Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Dorian Koçi: “Rusia e madhe” dhe Ballkani imagjinar

| E diele, 06.01.2008, 02:15 PM |


“Rusia e madhe” dhe Ballkani imagjinar

Nga Dorian Koçi
 

Dorian Koçi
Shkrimtari i madh rus Nikollai Gogol e përfundon romanin e vet  të famshëm Shpirtëra të Vdekur me një përshkrim poetik për fatin e Rusise së madhe që sipas tij ishte “një trojkë që rendte pafundësisht përpara” ne stepat e pafundme të botës dhe kësaj trojke që “derdhte zilka përreth e fluturonte mbi gjithçka që ndodhej mbi tokë”  tek e , “shikojnë vëngër, popuj dhe shtete tërhiqen mënjanë dhe i hapin udhë.” Në fakt më tepër se një përshkrim poetik,faqet e fundit të  romanit, duket se janë një panegjerik politik për të ardhmen e Rusisë dhe vendin e saj në botë.Që nga dalja e Rusisë në skenën e politikës botërore ky shqetësim ka qenë një nga ankthet  e klasës drejtuese të saj dhe një nga shtysat më të mëdha për të krijuar platforma nacionaliste agresive ndaj shteteve të tjera.Në vigjilje të ndryshimit të sistemeve politike, apo epokave të ndryshme Rusia e gjendur përballë sfidave për të kënaqur statusin e saj si fuqi e madhe dhe arsyes së drejtë për tu rimëkëmbur ekonomikisht ,politikisht dhe kulturialisht gjithmonë ka zgjedhur sfidën e parë.Keshtu psh askush nuk priste që Rusia pas disfatës së madhe me Japoninë në luftën Ruso-Japoneze më 1905 dhe problemeve të brendshme që kishte me lëvizjët e popujve të shtypur dhe ato të karakterit revolucionar,të ishte fuqia e parë që do të provokonte Luftën e Parë Botërore.Hegjemonizmi dhe propetenca kanë qenë dy tipare që kanë ravijëzuar politikën e jashtme ruse qysh nga testamenti i Pjetrit të Madh e deri në ditët e sotme.Këto dy tipare kanë gjetur në Ballkan një terren të përshtatshëm për tu aplikuar.Në përfytyrimin  e përgjithshëm të Ballkanit nga Rusia, ai është parë më tepër si një truall ku Teoria e Romës së tretë dhe ortodoksisë së drejtë mund të eksperimentonin sesa një mozaik popujsh që pas çlirimit të mundshëm nga Turqia duhet të krijonin marrëdhënie të sinqerta midis tyre.Ekspansioni i parë  rus në Ballkan ishte ekspedita ushtarake e Orlovit në Mesdhe për të çliruar popujt ortodoksë të Ballkanit.Ekspedita ishte një dështim i vërtetë por ajo ishte e rëndësishme për të se e rreshtoi Rusinë për herë të parë si fuqi mesdhetare.Shpresat e popujve të Ballkanit për tu çliruar gjetën kështu edhe një përkrahës më tepër në skakierën botërore,por  kombinimet politike që do të kryente ky faktor politik në skenën e Ballkanit do ishin me një efekt prapaveprues edhe pas një shekulli.Pa dashur të biem në retorikën nacionaliste,këmbëngulja e vazhdueshme e Rusisë për të përkrahur popujt sllavë të Ballkanit për të përfituar territore dhe pushtet i ka kushtuar rëndë veçanrisht shqiptarve,të cilët në agun e zgjimit të tyre nacionalist gjetën një kundërshtar të fortë dhe këmbëngulës ndaj aspiratave shtetformuese të tyre.Gjëndja e sotme në Ballkan është pasojë e drejtpërsëdrejtë e politikës ruse të fillimit të shekullit  XX,dhe nëse ka nyje gordiane akoma të pazgjidhura këto vazhdojnë të jenë efektet e kësaj politike.Në këtë sens përgjegjësia ruse ndaj Ballkanit fiton një peshë të veçantë për të kontribuar në zgjidhje afatgjata dhe realiste dhe jo më në zgjidhje të imponuara.Ajo nuk mund të vazhdojë ta trajtojë Ballkanin si pjesë e fantazisë së vet imagjinare për një Ballkan sllav dhe prej nga ka marrë shugurimin e vet bizantin, por si një pjesë e rëndësishme e Evropës dhe si i tillë edhe si pjesë e rëndësishme e stabilitetit evropian.Mëdyshjet e veta për të marrë apo marrë pjesë në sigurimin kolektiv evropian nuk ka pse i kthen në një “gozhdë Nastradini” siç është rasti çështjes së Kosovës.Propozimet ruse për shtyrjen e bizedimeve janë jo realiste dhe për më tepër destabilizuese.A është e vërtetë se rasti i Kosovës do shërbejë si një precedent i rrezikshëm për paqen në botë? Krahasimet me krahinat e tjera të Kaukazit janë jashtë realitetit pasi vetë historia e Kosovës,përbërja etnike si dhe statuset e ndryshme administrative që krahina ka pasur në kohë nuk lejojnë të hiqen paralele të ngjashme.Nëse Rusia këmbëngul ti mbushë mendjen komunitetit botëror se Kosova është e ngjashme me ‘xhepat antikushtetues” që ka krijuar në prag të shpërbërjes së ish-Bashkimit Sovjetik në vitet 90’ atëherë do i përngjajë vërtetë personazhit të Çiçikovit që mblidhte “shpirtëra të vdekur” për ti shitur si të gjallë.Shtetet e interesuara evropiane për raste të ngjashme si ai i Kosovës kanë marrë garancitë e duhura se ai është një rast unikal,dhe kanë dhënë konsesusin e tyre duke kuptuar se rasti i Kosovës është para së gjithash një sfidë e sigurimit dhe të ardhmes evropiane.Rusia dëshiron te rikthehet në rendin e vjetër botëror të vendimarrjes të koncerteve të diplomacisë evropiane të fillimit të shekullit të XX, ku vota e saj kishte të drejtën e vetos dhe kërcënimit.Situata  politike post-komuniste në Rusinë e sotme, është më tepër një parodi e demokracisë liberale sesa një shoqëri e hapur që aspiron për prosperitet.Promovimi i koncepteve demokratike si zgjedhjet, liritë dhe të drejtat e njeriut krijojnë premisat e një shoqërie në dukje demokratike por deformimi i tyre në një farsë elektorale si ishin zgjedhjet e fundit në Rusi i japin tonet e një shoqërie autoritariste.Askush nuk është i sigurtë nëse në Kremlinin e sotëm ka më tepër liri,duke venë në dyshim se liria dhe demokracia mund të korruptohen duke u paraqitur si fasadë e një rregjimi autoritar.Këtë lloj modeli të financuar dhe nga burimet e gazit dhe  energjisë si dhe nga oligarkitë e shumta që kontrollojnë tregjet financiare të Rusisë dhe Azisë Qëndrore,Rusia dëshiron ta importojë në Ballkan dhe në vendet fqinjë duke dashur të afirmojë pozitat e veta si superfuqi.Është për të ardhur keq që ky qëndrim i saj nuk po has në një kritikë të fortë të komunitetit ndërkombëtar për ta detyruar atë që parimet e demokracisë liberale të cilat pretendon se i ka përqafuar ti respektojë dhe në jetën politike të saj.Ndryshimi i madh duhet të vijë nga qëndrimi ndaj  çështjes së Kosovës, të cilën Rusia e ka kthyer në një bumerang të vërtetë.Mos inkurajimi i qarqeve nacionaliste të Beogradit të cilat janë një nga përgjegjësit kryesorë për kasapanën e ndodhur në rajon,do çlironte vet Serbinë nga demoni i nacionalizmit ekstrem dhe do të hapte perspektivën europiane të saj.Vetë Rusia,inteligjenca e së cilës gjithmonë e ka identifikuar veten si evropiane dhe ka marrë pjesë në mënyrë aktive në mendimin evropian të paktën që nga Iluminizmi dhe këndej nuk duhet të vazhdojë ta imagjinojë Ballkanin si ‘tokën e premtuar” të aspiratave të veta hegjemoniste por si një etnitet përbërës të Evropës,integrimi i të cilit tashmë është një fakt.Integrimi dhe gjithpërfshirja janë alternativat e reja të mendimit evolucionist evropian dhe Rusia nëse dëshiron të hyjë në rradhën e shteteve te “ilimunuara” si shprehej Ekaterina e I,mbretëresha e dikurshme që korospondonte me Volterin, duhet të zgjedhë sfidën e duhur.