Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Dorian Koçi: Raporti i Dick Martit dhe politika shqiptare

| E hene, 27.12.2010, 07:59 PM |


Raporti i Dick Martit dhe politika shqiptare

 

Nga Dorian Koçi

 

Fillimet e shekullit të XX nuk kanë qenë aq të mbarë për imazhin e Ballkanit në Evropë. Pas një rizbulimi të tij në fillimet e shekullit të XIX, entuziazmit dhe një idili dashurie për këtë pjesë të skajshme jugore të Evropës ,gjë e cila u dokumentua dhe në shumë vepra dhe ditarë udhëtimi të udhëtarëve,diplomatëve dhe njerëzve të letrave si Bajroni, Shatobriani, Lamartini etj shoqëria evropiane e fillimit të shekullit të XX u ballafaqua me ikonat e tmerrshme të Luftërave Ballkanike. Viset e largëta dhe romantike , gjithë shkrepa dhe gurë që dikur kishin detyruar Bismarkun të pohonte se “nuk vlejnë për të lënë eshtrat as dhe një granatieri gjerman” papritur nëpërmjet realitetit të trishtë të Luftërave Ballkanike u kthyen në një sinonim të barbarisë, tmerrit, grindjeve pafund për territore dhe konflikteve etnike. E kësaj periudhe është dhe përdorimi për herë të parë në gjuhën angleze dhe hyrja në fjalorin e kësaj gjuhe  të fjalës Balkanize-të ndash (një rajon ose trup) në shtete ose grupe reciprorikisht të vogla që janë në armiqësi me njëri-tjetrin.

Natyrisht që reporterët e gazetave kryesore evropiane nuk ishin të ndërgjegjshëm se po ndikonin në krijimin e një etike kulturore negative për Ballkanin, pasi ajo që ishte më imediate për ta ishte emetimi i saktë i fajtorëve të kësaj kasaphane. Denoncimi i ambicieve të nacionalizmit të pafre të serbëve ,malazezve,grekëve dhe bullgarëve shpesh herë u interpretua si ekzagjerim i tepruar i tyre dhe se shkaqet e këtyre luftërave ishin më tepër jashtë Ballkanit sesa brenda tij. Gjithsesi përsëritja e ngjarjeve në vitet 90’ në Ballkan tregoi se shumë nga prognozat e tyre ishin të sakta dhe shumë studiues dhe politikanë i rilexuan shkrimet e tyre për të kuptuar sërish rrënjët e konflikteve.

Në përqasjen e evropianëve  rreth Ballkanit sigurisht që nuk kish pasur vetëm kritika, përçmim apo dhe sarkazëm ndaj atyre që mund të bëheshin shumë shpejt sivëllezërit e tyre pas largimit të otomanëve, por dhe simpati dhe ekzaltim të popullsive dhe etnive të veçanta veçanërisht të grekëve dhe sllavëve  nën influencën e dy nga rrymave të mëdha të mendimit politik dhe kulturor evropian, Filohelenizmit dhe Pansllavizmit. Më pak të privilegjuarit në këtë mes ishte popullsia shqiptare, që pozita gjeografike e vendit ku jetonin shikohej si një pengesë kryesore si për pansllavistët  që dëshironin të kishin një dalje në detin Adriatik por dhe për filohelenistët që pozitën dominuese të tyre në pashallëkun e Janinës e shikonin si një ofendim nda racës helene që aq shumë e adhuronin. Fitimi i pavarësisë nga Greqia dhe Serbia dhe kërkesa e tyre për ekspansion territorial veçanërisht në kurriz të territoreve të banuara me shqiptarë i dha udhë dhe krijimit të një literature përçmuese dhe raciste ndaj shqiptarëve nga pseudo akademikët e tyre, duke dashur të përligjin në këtë mënyrë sundimin dhe gllabërimin e këtyre territoreve nën petkun e qytetërimit që gjasme do u afronin këtyre territoreve. Për fat të keq këto përqasje gjetën jehonë dhe në Evropë, shtetet e së cilës po përgatisnin shkatërrimin e Koncertit Evropian të rendit të krijuar në Kongresin e Vjenës më 1815, kështu që interesat e tyre në rajon i ndërtonin mbi bazën e aleancave të real politikës domethënë dominimit të forcës ndaj më të dobëtëve.

Në fakt forca dominoi në ngjarjet e Luftërave Ballkanike dhe bashkë me fatin e vulosur të gjymtimit të Shqipërisë në Londër, mbijetuan dhe paragjykimet dhe perceptimet e gabuara ndaj shqiptarëve. Evropa dhe Fuqitë e Mëdha për të larë duart si “Ponç Pilati” pranuan se territoret që iu kaluan këtyre shteteve nën administrim ishin me shumicë shqiptare ndaj iu kërkuan që të respektonin të drejtat e tyre gjuhësore, kulturore dhe fetare, kërkesë që asnjë nga shtetet ballkanike nuk e mori parasysh. Por jo vetëm kaq, por ato hartuan dhe platforma të vërteta të dëbimit dhe zhdukjes të tyre duke i kthyer në popullatat më martire të Evropës Lindore që duheshin të flijoheshin për të përfunduar plotësisht vendet që i gllabëruan procesin e formimit të shteteve-kombeve.

 U deshën më shumë se 80 vjet që kjo gjendje e padurueshme shtypje nacionale të përfundonte  kur në një nga aksionet më ë mëdha të Lirisë, NATO dhe aleatët e saj të ndërhynin fuqimisht në Kosovë për të parandaluar një nga tragjeditë më të mëdha të shekullit-gjenocidin shtetëror të Serbisë ndaj shqiptarëve. I pari për në llojin e vet , kjo ndërhyrje përveçse se krijoi një precedent të zbehjes së konceptit të sovranitetit të shtetit që ushtron gjenocid ndaj shtetasve të vet duke u dhënë fund kështu parimeve të imponuara me anë të forcës dhe mentaliteteve nacionaliste të mos ndërhyrjes në punët e brendshme, nxori në sipërfaqe sërish të gjitha rrymat antishqiptare që të bashkuar kanë mëse 11 vjet që po përpiqen ta zhbëjnë aksionin e madh të lirisë dhe formimin e shtetit të Kosovës. I tillë është dhe raporti i Dick Martit, në formë pasi në përmbajte ai pritet tashmë që fjalën e fundit ta thonë sërish hetimet. Pa dashur të paragjykojmë hetimet nëse ato do ndërmerren sërish nuk mund të rrimë këtu pa nënvizuar se ngjarja ngjan në fakt si një film horror. Një film, një skenar që i përmban të gjitha klishetë e mundshme të historive të shekullit të XIX ku shqiptarët paraqiteshin si barbarë dhe të pacivilizuar që vrisnin, prisnin dhe rrëmbenin mbi popullsitë e tjera “paqedashëse” të Ballkanit. Madje Marti shkon dhe më tutje , zgjon nga gjumi Drakulën e famshëm të rumunëve dhe ua vesh shqiptarëve të cilët nën ditën me diell dhe nga aeroporti i vetëm zyrtar i shtetit të tyre bëjnë trafik organesh! Por s’mbetet me kaq, për trafikun dinë shërbimet e fshehta shqiptare dhe organizatori kryesor i tyre është kryeministri i një vendi sovran. Deklaratat e tij lënë pa gojë opinionin botëror dhe aty ku asnjë nuk mund të flasë pasi janë shumë të shokuar nga amatorizmi i paraqitjes së hamendësimeve si fakte, bash vjen një zë nga Moska i ministrit të jashtëm rus Lavrov që e “dinte prej kohësh se UCK ishte e përfshirë në këto veprimtari kriminale”.Nga ana tjetër e oqeanit, një zonjë që ka shkuar për pushime diplomatike në Argjentinë, pasi ka dështuar plotësisht me kapjen dhe dënimin e kriminelëve të luftës në ish-Jugosllavi përsërit sërish fantazitë e saj të përshkruara në librin që s’mundi dot të bëhej bestseller edhe pse zonja loboi shumë që t’ia arrinte këtij qëllimi. Këtij skenari filmi në fakt i mungon vetëm epilogu, i cili nuk shkruhet por lihet të nënkuptohet që Kosova ndoshta do të ishte më mirë që administrohej sërish nga Serbia pasi ky shtet është shtet zotëri, të vret si vrau në Bosnje dhe Kosovë por të paktën është i qytetëruar , nuk i tejkalon normat ndërkombëtare të luftës dhe nuk bën trafik organesh me kufomat e vrara. Kurse këta shqiptarët duket që se meritojnë lirinë,janë barbarë  pasi mu në mes të fitimit të saj e kanë mendjen të bëjnë para me trafiqe organesh. Për besë edhe filozofi francez Montenji që përshkruan veset e kanibalëve në esenë e njohur të tij për ta, do ta kishte zili stilin përshkrues të Del Pontes, solemnitetin e deklarimeve të Dick Martit dhe njohurinë e gjerë rreth çështjeve ballkanike të Lavrovit.

Skenat e përshkruara më lart, po të mos diheshin ngjarjet mund tu vije çfarëdolloj viti poshtë si vit kur zhvillohen ngjarjet pasi , kjo histori ngjan si dy pika uji me shumë histori të stisura rreth shqiptarëve , të paktën këtu e 150 vjet që kur çështja e formimit të shtetit shqiptar ka dalë në skenë. Ajo që me të vërtetë mbetet shqetësuese në gjithë këtë histori është pohimi që shumë mballoma të kësaj historie Marti për të thurur pëlhurën e vjetër të paragjykimeve antishqiptare i ka huazuar nga akuza të politikës shqiptare në Kosovë mes palëve. Papërgjegjshmëria e deklarimeve , thjesht dhe për kapital politik të çastit është një sëmundje kronike e gjithë politikës shqiptare që sa vjen nga papjekuria e atyre që merren me politikë po aq ka brenda saj dhe trillin krijues ballkanik popullor shqiptar. Duke vazhduar të sillet në mënyrë folklorike klasa politike shqiptare për shumë kohë akoma do të vazhdojë të jetë viktimë e papërgjegjshmërisë së vet, e paaftë të ndërtojë vektorë besueshmërie për atë çka kërkon dhe deklaron. Në histori mitin nga ngjarjet e vërteta e ndan besueshmëria e këtyre të fundit e bazuar në dokumente të burimeve parësore. Ka ardhur koha që dhe klasa politike shqiptare në rajon të ndjekë rastin e shkrimit të historisë dhe që të bëhet e besueshme për ato çka deklaron duhet të sjellë para opinionit platformat, idetë dhe ecushmërinë  ekonomike të vendit dhe jo broçkullat  dhe pallavrat e  thashethemnajave provinciale dhe ambicie politike brenda llojit të vet. Në fakt, në reagimin e përbashkët që ajo pati këndej andej kufirit ndaj raportit të Martit, pjesa më thelbësore dhe sfida e saj ndaj të ardhmes nuk mbetet bashkimi i saj para kësaj dukurie pasi kjo gjë është vërejtur dhe më parë, por gjetja e “burimeve parësore” të veta pra  ndërtimi i kodi të ri etik dhe një morali të ri politik në marrëdhëniet e saj brenda vetes.