Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhelal Zejneli: Maqedonishtja në klasë të parë - akt ultranacionalist me prapavijë politike

| E hene, 10.01.2011, 07:59 PM |


MAQEDONISHTJA NË KLASË TË PARË – AKT ULTRANACIONALIST ME PRAPAVIJË POLITIKE?

 

Shqipëria Etnike bashkimi i shqipetarëve nga Kosova deri në Çamëri  është zgjidhja përfundimtare e padrejtësive shekullore që Europa plakë i ka shkaktuar Kombit Shqipetar!

Shkrimi Juaj është jehonë për Të gjithë Shqipetarët kudo që janë.

Bashkimi është shpërtimi i vetëm i Kombit Shqipetar; Evropa plakë po zbaton politikat e multietniciteteve në Kosovë ku 99% banohet nga Shqipetarët Autoktonë.

Pavarësi Shqipetarëve në Maqedoni, shkëputja dhe BASHKIMI me Shqiperinë- sa më parë.

Pershendetje,

Enver Neziri <e_neziri@hotmail.com>

 

Nga Xhelal Zejneli

 

Tendenca e VMRO-ve dhe e gjeneral Gruevskit për ta futur maqedonishten në shkollat shqiptare qysh në klasën e parë të arsimit fillor, është një prej akteve më antishqiptare të maqedonasve që nga viti 1945 e deri më sot. Ky akt thellësisht antishqiptar është në kundërshti të plotë me Marrëveshjen e Ohrit dhe vë në dyshim parimet themelore të saj.

            Shqiptarët në Maqedoni, arsimin shqiptar duhet ta kenë në duart e veta. Tendenca për ta futur maqedonishten në shkollat shqiptare që nga klasa e parë fillore, dëshmon se shqiptarët, arsimimin e vet, jo vetëm që nuk e kanë në duart e veta, por as që kanë ndikim në të. Futja e maqedonishtes qysh në klasë të parë, në shkollat shqipe, bëhet pa lejen, pa pëlqimin, pa dëshirën dhe pa miratimin e popullit shqiptar. Ky vendim i VMRO-ve dhe i  Gruevskit është në kundërshti të plotë me vullnetin e popullit shqiptar. Tendenca për ta futur maqedonishten në shkollat shqiptare është akt skajshmërisht nacionalist, shovinist dhe antishqiptar. Maqedonishtja në klasë të parë fillore në paralelet shqiptare është tendencë e kulluar për t’i poshtëruar shqiptarët, për t’i fyer, për t’i nënçmuar, për t’i shtypur dhe për t’ua vënë në dijeni se në këtë vend, s’janë veçse robër, një minoritet i shpërfillur dhe qytetarë të dorës së dytë.

            Kjo tendencë e tmerrshme, kryekëput antishqiptare, është në vijën e enciklopedistëve të B. Ristevskit dhe në frymën e Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe të Arteve, e cila nuk është asgjë tjetër pos filial i Akademisë serbe të Dobrica Qosiqit. Futja e maqedonishtes te fëmijët shqiptarë të klasës së parë paraqet tendencë për realizimin e projekteve antihistorike, anakronike dhe retrograde të shekullit XIX. Maqedonishtja në klasë të parë fillore te fatosat shqiptarë paraqet në thelb vazhdimësi të ideologjive shënstefaniste dhe garashaniniste për nënshtrimin deri në shfarosje, të kombit shqiptar në Ballkan.

Maqedonishten në klasë të parë për nxënësit shqiptarë, VMRO-të dhe Gruevski u përpoqën ta fusin tinëz, pa zhurmë, pa bujë dhe fshehurazi. Ku është parë në historinë e botës që një akt kaq i tmerrshëm për një popull të tërë, të vihet në zbatim pa kaluar në organin ligjvënës të shtetit. Ky është krim. Nuk është sa duhet transparente as dhe procedura në qeveri ku bëjnë pjesë edhe përfaqësuesit legjitimë shqiptarë Ç’është ky akt?! Është dekret, dekretligj, vendim, aktvendim, rezolutë, urdhër, urdhëresë?! Kush ishte ideator i këtij akti famëkeq?

Ironia e ministrit të Arsimit – Todorov-it, i cili pyet me habi se si qenka e mundur që nxënësit shqiptarë anglishten ta mësojnë qysh në klasë të parë, e maqedonishten, e cila na qenkësh gjuhë zyrtare e shtetit – jo, është bizare. Anglishtja - duhet ta dijë Todorovi -  është gjuhë botërore. Maqedonishtja ndërkaq, flitet nga jo më shumë se një milion njerëz. Rrjedhimisht, është interes i shqiptarëve dhe jo vetëm i tyre, që anglishten ta mësojnë qysh në djep. Sa u përket gjuhëve zyrtare, Todorovi dhe eprori i tij Gruevski dhe i gjithë populli maqedonas, duhet ta dinë se në këtë vend ka dy gjuhë zyrtare: gjuha shqipe dhe ajo maqedonase. Karakterin zyrtar të shqipes mund të mos e pranojë Todorovi, por ky është një realitet i padiskutueshëm. Në Maqedoni, në fakt ka dy popuj: populli shqiptar – i njohur nga të gjithë; dhe ai maqedonas – i kontestuar nga fqinjët bullgarë, grekë dhe serbë. Rrjedhimisht në Maqedoni ka dy popuj shtetformues: populli shqiptar dhe ai maqedonas. Pavarësisht nga fakti se statusi shtetformues i shqiptarëve nuk është përcaktuar juridikisht, në thelb shqiptarët janë popull shtetformues. Kurdo, kjo çështje do të zgjidhet edhe juridikisht. S’ka fuqi në rruzullin tokësor që do të mund ta kontestojë potencialin shtetndërtues dhe shtetkrijues të shqiptarëve në Maqedoni.

Vendimi që nxënësit shqiptarë maqedonishten ta mësojnë qysh në klasë të parë, të përkujton vitet ’80 të shekullit XX, kur komunistët maqedonas, të frymëzuar dhe të shtyrë nga Beogradi, zbatuan të ashtuquajturat paralele të përziera, që në thelb nënkuptonte nënshtrimin dhe shtypjen e shqiptarëve. Përkundër gjenocidit të boshtit të krimit Shkup-Beograd-Titograd, shqiptarët s’u dorëzuan dot.

Strategjia e gligorovëve dhe e VMRO-ve është: “Shqiptarëve vazhdimisht duhet t’u shkaktojmë probleme të reja, të paqena. Kësisoj do ta zvarrisim zgjidhjen e kërkesave politike të tyre, do t’i shterim energjitë e tyre...”. Me strategjinë e sipërthënë vihen në plan të dytë: zyrtarizimi i gjuhës shqipe; zgjidhja e drejtë e çështjes së përdorimit të flamurit; zgjidhja e statusit të familjeve të dëshmorëve dhe të invalidëve të luftës së 2001-shit; ndryshimi i simboleve të shtetit – flamurit, himnit dhe stemës, të cilat njëheri janë edhe simbole të popullit maqedonas; njohja e statusit shtetformues për shqiptarët; federalizmi i Maqedonisë; shndërrimi i Maqedonisë në një shtet me dy entitete.

Duke u shkaktuar vazhdimisht shqiptarëve probleme të paqena, vazhdon pa kurrfarë problemi praktika e financimit të projekteve - vetëm në pjesën lindore të vendit; praktika e financimit të përbashkët të gjurmimeve të shtrenjta arkeologjike dhe të ndërtimit të përmendoreve – për të formuar kombin maqedonas – me paratë e shqiptarëve, për të qenë shqiptarët pastaj, qiraxhinj në tokë të vet.

Midis maqedonishtes në klasë të parë, në një anë dhe krijimit të një Maqedonie me dy entitete, në anën tjetër - është një distancë e konsiderueshme. Rezulton se shqiptarët ende janë në hapat e parë të sendërtimit të objektivave të tyre legjitime. Barrën e problemit, njësoj si në kohën e diktaturës komuniste, e marrin përsipër shkollat, përkatësisht arsimtarët. Rënia e barrës së qëndresës mbi supet e arsimtarëve, në kohën e Serbosllavisë, ishte e vetëkuptueshme, por jo edhe sot kur në qeveri dhe në parlament ndodhen përfaqësuesit legjitim të popullit. Shqiptarët për këtë vend dhe për këtë tokë flijohen që nga viti 1912 e deri në ditët tona. S’ka dyshim se arsimtarët shqiptarë, deri në jetë të jetëve, do të jenë në vijën e shqiptarizmit dhe të demokracisë perëndimore.

Qëllimi i errët për t’ua imponuar detyrimisht dhe me kanosje maqedonishten fëmijëve shqiptarë qysh në klasë të parë është djallëzor dhe mefistofelian. Shqiptarët këtij qëllimi satanik nuk duhet t’i qasen vetëm nga këndvështrimi psikologjik, pedagogjik apo didaktik. Është e qartë se fëmijët e moshës 6-7 vjeçare nuk duhet të ngarkohen me lëndë të tepërta.

Por, luciferët e projekteve mefistofeliane thonë: “Në klasë të parë, nxënësit shqiptarë nuk do ta mësojnë shkrimin apo alfabetin e maqedonishtes... Fillimisht, ata vetëm do të vizatojnë në gjuhën maqedonase”. Shqiptarët e kanë më se të qartë, se ky vendim i VMRO-ve dhe i Gruevskit, i mbështetur edhe nga shumë parti maqedonase është marrë për qëllime politike. Me të, VMRO-të duan të thonë: “Ne jemi zotër të këtij vendi; ju shqiptarët, s’jeni veçse qiraxhinj. Ne jemi ata që u imponojmë vendime; ju ndërkaq, jeni ata që do t’i jetësoni në praktikë”.

Rruga që kanë zgjedhur VMRO-të dhe Gruevski, nuk dallohet fare nga ajo e S. Milosheviqit. U pa se si mbaroi piromani i Ballkanit. Nga pusi i thellë në të cilin ra Serbia luftënxitëse, edhe shumë kohë s’ka për të dalë.

 

Maqedonia ka vetëm një mundësi për të ekzistuar si vend stabil:

 

-           Populli maqedonas të mos e mohojë prejardhjen sllave të vet;

-           Sa më parë ta ndërrojë emrin në kontestin me Greqinë;

-           T’ua njohë shqiptarëve statusin e popullit shtetformues, duke krijuar një shtet të përbashkët me dy entitete (dy njësi territoriale);

-           Lëndën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe ta fusë si lëndë të detyrueshme në shkollat me mësim në gjuhën maqedonase, në tërë territorin e vendit, qysh në arsimin fillor. Në mos në tërë territorin e vendit, atëbotë lëndën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe, si lëndë të detyrueshme, ta fusë nëpër shkollat me mësim në gjuhën maqedonase, të paktën në pjesët veriperëndimore të këtij vendi, ku populli rrënjës (autokton) shqiptar paraqet shumicë absolute.

 Pasi t’i ketë zgjidhur çështjet e sipërshënuara, Maqedonia do të mund të jetë anëtare e denjë e Aleancës Veri-Atlantike dhe e BE-së. Vice versa, rrezikon të mbetet Makondo markeziane.

Gligorovët dhe VMRO-të janë larg perëndimit. Përgjigjja e shqiptarëve rreth kësaj çështjeje duhet të jetë politike.