E premte, 29.03.2024, 03:48 PM (GMT)

Shtesë » Lajme

Jotolerantë ndaj islamit

E hene, 10.01.2011, 07:05 PM


Rreth 40 përqind e banorëve të Gjermanisë dhe pothuajse po aq banorë të Francës e konsiderojnë fenë islame si rrezik për identitetin e tyre kombëtar.

 

Nga Express

 

Sipas një anketimi të gazetës franceze dhe të një studimi të Universitetit të Munsterit, të cilat u kryen në Francë dhe në Gjermani, dy të tretat e francezëve dhe tri të katërtat e gjermanëve mendojnë se myslimanët nuk janë të integruar si duhet.

 

Gjatë vitit 2010 Universiteti i Munsterit dhe Instituti për Demoskopi TNS Emid kryen një anketim në Gjermani, Francë, Danimarkë, Holandë dhe Portugali.

 

"Përzgjedhja e këtyre pesë shteteve u bë në bazë të nivelit të ndryshëm të larmisë fetare të secilit vend. Në Gjermani, për shembull, jeton një numër i madh myslimanësh, dhe ne po vërejmë një shtim të konflikteve kulturore dhe ndërfetare, kur është fjala p.sh. për ndërtimin e xhamive ose të mbajtjes së shamisë së kokës. Diskutime të tilla ka edhe në Francë, si për shembull, për rastin e ferexheve, ndërsa në Holandë kemi pasur rastin e vrasjes së kritikuesit të fesë islame, Theo van Gogh. Portugalia ndërkaq u përzgjodh si kontrast, sepse atje nuk e kemi atë larminë e feve që e ndeshim në shtetet e tjera", sqaroi sociologu Niels Friedrichs.

 

Vetëm 34 përqind e gjermanëve kanë mendim pozitiv

 

Drejtuesi i studimit, sociologu Detlef Pollack, sqaron:

"Nga anketimi i kryer doli në pah se në krahasim me disa shtete të tjera evropianoperëndimore që u analizuan, gjermanët janë shumë më jotolerantë ndaj fesë islame dhe ndaj feve tjera jo të krishtera. Po ashtu, ne konstatuam se në krahasim me të anketuarit në shtetet tjera, gjermanët janë më pak të gatshëm që të lejojnë ndërtimin e xhamive dhe të minareve të reja".

 

Anketimi po ashtu tregoi se vetëm 34 përqind e gjermanëve kanë mendim pozitiv për myslimanët. Ndërkaq, në shtetet tjera evropiane kjo shifër arrin në mbi 50 përqind, e diku-diku edhe deri në 60 përqind.

 

Nga ana tjetër, sipas Pollack, rezultatet e analizës së anketimeve treguan se gjermanët përpiqen të shfaqin respekt ndaj bashkësive të tjera fetare dhe t'u lejojnë atyre që kenë lirinë e ushtrimit të besimit, megjithëse nëpër vende të caktuara.

 

"Pra mund të thuhet se përfundimi është ambivalent: nga njëra anë ka shumë rezerva ndaj fesë islame, e nga ana tjetër po bëhen përpjekje për drejtësi dhe për një qëndrim të drejtë", pohon Pollack.

 

Shkak i dallimeve, kontaktet e shpeshta

 

Ekspertët mendojnë se shkaku kryesor i dallimeve ndërmjet Gjermanisë dhe shteteve tjera të analizuara ndërlidhet me dendësinë e kontakteve që gjermanët kanë me të huajt. Sipas anketimit, vetëm 40 përqind e gjermanëve perëndimorë dhe 16 përqind atyre lindorë deklaruan se kanë kontakte me myslimanët. Në Francë kjo shifër arriti në 66 përqind.

 

Ndërsa, lidhur me frikën nga kërcënimet që vijnë nga kulturat e huaja, ka pak ndryshime në mesin e shteteve në të cilat u krye hulumtimi. Rreth 70 përqind e të anketuarve mendojnë se laramania fetare është shkak i konflikteve dhe i mosbashkejetësës mes njerëzve, megjithëse në këtë rast kjo gjë s’ka të bëjë vetëm me fenë islame.

 

Pollack nënvizon se si sociolog nuk e ka për detyrë që të shtrojë kërkesa ndaj politikës, megjithëse "është e rëndësishme të thuhet se duhet bërë shumë për integrimin më të mirë të imigrantëve". (DW)



(Vota: 3 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora