E premte, 29.03.2024, 04:00 PM (GMT)

Kulturë

Vedat Shehu & Luigj Shkodrani: Pse jo paskajorja Gegë?

E marte, 28.12.2010, 05:49 PM


PSE JO PASKAJORJA GEGE??

 

Nga Vedat Shehu

 

Po shfaq edhe unë një ide për gjuhën standarde.

Diçka standarde ka kuptimin diçka e normuar dhe miratuar nga një forum me autoritet apo ligjor, ndonjëherë edhe si diçka e pranuar gjerësisht si prej një tradite të mirëqenë.

Disa janë të mendimit se në gjuhën e sotme standarde apo të njëhësuar, duke dominuar toskërishtja, është mënjanuar gegërishtia. Mandej  përhapin iluzionin se gjoja ky dominim gjuhësor ka qenë shprehje e dominimit diktatorial komunist toskë mbi gegët, sikur gjoja nga diktatura komuniste nuk kanë vuajtur një lloj si gegët dhe toskët, sikur gjoja organizata bazë partije s'ka patur në veri por vetëm në jug, sikur sigurimas s' ka pasur në veri, sikur shtëpi pushke dhe pushkatarë të Partisë s'ka pas në veri, por vetëm në jug, sikur të persekutuar s'ka pasur në jug por vetëm në veri, sikur  vepëra, ndermarrje ekonomike, uzina , fabrika, miniera, hidrocentrale s' ka psur në veri, por vetëm në jug. Pretendohet se bashkë me haqjen e diktaturës së urryer duhet hequr edhe njëhësimi gjuhësor i zyrtarizuar në vitin 1972, sepse ka qen gjuha e diktatorit të urryer.

Këtej konkludohet se duhet të bëhet një njëhësim i ri me bazë Geërishten gjithashtu fisnike, por e mënjanuar.nga regjimi.

Të tjerë janë të mendimit se ajo që quhet shqipe standarde apo e njëhësuar le të quhet toskërishte e njëhësuar dhe të vihet në funksionim edhe gegërishtia e njëhësuar apo standarde.

Nënkuptohet se shqipia e njëhësuar, pavarësisht se edhe kështu ka të meta,  ka qenë e parakohëshme dhe duhej që të njëhësoheshin veç e veç të dy dialektet dhe të funksiononin të dy sipas prirjeve të autorëve për të shkruar. Por me kusht një libër i caktuar të ishte fund e krye ne njërin nga dialektet. Po kështu të ishin edhe shkrimet, kumtesat e artikujt e autorëve. Brënda një teksti të ishte fund e krye një dialekt. Meqënse kjo nuk u bë atëhere kërkohet të bëhet tani. Të mos ndalohet askush që të shkruaj në gegërishten e njëhësuar paralelisht me atë që është toskërishte e njëhësuar dhe paraqitet si shqipe standarde. Edhe autorët e teksteve shkencore le t'i shkruajnë në njërën apo tjetrën gjuhë të njëhësuar apo standarde. Le të zhvillohen duke marrë nga njëri tjetëri të dy dialektet e nëhësuara. Rrjedhimisht standardizimi apo njëhësimi të shtyhet për 35 apo 45 vjet, kur  mbase do të jenë pjekur kushtet që të njëhësohen në mënyre të butë, duke u shkrirë natyrshëm. Porse fjalori i gjuhës shqipe duhet të jetë një e vetëm një me shënimet përkatëse "geg" e "tos".

Sigurisht diçka duhet bërë. Edhe unë mendoj se, në këtë drejtim nuk duhet nxituar për të patur më shumë maturi.

 

 

PSE JO PASKAJORJA GEGE?

 

Nga Luigj Shkodrani

luigji_61@hotmail.com

 

Flitet shumë për paskajoren e gegërishtes dhe për dëmin që i qenka shkaktuar standardit duke e lënë jashtë sistemit foljor të shqipes normative, por shumë nga ata që flasin, për fat të keq, nuk e kanë shumë idenë se për çfarë po protestojnë.

Këtu më poshtë do të bëj një përshkrim të shkurtër të paskajores gegërishte dhe të funksioneve të saj, në përqasje me format e ngjashme të standardit; si dhe do të sjell disa arsye thjesht gjuhësore se pse kjo paskajore nuk mund të përfshihej në sistemin foljor të shqipes zyrtare.

Funksionet gramatikore të paskajores gegërishte

Paskajorja e gegërishtes e tipit me punue konsiston në një pjesëz me e cila historikisht është e njëjtë me parafjalën me; e që i bashkëngjitet pjesores së shkurtër të gegërishtes (gegërishtja ka edhe një pjesore të gjatë, e cila ndeshet, për shembull, në mbiemrat prejpjesorë: khs.: dru i punuem).

Nuk dua të ndalem këtu në historinë e kësaj forme gramatikore; as dua të diskutoj nëse ajo trashëgon konceptualisht paskajoren e foljes indoeuropiane, apo përfaqëson një formim dytësor në gegërishte, pas një periudhe kur edhe ky dialekt madhor i shqipes, njëlloj si dialekti tjetër, e kish humbur paskajoren origjinale indoeuropiane; për të vetmen arsye se konsideratat historike nuk ngrenë peshë në diskutimin e funksioneve të formave dhe kategorive gramatikore.

Ndryshe nga gegërishtja, toskërishtja nuk e ka një paskajore të tillë; edhe pse në toskërishte dhe në standard përdoret një paskajore tjetër, e tipit për të punuar. Kjo e dyta i ka funksionet më të reduktuara se paskajorja gegërishte e tipit me punue.

Ç’përfaqëson paskajorja në gjuhët indo-europiane? Kryesisht, kjo formë foljore shenjon foljen në formë të kulluar, pa e bashkëlidhur me kategoritë gramatikore të vetës, numrit, kohës e mënyrës. Në nivel konceptual, paskajorja është më abstrakte dhe e pavarur sesa format e shtjelluara të foljes (punoj, punon, punoni, etj.).

Ç’funksione përmbush paskajorja në gegërishte?

Po rendit më poshtë disa nga funksionet kryesore të kësaj forme, sipas Albanische Grammatik të Buchholz dhe Fiedler:

1. Në ndërtime pyetëse:

ma mirë me krye punën apo me fjetë?

2. Si pjesë predikatesh foljore (zakonisht në ndërtime kundrinore):

lypi me hangër

due me i harrue të gjitha

më nep me pi

filloi me u interesue

3. Në ndërtime kryefjalore:

asnjanit nuk ia mbante me ia nisë kangës i pari

asht kot me folë me të

4. Rrethanorë kohe të paraprirë nga para se:

Matu mirë para se me folë

5. Në ndërtime kushtore:

Ban me ngri deti, n’çorape leshi e fill n’Itali

Me e pa, kishit me u habitë

6. Në ndërtime lejore:

Sado vonë me ra, ai ngrihet gjithnjë herët.

7. Në ndërtime rrjedhore:

Shprazi sa mujti ujë rreth e rreth, aq sa m’u ba nji liqé

8. Në ndërtime qëllimore:

Sytë janë me pa.

9. Në ndërtime krahasore:

Nuk asht aq e prapë sa mos me i zanë besë

10. Në ndërtime përcaktore:

Nuk e ka fort zakon me u sjellë zyrave.

Asht koha me u ngritë në kambë

11. Në ndërtimin e së ardhmes e të disa formave me folje modale:

kam me punue

nuk mundem me ardhë

duhet me ia ba Bepinit nji dhuratë për Krishtlindjet

atij s’asht me i fol me gojë

Si i shpreh këto funksione folja në toskërishte dhe në standard?

Paskajorja e tipit për të punuar përdoret kryesisht në funksionet e mëposhtme:

1. Në ndërtime përcaktore:

Aftësia për t’u përshtatur (khs. aftësia me u përshtatë)

Të gjithë kemi nevojë për t’u edukuar (khs. kemi nevojë me u edukue)

Dëshira për t’u kthyer në vendlindje (khs. dëshira me u kthye)

Është herët për ta lënë punën (khs. asht herët me e lanë punën)

I zoti për të qeverisur (khs. i zoti me qeverisë)

Kjo është për të qeshur e për të qarë (khs. asht me qeshë e me qa)

2. Në ndërtime qëllimore:

U munduan për të hapur derën (u munduen me hapë derën)

U ngjesha pas pemës, për t’u mbajtur (khs. u ngjesha pas pemës, (për) me u mbajtë)

Kam ardhur për t’u regjistruar (khs. kam ardhë me u regjistrue)

3. Në ndërtime kryefjalore:

I mbetej për të rregulluar çatinë (khs. i mbetej me rregullue çatinë)

Më vjen për të qarë (khs. më vjen me qa)

4. Në disa ndërtime të së ardhmes:

Nuk kemi për ta pranuar fajin (khs. nuk kena me e pranue fajin)

Në raste të tjera, atje ku gegërishtja ka paskajoren, toskërishtja përdor mënyrën lidhore:

Kërkoi të hante (khs. lypi me hangër)

Filloi të interesohej (khs. filloi me u interesue)

Askujt nuk ia mbante t’ia niste këngës i pari (khs. asnjanit nuk ia mbante me ia nisë…)

Matu mirë para se të flasësh (khs. matu mirë para se me folë)

Po të ngrijë deti… (khs. ban me ngri deti)

Sado vonë të bjerë, ai ngrihet herët (khs. sado vonë me ra…)

Nuk mund të vij (khs. nuk mundem me ardhë)

Nuk duhet t’i biem në sy Saimirit (khs. nuk duhet me i ra në sy Saimirit)

Në të gjitha këto shembuj, niveli i abstraksionit nuk preket; vetëm se ndërtimet toskërishte janë zakonisht ridondante (me përjashtim të atyre me folje modale), sepse i shprehin kategoritë gramatikore dy herë:

Te lypi me hangër, kategoritë e vetës së tretë, njëjësit dhe të kryerës së thjeshtë i shpreh vetëm folja lypi; ndërsa te kërkoi të hante këto kategori rimerren edhe nga lidhorja të hante.

Më problematike janë ato raste kur paskajorja gege i referohet foljes si kategori abstrakte, sikurse edhe gjuhë të tjera indoeuropiane:

Ma mirë me krye punën apo me fjetë?

Asht kot me folë me të.

Toskërishtja këto funksione ia beson vetës së dytë njëjës të lidhores:

Më mirë të kryesh punë apo të flesh?

Është e kotë të flasësh me të.

Kjo vetë e dytë e lidhores i ka humbur lidhjet kuptimore me vetën e dytë, dhe është funksionalisht e barazvlershme me paskajoren gege.

Përdorimi abstrakt i vetës së dytë nuk është ndonjë akrobaci e standardit ose e toskërishtes, pse ndeshet rëndom edhe në gjuhë të tjera. Kur anglishtja thotë: youcan’t have your cake and eat it too, nuk i referohet ndonjë personi konkret si të adresuar të thënies.

Me fjalë të tjera, edhe pse nuk e ka paskajoren e gegërishtes, toskërishtja dhe standardi i mbështetur mbi toskërishten nuk kanë asnjë vështirësi për t’i shprehur, me mënyrat e tyre, funksionet e paskajores së gegërishtes.

Natyrisht, dikush që i qaset standardit nëpërmjet gegërishtes, do ta ketë fillimisht të vështirë të mësohet me këto mënyra shprehëse, por kjo është çështje tjetër.

Pse nuk mund të integrohet paskajorja gegërishte në standard?

Njerëzit gjithnjë pyesin: edhe pse toskërishtja mund t’i shprehë funksionet e paskajores gegërishte, a nuk do të ishte më mirë që kjo formë të ishte integruar në standard?

Për kodifikuesit e gjuhës kjo pyetje formulohet kështu: a mund të integrohet paskajorja gege në sistemin gramatikor të toskërishtes?

Për fat të keq, integrimi i kësaj forme gramatikore has në disa vështirësi të pakapërcyeshme, të cilat kanë të bëjnë me morfologjinë e pjesores gegërishte.

Një nga dallimet themelore të toskërishtes me gegërishten, në rrafshin fonetik, është dallimi ua/ue. Atje ku toskërishtja ka ua, gegërishtja ka ue. Ky dallim është gjithëpërfshirës, në rrënjë të fjalëve dhe në mbaresa; madje edhe në mjete fjalëformuese si prapashtesat.

Grupi ua/ue shfaqet edhe në mbaresat e foljeve. Pjesorja e foljes punoj në toskërishte është punuar, por në gegërishte punue(m). Po ashtu, formave toskërishte punuam, punuat, punuan u përgjigjen format gegërishte punuem, punuet, punuen.

Dallimi në pjesoret prek një numër të madh formash foljore të ashtuquajtura analitike: atje ku toskërishtja thotë: kam punuar, jam punuar, kisha punuar, duke punuar, pa punuar etj., gegërishtja thotë: kam punue, jam punue, kisha punue, tue punue, pa punue etj.

Gjithashtu, pjesorja shërben si temë e mbiemrave prejpjesorë, të cilët përdoren jashtëzakonisht dendur në shqipen e të gjitha niveleve: ujë i gazuar/i gazuem; bjeshkët e nëmura/e namuna; gur i latuar/i latuem; burrë i martuar/i martuem, etj.

Standardi, kur ka qenë fjala për të zgjedhur midis ua dhe ue, ka preferuar si rregull formën toske, edhe pse ka marrë prej gegërishtes format e tipit sulmues, lexues dhe i lexueshëm, i lavdërueshëm.

Me të drejtë mund të pyetet se, në qoftë se janë marrë prej gegërishtes forma sisulmues dhe i lexueshëm, atëherë pse të mos merrej edhe paskajorja me punue? Vallë vetëm për arsye politike?

Jo. Paskajorja gege nuk integrohet dot në sistemin morfo-fonetik të foljes toskërishte. Ka më se 100 vjet që shkrimtarë vullnetmirë përpiqen të përdorin ndërtime me paskajoren gegërishte brenda tekstesh të shkruara në standard, por pa sukses (sikurse ka pasur të tjerë që kanë eksperimentuar, përsëri pa sukses, me kimera të tipit me punuar).

Vështirësia këtu ka të bëjë kryesisht me formën që do të ketë pjesorja e foljes në variantin standard. Sistemi foljor nuk mund të pranojë që pjesoret e foljeve të dalin në dy trajta fonetike të ndryshme: edhe punuar, edhe (me) punue. Ky do të ishte një dallim që nuk do t’i përgjigjej ndonjë nevoje funksionale, por vetëm do të shërbente si burim paqëndrueshmërie në sistem.

Nëse do të futej në standard paskajorja e gegërishtes, atëherë atje duhej përfshirë krejt sistemi foljor i gegërishtes; çka ishte e mundshme, por e pagjasë, në rrethanat kur u kristalizua shqipja zyrtare – meqë pas Luftës II Botërore, toskërishtja ishte politikisht e shenjuar për t’u vendosur në bazë të standardit.

Ka edhe më: sistemi foljor i gegërishtes trupëzon shumë nga ato karakteristika fonetike dhe gramatikore të cilat e dallojnë gegërishten nga toskërishtja, duke përfshirë rotacizmin, grupin ue/ua, dhe mbaresat e ndryshme të pjesoreve (ndarë/nda(më), kthyer/kthye(m), i ikur/i (h)ikun, etj.) Kjo do të thotë që, po të adoptohej sistemi foljor i gegërishtes, atëherë edhe fonetika e shqipes së njësuar duhej të ndiqte modelin gegërishte.

Prandaj paskajorja e gegërishtes nuk mund të shartohej në standard pa e përmbysur këtë të fundit; meqë ajo paskajore shpreh thelbin fonetik dhe gramatikor të dialektit geg dhe të variantit letrar përkatës.

Natyrisht, edhe gegërishtja letrare mund të kish shërbyer fare mirë si bazë e shqipes së njësuar, meqë i kishte të gjitha kartat në rregull, nga pikëpamja gjuhësore dhe kulturore. Çka s’mund e nuk duhej të ndodhte, ishte përzierja politikisht korrekte dhe oportuniste e të dy dialekteve, nëpërmjet bashkëjetesës së formave paralele në sistem.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora