Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mark Marku: Baldushku, ose kriza e shoqërisë shqiptare

| E diele, 06.01.2008, 01:04 AM |


Baldushku, ose kriza e shoqërisë shqiptare

Nga Mark Marku

Mark Marku
Në fundviti dhe pragfeste njerëzit kanë nevojë për një akt bamirësie, por duhet rasti që ata ta shprehin bamirësinë e tyre. Dhe rasti si gjithmonë erdhi. Më saktë u zbulua. U zbulua në Baldushk. Në prag të Vitit të Ri, njerëzit mësuan nga ekranet televizive se në këtë fshat, që ndodhet jo shumë larg Tiranës, pesë fëmijë të mbetur jetimë kalonin ditët e tyre në një gjendje të vajtueshme. Të mbetur pa prindër, pasi njëri nga prindërit, babai ishte vrarë nga e ëma e fëmijëve gjë që kishte çuar në burg edhe të ëmën për shkak të krimit të kryer, pesë fëmijë, të gjithë në moshë jo madhore përpëliteshin në luftën e tyre për mbijetesë. Reporterët televizivë (të vetmit për t’u përgëzuar në këtë histori, bashkë me publikun që u solidarizua me ta), e zbulojnë rastin dhe e shpalosin para opinionit publik. Pas kësaj drama shndërrohet në telenovelë dhe sekush sipas moshës dhe seksit, prirjes kulturore dhe politike, ia mësyn Baldushkut për të shprehur dashurinë dhe bamirësinë e tij në favor të fëmijëve të mbetur jetimë. Jashtë përdëllimit kombëtar për ngjarjen, është e nevojshme që ngjarja të analizohet pasi në thelb ajo simbolizon disa prej problemeve më të mprehta që ka sot shoqëria shqiptare. Së pari, drama me të cilën përballën fëmijët ka të bëjë me dhunën në familje ose me krizën e familjes shqiptare. Siç ka ndodhur me dhjetëra apo qindra herë vetëm gjatë vitit të fundit njëri nga prindërit (kryesisht gruaja), e gjendur në një situatë të përhershme dhune të ushtruar nga bashkëshorti hakmerret dhe e vret atë. Krime të kësaj natyre janë shtuar gjithnjë e më shumë, madje ato janë bërë aq problematike sa tashmë janë shndërruar në problemin kryesor shoqëror. Shoqëria shqiptare po përballet më në fund si të gjithë shoqëritë e zhvilluara perëndimore me krizën e familjes, krizë kjo që përfshiu shoqërinë perëndimore dekada më parë. Vetëm se në Shqipëri ajo po shfaqet më dhunshëm se kriza e familjes evropiane, pasi nëse kriza e familjes evropiane kishte si emërues të përbashkët divorcin, kriza e familjes shqiptare ka si emërues të përbashkët krimin. Nëse në Evropë një bashkëshort divorcohej, në Shqipëri vret. Kjo krizë nuk po merret ende seriozisht në Shqipëri. Pavarësisht fushatave, (paradoksale është se në kulmin e fushatës së fundit kundër dhunës në familje ndodhën më shumë krime në familje se kurrë më parë), krimi në familje po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha. Duhet kuptuar në më fund se kjo krizë e familjes është kriza e vetë shoqërisë shqiptare. Deri tani familja ka qenë streha e sigurisë për t’i shpëtuar krizës së përgjithshme shoqërore. Tani me sa duket kriza e shoqërisë ka depërtuar në bazën e saj më elementare organizative dhe më të qëndrueshme dhe po e shkatërron atë. Ndaj krimi në familje nuk shpreh më vetëm gjendjen psiko-patologjike të shqiptarit. Ai shpreh krizën ekonomike, morale, kulturore, ideologjike, kombëtare etj.
Së dyti, drama e Baldushkut shpreh krizën e qeverisjes në Shqipëri. Fëmijët jetimë kishin muaj që jetonin në atë gjendje. Pushteti lokal duhej t’i kishte marrë ata në mbrojtje në momentin që kanë ngelur pa prindër. Por komuna e Baldushkut nuk u ka akorduar ndihmën e duhur sociale sepse sipas saj, fëmijët kishin shitur para ca muajsh disa dele. Përderisa komuna ka qenë në dijeni për delet e shitura do të thotë se ka qenë në dijeni edhe për njerëzit që i kanë shitur ato dele dhe gjendjen e tyre. Por do të duhej zbulimi i mediave për të zbuluar kushtet mizerabël të fëmijëve. Raste të tillë mund të jenë dhe janë të shumta në Shqipëri dhe organet e pushtetit vendor apo ato qeveritare bëjnë shumë pak për t’u ardhur në ndihmë. Gjithë ajo çfarë bën një qeverisje e mirë është mbledhja e taksave dhe ndihma sociale. Duket se qeveria shqiptare ka dështuar në realizimin e një skeme efikase të përkrahjes sociale. Dështimi i parë i kësaj skeme është filozofia barazitiste e shpërndarjes së kësaj ndihme. Qeveria jep njësoj ndihma edhe aty ku ka nevojë. Shembulli më i mirë i kësaj është ndihma që u dha për pensionistët në prag të Vitit të Ri, ku mijëra pensionistë (rreth 500-600 mijë) morën nga 5000 lekë (të reja). Jo të gjithë pensionistët kishin nevojë për këtë pesëmijë lekësh të dhënë nga qeveria. Sikur të ishte bërë një shpërndarje e studiuar dhe jo barazitiste dikush do të kishte marrë më shumë, dikush më pak, e dikush aspak. Kështu ndihma do të kishte qenë më e konsiderueshme për ata në nevojë. Nga ana tjetër, janë të njohura abuzimet që zyrtarët e pushtetit vendor dhe të qeverisë bëjnë me fondet e përkrahjes sociale. Në shumë raste ato shkojnë aty ku nuk duhet, madje në jo pak raste edhe në xhepat e atyre që i shpërndajnë.
 Rasti i Baldushkut e tronditi opinionin publik në prag të festave. Edhe njëherë ai tregoi se shoqëria shqiptare ka vlera humane dhe kjo u tregua me solidaritetin dhe gatishmërinë për ndihma. Por ai më shumë se një test i shpirtit human të shoqërisë shqiptare ishte dëshmi e krizës së qeverisjes dhe krizës së përgjithshme shoqërore që ka përfshirë shoqërinë shqiptare. Aty pamë shumë politikanë në rolin e bamirësit. Eshtë për t’u përshëndetur angazhimi i tyre në rastin konkret. Por do të donim që ata dhe kolegët e tyre të kryenin më mirë funksionet e tyre qeverisëse në mënyrë që raste të tilla të mos ekzistonin.