E enjte, 28.03.2024, 10:31 PM (GMT)

Faleminderit

Selman Etemi: Dëshmori i Kombit Tahir Lush Berisha (11.02.1969 - 26.05.1992)

E premte, 07.01.2011, 10:00 PM


DËSHMORI I KOMBIT TAHIR LUSH BERISHA

(11.02.1969 - 26.05.1992)

 

Nga Selman ETEMI

 

Se, gjëja më e shtrejtë për njeriun është liria e jo jeta, këtë me kohë, që në ditët e hershme të rinisë, e kishte të ngulitur në mendje dhe shpirt, e që ndikoi në idealformimësinë e një shqiptari të vërtetë, i cili e dëshmoi gjatë jetëshkurtësisë së vet, dhe më në fund me flijimin që bëri për Komb, na ishte Dëshmori i kohërave të hershme vigani syshqiponjë Tahir Lush Berisha. Që të jesh i tillë, me një fisnikëri e trimëri të rrallë e të dëshmuar për Atdhe, duhet të kesh edhe burimamtësinë nga një Familje, siç na  ishte ajo e Tahir Muratëve nga Leshani.

 

Fshatin Leshan e kemi në komunën e Pejës, dhe nga po i njejti merr emërtim e tërë fushështrirja që nga qyteti i bukur i Pejës e deri atje ku bashkohet Drini i Bardhë me Lumbardhin (Bistricën e Pejës) në Grabanicë të Klinës, dhe quhet Lugu i Leshanit. Këtë gjatësi afërsishtë 22 kilometërshe e përshkon magjistrala Prishtinë - Pejë. Leshani, gjithmonë ishte qerdhe nacionalistësh të përbetuar në të mirë kombi. Nga po ky mes pati luftëtarë të dëshmuar në luftë për mbrojtje të kufijve veriorë të vendit nga sllavoçetnikët serbë e malazezë, ku qëllim kishin copëtomin dhe grabitjen e tokave shqiptare. Leshani (pa dallim të madh nga fshatra tjera të këtij mesi) përjetoi dhunë të pandërperë nga stacioni policor famëkeq në Kliçinë. Periudhat e emërtuara apo të njohura për të keqën e shqiptarëve, si “Aksioni i mbledhjes së armëve” e “Koha e otkupit-tepricave” për këtë fshat ishin shumë të vështira. U bënë tortura të llojllojshme, me qëllim çrrënjosjeje të kësaj popullate shqiptare që të shpërngulej nëpër botë apo të zhbëhej fare. Edhe vitet e tetëdhjeta e sidomos të nëntëdhjetat për këtë mes ishin tejet të rënda por dhe të veçanta e të lavdishme në të mirë kombi, duke mos përjashtu edhe Luftën Çlirimtare të UÇK-së, pjesë e së cilës ishin edhe trimat e këtij fshati. Po këtu, kishim dhe kemi familje që në të mirë të atdhut sakrifikuan çdogjë që kishin, duke mos e kursyer edhe jetën dhe tërë familjen. Gjithmonë nga këtu pati burra të mençur e të besës. Ata u dëshmuan gjithëherë sipas nevojës dhe rasteve që t’i dilet zot këtij populli të shumëvuajtur dhe vendi të okupuar nga ardhacakë karpatianë e të tjerë. Në mes të këtij fshati ende ngreh shtat kulla trikatëshe dhe mulliri bashkë me kroin, vepër e lartëçmuar e prijësit dhe udhëheqësit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe njëndër organizatorët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i madhi hero Kombëtar, Haxhi Zeka. Që nga kohët më të hershme, nga ky fshat patem shumë burra  të besës e trimërisë, dijëtarë dhe pleqnarë, që padyshim të tillë pati edhe nga familja e Tahir Muratëve.

Babai i Tahirit, Lush Berisha u lind në vitin histotik për kombin (1912). Ishte një ndër meshkujt më të devotshëm të familjes së Tahir Muratëve. Lushi kishte tre vëllezër, Ramushin, Muratin dhe Musën. Familje kjo që u dëshmu në të gjitha kohërat, por barti në kurriz një persekutim e dhunë të paparë, duke fillu që nga sundimi turk e deri te ai sllav. Gjatë sundimit sllav mund të veçohen: e quajtura periudha e mbledhjes (grumbullimit) të “tepricave“, kohë kjo e cila filloi të zbatohej detyrimisht për shqiptarër, në vitet 1946-52, pra pas riokupimit të Kosovës nga serbosllavia, pastaj periudha famëkeqe e “aksionit të armëve“, e kështu me radhë, që kësaj Familje i solli katrahura që veç ai armik dinte t’i ushtronte.

Bujaria por dhe trimëria këtë Familje e bënë të dalluar nga shumë të tjera. Kur zëmë në gojë bujarinë, mund të themi se kjo derë tipike shqiptare ishte e hapur gjithmonë dhe në çdo kohë, qoft për miq, kalimtarë apo luftëtarë. Që të prezantohet trimëria por dhe qëndresa burrërore mund ta përshkruajmë me veçimin e një shembulli, për të madhin Lush Berisha, babë i dëshmorit Tahir, është vrasja e shkaut. Vrasje kjo që ishte bërë për nxjerrje haku për shqiptarin e vrarë të familjes Baleci nga Grabanica e Klinës, nga po ky shka. Kështuqë lidhur me rastin, akuzohen për vrasje Lush Berisha bashkë me Fazli Metën e Ramë Beqirin, edhe pse arrestohen dhe dënohen me vite burg të rëndë, që të tret, asnjëri as që e pranuan veprën, përkundër torturave çnjerëzore që i përjetuan në kazamatet sllave. Lushi u dënua me 10 vite, Fazliu me 7 dhe Rama me 12 vite burg. Rast ky që kishte ndodhur jo shumë kohë pas Luftës së Dytë botërore.

Kemi edhe shumë raste tjera ku dëshmohet se kjo Familje ishte, si të thuash, pararojë në Lugun e Leshanit, e sidomos në Leshan. Dhe, sa herë që ka kërkuar atdheu, e, sa herë që është lëshuar kushtrim për t’i dalë zot kësaj toke dardane, kjo derë e Tahir Muratëve përherë i është përgjigjur, pra, aty ku ka qenë nevoja dhe kërcitur pushka për liri kombi dhe bashkim të trojeve shqiptare. Kjo Familje e besës dhe e pushkës i dha vendit luftëtarë trima e të zotë, djemë    pushkës dhe penës. Kjo na ishte dhe është Familje që i rriti namin dhe nderin kësaj toke të lashtë dardane. Nëpër të gjitha etapat kohore, e që ishin të vështira për kombin, kjo la gjurmë të pashlyera në historiografinë e kombit shqiptar.

 

NGA FAMILJE TË MIRËFILLTA LINDIN DËSHMORË E HEROJË KOMBI

 

Nga burra trima dhe të dëshmuar në të mirën e kombit si dhe nga nënat sokolesha, linden veç herojë që i dulen zot atdheut në ditët më të vështira. Këtë fat e pati (bashkë me kombin) edhe i madhi hero Tahir Berisha. U lind më 11.02.1969, në Leshan të Pejës. Kohë kjo, që bartëte në vete plagët e një viti më parë, ku rinia shqiptare kërkoi liri kombi e pavarësi vendi. Pesha e dhunës vetëm sa shkonte e shtohej. Babë kishte Lushin kurse nënë Shkurtën. Nënë Shkurta ishte bijë e familjes Kelmendi të fshatit Qollopek, familje kjo që ishte e njohur kombëtarisht në tërë Lugun e Baranit. Kjo sokoleshë e priti të fejuarin (Lushin) dhjetë vite, derisa e kreu dënimin me burg. Edhe pse i fejuari (Lushi) e kishte njoftuar familjen e saj që mos ta bënte një pritje të tillë, se nuk e ditke se kur do të dilte nga ai ferr - burg. Kështu, pas dhjetë vite burg Lushi kthehet në shtëpi. Martohet dhe krijon familje. Bashkë me Shkurtën zhvilluan dhe krijuan familje tipike shqiptare me gjithsejtë pesë djemë dhe një vajzë: Skënderi, Gala, Ismeti, Ibishi, Tahiri dhe Maxhuni.

 

I madhi Tahir, filloren e kreu në shkollën “Zef Serembe” në Gllaviqicë. Arsimin e mesëm e bëri (përfundoi) në Pejë, në shkollën e mesme të artit “Odhise Paskali”. Rexhistrimin studimor e bëri në vitin 1990/91, në  Sh. L. Teknike të dizajnit në Ferizaj. Si, gjatë arsimit të mesëm ashtu edhe gjatë studimeve, Tahiti ra në kontakt me vlerën e mirëfilltë kombëtare. U brumos dhe shtoi në përsonalitetin e vet vlerën që jo shumë vonë do t’ia dhuron kombit të vet mu në ditët me të vështira. Kombi lëngonte nga sundues shekullorë. Me troje etnike të copëtuara në pesë a më shumë shtete. Burgjet përplotë me të rinjë e të reja, me më të mirët e kombit. Fatkeqësisht, ishte kohë që lojalitet tregohej edhe nga ca servilë shqipfolës, por fatbardhësisht jo të shumtë, ndaj atij pushteti. Kosova zbrazej për çdo ditë e më shumë. Ata të cilët shpëtimin e kërkonin dhe ndoshta e gjënin me anë të migrimit jashtë, Tahiri e bëri të kundërten, mbeti në Kosovë dhe me mund, sakrificë por dhe me pushkë e mbrojti këtë tokë dhe popull të shumëvuajtur e liripritur. Ai çdoherë me një guxim të madh dhe gadishmëri të rrallë kundërshtonte atë pushtet policor. Atë e dëshmoi disa herë haptasi, por edhe duke iu kundëvu edhe me pushkë. Gadishmëria e Tahirit, për të luftuar dhe vdekur për këtë liri, dëshmon rasti i shtatë muajve më parë, para se të vritej, kur lufton fronatlisht me sllavopolicët.  Nga i cili rast mbetet edhe i plagosur, por fati, këtë herë, për jetë ishte në anën e tij.

Për këtë dëshmon (ndër të tjera) Qaush Berisha, kushëri shumë i afërt i dëshmorit Tahir, i cili na thotë për rastin e ndodhur në vitin 1991:  “… me datën 12.11.1991, Tahir Berisha hasë në një patrollë të policisë serbe. Ata e ftojnë (urdhërojnë) që të dorëzohet dhe kinse i premtojnë se nuk do t’i ndodhte asgjë e keqe. Tahiri nuk iu beson dhe pas një shkëmbimi të zjarrit me armë, Tahiri merr një plagë të rëndë në shpatullën e djathtë. Kjo kishte ndodhur rreth mesit të natës, pasiqë po kthehej nga një mbledhje me shokët e vet. Ashtu i plagosur kthehet në shtëpi. Për këtë ngjarje e njofton vetem vëllaun e vet Skënderin dhe kunatën Eminën. Skënderi arriti që të kontaktoj me Dr. Mazllum Ismajlin nga Peja, i cili u përkujdes për shëndetin dhe shërimin e tij…”

Edhe pas këtij konflikti të armatosur, aktiviteti në të mirën e kombit, nga ana e Tahirit, vetem sa shkon e shtohej. Ai tani veç kishte tek vetja qëndrim të prerë, se me çdo kusht dhe duke mos përjashtu asnjë çmim, duhet përpjekur por dhe luftuar qoft edhe me armë, që kombi të çlirohet njëherë e përgjithmonë dhe të bashkohet në një shtet natyral - Shqipëri etnike.

 

PISHTAR I DITURISË DHE LUFTËTAR I LIRISË

 

Shkolla shqipe, e sidomos në atë kohë kur përpjekjet e dhunshme nga armiqët shekullorë, përpiqeshin që ajo të mos ekzistonte më për shqiptarët, i madhi Tahir e tani dëshmor kombi, tregoi gadishmërinë dhe i doli zot asaj.

Edhe pse i ri në moshë, që më kohë kishte rënë ndesh me format sllavosunduese që zbatonte okupatori qindvjeçar në tokën arbërore. Me plotë dëshirë, vullnet por dhe guxim iu bashkangjit armatës arsimdashëse, me qëllim, që shkolla shqipe të triumfoi ndaj rrebesheve dhe dhunës që ushtrohej nga pushteti policor serb, ku qëllim kishte zhdukjen se çdogjëje që frymonte shqip. I madhi Tahir, iu kundërvu burrërisht e trimërisht atij pushteti serbosllav në forma të ndryshme. Padëgjueshmëria ndaj atij pushteti ishte fillestarja, e kështu deri te vetëflijimi për liri dhe atdhe të bashkuar.

Mu atëherë, kur arsimi shqip përjetonte ditët më të vështira, Tahir Berisha filloi të japë kontributin e vet kombëtar në shkollën “Azem Bejta” në Grabanicë. Shkollë kjo që përpelitej me rrebeshet e kohës sllavosunduese. Këtu, në këtë vatër arsimore dhuna ishte më e shtuar, për dallim nga shkollat tjera të po kësaj komune apo dhe më gjërë. Shkak ishte edhe emri i heroit kombëtar Azem Bejta, që mbanë kjo shkollë, e që bëhej presion i vazhdueshëm që emri të hiqej, por, që asnjëherë nuk u arrit që kjo të bëhej, dhe me krenari e mbanë edhe sot.

Vitet e 90-ta ishin ndër më të vështirat për këtë pjesë të kombit, këtu në Dardaninë antike - Kosovë. Të gjithë të larguar nga puna. I tërë populli shqiptar survejohej në çdo hap. Maltretime, biseda informative, rrahje, burgosje, vrasje. Vinin arkivole me djemë shqiptarë nga armata serbosllave. U mbyllen shkolla e maltretime të vezhdueshme edhe ndaj nxënësve shqiptarë. Helmime të nxënësve në vazhdimësi nëpër shkollat shqipe. Pra çdogjë shqipe, sipas armikut, duhej të zhduket. Emra të shkollave, rrugëve dhe institucioneve tjera, sidomos atyre kulturore e historike, duhej ndërru - sipas tyre. Të gjitha këto i përjetoi edhe shkolla shqipe “Azem Bejta” në Grabanicë të Klinës. Mësuesit, edhe pse pa pagesë, shkollës shqipe i dulen zot. Një nga mesi i të shumtëve na ishte arsimdhënësi dhe dëshmori i kombit Tahir Berisha, arsimtar i po kësaj shkolle.

Punës edukative e arsimore i përkushtoi kujdes dhe e krynte atë me përkushtim e përpikëri të plotë. Ishte shumë i dashur dhe i afërt me nxënësit e kolegët e vet shqiptarë. Shumë shpejtë ishte i padëshirueshëm për punëtorët serbë e malazezë, si dhe drejtorin e tyre poashtu serb, e, i cili kishte ardhë i dhunshëm në këtë skollë nga pushteti policor sllav. Shkak ishin temat por dhe punimet me tematikë kombëtare shqiptare, të cilat Tahiri i punonte me nxënës. Pastaj, asfar komunikimi nuk bënte me ta. Ishte i zëshëm kundër ndërrimit të emrit të kësaj shkolle nga pushtuesi. Gazeta e murit çdoherë ishte e stolisur nga punimet me tematikë kombëtare dhe kërkim lirie. Ishte i pari në përgaditje për ndonjë ditë kremteje, e sidomos për kremtimin e Ditës së kësaj shkolle, e cila festohej për çdo vit, me 15 maj. E fundit ditë kremteje për Tahirin, ishte 15 Maji i vitin 1992, pra, 11 (njëmbëdhjetë ditë) para se të luftonte ballë për ballë me policët serbë. Në mëngjesin e hershëm të kësaj ditë të 15 majit, e, që për ne ishte ditë kremteje, i ndrituri Tahir, si gjithherë i buzëqeshur, pos revolverit 11 mm, të cilin e kishte të pandar nga nësqetulla me rripa mbajtës, sot kishte me vete edhe fotoaparatin fiksues. Pra, ishte i përgaditur për çdogjë të mundshme por dhe të pritshme. Pas konsultimtakimit të këshillit organizativ dhe konstatimit se çdogjë ishte gati për fillim të këtij evenimenti, në oborrin e shkollës arriten forca policore serbosllave. Veç kishin fillu të vinin mysafirë të ftuar. Të parët ishin ata nga shkolla “Azem Bejta” e Prekazit të Adem Jasharit. Masa e qytetarëve nga fshatrat, Grabanicë, Bokshiq, Dollovë, Këpuz, Qeskovë, Zajm por dhe nga meset tjera, filloi të tubohej në oborrin e shkollës. Prezentë ishin gati të gjitha strukturat e zgjedhura nga vota e popullit shqiptar, për komunë të Klinës, duke i përfshi edhe ato partiake. Qëllimi ishte, se pas kremtimit, masa të shfrytëzohej për një demostratë, për mosndryshim të emrave të institucioneve, e sidomos emrin e shkollës tonë, si dhe t‘u tregohet, se ky popull kërkon liri dhe pavarësi të plotë. Kjo ishte bërë në organizim me faktorët jashtë kolektivit të shkollës. Fjala e rastit ishte e shkruar në tri kopje. Me qëllim, në rast arrestimit tim, atë ta bënte drejtori nga Prekazi. Pas mos bindjes time ndaj urdhërit të policisë, që masa të shpërndahej dhe mos të ketë manifestim për Ditën e shkollës, turma filloi të gumëzhinë në shenjë kundërshtie ndaj këtij urdhëri policor. I madhi Tahir, e që mbante syze zakonisht, vërejta se i kishte hjekur. Më këtë nënkuptohej se ishte i gatshëm për çdo gjë. Revolverin e kishte në dorë por të mbështjellur me sakon që mbante në dorën e djathtë. Iu tha që mos të ndërmerr asgjë, sepse ata (policët) mezi pritnin të ndizej vetem një shkëndijë sado e vogël. Ia preferova që mos t’u bie në sy policëve, se, veç kohë të gjatë kishte që përcillej nga ta. Fati e deshti, një pjesëmarrës e njëherit punëtor i kësaj shkolle, zhvillon dialog verbal me policë serbë, të cilët edhe ia marrin letërnjftimin, iku me vrap nëpërmes turmës, kurse policët përpiqeshin ta vëjnë në shënjestër me autometikë. Atëherë, prap i madhi Tahir deshti të zbrazë plumba në ta, por e penguam ne disa, sepse aty do të shndërrohej në një masakër për nxënës, prindër dhe pjesëmarrës tjerë. Dy ditë më pas, dëshmori Tahir Berisha m’i sjelli fotografitë, që vetë i kishte bërë me rastin e intervenimit të forcave serbe, dhe me tha: “…me keni lënë pa i zbrazur plumbat mbi ata qenë”. Ia preferova që, disa ditë mos të ekspozohej, por edhe në shkollë mos të vjen. Sepse ishte kohë, të cilën e bashkëjetonim edhe me njerëz argatdreqbërës, por dhe pasiqë kisha dëgju për rastin e ndodhur rreth vëllait të tij më parë, dhe plagosjes së tij lidhur me këtë rast, nga policia serbe. Tahiri veç ishte nën përcjellje, këtë edhe vet e thoshte, por në rreth të ngushtë. Këtë ma thonte edhe kur bisedonim për formimin e grupit të armatosur për Leshan apo Pejë. Pasiqë kjo veç ishte kryer për këtë lokalitet, e me qendër në Grabanicë, e që për këtë Tahiri e dinte. Kjo bëhëj sipas rregullave të përcaktuara nga Fronti i Rrezistencës dhe i Bashkimit Kombëtar, e që udhëhiqej nga i madhi për të gjitha kohërat, Mentor Kaçi.

 

LAJM QË TRONDITI ZEMRA NXËNËSISH E TË GJITHË NEVE

 

Ishte ditë e vështirë për mua, që para se të filloi mësimi, të rrjeshtohen të gjithë nxënësit shqiptarë para shkolle, dhe t’u komunikohej lajmi i hidhur për vdekjen e arsimtarit të tyre të dashur por dhe kolegut tonë shumë të çmuar. Rënja heroike e këtij vigani sypatrembur por dhe adukatori e pishtari të diturisë për breza, lexohej në lotet e nëpërfaqura të çdo nxënësi dhe arsimtari shqiptar aty prezentë. Të pandalshme ishin lotet nga ky brezfiliztar kombi, për arsimtarin e tyre tani të vrarë. Sypërloturi dhe trupdridhuri, nga rasti, xha Syla (Sylë Hasani punëtor shkolle) pyeste, por si në vehte: “…o zot, a ka kombi edhe ma ksi djemë që i dalin zot ktij vendi e populli, si ky sot … heu bre, zoti i vraftë kta katila, po shka po na bajnë…heu Tahir e të lumt pushka…“ Të gjithë ne ngushëllonim njëri-tjetrin për vdekjen e vëllaut tonë, por dhe për rënjën e ushtarit të lirisë.

Kjo pushkë sikur na bëri më të fortë ndaj atij armiku shtypës. Plumbi i Tahirit sikur i vrau edhe shkijët, (punëtorë e nxënës në këtë shkollë), të cilët me të dëgjuar për rastin, ikën rrufeshëm nga shkolla. Ky ishte mëngjesi i 26 Majit 1992, kur i palodhshmi punëtor shumëvjeçar i kësaj shkolle, Xhafer Shabani, pruri lajmin për rënjen heroike të dëshmorit të kombit shqiptar, Tahir Lush Berisha.

Ishte ditë që shkollën tonë e mbuloi hijevdekja, por njëkohësisht edhe krenaria, sepse në këtë ditë plumbi i shqiptarit e qëlloi mu në ballë atë që po përpiqej të na zhdukë edhe si qenje njerëzore.

Me të shkuar në Leshan, ku ishte edhe vëndlindja e shtëpia e të madhit Tahir, kishte kapluar gjithandej zymtësia. Tanke e forca të panumërta policore anekënd. Çdo kush që haste në këto forca rrahej barbarisht. Këtë fat e patëm edhe ne, disa kolegë të Tahirit, si,  unë (autori), Kadri Sahiti, Xhafer Shabani, Qazim Beqiri, etj.

Numër i madh prindërish dhe qytetarë tjerë, me të dëgjuar për rastin, erdhën dhe na vizituan tek shkolla, të cilët edhe na shprehnin ngushëllime, por pati nga ta që udhëtuan edhe për në Leshan. Nga ta, disa edhe u rrahen nga policia serbosllave. Një ndër të shumtë, i rrahur ishte edhe aktivisti i dalluar për komb, Riza Fazliu nga Grabanica, pastaj Xhavit Dranqolli nga Zajmi (Xhaviti ishte me mua në rrahjen e parë). Këtu, me këtë rast, pati qindra e qindra të rrahur e të sakatosur, pa përjashtim. Këtë e bënte armiku shekullor nga mllefi, se kësaj here nuk shkoi huq plumbi i shqiptarit. Kësaj here iu tregua, se kjo tokë ka zot, dhe këtë po e bëjnë që t’u tregohet, se të huaj janë në këtë tokë.

 

Sa i përket këtij rasti të 26 Majit 1992, Qaush Berisha shton: “…Me 24.05.1992 u organizuan votimet e para për President dhe Parlament të Kosovës. Tahiri me shumë bashkëvendas të tij arriten të organizojnë por dhe të zhvillojnë me plotë sukses këto votime. Si zakonisht, edhe kësaj here Tahiri u dallua shumë gjatë votimeve, të cilat u mbajtën në Xhami të fshatit Leshan. Pasiqë policia i përcillte vazhdimisht, ata veç kishin vendosur ta eliminojnë këtë djalosh, që për Kombin dha shumë. Pikërisht me 26 Maj 1992, pasi po ktheheshin nga shtëpia e Mustafë Haradinit, ku ishin për aktivitet kombëtar, bashkë me aktivistët e fshatit, në afërsi të shtëpisë së vet (Tahirit), policia serbe i kishte zënë rrugën. Tahiri, pa e ditur se iu kishte bërë prita, së bashku me fqiun e tij Ramadan Krasniqi po ktheheshin për në shtëpi rreth orës 03:00 të mëngjesit, bjen në atë pritë, por duke lënë të vdekur njërin polic dhe tjetrin të plagosur rëndë…”

 

Shtypi ditor, i asaj kohe, kështu paraqiti rastin e ndodhur me 26 Maj të vitit ‘92:

 

RILINDJA,27.05.1992

KONFLIKT I ARMATOSUR NË LESHAN TË PEJËS

U VRA NJË QYTETAR SHQIPTAR DHE NJË MILIC

 

U vra Tahir Lush Berisha, 23 vjeçar nga Leshani i Pejës dhe milici Sllavolub Bogosavleviq, 25 vjeç dhe u plagos rëndë milici tjetër Branisllav Çekerliq. Pos arrestimit të nënës së Tahirit dhe vëllëzërve e kushërinjve të tij u arrestuan dhe u maltretuan edhe shume qytetarë të tjerë që nga Kliqina e deri në Pejë. Çfarë do të ketë qenë nata e mbrëmshme në këtë fshat e rajon, kur ai mbeti i rrethuar nga forca të mëdha policore e në anën tjetër dëshmitarët thonë se serbët e vendbanimeve përreth janë mobilizuar dhe po armatosen?- Këtë fshat dje vizitoi edhe senatori belg Wili Keppers dhe veprimtarët kosovarë. Leshani i Pejës, dje, pas konfliktit të armatosur që, siç thonë dëshmitarët, po edhe komunikata e milicisë serbe, ndodhi parmbrëmë rreth orës 3 pas mesnate, ku u vra Tahir Lush Berisha, 23 vjeç, arsimtar i artit nga Leshani dhe milici Slavolub Bogosavleviq, 25 vjeç, nga Poterçi i Klinës, si dhe u plagos rëndë milici tjetër Branislav Çekerliq (që të dy milicë në stacionin e milicisë në Kliqinë afër Pejës), i ngjante ferrit.

 Në orën 11, kur ekipi i reporterëve të „Rilindjes“ arriti në Leshan, aty vërehej një qetësi varri. Në rrugët e fshatit nuk kishte njeri të gjallë e as milicë. Atmosferë e tillë ishte në këtë kohë edhe në fshatrat përreth dhe gjendja e tendosur vërehej deri në Pejë. Ishte vështirë të gjendej njeri dhe për rrëfim. Pas shumë bredhjeve dhe kontaktit të parë me banorët e fshatit, arritëm të mësojmë se ngjarja ndodhi, dje në mëngjes, kur siç sypozohej, i ndjeri kthehej në shtëpi nga vendi i votimeve, ku ishte bërë numërimi i votave të zgjedhjeve të sapo përfunduara në Kosovë. Askush nuk di si filloi dhe si u krye kjo ngjarje tragjike. Vendësit thonë se kanë dëgjuar krisma armësh, pas të cilave nuk u është lejuar të dalin nga shtëpitë. Deri në ora 8 të mëngjesit, policia e ka mbajtur të rrethuar fshatin, ndërsa më vonë ka filluar hyrja e policisë nëpër shtëpi, arrestimet, maltretimet e rrahjet. Me këtë rast, sipas fjalëve të dëshmitarëve, pas bastisjes së shtëpisë së të ndjerit, milicët arrestuan nënën e të vrarit, Shkurte Berishën-70 vjeç dhe dy djemtë e saj Skënderin, 30 vjeç dhe Maxhunin 20 vjeç. Pos këtyre u arrestuan edhe mixha i viktimës, Murati, 67 vjeç dhe djemtë e tij Shaqiri dhe Enveri 27 vjeç dhe Fadili 23 vjeç. Pas këtij arrestimi, kushërinjët dhe fqinjët e Tahir Lush Berishës deshën të organizojnë pritjen për ngushëllime, mirëpo, arriten 4 autoblinda, 8 vetura të ndryshme të mbushura me policë, të cilët ndërhynë në shtepinë e Idriz Xhemajlit, ku ishte organizuar pritja e ngushëlluesve dhe me atë rast rrahën rëndë të zotin e shtepisë, pastaj Ali Osmanin, 70 vjeç, Nimon Sylejmanin, invalid 65 vjeç, Malë Ramadanin 65 vjeç, Ramush Berishën 72 vjeç, Shaban Muzlinë 40 vjeç, dhe Ali Krasniqin 27 vjeç. Ramush Berisha, mixha i të ndjerit tregon se pas rrahjeve dhe sharjeve e fyerjeve verbale në dinjitetin familjar, policia u kërcënua se nuk guxon të organizohet e pamja.

Y.Avdiu/B.Zogiani

 

BASHKËRRUGËTIMI NË DITËT MË TË VËSHTIRA POR TË LAVDISHME PËR KOMBIN

 

Gati i tërë rasti (atëherë) disi na mbeti enigmatik, përsa i përket epilogut të vrasjes por dhe momentit para se të ndodhi luftimi i armatosur me policët serbosllavë. Këtë e kuptova shumë shpejtë, se i madhi Tahir, kishte qenë bashkë me shokun e idealit dhe bashkëvepruesin e një qëllimi, pra, me Ramadan Ademajn poashtu nga Leshani i Pejës, e, që synim kishin çlirimin dhe pavarësimin e Dardanisë antike nga hordhitë serbosllave, me të cilin kishte kaluar ditët më të bukura rinore (edhe pse të kufizuara), e gjithsesi bashkëluftëtarin në rastin e 26 Majit 1992, me ç’rast mbeti i vrarë polici Sllavolub Bogosavleviq dhe ishte plagosur rëndë tjetri me emrin Branisllav Qekërliq.

 

Ja se si na është përshkruar rasti tragjik por dhe patriotik nga bashkëveprimtari i të madhit Tahir Berisha, z Besar Shkëmbi alias Ramadan Ademaj, i cili edhe në sekondat e fundit të jetës së dëshmorit iu gjet pranë:

''...Dolem nga shtëpia e bashkëfshatarit tim Mustafë Haradinit …(dhe)… pas ndarjes me bashkëpjesëmarrësit mbetëm vetëm unë dhe i madhi, dëshmori, dhe sipas Zekerja Canës, ushtar i parë i UÇK-se, Tahir Lush Berisha. Mëqe ne kishim shtëpitë më larg se të tjerët na duhej të bënim edhe një copë rrugë. 50 m. pa arritur te shtëpia e tij, biem në pritë të policisë serbosllave, me të cilët zhvilluam një luftë të ashpër, me çrast vramë një dhe plagosem një tjetër polic serb. Mjerisht, në atë luftë mbeti …(i vrarë) … Tahir Lush Berisha. I plagosuri, që e dija se edhe ai ka mbetur i vdekur, ka zbrazur në mua 3 karikatorë. Fati me shpetoi. Pas qëndrimit tim 6 javorë nëpër familje të afërta kalova në Shqipëri, ku qendrova 17 ditë. … -Nga Shqipëria, … kalova në Rijeka të Kroacisë, … Nga dhuna që ushtroi policia sërbe menjëherë pas kësaj ngjarjeje, u rrahen më shumë se 4500 veta, (sipas një radioje shqiptare, Shqipëri). Pos rrahjeve, kontrollimeve dhe bisedave informative, vriten edhe qytetarë të pafajshëm. Më se keqi e pësojnë vëllezërit e Tahirit, Skënderi e Magjuni bashkë me nënë Shkurtën, axhallarët e tij, Murati e Ramushi, të bijtë e Ramushit, Enveri e Fadili, Fetia Ademaj, bashkëshortja e Ramadan Ademajt, fëmijët e saj, Beslinda e Sadik Ademaj, të cilët i shtrijnë përtokë për t´i shkelur me tank, Smajl e Rexhë Ademaj, axhallarët e Ramadan Ademajt, daja i tij Tahir Kelmendi, bashkëfshatarët Shpend Sadiku, Idriz Haliti, Shaban Muzlia, Nimon Sylejmani, pastaj kolegu i punës së Tahirit, Xhafer Shabanaj dhe familja e tij, e të tjerë. Pas disa ditësh serbët hedhin bombë në shtëpinë e Tahirit, me ç´rast plagoset rëndë, në dhomën e tij të fjetjes, axha i tij, Murati, i cili pas disa orësh vdes në spitalin e Prishtinës. Duke e kthyer kufomën në shtëpi, e shoqja e tij Haxherja, pengohet nga një punkt policie që ta qojë kufomën në shtëpi. Me ndihmën e disa fshatarëve Murati varroset në Bubavec. Ai rivarroset në varrezat e Leshanit menjëherë pas lufte, përkrah Tahirit. … Tahiri kishte tamam sjellje qytetari. Ishte i afërt dhe i sjellshëm me bashkëfshatarët, me shokët e miqtë e tij, po aq i rrept e i egër ishte ndaj armikut dhe atyre që luanin me fatin e kombit. Revolën, trashëgim nga i ati që kishte, kurrë nuk e hoqi nga rripat që i mbante në krihë. Ishte kurdoherë i gatshem ta përdorë në çdo rast, qoft edhe nëse i rrezikohej jeta e nxënësve apo kolektivit ku punonte. Për këtë dëshmon drejtori i shkollës, si dhe kolegu i tij Xhafer Shabani nga fshati Sferkë e thatë, të cilët e pësuan keq atë ditë kur u vra Tahiri. Përveç revolës kishte në shtëpi edhe bomba, vezë siç i quante ai. Një ditë pa u vra, kur donim të nisëshim për te Mustafë Haradini, ku kishim lënë takimin, i kërkoi të motres, Galës, e cila i kishte mëshefur ato në një vend më të sigurtë. Në ballë të dhomës së pritjes kishte një shqiponjë dhe një portret të Skënderbeut sa muri të gjatë, të cilin e kishte punuar vet. Se, ai ishte përleshur edhe njëherë tjetër mu me të njëjtit policë, në vendin e quajtur Dërplane të Sferkës së thatë, me ç‘rast ishte plagosur, përveç anëtarëve të familjes së tij (jo të gjithë) dhe meje nuk e ka ditur tjetërkush. Me ta u përlesh të hakmerret për të vëllain e tij të vogël, Magjunin, i cili çdo ditë udhëtonte këmbë për të ndjekur mësimet në gjimnazin e Pejës, në paralelën e ndarë në Trestenik të Pejës“.

 

Z. Ramadan, sa për sqarim, thotë:

 “ Tahiri ra heroikisht në agun e 26 Majit të 1992 jo më largë se 50 metra prej shtëpisë se vet. Dhe, se “…ai nuk u betua para shokëve të tij të LPK-së dhe as ishte anëtar i saj…      -Kjo është e vërteta dhe e kundërta e asaj siç u prezentua në ca mjete informimi“.  

 

Po me të njëjtin qëllim, vazhdon:

“Atë natë në shtëpinë e Mustafë Haradinit nuk kemi shkuar të numërojmë votat, siç kanë shkruar mediat, por, që të festohet për suksesin e punës tonë. …Numërimin e votave e kishim bërë menjëherë pas mbylljes se kutive, në shtëpinë e Bajram Fekëve … dhe i kishim përcjellur menjëherë për në qendër. Posa kemi dalur në oborr të Mustafës, Tahiri ka nxjerrë revolën dhe ka shti në ajr. …vendosem ta largojmë revolën. Atë e mori Demë Haradini i cili kishte me vete një biçikletë dhe me të mund të ikte më shpejtë. …Kemi fillu të shpërndahemi… Mëqe unë dhe Tahiri kishim shtëpitë në drejtim të njejtë dhe pak më largë se të tjerët, na u desht t’i bëjmë dy-tre kilometra së bashku. …por, fati deshti të ndodhë krejtë ndryshe.

Pasi kemi marrë revolën nga Dema, i cili kishte qenë duke na pritur në oborrin e shtëpisë së tij, kemi vazhduar prap në drejtimin e shtëpive tona, por pa ecur as njëqindë metra, kemi parë policët që ishin ndalur para shtëpisë se Tahirit, të cilët na urdhëruan të ndalemi dhe t’i ngrisim duart lartë. Mëqë unë e dija serbishten u thashë, se jemi ndalur dhe kemi ngritur duart lartë. Derisa na u afruan policët, Tahiri me tha, “deri sa unë t’i mbuloj policët me zjarr ti duhet të ikësh, sepse ti ke grua dhe fëmijë”. I thashë të mos bëj asgjë por ai kishte vendosur të luftojë me ta. Atëherë i thashë, sido që të ndodhë, do të jemi bashkë.

Njëri nga policët me është ofruar dhe me ka qëlluar me kondak të automatikut në gjoks. Duke mbajtur gjoksin kam ra në gjunjë dhe kam mbajtur Tahirin i cili u qëllua nga polici tjetër. Tahiri nuk ka lejuar t’i afrohet afër polici tjetër. Ka nxjerrë revolën dhe ka shti në të dhe e ka shtri përtokë, por, në të njejtën kohë ka ra edhe vet. Kam marrë revolën dhe kam shti në policin tjetër. Duke menduar se edhe ai ka vdekur, kam filluar të ikë me vrap nga vendi i ngjarjes. Pa u futur akoma në rrugicën që çonte në drejtim të shtëpisë sime, është zbrazur një karikator automatiku në drejtimin tim. Fati e deshti të shpëtoi nga plumbat që shkonin kah këmbët e mia. Para shtëpisë se Tahirit kam gjuajtur aparatin fotografik që kishte me vete dhe kam vazhduar tutje. Duke vrapuar kodrës që çonte në pyllin që ishte pronë e familjes se Tahirit, janë zbrazur edhe dy karikatorë të tjerë fishekësh. Edhe këtu deshi i madhi dhe shpëtova.

Pasi qëndrova rreth gjysmë ore në pyll duke vëzhguar se mos me ndiqte njeri, kam dalë nga pylli dhe duke ecur nëpër një vijë me ujë e baltë, kisha dëgjuar se kështu humbin gjurmët e qenit zbulues. I jam afruar shtëpisë dhe nga një dritare e vogël që ishte prapa jam futur brënda.

Pas pak ka ardhur axha i Tahirit, Ramushi, për t’i thënë shoqës sime për mua, të dal nga shtëpia e të mëshifna në pyll, ngase kishte dëgjuar të shtëna armësh. Ai e dinte se mua me ndiqnin akoma, dhe kishte menduar se kishin ardhur të me kapnin, e për atë shkak kishin gjuajtur në mua. Kur gruaja ime i thotë, se unë veç kisha dalë e futur në pyll, ai kthehet për të ardhur përsëri pas dhjetë-pesëmbëdhjetë minutash. Atëherë kam dalë unë. Ramushi me tha që mos të dalë prap, “… se, ata qentë kishin shtënë në njëri tjetrin”. Edhe pse unë i tregova se, unë dhe Tahiri ishim ndeshur me ta, dhe, se Tahiri kishte mbetur i vdekur, ai nuk donte t’i besonte të vërtetës. Pas një gjysmë ore, pothuaj gjysma e fshatit ishte në oborrin e shtëpisë sime. Me këshilluan të iku nga shtëpia dhe të strehohem dikund tek të afërmit.

Më vonë kam dëgjuar se aty, në oborrin tim, jo vetëm që i kanë rrahë deri në alivanosje, por edhe iu kanë thyer gjymtyrët.

Sipas Mustafë Haradinit, me të cilin u takova në Tiranë, mëse keqi kishin pësuar dy vëllezërit e Tahirit, Skënderi dhe Magjuni; dy të bijtë e axhës, së Ramushit, Enveri dhe Fadili; fqinji i Tahirit, Idriz Haliti, Shpend Sadiku dhe të gjithë ata që i kishin gjetur në oborrin tim. Nënën e Tahirit, Shkurtën, bashkë me të bijtë Skënderin dhe Magjunin i kishin marrë me vete në SUP-in e Pejës. Në SUP e kishin marrë edhe axhën Muratin me të birin e tij Shaqirin.                  

Gruas sime, edhe pas tre muajsh kur u bashkuam në Rijekë të Kroacisë, i diktoheshin akoma shenjat nëpër trup. ”Kur mi kanë shtrirë fëmijët përtokë dhe kanë dashur t’i shkelin me tank”, tregon ajo, “kurrë në jetë nuk jam gjetur më ngusht. Edhe nëse copë e grimë i bëjnë, pata vendosur të mos tregoi asgjë.”

Edhe dy axhallarët dhe anëtarët e tjerë të familjes i mbështesin me duar për muri dhe i rrahin deri sa i lënë të shtrirë përtokë.

Pasi qëndrova disa ditë nëpër familje të afërta, mua m’u desht të strehohem në bjeshkët e Istogut, saktësisht në bjeshkët mbi fshatin Cercë, sepse me kishin rënë në gjurmë.

Duke menduar se jam strehuar në Ruhot dhe Gurakoc, pas dy javësh e pësojnë keq familjet e Fetah e Shaban Sokolit, ku isha strehuar natën e parë pas ndeshjes me policët serbë, dhe pesë-gjashtë familje Dinaj.

Pas qëndrimit disaditorë në bjeshket e Cercës, lidhje pas lidhje arrij të strehohem në familjen Buçolli në Raushiq të Pejës, të cilën shfrytëzoj rastin ta falënderoj shumë. Kryetari i degës se LDK-së ishte një djalë nga kjo familje, me ndihmën e të cilit kalova në Shqipëri, e, nga Shqipëria me ndihmën e policisë kroate në Kroaci e prej aty në Gjermani“.

 

Tani, Ramadan Ademaj, jeton dhe vepron në Gjermani. Nga mbresëlënjet dhe dallgëpërplasjet e jetës gjenë frymëzim, nga icili sot kemi numër të madh poezishë të shkruara nga ai. Disa nga to kushtuar dëshmorit të kombit Tahir Berisha si dhe nënë Shkurtës, siç janë:

 

“Në zemër gurë kullash kishte”  -kushtuar nënë Shkurtës,

”Bisedë me një dëshmor në ditën e pavarësisë”  -kushtuar këtij dëshmori.

Si dhe shumë të tjera, të cilat veç i ka të botuara në përmbledhjen e titulluar: ”Ku ta shuaj flakën e etjes për ty Kosovë” .

 

Jahja Lluka, në librin e vet “Libri - Për Shtetin Tim Kosovën” - pjesa 3, bën shkarazi paraqitjen e rastit të Leshanit, ndodhur me 26 maj 1992:

“…Pas numërimit të votave, diku rreth mesnatës, në Leshan ndodh një vrasje. …Në mesditë, në lokalet e Shoqatës sonë mbërriti një delegacion nga Prishtina, në përbërje: profesor Fehmi Agani, profesor Pajazit Nushi, Zekeria Cana, Ymer Jaka e veprimtarë të tjerë. Ndërkohë, meqenëse situata në Leshan ishte shumë e tensionuar, ne vendosëm që një grup i veprimtarëve (Reshat Nurboja, Vera Kulgjeraj, Musa Rexha etj.) të shkojë dhe të shikojë se si është gjendja. Me këtë rast dua të them se vetëm falë Zotit dhe gjindshmerisë shpëtuan nga më e keqja e maltretimet më të rënda të gjithë veprimtarët që ishin nisur për Leshan pasi policia i kishte ndalur, maltretuar, rrahur e disa edhe arrestuar. Me të kthyer, delegacioni kërkoi që të shkojmë në shtëpinë e Tahir Berishës. Vendosëm që, së bashku me Niman Alimusën e me disa të tjerë, të nisemi për në Leshan. Shkuam në shtëpinë e Tahir Berishës, biseduam me familjen për rrethanat e vrasjes dhe për gjëra të tjera. Në këto momente policia serbe e kishte rrethuar shtëpinë dhe ne qëndruam për një kohë sa më të gjatë në shtëpi, derisa u larguan policët. Prapë u kthyem në Pejë. Profesor Zekeria Cana tani kishte sjellë me vete edhe senatorin belg Vili Kipërs... -Në Pejë biseduam edhe si do të organizonim varrimin e nesërm të Tahir Berishës. Këtu edhe u përshëndetëm. Profesori me senatorin Vili Kipërs, shkuan për Prishtinë dhe unë mendova se kjo ditë përfundoi, mirëpo nuk ndodhi kështu. Diku në mesnatë trokiti dera... Kishte ardhë profesor Zekeria Cana, me senatorin Kipërs... Atyre u kishte rënë ndërmend se duhet ta gjejmë njeriun i cili kishte qenë me Tahirin në momentin e vrasjes së tij. I shpjegova profesorit se Leshani ishte nën mbikëqyrjen e policisë dhe se kjo do të na sillte telashe për të shkuar tani në Leshan. Provuam me telefon, meqenëse në Leshan kishte një numër telefoni. Por më kot, se nuk mundëm të binim në kontakt me të. E ftova profesorin që sonte të jenë mysafirë të mi dhe nesër do të shikojmë dhe të shkojmë për në Leshan dhe të gjejmë njeriun i cili ka qenë me Tahirin. Atë natë pushuam disi … Pastaj u nisëm për Leshan. Obduksioni i Tahirit ende nuk kishe përfunduar, kështu që varrimi nuk mund të bëhej sot. Prapë shkuam në shtëpinë e Tahir Berishës, për të marrë informata të mëtutjeshme për shokun e Tahirit, i cili kishte qenë me të. Por edhe kjo ishte e kotë, pasi shoku me të cilin kishte qenë Tahiri, kishte arritur të dilte jashtë vendit. Frika që do ta arrestonin e kishte bërë të vetën. Erdhi edhe dita e varrimit dhe kush tjetër do të ishte në krye të kolonës. Ai që nuk e mori asnjë votë në Bashkësinë Lokale të Leshanit -Profesor Zekeria Cana…”

 

Tekstit të shkëputur nga libri i J. Llukës, sikur i mungon konkretizimi i ndodhjes së rastit me (26.05.1992). Kjo ndodhi afërsisht 50 m. afër shtëpisë së Dëshmorit, ku të gjitha të ndodhurat rreth rastit ishin tërësisht veç të qarta. Pas të shtënave të gjitha familjet aty përreth e dinin se kur ndodhi. Këtë, familjarëve ua tha edhe bashkëpjesmarrësi në këtë akt, z. Ramadan Ademaj, i cili fatbardhësisht i shpëtoi vdekjes në këtë rast tëjet të rrezikshëm por historik e kombëtar. Bashkësakrifikuesi nuk kishte dalur jasht vendi por javë të tëra (gjashtë) qëndroi në Kosovë. Nuk iku nga frika, por t’i mbetet kombit pranë dhe të mos bie në durë atij pushteti policor. Se, kjo nuk ishte një vrasje e “randomt”, por këtu, me këtë rast u luftua, dhe pos Tahirit, mbeti i vrarë polici serb dhe tjetri u plagos rëndë.

Sa për sqarim, se në këtë rast barbarisht u rrahen nga policia serbosllave Niman Alimusa e Musa Rexha, që të dy veprimtarë të dalluar të çështjes kombëtare në Pejë. Kurse shpëtimi nga më e keqja për Reshat Nurbojën dhe një grupi bashkëkolegë te të madhit Tahir, nga shkolla “Azem Bejta” të Grabanicës, e që gjindeshin për vizitë ngushëllimi në Familje të Dëshmorit lidhur me rastin, ishte shfrytëzimi i një dalje nga ana e pasme e shtëpisë, ku të gjithë sëbashku u larguan deri në fshatrat Ramun e Zahaq. Fjalëqëllimkëqinjët rreth R. Nurbojës ishin jo të vërteta, sa i përket mosrrahjes së tij. Z. Nurboja me atë grup, që të gjithë i njihja, por nuk mund të lëvizja nga rrahja, por dhe nga kërrcënimi i policisë që mos të lëvizja, e që me mbanin të shtrirë. Pos kësaj, pashë edhe shumë skena të llahtarshme rrahjesh e maltretimesh për aq kohë sa me mbajti policia.

 

RAST QË QITI NË PESHOJË SHUMË STRUKTURA UDHËHEQËSE

 

-Strukshmëria dhe heshtëpranueshmëria e rastit tragjik por dhe heroik të 26 Majit 1992 nga strukturopushtetarët (përjashtimisht dy-tre) shqiptarë të Klinës por deri diku edhe të Pejës, pos asaj të LASH-it, disi na lanë për të dëshiruar për në të ardhmën. Sikur rasti mbjelli frikën tek shumica nga ta, që populli tek ta disi e kishte mbështetjen, e ata heshtnin. Heshtnin por edhe të strukur, që askundi nuk vërehej qoft edhe një përkrahje, bile  edhe morale, që rasti disi të përballohej e të tejkalohej. Nuk u vizitu shkollë e as kurfarë kontakti me asnjë pjesëtar të atij kolektiv shkolle. Nuk u vizitua fare zyra e Kryesisë se LASH-it Nëndega në Klinë, ku kryetar isha unë. Nuk u vizitua Dega e LASH-it në Pejë, ku edhe aty isha nënkryetar. Nuk u vizituan e që t’u shprehej ngushëllim për arsimtarin e vrarë. Nuk u ngushëlluan nga ta as nxënësit, që mbetën pa mësuesin e tyre të dashur. Nga asnjë pushtetar (të zgjedhur nga vota e po këtij populli) nuk u ngushëllua as familja e dëshmorit Tahir, në përjashtim të tre-katërve nga Peja si dhe një delegacioni nga Prishtina në prirje të Zekeria Canës. Në ditën e varrimit, të organizuar para tytave të pushkëve, poashtu pushtetarët ishin të pakt, biles veç disa nga Peja. Për ta ishte ditë e fundit që e vizituan shkollën tonë, 15 Maji 1992, 11 ditë para se të bie dëshmor ky bir kombi. U rrahem një pjesë e madhe, ne kolegët e Tahirit, e, as që na pyeti kush se ç’ndodhi me ne, me nxënësit apo me Familjen e të vrarit. Në rast mbetëm plotësisht të vetmuar por jo edhe pa vetëqendrushmëri.

Në ditën e vrasjes, pjesë e madhe e kolegëve shqiptarë marshuam drejt Leshanit. Edhe një pjesë e nxënësve ishte e pandalshme. Pati edhe prindë të nxënësve por dhe qytetarë tjerë, që morën atë rrugë. Në numër ishim shumë që u rrahem barbarisht nga milicët serbosllavë. Pasojat e plagëve asqë i ndjenim, sepse të fortë na bënte vepra heroike e kolegut dhe vëllaut tonë, Tahir Berishës. Më të fortë na bëri nënëlokja Shkurtë me qëndresën e saj burrërore por dhe krenare për aktin heroik te të birit, edhe pse ishte e dërrmuar barbarisht me rastin e arrestimit, të bastisjes, rrahjes se të gjithë anëtarëve tjerë të familjes së saj të ngushtë por dhe të gjërë të Tahir Muratëve; kishte parë rrahjet e qindra të tjerëve atypari që kalonin, qoft edhe rastësisht, sepse rruga rajonalja Prishtinë-Pejë kalon mu pranë shtëpisë së kësaj sokoleshë Kombi.

Gjithandej, në këtë fshat e më gjër, rrugë të zbrazura nga udhëtarë të rendomtë, gjithkah tanke e forca përplotë policore. Çdo kalimtar rasti apo vizitor tek kjo Familje rrahej e torturohej çnjerëzisht. Leshani ishte shndërruar në një burg, sepse nuk lejohej askush të dilte përjasht shtëpive. Në çdo kënd qëndronin policë. Ata shqiptarë, të cilët u përpoqen që të hapin të pame për kryeshëndosh, policia intervenoi dhe i rrahu babarisht.

 

-Se, çmohej lart vepra e këtij dëshmor kombi, të ndodhur në majin e vitit 1992 - kjo përshkoi zëmrat por dhe lexohej në fytyrat e gati çdo shqiptari.

Pushka që krisi në Leshan bëri jehonën në mbarë Kosovën e më gjërë. Armikut i futi panik në shpirtin e tij jonjerëzor. Tani mu syri i mësuesit muar në shënjestër lulballin e atij që shkollës shqipe i ushtronte dhunë e gazep të pandërprerë.

Kjo vetësakrificë e Tahirit pati shumëdimenzionalitet, duke veçu atë, të qëllimnxitjes apo zgjimit të ndërgjegjshmërisë në popull, se në njëfarë mënyre ishte pjesërisht e përgjumur apo thënë ndryshe, bënte hijeletargjikën karrshi atij pushteti të huaj dhe shtypës. Kishte edhe të tillë (edhe pse pakë) që ofshajshin joshqip rreth këtij por dhe rasteve të tilla të ngjashme që ndodhnin anë e kënd Kosovës, e që sulmoheshin forcat sllavopolicore!!! Por, këtë herë po bëjmë prezantim të shëmbëlltyres së Dëshmorit të Kombit. Andaj mund të them, se vepra sublime e këtij Dëshmori na u bë pjesë në shtimmoralin tek ne të gjithë. Rasti në fjalë, por edhe tjera raste si ky, ishin shpresa e vetme por dhe lajmëtar, se kësaj toke dardane po i lindë dhe rritet një Ushtri Çlirimtare e Kosovës.

 

TË NDEROSH VLERËN DHE VEPRËN E DËSHMORIT NA ËSHTË OBLIGIM

 

Se, a e meritoi ky dëshmor bashkë me veprën dhe Familjen e tij një respekt më të duhur nga organet kompetente shtetrore, mund të thuhet se, po. Por, se a iu bë, me plotë bindje por dhe me keqardhje mund të thuhet se, jo. Shumë pak. Disi mbeti në sirtarët e tyre të harresës. Që të dëshmohet kjo, flet edhe rasti i nderimit dhe dekorimit Dëshmor Kombi nga Presidenti Rugova shumë vite më parë, por gjerë më tani familjes nuk iu dorëzua! Asnjë institucion nuk mban emrin e këtij dëshmori, pos një rruge shumë të pafrekuentuar dikund në Pejë!

Emrin e këtij që i dha atdheut edhe gjën më të shtrejt, jetën, duhet ta ketë një shesh, kazermë, e patjetër organet komunale të Pejës duhej ngritur përmendore në qendër qyteti apo mu aty tek Kulla e Haxhi Zekës, në po këtë qytet. Edhe një shkollë do e mbante me krenari këtë emër, sepse për të dha mund dhe u sakrifikua.

Sot, vetëm, ngre shtat përmendorja në Leshan, vepër e disa bashkëfshatarëve, që, me këtë e nderuan këtë figurë të heroit të kombit. Përmendore kjo, sikur flet me Kullën e të madhit Haxhi Zeka, e cila  qëndron krenare dhe simbol qëndrese nga kohërat më të hershme, mu në mesin e këtij fshati, Leshan.

 

-Shtimlavdia dhe krenaria për kombin nga familja e Tahir Muratëve të Leshanit por dhe veçanërisht angazhimi kontributdhënës për të mirën dhe çlirimin e kombit nga pushtuesit sllavë,- rënja heroike dëshmor kombi ka një vlerë shumëdimenzionale. Andaj, kujtimi më i mirë për të, na është respektimi por dhe mosharresa e gjakut të dhënë i dëshmorit Tahir Berisha por dhe kontributin e lartëçmuar të familjes së Tahir Muratëve për të mirë, çlirim dhe bashkim të tokës arbërore, të stërvuajtur e të copëtuar.

Vepra dhe angazhimi i tij për çështje kombëtare mbeti obligim për ne, por dhe shembull i mirë se si të çmohet, arsimohet, zhvillohet por dhe të mbrohet e çlirohet nga ai pushtet sundues policor serbosllav kjo tokë e popull i shumëvuajtur. Edhe pse jetoi pak, për lirinë që sot gëzojmë, dha shumë. Ai nuk e gëzonte jetën rinore, sikur qindëmijëra të tjerë, derisa kombi lëngonte nën thundrën e sunduesit. Vizionariteti i tij madhor, sfida për komb si dhe paluhatshmëria e tij qoftë edhe nga rryma të ndryshme, mbeti madhështi në vete. Idealfisnikëria e tij e thellë, bënte të qartë shpirtzjarrësinë e këtij patrioti të kombit, i cili të mishëruar me vete kishte gadishmërinë për ballafaqim ndaj çdo rreziku. Të përqafuar kishte vdekjen në çdo moment dhe rrethanë. Për Tahirin, Kombi, Atdheu dhe Liria, ishin gjëja më e shtrejtë dhe për këto sakrifikoi të gjitha, më në fund edhe jetën. Ishte një intelektual me një horizont të gjërë, e që dëshmohej me talentin e tij të rrallë edhe në punën edukativo-arsimore dhe në shoqëri përgjithësisht. U bë dhe mbeti shembull i sakrificës dhe vetëflijimit për Komb të lirë edhe të arsimuar, për Atdhe të çliruar e të bashkuar.



(Vota: 43 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Ndërron jetë muzikanti Tonin Zadeja Ibrahim Egriu: 86-vjetori i lindjes së luftëtarit, e atdhetarit, Ramadan Cilku Hilmi Saraçi: Aziz Zhilivoda luftëtar dhe udhëheqës i shquar për Shqipërinë etnike (1912 – 1994) (III) Sherefedin Shehu: Kujtimi i dëshmorit Besnik Hidri, respekt për historinë Pirro Prifti: Shënjtorja Ortodokse Shqiptare Angjelina Araniti (Komneni), dhe Kisha Ortodokse Shqiptare Sherif Sherifi: Fazli Ramadani (1921-1994) - Luftëtar i njohur dhe patriot në malësinë e Bujanocit Klajd Kapinova: E Lumja Nënë Tereza u bë kultura më e lartë ndërlidhëse e njohjes së shqiptarëve në botë Daniel Gazulli & Fritz Radovani: At Gjergj Fishta asht Mendja, Zemra e Shpirti i Popullit Shqiptar Thanas L. Gjika: Palok Lulash Daka - Studiusi që punonte sa për katër Bedri Tahiri: Zenel Hajrizi - një emër që nuk harrohet Ibrahim Egriu: Prof. Emin Pustina - Pedagog i shquar dhe atdhetar i devotshëm Agron Shabani: Njeriu me liri në sy Mërgim Korça: Patër Gjergj Fishta në 70 vjetorin e vdekjes Ibrahim Egriu: 6 vjet pa poetin dhe artistin komik dibran, Atli Piperku! Fritz Radovani: I përjetshmi Prof. Dr. Arshi Pipa Pervjetori i vdekjes së Dëshmorit, Naxhi Egriu Hilmi Saraçi: Aziz Zhilivoda luftëtar dhe udhëheqës i shquar për Shqipërinë etnike (1912 – 1994) (II) Skënder R. Hoxha: Dyzet e pesë vjet me poezinë, me urtinë popullore dhe me epikën tradicionale Valon Kurtishi: Humbje e madhe për diplomacinë amerikane dhe botërore Ibrahim Egriu: Sali Bajra - Atdhetari e luftëtari për lirinë e Kosovës e bashkim kombëtar

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora