E shtune, 16.10.2021, 06:09 PM (GMT+1)

Kulturë

Shpend Bengu, piktura nuk është zanat, por luks

E premte, 04.01.2008, 11:00 PM


Artistët, nëse nuk janë të burgosur, brenda studios së vet nuk janë artistë

Nga Leontina Nika

Artisti me famë botërore Shpend Bengu, megjithëse thotë se “ndihet i ngopur nga piktura…, përsëri nuk rri dot pa të”. Të rrijë pa artin e tij shumëdimensional, pa diskutim që për të do të thotë të mos jetosh. Garave, siç duket, ua ka marrë shijen, ndaj tashmë i tingëllojnë të largëta. I pëlqen thjesht të shpalosë punët e tij, por gjithnjë Bengu është mahnitës dhe befasues, pasi vetëm pak ditë më parë, në një ndër festivalet më të rëndësishme në Rusi, artisti profesionist e përfaqësoi përsëri Shqipërinë, përkrah vendeve të tjera të zhvilluara të botës. Mendime shumë të vlefshme akademike dhe praktike, në lidhje me artin, do mund t’i lexoni në këtë intervistë të Bengut, dhënë ekskluzivisht për revistën “Spektër”.

Cilat janë projektet tuaja më të fundit?

Projekti im më i fundit është me shtrirje shumë të gjerë ndërkombëtare. Fillesat i ka në Katedrën e Albanologjisë në Departamentin e Gjuhësisë së Universitetit të Kalabrisë në Itali, e cila drejtohet nga personaliteti i shquar, profesor Francesco Altimari. Unë jam pjesë e projektit për punën që do të kryhet në Shqipëri, për digjitalizimin e të gjitha dokumentacioneve, në bashkëpunim me Arkivin Qendror të Shtetit, Bibliotekën Kombëtare, si dhe Bibliotekën e Akademisë së Shkencave, lidhur me dokumentacionet e intelektualëve arbëreshë, të cilat disponohen nga këto institucione. Zbatimi i kësaj pjese të projektit më është besuar mua. Përveç digjitalizimit, jam i angazhuar edhe me realizime artistike, si postera, logo, vidioklipe, dokumentare etj.I tillë do të jetë edhe aktiviteti i datës 7 tetor 2007 në Itali, ku do të marrin pjesë shumë nga drejtuesit e arkivave dhe bibliotekave shqiptare, të cilat do të jenë pjesë integrale e projektit BESA, “Biblioteka Elektronike e Siteve Albanofone”.Si ndiheni në Itali, edhe si përfaqësues i palës shqiptare për këtë projekt? Bashkëpunoj me shume kënaqësi. Ndihem shumë mirë, si në Tiranë; ndoshta atje edhe më komod. Unë vazhdoj të jap mësim lëndët që kanë të bëjnë me multimedian dhe, në të njëjtën kohë, merrem me specializimin e studentëve që mbarojnë studimet në Universitetin e Kalabrisë e që aplikojnë për të punuar në katedrat e këtij universiteti, i cili është një prej dhjetë universiteteve më të mëdha të botës. Një pjesë tjetër e punës sime në këtë universitet është trajnimi i punonjësve të bashkive të Rajonit të Kalabrisë me teknikat multimediale, të cilat janë në përputhje me kërkesat që shtrohen sot nga Komuniteti Europian, në lidhje me edukimin dhe përhapjen e informacionit.

Arsyeja, pse ndiheni më mirë në Itali se në Tiranë?

Në Itali ndihem si peshku në det, ndërsa në Tiranë është e vështirë të jetohet në ujërat e ndotura moçalore, jo vetëm nga pisllëku, por edhe smira, thashethemet dhe xhelozitë ballkanase. Përveç të tjerave, atje ndihem shumë më i vlerësuar e i respektuar se në “fshatin tim Tiranë”. Po ju jap një shembull, që ta kuptoni diferencën, e cila ka të bëjë me qëndrimin dhe respektin ndaj punës. Shumë shqiptarë tashmë e dinë mirë se si pihet “kafja” në Itali.  Një italian (pra europian) harxhon vetëm pak minuta për të pirë një kafe. Por edhe kur e pi kafen, e pi në këmbë dhe, sapo e mbaron, kthehet menjëherë në punë. Europianët nuk kanë shumë kohë për t’u ulur në tavolinë gjatë ditës dhe ta harxhojnë atë duke pirë “një kafe me bisht”. Në Tiranën tonë, ku çdo pesë metra mund të gjesh një kafene “tradita”, për të pirë kafe me bisht, është në modë. Pirja e kafesë zgjat me orë të tëra dhe mbaron vetëm atëherë kur mbarojnë thashethemet dhe vuajerizmat e të gjitha llojeve. Kurse puna vjen gjithnjë në plan të dytë ose, edhe më poshtë, ndoshta. Jo më kot, qarkullon edhe thënia se “të gjitha punët në Tiranë mund t’i mbarosh në kafene”. Duke filluar që nga rangjet më të larta e deri tek ato më të ulëta. Dhe e gjitha kjo varet nga shkalla e luksit që mund të ketë kafeneja, si dhe nga gjatësia e “bishtit”, jo të atij që pi kafenë, por e “kafes me bisht”.Dëshiroj të vë një vijë paralele edhe me të dhënit mësim në Akademinë e Arteve në Tiranë.

Ku konsiston ndryshimi?


Nuk e mbaj mend, pasi kanë kaluar 12 vite. Atë pjesë e kam harruar dhe nuk më ka lënë asnjë lloj gjurme. Kam përdorur Shift + Delete për Akademinë e Arteve, që ditën kur zyra ime si dekan u gjet e shkatërruar, si dhe me të gjitha projektet e vjedhura në shkurt të vitit 2006. Fatkeqësisht, ata që i shkatërruan dhe i vodhën nuk arritën, edhe sot e kësaj dite, t’i përdorin dot. Kanë qenë shumë të zënë nëpër kafene. Për mua e rëndësishme është që ato projekte po i  zbatoj sot e kësaj dite në Universitetin e Kalabrisë, ku kafja nuk pihet me shume se 6 minuta. Së fundi, pas një duzine vitesh, si “i papunë” në fshatin tim Tiranë, jap mësim edhe në një universitet privat të këtij fshati, lëndën e Historisë së Artit (si pedagog i jashtëm). Nuk e kam idenë se çfarë bëhet sot konkretisht në Akademinë e Arteve, por gjithsesi arrij ta kuptoj shumë mirë diferencën midis mësimdhënies dhe marrjes së dijeve në Shqipëri e në Evropë, apo edhe në vendet e tjera të zhvilluara apo të pazhvilluara . Problemi i informacionit, pra mësimdhënies dhe mësimmarrjes në ditët tona, nuk është thjesht një fenomen shqiptar, por botëror. Ky problem, në brendësinë e vet ka një kontradiktë tepër agresive e të ashpër, që ka të bëjë, mbi të gjitha, me zhvillimin e teknologjive të reja të informacionit, si dhe me moshën e atyre subjekteve që jetojnë në një kohë te tillë. Siç jeni në dijeni, softet sot ndryshojnë ose, më mirë të them, përmirësohen çdo gjashtë muaj. Zhvillimi i teknologjisë ecën me një shpejtësi të jashtëzakonshme. Nëse dikush që merret me informacionin nuk arrin ta ndjekë sadopak këtë zhvillim, ai automatikisht është jashtë kohës, si dhe në konflikt me hapësirën që e rrethon. Teknologjia e informacionit multimedial është shumë e re, ajo lindi vetëm disa dhjetëra vite më parë, kur Bill Gate-sit i erdhi ndër mend të bënte disa “vrima në një letër”, në vend që të bënte disa vrima në ujë, duke pirë kafe. Sot, nga pikat e Gate-sit, që jo më kot u quajtën dritare, kemi arritur në kabllot optike, Gigabyte-t dhe terabyte-t, që arrijnë ta kontrollojnë gjithë botën në kohë reale.

Përshkrimi im i mësipërm është thjesht për të shpjeguar telegrafisht edhe thelbin e kontradiktës midis mësimdhënies dhe mësimmarrjes. Ashtu si dhe në natyrë, thelbi i kësaj kontradikte ka të bëjë me përshtatjen dhe konkurrencën, kohën dhe hapësirën.  Sot, në gjithë botën ekziston brezi i vjetër i pedagogëve, të cilët nuk i përkasin moshës së internetit, por edukimit klasik, i cili në vetvete përmban një eksperiencë mijëravjeçare të homo sapiens-sapensit. Ky brez homo sapiens-sapiens, që në disa raste nuk arrin t’i përshtatet dot shpejtësisë së zhvillimit të softe-ve,  përballet sot me specien e re, që jo më kot sociologjia moderne e quan homovidiens. Kjo specie e re, që është shumë agresive dhe që arrin t’u përshtatet teknologjive të reja, kërkon hapësirat e saj, të cilat nuk janë të njëjta me ato të paraardhësve të saj. Pikërisht kjo lloj kontradikte, që në pamje të parë duket disi moderne dhe e kohës, të çon pa dashje në origjinën e errët të llojit njerëzor ose, siç njihet në epokën e “shembjes së idhujve” (kur bijtë, pasi e vranë dhe hëngrën atin e tyre,  filluan ta qanin e ta kujtonin, pasi mendonin se ai kish pasur të drejtë kur i rrihte e i dhunonte).Përsa u përket ndryshimeve midis studentëve shqiptarë dhe atyre europianë, mendoj se ka të bëjë me kontekstin dhe kohën ku ata jetojnë. Le të marrim një shembull: sado të përpiqet dhe të sforcohet një student shqiptar, që jeton në “fshatin Tiranë”, ku askush nuk shkon ditëve të diela nëpër muzeume (dhe ku mungojnë monumentet, që nga koha e “rrëzimit të idhujve”), për të mbrojtur identitetin e tij kulturor përballë një evropiani, përpjekjet e tij do të jenë të kota. Në qoftë se një student europian është edukuar që në vegjëli me një edukim artistik, etik dhe estetik, dhe që ka njohuri për artistët që kanë krijuar muzetë dhe monumentet e qytetit të tij, ai ka me se të mbrohet nga pikëpamja kulturore përballë një studenti shqiptar, të cilit i ka mbetur të mbrohet vetëm me bëmat e “politikanëve” të fshatit të tij. Dijet e marra gjatë shkollës janë pasaporta e vetme për të kërkuar suksesin e së ardhmes. Por kjo lloj pasaporte do t’u mungojë për një kohë të gjatë shqiptarëve, të cilët kujtojnë se reformat në nivelet e ndryshme të shoqërisë shqiptare do të kryhen duke pirë “kafe me bisht”. Unë, personalisht, jam shumë pro mendimit që Historia e Shqipërisë duhet parë dhe studiuar nga fillimi, duke filluar që nga flamuri dhe simbolet e tjera kombëtare.

Ju duket se angazhimet akademike ju bëjnë që ta lini disi mënjanë anën artistike në përfaqësime?

Gjatë bisedës, të thashë se dje pata një ftesë për një ekspozitë tjetër në Itali. Por nuk kam kohë tani; ndihem i ngopur.Ndiheni i ngopur me pikturën?Besoj se nuk e ke harruar faktin e marrjes së çmimit të Bienales së Austrisë. Nuk është bërë akoma bienalja tjetër (qesh). Pastaj, kuratori i bienales tha se do t’i duhen edhe 200 vjet një shqiptari që të arrijë të futet në këtë konkurs me përfaqësues profesionistë, për të marrë këtë çmim.Po për konkurset e arteve pamore, çfarë mendimi keni?Nuk kam qejf të marr më pjesë në konkurse, thjesht më pëlqen të prezantoj punën time dhe, kaq. Tani konkurset ua kam lënë të tjerëve.Keni ndonjë plan për çeljen e ndonjë ekspozite të re, dhe ku do ta realizoni?Po përgatitem për një ekspozitë, për të cilën është më mirë të mos flas, pasi nuk dua të ushqej vuajerizmin e sëmurë të kafepirësve. Në Itali, gjatë qëndrimit tim prej tri vitesh, kam çelur 18 ekspozita. Në Shqipëri nuk ke se ku ta hapësh ekspozitën. Më thuaj, ku ta hap?! Dikur kishte sallon arti; mund të ekspozoje në Galerinë Kombëtare dhe nuk kishte ndonjë problem. Tani, që është privatizuar gjithçka, përfshi edhe GKA-në, është disi e pamundur për të ekspozuar në hapësira prestigjioze publike, pasi ato nuk ekzistojnë më. Megjithatë, kjo nuk më shqetëson aspak, përderisa unë kam se ku t’i ekspozoj punimet e mia.Pse ndodh kjo, sipas mendimit tuaj?Problem “Hapësirash”.Artit tuaj, çfarë emërtimi do mund t’i vini, nëse jua kërkojnë ta bëni këtë?Nuk është se merrem vetëm me pikturë; merrem me 360 gradë, përsa i përket imazhit, duke filluar që nga grafika,  piktura, vizatimi, dezajni, video, fotografia. Me pak fjalë, është art shumëdimensional.

Cilat vlerësime ju joshin më shumë, spontaniteti i dalë nga goja e njerëzve të thjeshtë, por që e duan artin, apo vlerësimet e piktorëve profesionistë?

Të dyja i shijoj. Dhe nuk po e them pa qëllim, pasi ekspozita e fundit që kam çelur ka qenë në një ambient jo shumë të njohur, dhe vetëm 200 ftesa kisha bërë. Por erdhën 1 200 veta. Artdashësit e shprehën mendimin e tyre. Ishin pikërisht ato punë që miqtë e mi i pëlqyen, ku mora vlerësimet më të mira, të cilat u  njësuan me çmimin e bienales.

Ç’mendim keni për konkurset që zhvillohen në Shqipëri?

Pse, zhvillohen konkurse në Shqipëri?! Nuk di gjë... nuk di ç’bëhet, sepse punoj 24 orë në 24 dhe nuk kam kohë të rri nëpër kafe.Pse rrini kaq i izoluar?Të gjithë artistët, nëse nuk janë të burgosur brenda studios së vet, nuk janë artistë. Në vetizolim mund të them se janë ata që rrinë jashtë, se nuk kanë çfarë bëjnë dhe që u duhet të ruajnë kontaktet. Sot, nëpërmjet internetit, bota është shumë e hapur dhe komunikimi është 24 orë në ditë. Është një izolim virtual, dhe jo real, por përsëri është shumë i mirë.

Keni ndonjë koleksion pikturash që nuk e këmbeni me asnjë vlerë monetare?

Po, e kam një koleksion të tillë, ku janë punime të viteve të para të liceut, si dhe dy-tri punë nga periudha e stazhit. Plus edhe një koleksioni mi privat me grafika nga autorë të huaj, të cilat tashmë janë pronë e djalit tim (qesh).

Nëse një person vjen në studion tuaj, dhe ju kërkon që të bëni ndryshime në një punë, si reagoni?

Atë nuk e pranoj kurrë, sepse, jo vetëm në art, por edhe në jetë, nuk vuaj nga mungesa e kompromisit; nuk jetoj me pikturën si zanat. Piktura, për mua, është luks, dhe jo treg zarzavatesh apo fasadë pallati e lyer nga ndonjë “pikturist”. E bëj për qejfin tim! Këtë duhet ta heqë nga mendja çdo klient. Dikur, rreth viteve 70-80, ekzistonte në zhargonin e përditshëm termi “pikturist”. Ky term u përshtatet pikërisht atyre artistëve që “ngjyrën” e konsiderojnë si “bojë”.

Mendoni se ekziston kritikë arti në Shqipëri?

Sigurisht që nuk ka, pasi mungesa e saj është shumë e ndjeshme. Në vendet ku kritika e mirëfilltë mungon ka lulëzim të antivlerave dhe shfarosje të vlerave artistike. Gjëja më e rrezikshme që po ndodh në Shqipëri është mungesa e një kritike të tillë e që po sjell edhe shkatërrimin e disa prej monumenteve më të mrekullueshme të kulturës shqiptare.  Shpend Bengu, përballë fjalëve:Ngjyrë… është jetë, dritë, dhe jo bojë. Pikturë… të jetosh përsëri dhe të mos bojatisësh. Fotografi … fiksimi i momentit që nuk përsëritet më.Komunikim… mendje e hapur, dritare të hapura. Peizazh…(më hape një temë shumë të vështirë, për ta përkufizuar vetëm me dy fjali, sepse unë nuk e shikoj natyrën siç e shikoni ju).

Si konkretisht?

Në natyrë objekti nuk ekziston ashtu siç shihet, por ashtu siç është. Shqisat, që janë dhe sensorët tanë, arrijnë të perceptojnë vetëm gjysmën e asaj që shihet. Një kubi, një njeri normal i shikon vetëm tri faqe, ndërsa Picasso e shikonte me gjashtë.Portret … të arrish të zbërthesh atë që fshihet pas shikimit.Konkurs… unë i përmbahem shprehjes të vjetër të grekëve që, në një maratonë gjëja më e rëndësishme është të hedhësh hapin e parë. Mjafton që u fute, pastaj këmbët ecin vetë.Hapësirë… pafundësi.   



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora