E marte, 16.04.2024, 10:47 PM (GMT+1)

Mendime

Mero Baze: Sqarim për politikanin Lulëzim Basha

E diele, 06.01.2008, 03:20 AM


Nga Mero Baze

I dashur Lulëzim!

Lexova dje shkrimin tuaj të botuar në gazetën RD, me pseudonim, ku rreshtoje një sërë shpifjesh të rëndomta ndaj meje pa asnjë gjë të vërtetë dhe më duhet të të sqaroj për disa elemente që nuk kanë të bëjnë me të, por me profilin tuaj si politikan. Praktika e shkrimeve me pseudonim te gazeta RD ka historinë e saj, të cilën ti nuk e njeh, se ke qenë emigrant. Ajo ka nisur në vitin 1992, kur zbuan nga PD Preç Zogajn, ka vazhduar me Arben Imamin, pastaj me Genc Rulin, pastaj me Eduard Selamin e kështu deri në vitin 1997. Prej atij viti gazetën e drejtoi një miku im, Astrit Patozi, deri para pak muajsh dhe kjo praktikë për hir të së vërtetës u ndërpre. Megjithëse plot të tjerë u larguan nga PD, gazeta nuk u përdor më si kobure ndaj tyre. Nuk u përdor as kur iku Genc Pollo, as Leonard Demi, as Ferdinand Xhaferri, Tritan Shehu, Albert Brojka etj. Nuk u përdor, pasi u pranua gjerësisht se kjo mënyrë ishte primitive dhe kishte dëmtuar imazhin e kryetarit real të partisë, i cili nuk kërkon të implikohet në raste të tilla. Në atë kohë përdorej rëndom pseudonimi Dylejman Karaj, tani është gjetur një pseudonim më i pranueshëm.

Ajo që dua të të them dhe që ty të ka bërë nervoz është e ardhmja jote si politikan. Ti duhet ta mbash mend se e ke bërë intervistën tënde të parë për shtypin shqiptar në gazetën time, në kompjuterin tim dhe fotografitë e para si politikan i ke bërë me aparatin tim fotografik. Unë kam qenë ai, që ndryshe nga ç`thua ti në shkrim, kam bërë betejë publike pa pseudonime, për t`u pranuar shpikja elektorale e KOP-it si një reformë brenda PD. Jo se e besoja deri në fund, por shpresoja se duke ardhur në këtë parti djem të rinj pa komplekse nuk do të keqpërdoreshin nga klanet dhe koniukturat brenda asaj partie si paraardhësit e tyre. Kam bërë betejë me militantët e PD që t`ju pranojnë, kam bërë betejë me kundërshtarët e PD dhe natyrisht me drejtues të lartë të PD që sot i ke në krah në qeveri. Po ta përsëris, se shkrimet dhe debatet e mia kanë qenë publike dhe nuk jam penduar kurrë për to, pavarësisht se jam zhgënjyer nga një tufë hajdutësh që u turrën me lugë në brez të vjedhin ç`ka mbetur pa vjedhur në këtë vend. Ti ende nuk je për mua një hajdut, ashtu sikundër nuk je i tillë as për organet e drejtësisë. Por, në mënyrë shumë zhgënjyese ti je bërë shumë bindës si një politikan burracak, pa personalitet dhe që mendon se do të rritesh nën hijen e Sali Berishës si kungujt që zgjaten në kërkim të diellit. Ti mor djalë, do t`i bindësh qytetarët që je politikan, kur t`i marrësh vetë vendimet së paku për veten tënde, se për më tej vështirë se të beson kush. Unë i qëndroj bindjes sime se ti duhet t`i kishe shkuar në zyrë Dhori Sollakut dhe t`i përgjigjeshe politikisht sulmit të tij. Nga ana tjetër, nuk jam dakord që mazhoranca të ta heqë imunitetin, nëse sulmi i Dhori Sollakut ka qenë politik. Nëse sulmi i tij ka qenë politik, atëherë prokurorja e re, e cila akoma nuk është demonizuar si kamikaze politike, le ta mbyllte çështjen. Fakti që shumicës iu desh të të hiqte imunitetin nën presionin e Sali Berishës, do të thotë që ose sulmi i Sollakut nuk ka qenë politik, ose që ti po bën politikë me një akuzë të ngritur nga shteti. Nëse shumica të heq imunitetin dhe beson që ti duhesh hetuar, ti nuk ke asnjë arsye të mbash postin e ministrit të Jashtëm, pasi nuk ke pse na njollos nëpër botë, duke iu kujtuar të gjithëve, kur të japin dorën, se po hetohesh për korrupsion. Kështu do të më mbushje mendjen se ke ardhur për të ndenjur gjatë në këtë vend. Kështu si po sillesh, më duket se po humbe në vitin 2009, do ikësh prapë në Holandë, ku mund të jesh i qetë, se të ka vdekur dhe ai burri që ta ka blerë shtëpinë dhe s`ke kujt t`i jesh mirënjohës.

Ti duhet të kesh guximin t`i përballosh vetë betejat publike, jo të bësh letra me pseudonime në gazeta dhe të vësh në pozitë të vështirë miqtë e mi të vjetër në atë gazetën RD, të cilët nuk i kam lënë dje të japin dorëheqjen, vetëm pse dua të shikoj se deri ku shkon pafytyrësia që fshihet pas buzëqeshjes tënde. Për më tepër, më duhet të them se kanë 7 muaj që nuk kanë paguar as shtypshkronjën dhe kjo gazetë shtypet me paratë e mia, duke botuar shpifjet e tua kundër meje.

Së dyti, dua të të risqaroj për të disatën herë për shpifjet që bën në adresë time. Së pari, unë, Mero Baze, nuk kam kërkuar asnjë tender te Genc Pollo apo Elvana Hana. Ti vet e di mirë që ke dhënë tendera dhe ke bërë ndere për botues të tjerë, por mua më vjen mirë se në fund të fundit gazetarët kanë përfituar ndonjë rrogë mujore. Së dyti, unë, Mero Baze, nuk i kam përkufizuar në asnjë rast tiranasit si “specie në zhdukje”, siç keqciton ti. Unë, Mero Baze, nuk jam përgjegjës për problemet që kanë tiranasit sot me trojet e zëna që po legalizohen. Nëse tiranasit kanë votuar kundër PD disa herë, e kanë bërë, pasi janë në të drejtën e tyre ta shikojnë identifikimin me lidershipin e PD të prurjeve urbane nga Bathorja në Sauk, që sot po marrin tapi mbi tokat e pronarëve. Ato prurje i kanë kthyer ata realisht në një pakicë të rrezikuar, siç thoshte Saimir Shehri, kur donte të mbronte vendin e punës. Unë nuk kam zaptuar asnjë tokë dhe nuk i kam ngushtuar hapësirën asnjë tiranasi. Unë banoj në një apartament të blerë me kredi si shumica e qytetarëve.

Së fundi, dua të sqaroj dhe problemin e biznesit tim. Është e vërtetë se qysh muajin parë që PD erdhi në pushtet u detyrova të shes gazetën, pasi kisha 240 mijë euro borxh, për shkak të përkushtimit tim gjysmë donkishotesk për të risjellë në pushtet Partinë Demokratike dhe për të qenë avokat i saj për tetë vite, kur e braktisën të gjithë. Ishte një parti që e sulmonte çdo gazetë dhe çdo stacion televiziv, shpesh jo pa të drejtë. E sulmonte “Esmeralda e TVSH”, “Esmeralda e ‘Klanit’”, “Esmeralda e TOP-it”, “Esmeralda e ‘TV Kohës’” dhe gjithë produktet qeveritare që i lëpihen çdo qeverie. Ti nuk ke si ta dish, se ke qenë emigrant. Këto 240 mijë euro natyrisht që nuk prisja të m`i jepte Sali Berisha dhe nuk ia kam kërkuar kurrë, por prisja rregulla të ndershme loje dhe t`i rekuperoja me biznes. Muajin e parë, njeriu yt që u emërua si zëdhënës i kryeministrit, Ermal Hasimja, lëshoi një urdhëresë, të cilën e kam akoma në tavolinë, kur urdhëronte gjithë institucionet që gazetës “Zëri i Popullit” dhe gazetës “TemA” të mos i japin reklama, se janë gazeta partiake. Pra, që muajin e parë të qeverisjes, ti më ke bashkuar mua me Erion Braçen, gjë për të cilën nuk më vjen aq keq tani që Erioni është në opozitë. I kam shlyer borxhet falë blerësit të gazetës, të cilit do t`i jem mirënjohës gjithë jetën dhe për një shkak tjetër. Sapo bleu gazetën “TemA”, atij iu vërsulën në shpinë policia tatimore, policia elektrike, policia e ndërtimit dhe gjithë policitë e tjera të qeverisë (përjashto policinë ushtarake të Mediut, se e ka mik). Dhe atij brenda një viti iu desh të paguante rreth 1,2 milionë dollarë gjoba, vetëm pse kishte bërë krim që kishte blerë gazetën “TemA”. Pati dhe një përpjekje zyrtare për t`i hequr licencën e biznesit, por dështoi. Në këto kushte, ai u detyrua që në mes të vitit që shkoi të më rikthejë sërish gazetën “TemA”. Kjo gazetë, i dashur Luli, është prapë e imja. Nëse nuk beson, pyet Argitën, se te zyra e saj i kam ribërë dokumentet e reja. Prandaj, ke rast të nisësh dhe njëherë sulmin. Por, të lutem, jo me pseudonim, se do trishtosh shumicën e qeverisë që e ka pësuar prej atyre pseudonimeve tek ajo gazetë.

Dhe njëherë të mirëkuptoj për ndryshimin e mbiemrit nga Mero Baze në Mero Braçe dhe nuk dua të ta bëj dhe ty të njëjtën gjë, pasi i bie të ta shkruaj Lulëzim Berisha dhe pastaj të ngatërrojnë me atë tjetrin në burg, pa shkuar akoma.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora