E premte, 19.04.2024, 04:07 PM (GMT+1)

Editorial

Thanas L. Gjika: Tiparet desidente të veprës së Ismail Kadaresë

E shtune, 08.01.2011, 08:59 PM


VEPRA LETRARE E I. KADARESE E SHKRUAR GJATE DIKTATURES KA QENE VEPER ME TIPARE DESIDENTE

 

(Me rastin e 75-vjetorit të lindjes së autorit)

 

Nga Prof. Ass. Dr. Thanas L. GJIKA

 

Ismail Kadareja ka qenë shkrimtari ynë më i talentuar, më prodhimtar dhe më i lexuar i kohës së diktaturës. Madje ai vijon të jetë i tillë edhe sot, njëzet vjet mbas shkërmoqjes së diktaturës. Sot, mbas përkthimit të veprave të tij në gjuhë të huaja, sidomos në anglisht, ai po bëhet një nga autorët më të kërkuar e më të vlerësuar edhe në plan botëror. Nuk është teprim ta quajmë atë shkrimtarin më të talentuar të mbarë procesit historiko letrar shqiptar.

            Zakonisht quhen shkrimtarë desidentë ata autorë, të cilët u janë kundërvënë me veprat e tyre ose me fjalimet e tyre politikës së qeverive diktatoriale antipopullore dhe që kanë pësuar burgim prej këtyre qeverive.

Ky autor shkroi në rininë e tij mjaft poezi e ndonjë roman si Dasma, etj me lavdërime ndaj rregjimit komunist, sepse ai vinte nga radhët e shtresave të ulta të shoqërisë, të cilat përfituan prej regjimit komunist dhe e përjetuan instalimin e këtij regjimi si fitore. Gjatë pjekurisë së tij, e cila fillon me hartimin e romanit Gjenerali i Ushtërisë së Vdekur, ai u shfaq në planin artistik si autor rebel, që guxoi të shkelte regullat e ngurta të metodës së realizmit socialist. Pjekuria e tij ideore arriti me novelën Pallati i Endrrave dhe romanin Koncert në fund të Dimrit, ku ai u shpreh hapur kundër sistemit diktatorial. Mirëpo për këto e të tjera vepra, ku ai doli kundër dhunës, frikës e deformimit shpirtëror që i bëhej njeriut nga sistemi diktatorial, ky autor nuk u dënua me burgim nga partia shtet, gjë që na shtyn të mos e quajmë atë autor desident, madje edhe ai vetë ka shpallur disa herë se nuk ka qenë një shkrimtar desident.

Desidenca, si fenomen politiko-shoqëror dhe artistik në radhë të parë nënkupton mospajtim dhe kundërshtim të hapur ndaj politikës së regjimit në fuqi. Si pasojë e këtij qëndrimi vjen ndëshkimi politik: ndalimi i veprës dhe burgimi i autorit. Me të vërtetë një desidencë e tillë ka munguar në jetën dhe veprën e I. Kadaresë.

Në kushtet e diktaturës tepër të egër shqiptare, kur për disa fjalë kundër politikës së regjimit, jepeshin dënime kapitale ose shumë të rënda për personin dhe familjarët e tij, krijuesit u detyruan të ishin shumë të përmbajtur e të kujdesshëm. Në këtë rrugë, që duhet quajtur rruga e pajtimit me politikën zyrtare, ecën gati të gjithë krijuesit shqiptarë. Por duhet të vemë në dukje se mjaft krijues u përpoqën t’i largoheshin pajtimit të plotë me politikën shtypëse të regjimit komunist. Dhe në këtë aspekt vepra e I. Kadaresë ka merita të mëdha, mbasi kjo vepër, më shumë se vepra e autorëve të tjerë, luftoi shumë aspekte të politikës cnjerëzore të partisë shtet.

Që më 1963, romani Gjenerali i Ushtërisë së Vdekur i Kadaresë, theu kërkesat e ngurta të realizmit socialit, sipas të cilave në qendër të veprës letrare duhej të vihej heroi pozitiv dhe roli pararojë i komunistit. Në këtë vepër ishin heronj kryesorë një gjeneral e një prift i huaj, ndërsa emrat parti, kominist e komisar, etj as që përmenden fare.

Në veprat e Kadaresë gjeje më shumë se kudo kritikë e zbulim të të metave të njerëzve të pushtetit. Edhe pse temën e ndaluar, atë të pasqyrimit të jetës në gulget shqiptare, ky autor nuk e trajtoi, duhet pranuar se në veprat e tij u është dhënë vend më shumë se në veprat e autorëve të tjerë, klasave të përmbysura, të cilat janë trajtuar pa përbuzje, madje me dinjitet.

Ishte I. Kadareja ai që e formuloi socializmin luftë midis të aftëve e të paaftëve, ku të aftët lodhen të parët. Pra, tërthorazi ai e shpalli socializmin një sistem shoqëror pa të ardhme, mbasi nuk stimulonte të aftët.

Ai ktheu në modë trajtimin e së kaluarës historike të popullit shqiptar, me të cilën sfidoi thirrjen e partisë për të pasqyruar në letërsi dhe arte realitetin socialist.

Askush më shumë se ky autor nuk luftoi kundër politikës zyrtare të kohës për të mos e tharrë shpirtin e shqiptarit, për të mos e kthyer shqiptarin në një robot të bindur si ushtari Lejfen, të cilin ai guxoi ta quante cnjeriu.

Në novelën Nata me Hënë ai denoncoi ndërhyrjen e partisë në jetën personale të njeriut.

Ishin pikërisht të tilla sfida ndaj regjimit e politikës së partisë shtet, që i bënin veprat e I. Kadaresë të përpiheshin prej lexuesve të kohës. Ato vepra përpiheshin, mbasi aty lexuesit gjenin shumë kundërshtime që nuk i gjenin në vepra të tjera, shumë reagime që nuk mund t’i kryenin dot ata vetë.

Me pak fjalë mund të themi se vepra më e mirë e I. Kadaresë e shkruar dhe botuar gjatë regjimit komunist nuk ishte një vepër desidente në kuptimin klasik të fjalës, por ajo ishte një vepër me tipare desidente. Për këtë shkak ajo lexohej me etje dhe luajti rolin e ushqyesit shpirtëror kryesor të masave të gjera të lexuesve, sidomos të rinisë, e cila i mësonte përmendësh mjaft pjesë të saj.

Për këto merita që ka vepra e këtij shkrimtari aq të talentuar, sulmet që i janë bërë dhe i bëhen duke e quajtur poet oborri, shërbëtor i regjimit komunist, njeri me karakter të dobët, etj, nuk janë të drejta.

Kur vlerësojmë krijimtarinë së një shkrimtari duhet të marrim në konsiderate veprat e tij më të realizuara dhe jo veprat më të dobta, kurse dobësitë e karakterit të tij nuk duhen pasur fare para sysh dhe nuk duhen përmendur.

Ata që kapen pas dobësive të veprës ose të karakterit të Kadaresë bëjnë pjesë në radhën e krijuesve mediokër, ose janë të lidhur e paguhen prej qarqeve të huaja antishqiptare…



(Vota: 8 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora