Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Rozana fal, Kristina jo!

| E premte, 04.01.2008, 10:39 PM |


Jetova tri netët e klonuara në Kristina

Nga Leontina Nika

Rozana Radi
Rozana Radi, pas një periudhe pauze në aktrim, i rikthehet magjisë që di të dhurojë vetëm skena e teatrit. Teatri për Radin është dashuri pa kushte, por që e bën të dorëzohet përballë tij dhe ta lërë mënjanë çdo projekt tjetër. Në këtë intervistë ekskluzive për “Spektër” ajo rrëfen emocionet rrëqethëse që ka përjetuar në mishërimin e Kristinës te shfaqja “Bebet e Kazanovës”, shndërrimin në një klon në mënyrën se si flet, si ha, si ecën personazhi, por garanton që kjo do ndodh vetëm për tri netët e shfaqjes, se pastaj do jem përsëri 100 për qind Rozana energjike që ju njihni. Ajo rrëfen edhe projektet e saj më të fundit në muzikë, realizimin e emisionit televiziv, si dhe sekretet e jetës së saj private.

Pas disa vitesh i ktheheni skenës së teatrit, si po ndiheni?

Të them të drejtën, kam dy vjet e gjysmë pa hipur në skenën e teatrit, që në festivalin e Fierit, ku u nominova si aktorja më e mirë për çmim të parë. Kështu që kam siklet, emocion, frikë; më janë mbledhur pra shumë gjëra bashkë. Kam filluar të bëj tekstin në ëndërr dhe, vetëm kur zgjohem kujtohem e qesh.

Kur regjisorja ju propozoi rolin dhe u ndodhët përballë skenarit, si e përjetuat atë moment?

Kur mora pjesën që më propozoi regjisorja Andia Xhunga dhe, pasi e lexova, më merr në telefon aktorja tjetër, e cila interpreton rolin e (Rebekës), Monika Lubonja, e më pyet se si m’u duk personazhi që do të interpretoj. I thashë se më pëlqen Kristina, por Rebeka ka rol shumë të bukur. Shfaqja, në tërësi, përcjell një mesazh bashkëkohor: femra që hakmerret përballë meshkujve, të cilët nuk ia kanë ditur asnjëherë vlerën.

Kur e shikoni rolin mes reales dhe ideales, sa për qind aktuale ju tingëllon si pjesë?

Regjisorja e ka sjellë veprën në mënyrë shumë bashkëkohore. Çdo skenë që pason ndiqet me dëshirë dhe vëmendje. Janë gjëra që ndodhin në këtë kohë që jetojmë, ndaj vepra është aktuale dhe përçon mesazh konkret. Nuk ka asnjë femër apo mashkull që nuk e gjen  aty veten. Kjo pjesë i drejtohet çdo moshe.

Sa për qind Kristinë jeni ndjerë në rol?

Rozana është si Kristina, në disa detaje, në mënyrën se si ajo lëviz. Në imazhin që unë i kam krijuar Kristinës ajo ngjan në paraqitjen e jashtme me Rozanën. Por ajo ka një ndryshim me mua, sepse Kristina i bën meshkujt të ulen në gjunjë. Ajo është 28 vjeç, asnjëherë nuk është zhgënjyer, ka marrë çfarë ka dashur nga jeta e vet, ndërkohë që unë me meshkujt jam pak më ndryshe se Kristina. Jam e ëmbël, si ajo, kokëfortë, por, kur vjen raporti me meshkujt, këtu ndahen dy rrugët tona. Kristina nuk di të falë, Rozana po. Normalisht, unë e kam çuar Rozanën te Kristina, duke i veshur lëkurën e saj, dhe jo Kristinën te Rozana.

Sa e vështirë është për një aktore të sjellë përballë teleshikuesve psikologjinë e personazhit me një plastikë perfekte, si dhe përçimin e mesazhit te telespektatori? Ju, a mendoni se i keni sjellë këto tri elemente?  

Nuk e di, por shpresoj që publiku do t’i ndjejë këto tri elemente. Falënderoj shumë regjisoren Andia, që punon shumë mirë me aktorin e të jep dëshirën për ta çuar më tej. Çdo ditë ajo di të të injektojë ide të reja, që ti ta krijosh personazhin në gjithë komponentët e mundshëm. E rëndësishme në një shfaqje është jo vetëm që unë të dal mirë, por e gjithë kasa e aktorëve, si dhe komponentët në tërësi, të jenë të realizuar.

Sa të rëndësishëm e cilësoni partnerin, që keni në krah në rol?

Mendoj se është jashtëzakonisht i rëndësishëm për një aktore. Partneri është ai që të ndihmon të korrësh sukses, por është edhe ai që të bën të dështosh. Unë, përkrah Indrit Çobanit, në rolin e Kazanovës, si dhe Monika Lubonjës, në rolin e Rebekës, jam ndjerë me të vërtetë shumë mirë, por edhe më kanë ndihmuar shumë. Pjesën më të madhe të dialogut në rol e kam me aktorin Indrit Çobani, i cili më bënë të ndihem mirë; në të vërtetë, në shfaqje Indriti është Kazanova i vërtetë. Edhe në pjesën tjetër, megjithëse kam pak dialog me Monikën, përsëri jam e qetë.

Çfarë mendoni se e bën një rol që të ketë ose jo sukses?

Kur marr një personazh (po i referohem, si më i freskët, rolit të Kristinës), për një periudhë kohe i bëj një analizë të detajuar. Si ka lindur ky personazh, ku ka jetuar, sa vjeç është, rrethanat e tjera të tij që nuk t’i thotë autori, por që duhet t’i krijosh vetë. Duhet ta njohësh në detaje personazhin tënd. Pasi e analizova karakterin e Kristinës, për një javë rresht dola dhe e kërkova Kristinën nëpër Tiranë. Në çdo lokal që ulesha për kafe, sa shikoja një person që i ngjante asaj bëja diagonalen (kjo e ka këtë si ajo) dhe mundohesha t’ia huazoja atë lëvizje dhe t’ia vishja vetes.

Me pak fjalë, aktori para një roli është gjithë ditën në meditim, me veshë e me sytë katër?

A ta thashë se më dilte teksti në ëndërr?

Ja, po të tregoj edhe një gjë tjetër interesante. Një ditë e kapa veten mat, duke e thënë tekstin përmendsh me vete. Në krahun tim të majtë kisha një makinë tjetër, ishte një djalë që po më vërente se po flisja me vete. Në ato momente u çudita me veten dhe qesha. Aktori jeton me personazhin, e bën atë pjesë të vetin. Kam filluar të pij si Kristina, të rri si ajo; kuptohet, derisa të mbaroj shfaqja. Jam  Rozana, megjithëse do të doja shumë të isha Kristina.

Ndodh shpesh që, në një rol mund të ketë skena që nuk i realizon dot menjëherë. Juve ju ka ndodhur ndonjëherë kjo gjë?

Te roli i fundit nuk kam hasur vështirësi, si dhe nuk më është ngjallur asnjë dyshim te vetja që të mos ta realizoj. Por kam pasur vështirësi të tilla, pikërisht dy vite e gjysmë më parë, me trupën e teatrit “Andon Zako Çajupi” të Korçës, me pjesën teatrale “Hipokritët”, nga një autor grek e me regji të Guri Koços, ku kam interpretuar përkrah autorit të madh Aleko Prodani. Aty më dukej vetja pa vlerë, sepse kisha aktorë shumë të mëdhenj përkrah. Sa herë që ulesha me aktoret e tjera, u thosha se do ta lë rolin, pasi nuk e bëja dot. Fillova ta ushqeja për keq veten, si dhe të besoja se nuk e realizoja dot atë rol, ndërkohë që e arrita shumë mirë, derisa u nominova edhe për çmim të parë. Aktorin e shoqërojnë gjithmonë dilema, pasi duhet kohë e gjatë që të shkosh te personazhi.

Sa ndryshon puna në tavolinë, me etapën tjetër drejt ngjitjes në skenë për prova? 

Puna në tavolinë është e domosdoshme, e mirë, si dhe të ndihmon shumë. Por, në momentin kur fillon të interpretosh në skenë, e kupton që është tjetër gjë. Aty fillojnë vështirësitë më të mëdha: duhet të gjesh vendin, pozicionin si duhet të qëndrosh, mënyrën se si do t’ia thuash aktorit batutën, dhe se si ai do e marrë. Logjika se si e thua batutën duhet të jetë që ta kapë publiku. Ajo çka është e rëndësishme për një aktor është thithja e vëmendjes së publikut, për ta bërë atë të të ndjekë. Nëse publiku të ndjek dhe shpreh interes për të dëgjuar, këtu ke arritur gjithçka. Sa më i vërtetë të jesh aq më tërheqës je për palën që të sheh.

E shoh që këtë rol e keni shumë për zemër?

Unë jam rastësisht këngëtare, rastësisht e lindur në familjen e Ferdinand Radit, rastësisht vajzë, sepse duhet të isha djalë, me dëshirën e të dy prindërve. Por e kam plotësuar imazhin e djalit në shtëpi, pasi kam një motër më të madhe që është100 për qind femër.  Jam e dashuruar çmendurisht me artin, me skenën dhe filmin, sepse e kam të trashëguar nga babai im. Motra është regjisore, por babi nuk donte që ajo të vazhdonte për regji, ndërsa pwr mua, që në momentin e parë kur thashë se doja të konkurroja për aktore, im atë tha po. Më thoshte se ato që ai vetë nuk i kishte realizuar, do t’i bëja unë. Përsa i përket këngës, rastësisht mbesë e Françesk Radit, duhej që edhe unë të kapja mikrofonin, por e lumtur që të këndoj live.

Mendoni se teatri i afron apo i largon artistët e rinj?

Në qoftë se do të ndiqni festivalin e të rinjve këtë vit, mundësuar nga Ministria e Kulturës, do të shikoni se ka artistë dhe regjisorë shumë të mirë të rinj. Shpresoj që këtë mundësi që kanë sivjet ta kenë çdo vit, sepse tek artistët e rinj ka elementë shumë të mirë dhe që kanë dëshirë për të punuar. Mendoj se duhet të afrohen më shumë artistët e rinj, sepse, nëse është roli i një të dashure, mund ta luajë më mirë një 28-vjeçare.

Në një farë mënyre, ju keni parë kënaqësi në këtë drejtim? 

Nuk është se kam pa kënaqësi. Kur të bëhet një film e të realizohet një audicion për kinoprovë, them mos të provohen kot. Provohen, por personazhi kryesor është zgjedhur me kohë. Ka aktorë dhe aktore mjaft të talentuar nga brezi i ri.

E ndodhur në mes të dy dashurive, këngës dhe teatrit, a keni dilema në zgjidhje?

Jo, absolutisht nuk kam dilema! Teatri është një ndjenjë e fortë, që nuk e shkëpus kollaj nga vetja, por edhe muzikën e ndjej. Për teatrin mund të lë çfarëdo lloj gjëje.

Po projekte të tjera të reja muzikore keni, si dhe emisioni juaj “Rozi Mambo”, a do realizohet?

U përfol shumë realizimi i projektit tim televiziv, por unë e shtyva atë për arsyen që thashë, se i braktis të tëra për teatrin. Është realizuar vidioklipi “Rozi Mambo” e së shpejti do të dalë. Megjithëse kanë shkruar se “iku vapa me gushtin”, besoj se e kanë gabim, sepse mua vapa mund të më vijë dhe në mes të dhjetorit. E kanë gabim ata persona që kanë thënë se Rozana dështoi. Kjo nuk ndodh kurrë! Ndërsa, në lidhje me muzikën, po punoj me tekste këngësh për artistë të ndryshëm.

Atëherë, konkretisht, kur do të shfaqeni me këtë format televiziv që keni premtuar për teleshikuesit?

Të mbaroj “Mikrofonin e Artë”, shfaqjen, Festivalin e Teatrove, e pastaj do t’i kushtohem televizionit. Emisioni im do të përmbajë diçka që nuk e ka pasur asnjëherë ndonjë televizion tjetër. Do të jem e zhveshur nga të gjitha komplekset, por edhe të ftuarit e mi do jenë të zhveshur nga veshjet klasike. Të gjithë do të jemi shumë sportivë, si në veshje edhe në komunikim.

Mund ta cilësoni si një ide vetëm tuajën apo i jeni referuar ndonjë formati të huaj televiziv?

Po t’i referohemi të gjitha emisioneve, spektakleve dhe formateve televizive, një e nga një, të tëra janë të imituara nga Italia. Edhe vetë italianët huazojnë nga Franca. Unë, si personazh, i ndjek tendencat e fundit dhe mundohem të vishem sipas modës dhe, normalisht, që diçka e parë diku do të jetë edhe në emisionin tim. E rëndësishme është të jetë një format që publiku ta pëlqejë.

Thashethemet që ju kanë bërë të ndiheni me të vërtetë keq?

Atëherë kur u përfol shumë, si në medien e shkruar edhe në atë vizive, në lidhje me të qenit në gjyq me time motër për arsye pronash. Më ka vrarë shumë, sepse është turp të diskutohet për gjyqe, pas një periudhe kur neve na la edhe mamaja. Që të dyja jemi persona publikë dhe, të vihet në dyshim fakti, sikur ne të dyja kemi probleme?! Kjo është skandaloze! Ne mbajmë mbiemrin Radi; ky mbiemër ka dhënë gjithmonë miqësi, humor dhe jetë të përbashkët. Kështu që ata harrojnë se unë kam vetëm një motër në familje, dhe motra më ka vetëm mua. Nuk mund të prishem kurrë me motrën e, aq më tepër, për çështje pasurie. Të gjithë njerëzit, përsa i përket familjes, preken kur i cenojnë me thashetheme. Unë i referohem një shkrimtari, që ka thënë: “Ika nga shtëpia se u zura me nënën, e shava, në rrugë më shau njëri nga nëna dhe unë e vrava”.

Flitet se ju keni një krisje shoqërie me Sonin, a është i vërtetë ky fakt?

Jo, nuk është absolutisht e vërtetë. Unë dal më të shpesh dhe ajo do të jetë edhe në shfaqjen time të fundit.

Ju duket se po e lini veten paksa mënjanë, duke krijuar tekste për të tjerët?

Në muzikë? Por unë nuk jam këngëtare! Po merrem me atë që di të bëj më mirë. Me këngën plotësoj një pjesë të asaj që di të bëj. Të gjitha vidioklipet e mija kanë gjithmonë një fabul brenda. Edhe në klipin e fundit “Rrotullo me gisht” fabula është e Merandolinës te “Zonja e bujtinës”, që i vijnë markezët dhe kjo dashurohet me kalorësin. Në çdo klip bëj një minifilm. Unë nuk jam këngëtare e mirëfilltë; kam mbaruar Akademinë e Arteve për flaut, jam muzikante, por këndoj live me aq pak zë sa kam, por jam e plotësuar dhe në harmoni me tërë komponentët. Është turp të thuash që jam këngëtare, të dalësh në një emision direkt e të marrësh një këngë të vështirë që nuk e këndon dot. Nëse je këngëtare, duhet ta këndosh.

Sa të zënë e ka zemrën Rozana Radi?

I kam bosh të tëra dhomat. Tani për tani, jetoj vetëm në një shtëpi. Kam krevatin tim dhe kam shumë qejf të fle vetëm për këtë periudhë kohe. Jam në një fazë që kërkoj shumë nga mashkulli. Duhet të jetë shumë evropian, të më kuptojë, sepse unë nuk e lë artin për asnjë person, si dhe për asnjë gjë tjetër. Të më kuptojë dhe të më vlerësojë për atë që ai do të njohë tek unë, dhe jo për ato çfarë thonë gazetat apo imazhi “Rozanë”. Në skenë jam komplet ndryshe nga ajo çfarë jam në jetë.

Si e mendoni mashkullin ideal?

Nuk do i thosha jo një mashkulli të zgjuar dhe intelektual. Duhet të më lërë hapësirën time dhe, nëse arrihet, ai hapësirën e vet dhe unë timen. Dua një mashkull që të më adhurojë.

Spekter