E marte, 31.03.2020, 07:19 AM (GMT+1)

Komente

Mentor Kikia: Me festen e gjakesit drejt Evropes

E diele, 06.01.2008, 12:26 PM


Me festen e gjakesit drejt Evropes

Nga Mentor Kikia

Në morinë e ngjarjeve tragjike, që shoqëruan ditët e para të vitit 2008, ajo e natës së të enjtes në Kamzë të Tiranës ishte vërtet e llahtarshme. E llahtarshme në të gjitha përmasat e saj, sepse u vranë dy të rinj, u vranë vëlla e motër dhe mbi të gjitha, u vranë dy njerëz pa bërë asnjë faj. Ata nuk u vranë për t‘u marrë paratë, as për t‘u grabitur bizhuteritë. Akoma më keq, ata mbetën viktima për të paguar në mënyrë absurde krimin që kishin bërë vëllai dhe dy dajat e tyre, krim për të cilin ata edhe ishin dënuar nga drejtësia.

Në një vend normal, me shtet dhe njerëz normalë, arrestimi dhe dënimi i një vrasësi shënojnë edhe fundin e luftës së shtetit me kriminelin. Por në Shqipëri nuk ndodh kështu. Si në një skenë ku luhen tragjedi mesjetare, ca njerëz të plakur e të veshur si tartakutë, por edhe të rinj e të veshur me firmato, ndjekin pas njerëzit e pafajshëm si hienat viktimat e tyre. Në zhargonin popullor një njeri i tillë quhet gjakës, pasi ai i ka vënë vetes një qëllim: Të marrë gjakun. Këta njerëz janë gati të vrasin këdo, burrë, grua apo edhe fëmijë, të lidhur apo jo me krimin, veç të çojnë në vend misionin e tyre gjakatar.

Të tilla histori makabre na rikthejnë pas në kohë, shumë pas, na kthejnë në kohën kur në viset tona nuk kishte shtet dhe shtetin e bënin ca kode zakonore pa asnjë lidhje me ligjet normale të një shteti. Për fat të keq, edhe në kohët moderne, këto kode vazhdojnë të jenë të fuqishme, vazhdojnë të kontrollojnë mendjet e mbrapshta të disa njerëzve që sfidojnë shtetin, ligjet dhe gjithë shoqërinë. Këto histori janë një argument i madh që popujt e qytetëruar të Evropës të na trajtojnë si një rezervat natyror, ku koha e shoqërisë njerëzore ka ngecur shekuj pas.

Ky është fenomeni i gjakmarrjes, i cili prej 17 vjetësh është rizgjuar duke i bërë një sfidë të hapur shtetit dhe drejtësisë. Për fat të keq, shteti dhe qeveritë në seri, në vend të përballjes me fenomenin e egër dhe njerëzit e egër, kanë zgjedhur kozmetikën e heshtjes dhe mbulimit të plagës. Përballë një dukurie kaq makabre, shteti nuk ka reaguar, por e ka trajtuar atë njësoj si të gjitha krimet e botës moderne, sepse ai i trembet imazhit të keq. Si mund të hyjmë ne në Evropë me gjakmarrje, me njerëz të ngujuar, shtetas që qëndrojnë në arrest shtëpie pa vendim gjykate? Vërtet, si mund të na pranojë neve shoqëria e civiluar perëndimore me ca përbindësha në gjirin tonë, që krekosen para viktimave të tyre, duke thënë se tani do ta bëjnë burgun të qetë e do të vdesin të qetë, pasi e përmbushën detyrimin e jetës?! Por, që të jemi qelibar para botës qytetare, ne nuk duhet të fshehim kufomat e këtij krimi, e të shtiremi sikur nuk ka ndodhur asgjë. Jo, ne duhet të vëmë në lëvizje të gjitha ingranazhet e makinerisë shtetërore për ta zhdukur këtë monstruozitet mesjetar. Vetëm atëherë ai nuk do të jetë më.

E vërteta është se, do apo nuk do qeveria, gjakmarrja ekziston. Nuk ka rëndësi sa familje janë në gjak, sa njerëz vriten çdo vit, sa burra janë të ngujuar, sa fëmijë kanë lënë shkollën, sepse nuk kanë siguri për jetën dhe sa gra rropaten arave për të mbajtur gjallë familjet e tyre të ngujuara. Ky fenomen është këtu mes nesh dhe po e gërryen shoqërinë tonë përbrenda, po e kalb trupin e saj dhe ajo do të kalbet, sado ta veshim ne me kostum evropian dhe t‘i vëmë emër perëndimor.

E vërteta tjetër është se kurrë njëherë shteti nuk u mor seriozisht me këtë dukuri, edhe pse denoncimet publike kanë qenë të bollshme e me skenarë deri të pabesueshëm. Ashtu si dy të rinj që u vranë krejt pa faj në periferi të Tiranës, ka shumë fëmijë të cilët nuk kanë më ngjyrë njeriu nga koha e gjatë qëndrimit brenda në ngujim. Mediat kanë folur për qindra raste të tilla, por asnjëherë shteti nuk ka trokitur në derën e njerëzve të ngujuar. Pak vite më parë, televizionet kërkuan publikisht marrjen në mbrojtje të një burri dhe vajzës së tij në Bushat të Shkodrës, të cilët ishin së bashku në një shtrat me trupin mbushur me plumba, të qëlluar nga gjakësi në të parën herë që kishin thyer ngujimin. Asnjë polic e asnjë prokuror nuk i trokiti në derë atij. Sot ai nuk është më. Herën e dytë që doli të punonte për të mbajtur fëmijët, e vranë.

Ka plot raste të tilla dhe nuk ia vlen më të denoncosh. Tashmë është koha të prodhohen zgjidhje për problemin pasi ekzistencën e tij e di e gjithë bota e qytetëruar. Por a luftohet ai me mallkimin që u bëjmë ne të gjithë kriminelëve sa herë dëgjojmë histori të tilla? Padyshim që jo. Ai duhet të luftohet me forcën e shtetit, vullnetin e politikës dhe "rebelimin" e gjithë shoqërisë së zhvilluar. Është një kacafytje mes civiles dhe mesjetës, ndaj dhe duhen bashkuar forcat e të gjithë mekanizmave shtetërorë e shoqërorë. E themi këtë, pasi realiteti është akuzues për qeverinë dhe klasën politike. Në maj të vitit 2005, Parlamenti miratoi një ligj për krijimin e Këshillit Konsultativ për Luftën Kundër Gjakmarrjes dhe Ngujimit. Ky ligj, u duk qartë se ishte më shumë një kozmetikë juridike, sesa një përpjekje serioze për të luftuar këtë fenomen. Që nga ajo ditë, këshilli nuk u mblodh kurrë, ndërsa qeveria nuk nxori asnjë akt nënligjor, ashtu siç e kërkonte ligji. Duke parë pamundësinë e zbatimit të tij, një grup organizatash, me iniciativën e Forumit të Mendimit të Lirë angazhuan ekspertë ligjorë dhe hartuan një projektligj, i cili amendonte ligjin ekzistues dhe parashikon krijimin e një agjencie nën varësinë direkte të Këshillit të Ministrave. Ajo ka për detyrë të bëjë identifikimin e parë zyrtar të familjeve të prekura, personave të ngujuar, fëmijëve që kanë braktisur shkollat, të mbledhë dëshmi e të dokumentojë historinë e konfliktit. Me pak fjalë, detyra parësore e saj, sipas projektligjit, është krijimi i dosjeve për secilën familje në konflikt. Ky informacion do t‘i dërgohet më pas policisë dhe prokurorisë dhe do të shërbejë si denoncimi i parë zyrtar ndaj krimit të ngujimit dhe kanosjes për vrasje si pasojë.

Prokuroria nuk është vënë as edhe një herë të vetme në lëvizje kundër këtij krimi, edhe pse ka një nen në Kodin Penal që e dënon atë. Gjithashtu, mbi bazën e këtij informacioni do të hartoheshin politikat arsimore e sociale për familjet dhe individët në nevojë. Ky projektligj pasonte amendimet në Kodin Penal, të bëra po me iniciativën e Forumit të Mendimit të Lirë, ku u forcuan masat e dënimit për krimin e gjakmarrjes dhe ngujimit. Por projektligji nuk u mirëprit nga qeveria, e cila mbron tezën se angazhimi politik kundër këtij fenomeni do ta damkoste shoqërinë tonë. Por ne mbrojmë idenë se dokumentimi, denoncimi dhe ndëshkimi i fajtorëve, shoqëruar me veprime anësore në shërbim të zhvillimit dhe edukimit të të rinjve, do të ishte e vetmja mënyrë që edhe në Shqipëri të nisë fillimi i fundit të epokës së gjakmarrjes.

Sado kozmetikë evropiane t‘i bëjmë ne shoqërisë sonë, sado reforma të bëjmë ne në letra dhe sado evropianë të vetëquhemi, gjakësi që bën roje pas gardhit ku qëndrojnë viktimat e tij të ngujuara, na kthen shekuj e shekuj pas. Ajo vajza dhe vëllai i saj që u vranë të enjten në mbrëmje në Kamzë godasin më shumë se njëmijë raporte kritike nga Brukseli apo Departamenti i Shtetit. Ato viktima tregojnë fytyrën e vërtetë të shoqërisë sonë, tregojnë plagët e thella të saj, që nuk mbyllen me asnjë lloj makijazhi, nëse nuk shërohen.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT