Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: Ëndrra e tmerrit, arti i ndrydhjes dhe puthja shpëtimtare...!

| E premte, 31.12.2010, 07:59 PM |


Sh p ë r p u th j e

 

ËNDRRA E TMERRIT, ARTI I NDRYDHJES DHE PUTHJA SHPËTIMTARE...!

 

Ëndrrat trishtuese janë si ankthi i cili shëtit dhe i përshkon gjërat që përkojnë mes tragjedisë, dhembjes, shpresës, ngadhënjimit, rënies dhe lumturisë. Nëse është kështu, dhe nëse këta faktorë korrespondojnë në mes vete, atëherë, rrjedha e jetës është dhe bëhet me plotë kolorite. Ose, ndoshta çdo gjë merr formën e pritjes së ëmbël, të thelbit të shëndosh të rrugëtimit për t’u përballur me sfidat, me trishtimet, tradhtitë, me gëzimet e me hidhërimet që janë, besoni, të gatuara nga një brumë. Jo, më falni, në një brumë. Ose, edhe mund të jetë që kjo të mos është aspak e saktë, e sidomos kur mendohet ndryshe. E, njeriu ka të drejtë të mendojë ndryshe. Mendoni edhe Ju si të doni! Por, kini mendjen si po mendoni dhe çfarë po mendoni,... sepse, nganjëherë nga e gjithë kjo varet e tërë jeta...! 

 

Nga Sejdi BERISHA

 

1.

 

Në themelin e teatrit, kur ishte ndërtuar ai dikur herët, kishte ngelur e gurëzuar një fjalë, e cila tani gjithnjë e trazon dhe nuk e lë dot të shurdhët por edhe as të qetë skenën e tij, e cila është e vjetër sa vetë historia. Ndoshta, më e vjetër edhe se parahistoria!

Kanë lëvizur këtu shumë njerëz që e kanë transmetuar ose e kanë treguar saktë e pasaktë jetën dhe periudhat kohore. Andaj, merrje me mend, këtu kishin kthyer plotë shikues, të cilët asnjëherë nuk i kanë kursyer duartrokitjet, por edhe as vajin dhe lotët, për ta kapur sa më mirë mesazhin e lojës,... aktrimin në skenë. Mirëpo, kjo më kishte brengosur, kur kishte vdekur një aktor, i cili thonë se sytë i kishte mbyllur duke shikuar kah skena, kah teatri, dhe ai ishte varrosur pa ceremoni familjare as shoqërore, pa ceremoni teatri, pa ceremoni skene,... pa ceremoni aktrimi. Kjo ishte ajo pjesa më e dhembshme e rrugëtimit në drejtim të zhdukjes së vlerave që fisnikërojnë shpirtin!

-Ka vdekur teatri! -thanë e po thonë.

E, kjo i ngjanë asaj fushës së lemeritshme, ku Arti i ndrydhjes bëhet përditshmëri dhe modë për të vrarë diçka që është histori mbase edhe shpirt i jetës. Duke ecur kështu, defilojnë fytyrat dhe dëgjohet zëri e hapat e atyre që skenës i kanë dhënë frymë e gjallëri. Kur i paramendon kështu, të bëhet se pikërisht ata kanë gojë të balsamosur,... por nuk ka forcë që e shuan etjen dhe historinë e skenës. Sa rrëfim i trishtueshëm! Sa shkrim i zorshëm...! 

Mu për këtë, nëse jeni ulur në rreshtin të parë, kthejeni kokën prapa dhe shikoni sallën e zbrazët. Mëkat apo krenari,... gabim apo madhështi?!

Dhe, nuk besoni, por është e vërtetë. Posa kthehesh prapa për ta shikuar sallën e zbrazët, në skenë dalin aktorë, të cilët në shenjë mburrjeje apo hidhërimi, e ndezin skenën me lojën dhe me fjalën e theksuar mirë e thekshëm, me dialogun e me monologun! Kështu është kjo, ndoshta vetëm e vetëm, ne për ta kuptuar mbarë e mbrapshtë lojën e jetës. Kurse, po, po! Në skenë aktori dalldiset, ose për të treguar kulmin e kreacionit, ose për të shprehur indinjatën për kohën e kaluar, për sallën e zbrazët, por me plotë zëra...!

Posa dola nga teatri, diçka më kishte shtyrë që të kthehem prapa për ta shikuar atë tempull shpirti e kulture. Menjëherë ktheva kokën, por nuk pashë asgjë,... as ndërtesën e teatrit. E kishte përlarë apo e kishte rrënuar dikush. Tërë kjo pamje trishtuese ma përcolli edhe zërin e kobshëm:

-Ka vdekur teatri!...

Kjo pamje fotomargamë më ngjau në pikturën e dhembjes,... në atë pikturën e papërfunduar, mbi të cilën piktori e kishte lënë brushën në vend të mesazhit.

Seriozisht, zor për ta kuptuar këtë rrëfim... Por, po ua lë si provokim për debat për Artin e zhdukjes, si “lëvizje” joshëse për të studiuar diçka, qoftë edhe pa lidhje. Arti i ndrydhjes?!! Çfarë do të thotë kjo?... Por, edhe për këtë mos e “lodhni” kokën, sepse dot nuk mund të ia qëllojmë as temës, as problemit. Vështirë është për ta komentuar trillin në mes jetës, teatrit dhe vdekjes...!

 

2.

 

Hareja dhe gëzimi, por edhe buzëqeshja janë faktorë që begatojnë dhe stolisin aletë e rrugëve dhe shtigjet e rrugëtimit por edhe të njeriut, edhe të periudhave e të ngjarjeve jetësore. Sa herë kam thënë, e them edhe tash dhe do ta them gjithmonë, se kurbeti është një prej plagëve më të rënda, më të pariparueshme. Këtë fenomen fatkeq e kanë përjetuar mijëra e miliona njerëz të kësaj toke. Por, çfarë dua të them. Një njeri i shtyrë në moshë e i plakur në kurbet, duke rrëfyer për historinë e vet të vockël i detyrohen lotët dhe dridhja e buzëve.

Rrëfen për dëbimin nga atdheu, për krijimin e familjes në kurbet,... për mallin dhe plagët që i shkakton kurbeti. Dhe, kur rrëfimi i tij erdhi deri tek çlirimi dhe pavarësia, kishte pushuar pak duke futur frymën në mushkëritë e veta të copëtuara nga këngët e kurbetit, i rrodhën lotët nëpër të çarat e fytyrës dhe kishte ngulitur shikimin në fotografinë e babait të vet, i cili, edhe ai e kishte braktisur vendlindjen me shkrumbin dhe barrën e lirisë.

-Eh, tash, babi im i dashur, atdheu merr frymë lirshëm... Dije,... sot pas gjashtëdhjetë vitesh, për herë të parë po më shkon buza në gaz. Po buzëqeshi!

Athua, a është kjo e vërtetë, apo është një tmerr dhe hidhërim që do studim e komentim?!! Jo, more! Ecim tutje,... Nëse doni, ecim edhe me Artin e ndrydhjes. Çuditshëm tingëllon kjo “risi”: Arti i ndrydhjes...!

 

3.

 

Imagjinata është e çuditshme. Më e çuditshme edhe se sa njeriu. Pikërisht për këtë, njeriu mendon, imagjinon e vepron për të bërë “mrekulli”.

Ky rrëfim, që tash po e lexoni është i vërtetë. Më besoni se ashtu është. Kishte medituar burri i botës tërë kohën, por gjithnjë duke i ardhur në ëndërr tragjedia si Art i ndrydhjes, se i çfarë ndrydhjeje, as ai vetë nuk e dinte. Shih, si trill iu kishte fiksuar për të shkaktuar tragjedi. Për shembull për ta vrarë gruan,... gruan edhe dikë tjetër përbrenda qenies së saj. Dhe, ky trill inkorporohet me ëndrrat dhe ëndërrimet e përçudshme që kanë ndodhur e ndodhin kudo.

...            

-Jam e re! Sa mirë, edhe nënë e re do bëhem. Frytin tim do ta shndërroj në yll jete. Fëmija im i dashur,... sa bukur shëtitë nëpër gjakun tim. Rritu aty edhe pak, dhe pastaj do ta shohësh dritën,... do ta kuptosh se çfarë do të thotë ajo. Do ta shohësh edhe nënën tënde që do të ushqej me qumështin e gjirit të njomë. –kishte ëndërruar nëna e re, e cila kurrë nuk kishte arritur as ta përjetojë ndjenjën se si duket bota kur bëhesh nënë, dhe as nuk kishte arritur kurrë të bëhet nënë!

Ky rrëfim, në vete ngërthen ëndrrën e natyrës tjetër.

-Eh, moj nëna ime,... sa shumë kam për të dashtë. Tani jam duke shëtitur nëpër gjakun tënd, për ta mësuar qëndresën dhe lumturinë! -endej e udhëtonte fëmija nëpër trupin e nënës së re, fëmija i cili kurrë nuk e pati rastin të bëhet fëmijë dhe as ta shijojë dashurinë e nënës,... sepse, dikush e kishte realizuar ëndrrën e territ dhe të tmerrit. Kishte pushuar nëna, ishte shkrirë fëmija,... ishte shuar ëndrra e ëndrrave të tyre.

Mëngjesi kishte gdhirë pa dëshirën e dritës! Sa ëndërr e keqe kishte qenë, e,... nganjëherë ëndrrat janë realitet. Shihen ato dhe shpjegohen, si dikur ngjarjet në shpatull pule! Nëna dhe fëmija kishin ikur bashkë,... ishin shkrirë në njëri-tjetrin. Kaq kishin mundur të bëjnë...!

Si për inat, edhe kësaj radhe në mendje më ishte ngulitur Arti i ndrydhjes, që i ngjanë Artit të zhdukjes! Ngjashëm me këtë, por rrëfimi është i kundërt: shih si shpjegohet “përralla” kur djali e vranë t’ëmën.

... 

 

Bjeshka ka simbolikë të shumëfishtë; të qëndresës, të historisë, të misterit, të këngës kreshnike, të gjallërisë dhe të bukurisë së madhërishme, të shenjtërisë... Atje, rritët e qëndron gjithçka! Dikur në tëbane nxirrte kokë e krijohej rezistenca e ekzistenca, mblidhej edhe bylmeti e bereqeti! Atje, janë thurë e kënduar këngë për historinë e dashurisë,... atje janë takuar dashnorët me të dashurat,... atje ka jehuar zëri prej bregu në breg, prej shpati në shpat,... Atje, fyelli, çiftelia e lahuta kanë jehuar...

Por, është e vërtetë. Ëndrrat janë përralla edhe trishtuese. Njërit, iu kishte pikatur loja me armë duke ia kthyer çiften nënës e cila e kishte rritur me kore buke.

-Nënë, unë të vras! -ia kishte drejtuar tytën nënës mu në dërrasë të gjoksit, në mes të gjinjve të saj, prej nga ishte rritur dhe kishte zënë shtat prej kreshniku.

-Mos, loke. Kjo të bën shoshë!... -në atë moment, gishti kishte ngrehur këmbëzën kurse gjoksi i nënës ishte shndërruar në shoshë.              

Po, kush mund ta imagjinojë një trill të tillë, i cili dashtë e pa dashtë na imponon studimin e një “marifeti” të tillë të njeriut. Por, fatkeqësisht, kjo s’është trill. Kjo është e vërtetë, mu siç është Arti i ndrydhjes që ka ngritur kokë! Por, edhe diçka. Kush e vranë njeriun,... kush e vranë ndërgjegjen e njeriut? Të themi, le ta shpjegojë Kënga e Rexhës...!

 

4.

 

Njerëzit, vdekja a i shpie tek vetvetja, apo ata nxitojnë tek ajo?! Këtë çështje, veçmas kur ndodhin fatkeqësi, e komentojnë e krijojnë mite nga kjo, intrigojnë dhe sikur gjithnjë të vërtetën e injorojnë,... edhe e varrosin atë. Kështu, si për habi, gjërat e dhembshme fliten e përfliten duke thurur ëndrra, të cilat, si zakonisht, sikur bëhen të vërteta.

Sa kohë kishte harxhuar një djalosh me flokë kaçurrela e ngjyrë gështenje, duke e imagjinuar dhe ëndërruar të dashurën,... duke krijuar botën e çudirave. Me të dashurën kishte këmbyer letra, i kishin dhënë njëri-tjetrit premtime,... kishin këmbyer mendime me të cilat e kishin ndërtuar dhe forcuar atë murin e përjetshëm të dashurisë.

Por, diç dikush kishte thënë, dhe është e vërtetë; vështirë është ta përqafosh fshehtësinë e shpirtit, e aq më vështirë është për t’i shpalosur kujtimet të cilat djegin dhe e përcëllojnë çdo letër, çdo faqe libri! Çfarë dua të them me këtë? Djaloshi me të dashurën kishin vendosur të takoheshin në kodrën tek Blini i Diellit, edhe pse ishin bukur larg njëri-tjetrit. Por, kishin ngarkuar në vetveten e tyre të gjitha ëndrrat, ama të gjitha ëndrrat, të cilat harlisin çdo pjesë të trupit dhe zemrës.

Vasha sykaltër, në pëlhurën e bardhë, si dhuratë kishte thurur një lule bojëgjaku, kurse djali me flokë kaçurrela, tërë botën e kishte shëtitur për t’i gjetur dy lule që nuk vyshken kurrë. Ishin nisur për në pikëtakim. Rrugë e gjatë edhe ashtu edhe kështu! Por, ishin marrë vesh të takohen atëherë kur rrezja e hënës domosdo shndritë tek Blini i Diellit!

Në atë mbrëmje, kodra dukej ndryshe, kurse Blini sikur rrëfente histori, ndërsa hëna vetëm vështronte si një nuse e re dhe e tëra ishte shndërruar në gojë memece. “Kaçurreli” kishte arritur me lulet që nuk vyshkën. Fortë i kishte shtrënguar me të dy duart, sepse kishte vendosur që atë natë të bashkojë çdo gjë me vashën e ëndrrave. Priste e priste,... dridhej e digjej në dritën e hënës.

Duke u sjellë përreth Blinit të Diellit në pritje të vashës, para syve befas i ishte vizatuar një varrë i ri,... një varg i njomë. Ama varr, flakë i ri, që nxjerrke tym nga toka. Tek varri,... mbi varr një dërrasë në të cilën ishte shkruar vetëm një emër e një mbiemër, dhe dy data! Ky ishte takimi trill i tyre që çmendi mendjen...

Pas tërë kësaj, sërish më paraqitet si ushtimë Arti i ndrydhjes! Jo, jo. Nuk është ndrydhja e artit, por Arti i ndrydhjes... Po, çfarë është kjo, o Zot?! “Kaçurrelit”, vetvetiu duart i ishin zgjatur mbi varr, të cilat akull iu kishin hapur duke i “rehatuar” dy lulet mbi dheun e hidhëruar...

Kështu ishte, edhe pse, e di se ju këtë nuk e besoni! Shih, për të besuar ju në këtë, m’u kujtua Zef Serembe dhe fati i tij,... edhe udhëtimi i tij për në Brazil! Kohë e shkuar,... kohë e largët,... rrugë e gjatë... Andaj, lirisht thuani se s’ia vlen këtë për ta komentuar...!

 

5.

 

Përmbytjet janë gjërat më të tmerrshme në të gjitha kohërat dhe situatat, sepse, ujin i cili është simbol jete e hidhërojnë dhe e detyrojnë të shndërrohet në valë e stuhi,... në “përbindësh”! Për këtë, janë thurë legjenda e legjenda, janë shkruar poezi e romane, bile edhe nga krijuesit “mesfushorë”, të cilët letërsinë e bëjnë me lara!

Thanë, se një ditë sërish uji do të hidhërohet dhe do të përmbytet diçka... Mos qoftë e vërtetë kjo! Por, flitet se shumë qytete do të na përkujtojnë Atlantidën. Çfarë trilli,... Arti i ndrydhjes!

Është interesant se përmbytjet t’i imponojnë edhe thurjet e legjendave për urat, e sidomos për digat,... për pendat! Njëherë e kam pas dëgjuar një “pleqni”: penda e cila ndalë lumin, është e shenjtë dhe duhet pasur kujdes për ta “ledhatuar” atë, sepse, mund të ndodhë,... edhe ka ndodhur se njerëzit e përmbytin dhe e rrënojnë tokën,... edhe vetveten...!

...

Në atë kllapi e kisha hetuar puthjen më të ëmbël,... më të zjarrtë në jetën time, atë të nipit, i cili edhe më kishte zgjuar nga gjumi. O, Zot! Po, çfarë ëndrre e trishtuar... Eh, puthja e nipit,... ajo puthje shpëtimtare që m’i kishte forcuar shpresat për mendimin dhe për veprimin e drejtë. Çfarë fuqie më dha nipi,... ajo puthje e tij shpëtimtare...!

E, tash. Cila qëndron: Ëndrra e tmerrit, Arti i ndrydhjes,... apo Puthja shpëtimtare?! Ose, a mund të korrespondojnë këto njëra me tjetrën. Por,... mos u lodhni, mos e mundoni kokën me këtë, së paku për këtë Vit të Ri! Gëzuar,... pa fije dallavere,... pa hile...!