E enjte, 28.03.2024, 12:20 PM (GMT)

Kulturë

Rexhep Çeliku: Ansambli Popullor, thesari i traditës shqiptare

E diele, 06.01.2008, 01:55 AM


Është pa dyshim një nga valltarët më të mirë të skenës shqiptare, i cili ka që në vitin 1971 që është bërë pjesë e pandarë e repertorit artistik të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore.Rexhep Çeliku ka 37 vjet karrierë artistike dhe e gjithë kjo është arritur falë një pune kolosale dhe siç shprehet edhe vetë ai do të vazhdojë deri sa të jetë gjallë. Në një intervistë për gazetën “Sot” ai ndalet dhe tregon për vitin që lamë pas në aspektin profesional, por ndërkohë që rrëfen edhe disa nga projektet e vitit 2008 në AKKVP.

-Jemi në ditët e para të vitit 2008, por si ka qenë për ju viti 2007 në aspektin profesional?
 
Jo vetëm 2007, por Rexhepi gjithmonë me vite ka qenë gjithmonë në ballë të punës dhe unë do të  thosha që viti që sapo lamë pas për mua ka qenë një vit i suksesshëm dhe mendoj se ne e mbyllëm me një sukses të jashtëzakonshëm pasi kishin edhe 50- vjetorin e AKKVP, pra gjatë këtyre viteve ne kemi pasur vetëm suksese dhe vetëm suksese.

-Flisni me shumë entuziazëm kur thoni 50- vjetorin e Ansamblit mund të na e përshkruani se si ishte ajo ditë për ju?
 
Ne u munduam që nëpërmjet koncertit gala të 50-vjetorit të Ansamblit të mos bëjmë thjesht një koncert të zakonshëm, por një koncert të jashtëzakonshëm. Dhe kjo u duk edhe nga pjesëmarrja e publikut ku nga 800 vetë që merrte salla u dyfishuan dhe arritën në 1600 vetë dhe nuk kishte vende dhe shumë të tjerë nuk kanë arritur që ta shikojnë shfaqjen e Ansamblit. Kjo ishte një kënaqësi edhe për ne dhe mbi të gjitha edhe pse ne nuk kemi një trupë të madhe ashtu siç ka qenë në kohën e mëparshme, por kemi një trupë normale me 35 artistë që janë valltarë, këngëtarë dhe orkestrantë, të cilët bëjnë një punë të nderuar dhe mbulojnë të gjithë punën e atij Ansambli që ka qenë prej 90 vetash. Pra është e një punë e mirë me një element të talentuar dhe të ri ku pothuajse 90% e tyre janë të rinj. Dhe kënaqësia më e madhe është se ky element i ri është që e do dhe e dashuron këtë punë. Unë do të thosha që në këtë 50- vjetor mbi të gjitha ka qenë një bashkëpunim shumë i mirë me Teatrin e Operës dhe Baletit meqenëse ne për një periudhë ishim të ndarë veç nga TOB me këtë eveniment ne u bashkuam përsëri me TOB dhe kishim mbi të gjitha edhe një drejtor që gjithmonë do të ruaj një respekt të veçantë sepse jemi bashkëkohas, por bashkëpunimi midis Zhani Cikos si drejtor i TOB dhe Ansamblit ka qenë i frytshëm dhe kjo tregoi dhe vlerat e veta në koncertin gala të Ansamblit. Në këtë gala mbi të gjitha ne u munduam që të përfaqësojmë të gjithë atë repertor të artë të këtij Ansambli me këngë dhe valle etj, por ne u munduam që të kujtojmë të gjithë krijuesit për atë se çfarë ata kanë dhënë për këtë Ansambël megjithëse ishte një kohë rreth një orë e gjysmë për të mbuluar 50- vjet suksese të Ansamblit.

-Nga bashkimi i TOB-it dhe Ansamblit Popullor çfarë mendoi se do të ndryshojë?

Këtu nuk mendoj se do të ketë ndonjë ndryshim pasi është po ajo trupë, por ne shpresojmë që nëpërmjet këtij lloj bashkimi të arrijë që të përforcohet trupa dhe të ketë një përforcim më të këndshëm duke qenë dhe një bashkëpunim më i ngrohtë p.sh siç kërkon opera tek ne kur ka nevojë për pjesëmarrës dhe anasjelltas. Por, kjo nuk bëhet vetëm në këtë mënyrë, por problemi është që ne të arrijmë të krijojmë trupën tonë të plotë dhe mundësitë janë pasi ka elementë shumë, prodhimtari ka shumë, por problemi është thjesht financiar dhe shtetëror, se sa e ka kuotën për të mbajtur një Ansambël. Pra në këtë rast unë përfitoj që nëpërmjet kësaj interviste me shumë kënaqësi dhe respekt të qeverisë dhe kryeministrit që është dashamirës, do i bëja një kërkesë që ta shumëfishojë më shumë Ansamblin si në trupën e valleve, orkestrës dhe vokalit. Kjo nuk është se unë nuk dua t’i them ministrit të MTKRS-së, por nuk ka se ç’të bëjë ai po nuk dha urdhër kryeministri. Kështu që detyrimisht ky është një bashkëpunim midis dy palëve qeveri dhe ministri që ky Ansambël të ketë jetë pasi është i vetmi institucion që është gjuha shqiptare. Nëse themi që kemi që kemi një kulturë, një art, një gjuhë shqiptare është ky Ansambël, i cili i qëndron me dinjitet kulturës, folklorit, traditës, pra është ky Ansambël që i mban. Ne opera dhe koncerte kemi, por mbi të gjitha bota do të njohë se kush është kultura shqiptare, e cila në këtë rast përcillet nga Ansambli.

-Ansambli ka pasur në përbërjen e tij rreth 90 pjesëtar ndërsa sot janë 35. Ju vjen keq për këtë tkurrje të tij dhe sipas jush pse ka ndodhur kjo gjë?

Po ta marrësh në krahasim me gjendjen sot ku jemi duke marrë parasysh që një pjesë dërrmuese e popullit tonë është pa punë ose në krizë pune, gjithmonë arti mbahet kur ka punë dhe një ekonomi të fortë dhe në këtë rast pretendimet tonë ndoshta mund të jenë të shumta, por nuk kemi, dhe në fjalën popullore thuhet se këmbët do t’i shtrijmë sa kemi jorganin, kështu që nëse mbahet një art i fuqishëm ne mund të themi se kemi edhe një ekonomi të fuqishme. Kur themi që ka një art të fuqishëm duhet të themi se ka një punësi në popull dhe nga puna e tij del edhe mbajtja e një Ansambli apo e Kinostudios etj, pra arti në këtë rast është ushqimi kryesor shpirtëror i popullit. Kështu që edhe kemi dhe nuk kemi, populli edhe pse nuk ka e do dhe e kërkon pasi është ushqimi kryesor që e mban gjallë nga ana kulturore.

-Në aktivitetin e tij artistik si operon Ansambli?

Ansambli deri dje ishte më vete dhe kishte një kalendar të tijin, por duke qenë se Ansambli është kombëtar dhe jo vetëm i Tiranës, ai ka edhe rrugë në diasporë dhe në disa qytete të Shqipërisë me shumë sukses, megjithëse media sot për arsye financiare nuk e pasqyron pasi çdo gjë është me pikatore, por kjo është shumë e nevojshme sepse duhet t’i bëhet edhe një reklamë kulturës, artit tonë, i cili bën jehonë nëpër botë. Unë tek sporti shikoj që i bëhet një jehonë madhe ndërsa tek arti bëhet një jehonë më e vogël. Unë do të thosha që është shumë e nevojshme që në çdo turne që bën Ansambli të ketë një gazetar dhe një operator. Ansambli bën shumë koncerte dhe në disa qytete të ndryshme dhe tani që jemi bashkuar me operën ky vit në 2008 ne së bashku me profesor Zhani Cikon do të fillojmë të merremi me kalendarin vjetor për këtë Ansambël dhe jemi akoma në pritje për atë se çfarë do të vendosim. Ndërkohë që unë personalisht kam tre projekte të ndryshme ku në të parin kam një koncert me hapjen e sezonit, plus kësaj janë dhe disa projekte të tjera si: bërja e një koncerti me këngë dhe valle dhe serenata korçare dhe një koncert me këngë dhe valle vetëm për Çamërinë dhe tjetra që dua të bëj një recital vetëm me numra solistikë.

-Keni 37 vite që jeni pjesë e pandarë e Ansamblit cili është koncerti që ju ka lënë më shumë mbresa?

Unë nuk po largohem shumë dhe po marr 50- vjetorin e Ansamblit sepse aty u prekën shumë valle dhe kjo solli edhe një kujtesë të këtij Ansambli si brenda vendit ashtu edhe jashtë. Duke kërcyer një valle të suksesshme na kujtoheshin ngjarjet që kemi pasur brenda dhe jashtë vendit. Ky 50- vjetor ishte një kujtesë e mirë e këtyre 50-viteve dhe unë nuk mund ta caktoj dhe të them se cila ishte më e bukur pasi ai ishte tamam “Gjerdani i Artë”.

-Çfarë mendoni për prurjet e reja në folklorin popullor?

Po ta marrësh në drejtim të krijimtarisë sot krijuesit pak a shumë sjellin diçka të kohës ndrysa Ansambli mban me shumë fanatizëm traditën dhe tabanin kombëtar dhe nuk do që të dali jashtë saj pasi kjo është ajo që e ka mbajtur këtë Ansambël deri ditën e sotme. Megjithatë sot kanë ardhur kohët që Ansambli të tregojë diçka të re dhe plus kësaj ne të japim edhe vizionin e ri siç e jep e tërë bota. Pra Ansambli nuk është thjesht koha që ka qenë, pot ka edhe një kohë të re. Kështu që sot e kësaj dite na jepet detyrë që të mendojmë edhe për kohën e re.

-Ansambli vazhdon në rrugën e tij artistike, por sot ekziston edhe mendimi që ai nuk e ka atë shkëlqimin e dikurshëm. Cili është mendimi juaj për këtë?

Jo, përkundrazi Ansambli e mban akoma atë shkëlqimin e dikurshëm, por jeta ka filluar dhe lulëzon nga dita në ditë. Nëse deri dje ka qenë vetëm një Ansambël dhe media shkruante vetëm për atë, sot ka shumë grupe moderne të ndryshme që janë shumëfishuar  dhe në televizione. Duke filluar që nga TV KLAN apo TOP CHANNEL etj, që kanë krijuar trupat e tyre dhe nëpërmjet këtyre në ekranet televizive shihen edhe repertorë artistike që bën Ansambli. Nuk e bën të gjithin, por një pjesë të tij e bën dhe përsëri ato janë po pasqyra të këtij Ansambli. Pra çfarë do që të bëjnë ato janë përsëri pasqyra e këtij Ansambli. Ato mbase bëjnë koncerte show të ndryshme dhe ndoshta edhe moderne, por unë do të thosha që nuk do të më vinte mirë që kultura shqiptare, ky folklor i jonë mos të bastardohej dhe të mos shkonte në një rrugë të shtrembër që edhe këto grupe private që ekzistojnë të vazhdojnë një rrugë të drejtë. Nëse duan ta modernizojnë ta bëjnë me një kufi dhe pa e shtrembëruar folklorin popullor. Këtë ata duhet ta bëjnë duke mos e bastarduar siç është bërë në disa raste si në muzikë dhe në këngë, ku muzika është turke apo greke dhe vetëm fjalët janë shqip dhe ky është bastardimi që i bëhet folklorit popullor në këtë rast. Pra këtu duhet pasur kujdes për të ruajtur fizionominë e traditës dhe kulturës shqiptare. Ne nëse duhet të bëjmë diçka duhet ta bëjmë shqiptare sepse çdo vend i botës ruan kulturën dhe traditën e tij.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora