë të përmbledhur, po ju bëj me dije të gjithëve se:
-kryetari i bashkisë është mjaft i shqetësuar për gjendjen e plehrave në pjesën perëndimore të kryeqytetit, ose më saktë, në zonën nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” deri në daljen e Tiranës drejt Durrësit e Shkodrës…
-kryetari i bashkisë është i njohur me gjendjen, të cilën e konsideron skandaloze… të patolerueshme…
-kryetari i bashkisë është i bindur në ndërgjegjen e tij se secili prej qytetarëve të Tiranës do t’i thotë atij: “Ç’i do llafet zoti kryetar, na pastro plehrat”!
-kryetari i bashkisë justifikohet se kompania që ka këtë zonë pastrimi ka mbaruar kontratën dhe se problemi i vërtetë qëndron tek APP, Agjencia e Prokurimit Publik ka anuluar padrejtësisht dy tenderat e organizuar nga bashkia…
-kryetari i bashkisë thotë se kompania përgjegjëse për pastrimin e zonës problematike nuk bën përpjekje për largimin e mbeturinave me gjithë gjobat e vëna nga ajo…
-kryetari i bashkisë thotë diku në letër se kazanët janë të dëmtuar…
-kryetari i bashkisë thotë se problemi i tenderimit është në gjyq dhe gjyqet zgjasin me vite…
-kryetari i bashkisë thotë se qytetarët nuk paguajnë taksën e pastrimit, sepse nëse do ta paguanin, gjendja nuk do të ishte e tillë…
Kujt i qahet Kryetari i Bashkisë? “Ç’i duam llafet zoti kryetar, na pastro plehrat”!
Në fund të letrës, kryetari i bashkisë thotë se ky “plehërizim” i Tiranës është një shans për të kuptuar se si plehrat do të pastrohen në vitin 2011…
Kjo është me pak fjalë ajo që shkruan Edi Rama në letrën e tij drejtuar qytetarëve të vet. Nuk e di saktë se çfarë efekti publik do të mund të kishte një letër e tillë publike, por për çdo qytetar normal, asgjë dhe asnjë nga arsyet që na servir kryetari i bashkisë nuk e justifikon dot këtë ndotje të tmerrshme të Tiranës. Dhe jo vetëm të zonës perëndimore… Asnjë qytetari nuk i duhet dhe nuk i interesojnë gjyqet e interesave, askujt nuk besoj se i duhen dhe i interesojnë proceset e tenderimit, të cilat kanë një nam kaq të keq në këtë vend, sa edhe në laborator kimik po të zhvillohen, prapë do të përfliten me mosbesim. Askujt nuk i duhen mosmarrëveshjet e bashkisë me qeverinë dhe askujt nuk i intereson se cila “ia fut duart” tjetrës në pupla apo diku tjetër… Shumicës së qytetarëve që paguajnë taksat rregullisht nuk i duhet asgjë dhe asnjë justifikim pse dikush nuk paguan, që të kundërmojë era pleh rrugëve nga ecën e shkon…
Kryetari i Bashkisë na çon shumë larg në premtime, duke e bërë situatën më pesimiste në vend të shpresës, kur thotë se do ta bëjë Tiranën kampion të pastrimit në vitin 2011. Mbaj mend se premtimi i Ramës në zgjedhjet e para ishte pastrimi i Tiranës për 100 ditë. Tani na ofron katër vjet?!… Eshtë pak a shumë si puna e leximit të ditarit të kronkrondilit!...
Bashkia dhe partia janë dy gjëra të ndryshme. Ky duket se është problemi i vërtetë i Ramës. Një problem, ku këto dy poste nuk mund kurrsesi të komplementojnë njëra-tjetrën. Përkundrazi, duket se përjashtojnë njëra-tjetrën, përderisa punët po shkojnë kështu siç po i shohim. Sepse duket sikur plehrat filluan të na mbysin që kur Rama filloi aventurën partiake të politikës mjedisore fshatrave të Shqipërisë. Paradoks i madh ky, apo jo?!