E enjte, 25.04.2024, 02:51 AM (GMT+1)

Faleminderit

Bedri Tahiri: Zenel Hajrizi - një emër që nuk harrohet

E marte, 28.12.2010, 09:00 PM


Përvjetor: Në 20- vjetorin e vdekjes së atdhetarit Zenel Zymer Hajrizi

 

Zenel Hajrizi - një emër që nuk harrohet

 

Nga Bedri TAHIRI

 

Të nderuar familjarë të atdhetarit që sot po e përkujtojmë!

Të respektuar të burgosur e të përndjekur politikë, luftëtarë, veteranë e invalidë të UÇK-së!

Të nderuar të pranishëm!

Të flasësh për dëshmorët dhe atdhetarët, është, sa krenari aq edhe përgjegjësi. Ata, me gjakun dhe sakrificën e tyre sublime u bënë themeltarë të lirisë e të shtetësisë sonë. Dhe, nuk thuhet kot: Kush nderon historinë, krijon ardhmërinë. Përndryshe, kush nuk e kupton historinë është i dënuar ta përsërisë atë.

Historia, në përgjithësi, dhe historia shqiptare, në veçanti, paraqet një vargorë zinxhiror të pafund. Një hallkë shumë të rëndësishme të tij e përbën edhe plejada e të burgosurve e të përndjekurve politikë shqiptarë. Ky brez i martirizuar dhe vetëflijues, që përmes Lëvizjeve ilegale të pas Luftës së Dytë Botërore mbajti gjallë rezistencën e përpjekjën për çlirim e bashkim kombëtar, meriton përkujdesje të veçantë, sepse kontributi i tij është i pamohueshëm.

Në këtë vazhdë edhe fshatrat e Artakollit, përherë qenë të gatshme për t’u kacafytur me pushtuesit e huaj sojzinj. Këtë më së miri e dëshmon vetë mësuesja e jetës- historia jonë, e djeshma dhe e sotmja. Jashtë këtyre rrjedhave nuk ngeli as Strofci rrezëbjeshkor. Shikuar hollë e hollë, ai mbetet një çerdhe e pashuar e zjarrit liridashës që denbabaden ka qenë djep i atdhetarizmës e i trimërisë.

Edhe familja Hajrizi e Strofcit ka traditë të shkëlqyer patriotike. Që nga viti 1912 pjesëtarët e saj nuk i lëshuan nga dora armët e lirisë. Ata, në çdo periudhë, gjatë Lëvizjes çlirimtare të Azem Galicës, gjatë Luftës së Shaban Palluzhës, gjatë Lëvizjeve ilegale, gjatë demonstratave të vitit 1981 e sidomos gjatë luftës së UÇK-së, ishin në shërbim të kombit e të atdheut.

            Në mesin e tyre, si kurorë lavdie, qëndron edhe atdhetari  Zenel Zymer  Hajrizi. Ai u lind në Strofc të Vushtrrisë, më 1918.  Dashurinë për atdheun dhe artin luftarak i mësoi në familje. Babë Zymerin, bashkë me kushërinjtë, Hajrizin e Osmanin, ia  pushkatuan serbët qysh  më 1921, ngase mbante lidhje dhe përkrahte çetën luftarake e çlirimtare të Azem Galicës. Me Lëvizjen çlirimtare ishin edhe Fazli Tahiri, i cili u vra me Zenel Baicën në Qyqavicë, më 1921, dhe Rushit Bilalli – Strofci, tagrambledhës i Azem Galicës, të cilin e mbyti OZN-a më 1946.

Nisur nga këto rrethana,  Zeneli nuk e pati të vështirë të orientohej mirë e mbarë në  rrugën e lavdisë. Ai, bashkë me bashkëfshatët e tij, mbrojti Artakollin nga sulmet barbare të çetnikëve shpirtzinj në vitin 1941. Edhe më vonë, më 1943, ai nuk qëndroi duarkryq, por me shumë trima të kësaj ane, disa herë, u vajtën në ndihmë vëllezërve shqiptarë të Sanxhakut e Peshterit dhe myslimanëve të  Pazarit të Ri.

Zenel Hajrizi u shqua si luftëtar trim edhe në Luftën e tribunit popullor Shaban Palluzha. Dhe, pas shuarjes së saj, inkuadrohet në brigadën V të Ushtrisë Shqiptare, komanduar nga Ferid Radovicka e udhëhequr nga komisari politik Ramiz Alia.

Mirëpo, me kthimin e këtyre brigadave në Shqipëri, situata ndryshoi për të keq. Shqiptarët e Kosovës ngelën në gojë të ujkut të babëzitur. Ata u katandisen fare.  Ploja në Drenicë e në shumë vende tjera dhe masakra e Tivarit zbuluan fytyrën e maskuar të komunizmit të rremë serbosllav.

Edhe shpirti i Zenelit u thye e u demoralizua, por nuk u gjunjëzua. Ai, i pakënaqur me gjendjen e krijuar, fill u lidh me Organizatën ilegale “Komiteti Revolucionar Antirevizionist i Bashkimit  të Kosovës me Shqipërinë”, formuar më 1960 nga Kadri Halimi e Ali Aliu.  Vërtet, Zeqir Hajrizi  kishte hyrë i pari në atë Lëvizje, por Zeneli dhe kontribut të madh, duke i organizuar mbi 20 veta të kësaj ane dhe duke  formuar Aradhën luftarake të Artakollit me emrin “QYQAVICA”, të cilën e komandonte vetë. 

Në janarin e vitit 1961 zbulohen nga UDB-ja dhe dënohet me pesë vjet e gjysmë burgim të rëndë, të cilat i vuajti në Mitrovicë, Prishtinë, Goli- Otok e në Nish. Me burg u dënuan edhe Zeqir Hajrizi (4 vjet), Selman Hasani (2 vjet) e Miftar Mustafa (1 vjet). Për çudi, edhe pas daljes nga burgu, këtij atdhetari, kurrë nuk i buzëqeshi fati. Ditë të rënda përjetuan edhe anëtarët e tjerë të familjes së tij, të cilët pushteti i kohës i izoloi, i përsekutoi dhe i anatemoi. Megjithatë, as ata, kurrë nuk i thanë të zezës e bardhë.

Rrugën e Zenelit e ndoqën edhe pasardhësit e tij, të cilët asnjëherë  nuk u pajtuan me robërinë.  Në Pranverën studentore ’81 ra dëshmor kushëriri i tij, nxënësi Naser Hajrizi bashkë me Asllan Pirevën (sot janë të përjetësuar në pllakë para Qeverisë së Kosovës).  Në ato demonstrata u dënua Ahmet Hajrizi (6 muaj) ndërkaq  Zekë Hajrizi u largua nga puna.  Pakëz më vonë u dënuan edhe Jahir Hajrizi (11 vjet) e  Mehmet Hajrizi, i cili që nga viti 1974 ishte udhëheqës i Organizatës Ilegale, në fillim e quajtur “Grupi Revolucionar i Kosovës” e më vonë “Organizata Marksiste- Leniniste e Kosovës”, me 12 vjet heqje lirie. Të dënuar politikë nga Strofci ishin edhe Hajdin Hasani, Shefqet Jashari etj.

           Edhe në luftën e lavdishme të UÇK-së Strofci dhe veçan familja Hajrizi i thuren himne lavdisë kombëtare. Pas sulmit të dytë serb mbi familjen e Adem Jasharit, Qamil Hajrizi, me të birin Hamdiun, kishin vizituar Prekazin dhe flakadanin e lirisë e kishin bartur edhe këtej Qyqavicës, duke e kthyer shtëpinë e tyre në një bazë të fortë luftarake. Fill pas kësaj, luftëtari sypatrembur, Hamdi Hajrizi, pasi kontaktoi në Likoc me Ilaz Kodrën dhe me Rexhep Selimin kthehet në Artakoll dhe bashkë me vëlla Samiun e me kushërinjtë: Musanë, Bujarin, Zekën, Fadilin, Xhevatin, Izetin e Afrimin, në Strofc, formojnë celulën e parë të UÇK-së, e cila shpejt rritet dhe arrinë në mbi tetëdhjetë luftëtarë, prej të cilëve shtatë ranë dëshmorë: Hamdi Hajrizi, Musë Hajrizi, Jashar Jashari, Jonuz Jashari, Xajë Jashari, Enver Tahiri dhe Nazmi Aliu. Rënia heroike e Hamdi Hajrizit, në Apterushë të Rahovecit, më 6 nëntor 1998, pati tri ngritje të mëdha: babë Qamili dhe vëllezërit Ruzhdiu e Avniu rrokën armët e lirisë dhe vazhduan luftën çlirimtare. Madje, Avniu,  si pjesëtar i Ushtrisë Kombëtare luftoi edhe në Trevat Etnike Shqiptare, në Preshevë e në Maqedoni.

           

Zenel Hjarizi vdiq më 12 dhjetor 1990 dhe u varros në vendlindjen e tij të dashur, të cilës kurrë nuk ia ktheu shpinën. Atë ditë, Ali Aliu, duke çmuar lart figurën e tij, pos tjerash tha: “Zenel Hajrizi ka qenë mësues i madh i të gjithë ne bashkëveprimtarëve të tij”.

            Lavdi dëshmorëve dhe atdhetarëve të të gjitha epokave historike!

 

(Kumtesë e lexuar në Akademinë Përkujtimore, kushtuar atdhetarit Zenel Hajrizi nga Strofci i Vushtrrisë, mbajtur më 23 dhjetor 2010, në Institutin Albanologjik në Prishtinë)



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora