E enjte, 25.04.2024, 02:42 PM (GMT+1)

Faleminderit

Thanas L. Gjika: Palok Lulash Daka - Studiusi që punonte sa për katër

E merkure, 29.12.2010, 08:58 PM


STUDIUESI QË PUNONTE SA PËR KATËR

(Esse për studiuesin Palok Lulash Daka në 85-vjetorin e lindjes)

 

Gjatë viteve të punës sime në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave, pata rastin të njihem me Palok Dakën, një nga punonjësit shkencorë më të pasionuar, i cili punonte vërtet sa për katër pa u ankuar kurrë.

 

Nga Prof. Ass. Dr. Thanas L. GJIKA

 

Ai kishte lindur në Shkodër më 1925 në gjirin e një familjeje malësore të zbritur prej katundit Temal të Breglumit të Shalës. Të parët e tij, si shumica e shaljanëve, kishin luftuar kundër pushtuesit të huaj osman dhe shovinistëve fqinjë. Në vitet e para të mbasluftës Paloka, ishte vendosur në Tiranë ku punoi tërë jetën me përkushtim në fushën e gjuhës shqipe.

Jeta dhe puna e këtij njeriu është dëshmi e gjallë e faktit se për t’u bërë studiues i suksesshëm, më shumë rëndësi sesa shkollimi ka dashuria për punën, vullneti, pasioni, puna sistematike, përkushtimi ndaj shkencës dhe studimi autodidakt. Por, për shkak të politizimit në Shqipërinë e kohës së diktaturës, minimizoheshin, ose liheshin në hije vlerat e njerëzve që nuk ishin servile të partisë shtet. Kështu edhe Paloka u la të punonte, por nuk u lancua kurrë si punonjës i shquar i shkencës, nuk iu dha ndonjë titull a gradë shkencore, nuk u dërgua jashtë shtetit nëpër qendrat albanologjike për kërkime arkivale, si ia donte puna për të cilën punoi me aq devocion. Më 1979, me këmbënguljen e Remzi Përnaskës, sekretar partie i Institutit të Gjuhësisë e Letërsisë, Paloka u dërgua për të parën e fundit herë në Kosovë për të mbledhur fjalën shqipe, mbasi ai kishte kryer ekspedita të tilla gati në cdo fshat të Shqipërisë.

Palok Daka kishte kryer me korrespondencë studimet e larta për gjuhë e letërsi shqipe në Tiranë. Ai kishte përvehtësuar në rrugë autodidakte disa gjuhë të huaja, sidomos gjermanishten, frëngjishten, italishten, sëbishten e rusishten. Leximet në këto gjuhë e kishin shkëputur prej kolegëve të tij. Asnjë herë ai nuk pyeste për të mësuar dicka prej nesh, vetëm ne e pyesnim atë për të mësuar cështje e ngjarje të ndryshme. Përmes leximeve të shumta dhe dëgjimit të radiove të huaja ai ishte bërë burim informacioni dhe njohurish të vlefshme. Të pije një kafe me Palokën ishte orë pune, sepse gjatë bisedave me të, gjithënjë mësoje gjëra të vlefshme.

Dëshira e tij ishte ta pinte kafen vetëm me një shok, jo me dy, tre ose katër. Kur i kërkova një herë të merrnim dhe shokë të tjerë që të bëhej biseda më interesante, më tha:

- Kur bisedon me një person të vetëm, nuk ke frikë se të spiunon, fundja dhe po të të spiunoi ky, ti mund ta mohosh akuzen, sepse mungon një dëshmitar tjetër.

Në vitet 1986-7, gjatë kafes Paloka më tha: Temat e studimit që i shërbejnë cështjes mbarëshqiptare janë tema jetëgjata, kurse temat që i shërbejnë vetëm kohës së socializmit janë jetëshkrurta, ato do te vjeterohen shpejt.

Ti, që studion letërsinë e Rilindjes, je me fat në krahasim me ata që studiojnë letërsinë e sotme të realizmit socialist. Ti mund t’i thuash konkluzionet deridiku pa i shtrembëruar, kurse ata duhet t’i unifikojnë konkluzionet e tyre në cdo aspekt me politikën e partisë…

Paloka kishte një trup të shëndetshëm, dukej tamam si një cope lis mali, ulej të punonte para një makine të vogël shkrimi që e kishte blerë vetë dhe nuk dinte të ngrihej. Shpesh herë në dimër, kur të gjithë mbërdhinim e humbnim kohën duke ndezur sobat me

dru, ai pa ndezur zjarrin ulej para makinës së shkrimit dhe përhumbej në punë, harronte të shkonte dhe në banjë për nevojat personale. Disa herë, kur e ftoja për kafe, më thosh: rrofsh që vjen e më shkëput nga puna, mjeku më ka këshilluar që në cdo dy-tre orë të ngrihem e të lëviz 10-15 minuta, por unë harrohem në punë…

Ndoshta ky zakon pati ndikuar në krijimin e prostatit, i cili u bë shkaktari kryesor për largimin e tij nga jeta në një kohë kur ishte në kulmin e energjive të tij si studiues, më 15 dhjetor 1987. U largua nga jeta 62 vjecar, 4-5 vjet para se të shkërmoqej diktatura, gjë të cilën e shpresonte, ndryshe nga ne të tjerët, që mendonim se diktatura shqiptare nuk mund të shkatërrohej…

Paloka nuk ndërroi punë asnjëherë, aty ku kalli këmbët së pari, aty dha dhe frymën e fundit. Me që dinte disa gjuhë të huaja djaloshin Palok e pranuan si sekretar në Institutin e Shkencave sapo u krijua ky institut më 1949. Shumë shpejt ai përfundoi pa u shkëputur nga puna, me korrespondencë, Institutin 2-Vjecar e pastaj Fakultetin Histori Filologji për gjuhë e letësi shqipe. Gjithë jetën punoi me pasion në sektorin e gjuhësisë, pranë profesorëve E. Cabej, A. Xhuvani, A. Kostallari, prej të cilëve nuk u qortua kurrë për mosrealizim plani, a për mungesa sado të vogla.

Kur fliste Paloka me drejtorin, nëndrejtorin ose sekretarin e partisë të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë, vija re se ai fliste me ta njësoj si me kolegët e tjerë, pa shenja servilizmi, pa emocion të vecantë. Kjo më shtyu ta pyesja:

-Palok, ti nuk emocionohesh para pushtetarëve të institutit?

-Emocionet ndaj eprorëve janë shprehje e frikës, unë nuk i trembem kujt, më tha, sepse nuk jam përlyer me asgjë të keqe dhe gjithcka e kam arritur me punën time.

Këto ishin dy këmbët e sigurta të Palok Dakës: mospërlyerja me të keqen dhe puna e përkushtuar. Prandaj ai, edhe pse nuk kishte marrë kualifikim jashtë shtetit edhe pse nuk ishte beniamin i partisë, eci shumë më larg se shumica e punonjësve të tjerë edhe se ata që morën tituj e grada shkencore.

Me punën e tij të pasionuar Paloka mundi të ishte një nga bashkautorët e dalluar të dy veprave madhore të Institutit, Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe (1980) dhe Fjalori i shqipes së sotme (1984). Puna për mbledhjen e fjalëve të gjuhës shqipe në libra, gazeta e revista dhe në terren duke shkuar fshat më fshat, bashkë me punën për hartimin e fjalorit, ishin puna për të cilën ai paguhej si punonjës shkencor. Por ndryshe nga punonjësit e tjerë, ai punonte edhe për hartim veprash të tjera. Këto ishin veprat e tij jashtë planit, veprat që e bënin atë të shquhej mbi kolegët. Instituti e paguante me honorare qesharake për këtë punë kolosale, të cilën po ta kryenin punonjësit shkencorë duke e planifikuar, shteti duhej të paguante jo një, po katër a pesë punonjës shkencorë.

Ndonëse ia dinin vlerat, drejtuesit e Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë nuk i dhanë asnjë titull a gradë shkencore, nuk e dërguan asnjëherë jashtë shtetit për kualifikim, për të mbajtur kumtesa a leksione, për të bërë kërkime arkivale në qendrat albanologjike të Evropës. Madje nuk u interesuan ta dërgonin jashtë shtetit as kur pati nevojë shëndetësore për të operuar kancerin në prostat, për t’i zgjatur jetën, të cilën dihej se ai do tia kushtonte punës shkencore.

-Të mos isha i dobishëm, mu hap gjatë njërës prej vizitave të fundit që i bëra në spital, Kryesia e Akademisë së Shkencave do të më kishte nxjerrë në pension, por ajo e di sa shumë punoj dhe sa shumëi duhem Institutit. Nuk e kuptoj pse nuk u përgjigj ndaj kërkesës për të më dërguar të operohem jashtë shtetit…

I tha këto fjalë duke parë lart nga pemët, sikur po i ankohej Zotit. E bardha e syrit iu lagështua e i shkëlqeu. Duke ulur kokën shtoi:

-Më vjen të pëlcas se do të le jetime jo vetëm vajzën e parritur, por dhe disa vepra të pabotuara.

Palok Daka la një ndihmesë të ndjeshme në disa fusha të gjuhësisë shqiptare. Krahas punës si leksikograf, për grumbullimin dhe shpjegimin e fjalëve të shqipes, ai punoi me shumë zell për hapjen e disa fushave të reja si bibliografia shkencore e gjuhësisë shqiptare, onomastika, bibliografia e shtypit shqiptar, fjalori i pseudonimeve të autorëve të para Luftës së Dytë Botërore, etj.

Gjatë punës për grumbullimin e fjalëve të gjuhës shqipe të shkruar e të folur, ai qëmtonte e grumbullonte me kujdes dhe emrat e vendeve dhe të njerëzve. Kjo punë e shpuri në krijimin e kartotekës së onomastikës shqiptare.

Dashuria për botën shqiptare e nxiti këtë atdhetar të mendonte dhe punonte për pastrimin e emrave të huaj në antroponiminë shqiptare. Ky synim u kurorëzua më 1969 me hartimin dhe botimin e një fjalorthi me emra njerëzish me burim iliro-shqiptar.

Në fillim kjo vepër nuk u vlerësua si duhej, madje Palokën e qortuan, por ai diti ta mbronte veprën e vet në plan shkencor dhe ta ribotonte më të plotë në revistën Vatra e Kulturës nr. 1, 1972. Ndër kohë, vetë jeta po tregonte se Paloka kishte të drejtë, shumica e prindërve po kërkonin në gjithë Shqipërinë, si dhe në ish Jugosllavi, t’i emëronin fëmijët e tyre me emrat e fjalorit të Palokës. Kur u pa se kjo vepër po hapte një epokë të re në antroponiminë shqiptare, u kërkua që fjalori të pasurohej e të ribotohej, por kësaj radhe duke i shtuar dhe ndonjë bashkautor tjetër, sepse lavdinë e kësaj pune nuk duhej ta merrte Palok Daka i vetëm. Kështu u botua i plotësuar Fjalori i emrave të njerëzve më 1982 me bashkautorësi, edhe pse askush nuk e kishte ndihmuar atë për hartimin e kartotekës së antroponimisë dhe askush përvec tij nuk kishte shkruar artikuj shkencorë për trajtimin në plan teorik të problemit të emrave vetiakë të shqipes.

Ky punëtor i palodhur lëvronte jashtë planit dhe fusha të tjera, ku nuk mund t’i ngjiteshin kërpudhat parazite. E tillë ishte fusha e bibliografisë shkencore për gjuhën shqipe. Me botimet e vijueshme në revistën Studime Filologjike për bibliografinë e gjuhës shqipe, Paloka u bë një autoritet shkencor botëror. Këtë punë shumë të vlefshme ai e kurorëzoi me botimin e një serie veprash shumë të rëndësishme të botuara prej Akademisë së Shkencave si Bibliografi e Studimeve dhe e Artikujve për Gjuhën Shqipe (1945-1974), 361 faqe, Tiranë 1975, Bibliografi Retrospektive e Gjuhësisë dhe e Onomastikës Shqiptare1879-1944 në tre vëllime 926 faqe, Tiranë 1984, etj.

Sistemimi i të dhënave bibliografike për gjuhën shqipe është një punë që nuk mbaron kurrë, mbasi vetë botimi i artikujve dhe studimeve për këtë gjuhë nuk mbaron. Për pasojë dhe puna e Palokës për regjistrimin dhe sistemimin e të dhënave bobliografike për gjuhën shqipe nuk ka për të mbaruar. Atë duhet ta vijojnë punonjësit e sotëm e të ardhshëm, mbasi është një punë shumë e dobishme për studiuesit e gjuhës shqipe dhe në plan më të gjerë për gjithë albanologët dhe balkanologët.

Në të ardhmen veprat bibliografike të Palok Dakës do të ribotohen të plotësuara me të dhëna të reja për artikuj që janë botuar mbas vitit ku ai e la punën e tij. Kështu ishte rasti, kur në kuadrin e 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit u bë një botim bibliografik për historinë e alfabetit të gjuhës shqipe. Punën e Palokës e shpuri më tej z. M. Gjana dhe botoi veprën Për Historinë e Alfabetit të Gjuhës Shqipe (1844-2008), 250 faqe, Tiranë 2008. Me këtë rast shprehim dëshirën që edhe vepra të tjera bibliografike të Palokës të

pasurohen më tej dhe të ribotohen të plotësuara deri në ditët tona, mbasi bibliografi të tilla ndihmojnë shumë studiuesit e gjuhës shqipe kudo që ata punojnë.

Një fushë tjetër ku Paloka solli ndihmesën e tij të vyer është dhe bibliografia e shtypit shqiptar dhe sqarimi i pseudonimeve të autorëve të ndryshëm që patën shkruar shqip deri në vitin 1944. Vetëm një punonjës me pasion të madh mund të mblidhte nëpër gazeta e vepra të botuara nëpër botë dhe të sqaronte se cili autor shqiptar ishte fshehur me këtë apo atë emër të rem (pseudonim). Në fillim të viteve 70-të Paloka botoi në revistën Studime Filologjike një seri shkrimesh bibliografike me emrat e organeve të shtypit shqiptar, vendin dhe kohën e botimit, kush ishte kryeredaktor, botues, me shumë shënime sqaruese, ku shpjegoheshin dhe mjaft pseudonime të autorëve që kishin shkruar në shtypin e së kaluarës. Këtë punë bashkëshortja e tij u interesua mbas vdekjes së Palokës dhe mundi ta botonte si libër më vete me titullin Fjalor Pseudonimesh (1743-1944), Tiranë 1998, 187 faqe. Prof. H. Borici duke u mbështetur në këtë vepër e duke bërë plotësimet përkatëse për vitet 1945-2000, hartoi veprën e tij Fjalor i Gazetarëve Shqiptarë.

Me punën kolosale dhe të kualifikuar, Palok Daka duhet quajtur bibliografi më i mirë i gjuhësisë shqiptare. Ai jo vetëm e ngriti në nivele të reja shkencore këtë fushë të albanologjisë, por e drejtoi me sukses për më shumë se një cerek shekulli, punë për të cilën nuk iu dha asnjë gradë ose titull shkencor, ndonëse meritonte të kishte titullin e lartë të profesorit. Në ditët tona, edhe pse kompjuteri e ka lehtësuar mjaft punën e regjistrimit të të dhënave bibliografike, ende albanologjia nuk e ka një Palok Daka, sepse njerzit që dijnë gjuhë të huaja nuk mund të sakrifikojnë për të hartuar bibliografi, punë që u shërben të tjerëve, kurse autorit i ha kohën dhe nuk e lë të meret drejtpërdrejt me punë studimore.

Prej një njeriu aq punëtor dhe meditativ si Paloka, mund të përfitoje shumë. Lum unë dhe gjithë ata që e patën shok e mik në ato kohë të vështira. Ai rezatonte vullnet për punë, ndershmëri dhe burrni karakteri. Burrnia e tij u shfaq shpesh. Unë po ndalem të kujtoj vetëm një rast gjatë mbledhjeve që u organizuan prej të quajturit Kontroll Punëtor për të bërë shkurtime drastike të numërit të punonjësve shkencorë në institutin tonë. Mbasi folën të dërguarit e komitetit të partisë, asnjë prej nesh nuk po guxonte të mbështeste drejtorin e institutit, prof. Kostallarin, i cili, për hir të së vërtetës duhet thënë se e mbrojti trimërisht dhe me argumente shkencore numërin ekzistues të kuadrit shkencor. Të gjithë ne të pranishmit ishim të trembur dhe po rinim të tulatur, kurse Paloka u ngrit e tha:

- Cdo godinë projektohet dhe ndërtohet sipas funksioneve që do të kryejë. Një godinë shkolle 8-vjecare nuk mund të ndërtohet me më pak se tetë klasa, një sallë mësuesish, një kabinet fizike, një kabinet kimie, një sallë sportive dhe disa anekse të tjera. Instituti ynë nuk mund të kryejë detyrat shkencore që i janë ngarkuar pa pasur këta sektorë shkencorë që ka dhe pa pasur këtë personel shkencor që ka. Ky instutit është institut kryesor i albanologjisë dhe shkencat albanologjike duhet të zhvillohen me përparësi në Shqipëri. Instituti ynë është qendër prodhimi shkencor dhe jo qendër burokratike administrative. Të shkurtosh punonjës shkencorë në këtë institut, do të thotë të pakësosh prodhimin shkencor në një kohë kur ka shumë individë e qendra studimore jashtë që hadhin baltë mbi vlerat historike, gjuhësore, kulturore, etj.

Mbas këtyre dy diskutimeve kurajoze morën guxim dhe disa diskutantë të tjerë për të mbrojtur kuadrin shkencor, komiteti i partisë së rajonit vendosi ta uli numërin e personave që donte të shkurtonte e të qarkullonte.

Disa thënie të Palok Dakës

Paloka ishte jo vetëm punëtor i palodhur, por dhe një gjykues i thellë i jetës. Gjatë bisedave me të kam përfituar, natyrisht si unë dhe shumë kolegë të tjerë.

Për nga bindjet fetare ishte ateist, admironte teorinë e Darvinit, të cilën e formulonte thjesht:

Jemi pjesë e ciklit natyror, barin e ha lopa, njeriu pi qumshtin e lopës dhe ha mishin e saj, pas vdekjes njeriu bëhet bar të cilin e ha lopa…

Shija e të ngrënit dhe kënaqësia seksuale nuk janë tjetër vecse truke të natyrës për vijimin e jetës.

Duke folur për një shokun tonë që u servilosej shefave dhe u qëndronte gjithmonë pranë, Paloka tha: Kungulli nuk mund të qëndrojë pa u mbështetur, sepse është bimë kacavarrëse.

Kur një shoku ynë kërkoi të bëhej anëtar partie, Paloka më tha: Të hysh në parti, është si të luash bixhoz, mund të fitosh disa herë, por më të shumtën humbet.

Në vitin 1978, kur udhëheqja e partisë i prishi marrëdhëniet me Kinën, Paloka parashikoi vështirësitë ekonomike që do të përjetonim: Tani e tutje do na duhet ta shtrëngojmë rripin përtej vrimës së fundit.

Po flisnim për një shokun tonë që dyshonim se shërbente si informator i Sigurimit. Paloka sqaroi: Kush bëhet informator i sigurimit me dëshirën e vet, është njeri i keq; ai që e fusin me zorr, është fatkeq, por ky mund ta ruajë nderin e vet duke mbrojtur shokët me sa i mundet.

Te kesh në dorë të bësh keq dhe të mos bësh keq, është burrni.

Duke folur për sekretarët e partisë, Paloka thosh: Kush ka në dorë të bëjë mirë dhe nuk bën, është njeri i poshter; instituti ynë i ka këta dy sekretarët e fundit burra të mirë.

Ai i vlerësonte gjuhëtarët J. Gjinari dhe R. Përnaska, sekretarë partie në institut, për mosashpërsimin e luftës së klasave dhe për mbrojtjen e kuadrit shkencor.

Palok Daka është nga ato vlera shkencore e shoqërore, të cilat nuk i kemi të shumta, prandaj nuk duhet t’i lemë në hije si deri sot, sepse mund t’i humbasim përgjithmonë. Përmes njohjes e vlerësimit të tyre ndihmohet procesi i formimit dhe i konsolidimit të kulturës dhe të moralit tonë kombëtar.

 



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora