E shtune, 20.04.2024, 01:01 PM (GMT+1)

Faleminderit

Mërgim Korça: Patër Gjergj Fishta në 70 vjetorin e vdekjes

E hene, 27.12.2010, 09:00 PM


Patër Gjergj Fishta në 70 vjetorin e vdekjes Tij.

 

Shkruar nga Mërgim Korça

 

Që nga dit’e parafundit e vitit tashmë të largët 1940, dita në të cilën ndërroi jetë At Gjergj Fishta ... shumë ujë ka kaluar nën këmbë urash ! 

Vetëm katër, plot katër qenë vitet, (mbas vdekjes), përgjatë të cilëve Patër Gjergji vazhdohej e përmëndej si SIMBOL PATRIOTIZMI e përkushtimi ndaj Atdheut si edhe KORIFÉ i letërsisë shqipe ! 

Në vazhdim ... asgjë më !  Heshtje rreth Tij fillimisht e pastaj ... filloi edhe përbaltja e Tij.     

Përbaltja erdh’e u zhvillua tamam si përgojimi shpifës (tek Berberi i Seviljes) :  Përgojimi shpifës, fillimisht si një puhí e leht’edh’e ëmbël, fillon’edhe pëshpërit. Dal’ngadale, rrafsh me tokën nënë zë, fishkëllon’e përparon, me zukatje në vesht’e njerëzve futet e mjeshtërisht trut’e tyre i çorodit dhe i fryn !   E n’vazhdim kapërderdhet dhe pëlcet si tërmet’edhe furtunë ku çdo gjë shungullon !   Kjo hullíja përgjatë së cilës llava vullkanike komuniste e mori përpara atdhetarin si edhe mjeshtrin At Fishta !   Sistemi diktatorial komunist, i udhëhequr nga një Sataná dështák në fushën’e shkollimit vet, i rrethuar fillimisht në masë me analfabetë dhe injorantë, në genet e të cilëve vetëm urrejtja ndaj të diturve dhe të kamurve kish zënë vënd, duke spekulluar mbi kartën e të qënit vëndi i shkelur nga këmb’e huaj, urrejtjen sllavo-komuniste ndaj atdhetarit At Fisht’e çoi në vënd !   E desh shkjau përbaltjen me shpifje ?   Ajo u bë, po s’u kënaq ai me aq !   E desh në vazhdim diktatori edhe fizikisht të zhdukur varrin ku i shqetësuar prehej i madhi Mjeshtër !   Edhe kjo u bë, me urdhërin’e tij ! 

Ndalem tashti dhe sinqerisht pohoj që vazhdimi përgjatë kësaj  brazde mund të krijojë përshtypjen se unë, duke qen’i paragjykuar pozitivisht ndaj At Gjergj Fishtës, (gjë të cilën nuk kam se si t’a fsheh), nuk po e trajtoj problemin me paanësí.  Prandaj e ndjej të nevojëshme t’i drejtohem lexuesit e të saktësoj një pikë që un’e quaj  kyçe e me rëndësí thelbësore.  Për t’a analizuar personalitetin e Patër Gjergjit u kërkoj ndihmë  dy parimeve bazë të trashëguar nga përvoja e njerit nga personalitetet më të mëdha pararendëse në studimin e historisë, Tuqididi-t, (e përzgjedh si udhërrëfyes, jo aspak nga emri që ka por, nga kriteret bazë që ai na mëson të ndiqen). Ky përshkrues i pakrahasueshëm i Luftës Peloponezit thekson, nënvizon edhe përdor dy principe bazë që e vërteta, sipas tij, të pasqyrohet ... e tillë siç ka qenë :

1-  Studjuesi duhet të dalë nga e tashmja dhe të pozicionohet në periudhën kohore kur janë zhvilluar ngjarjet që ai merr në analizë që gjykimi të jetë sa më pranë së vërtetës.

2- Nga ana tjetër, studjuesi duhet të analizojë imtësisht aksjonet dhe bëmat e kohës që studjohet, i mbështetur në vetë gjurmët që gjen dhe jo në përshkrimin e tyre interpretuar nga të tretë.

Nisur nga dy parakushtet që na mëson Tuqididi, edhe unë po mëtoj t’a gjykojmë, së bashku me lexuesin, figurën e Patër Gjergj Fishtës pa zbukurime por ama pa lejuar as t’i bëhen  përkeqësime. 

Shtrohet pyetja parësore : Pse gjith’ajo trysní ndaj diktatorit shqiptar, fillimisht nga ana e jugosllavëve e në vazhdim nga sovjetikët, që figura e At Gjergj Fishtës të përbaltej dhe të anatemohej ?  Ishte Patër Gjergji tradhëtár apo atdhetár ? 

Që gjykimi ynë të jetë sa më real dhe i paanshëm duhet së pari  çvendosemi në kohë. 

Shekulli i XIX-të po u avitej grahmave të fundit.   Luftrat që i patën shtrirë tentakulat e tyre rrëmbyeshëm mbi Ballkan e qenë afruar deri në Vienë me qëllim paranojak pushtimin e gjithë Europës, ia thithën nga trupi Perandorisë Osmane gjithë gjakun dhe energjinë e saj.   Kësisoj   truri dhe trupi i perandorisë dikur të përbindëshme u plandosën për tokë e bashkë me to u thanë edhe tentakulat e saja rrënimtare !

Ngjarjet sa vinte e rrokulliseshin shpejtë.   Ushtria turke u thye përfundimisht në Plevna dhe Rusia e detyroi Turqinë t’a firmoste traktatin e Shën Stefanit.   Si humbëse, Turqisë iu desh t’ua njihte, veç Bullgarisë së madhe me gjithë Maqedoní, edhe autonomin’e  Bosnjes e Herzegovinës.  

Nga ana tjetër Greqia, për fitimin e pavarësisë të së cilës gurë themeli qenë bërë trimat arvanitas gjysëm shekulli më parë, mbasi e hodhi lumin u bashkua asokohe me tufën e çakenjëve sllavë që orvateshin të rrëmbenin sa më shumë toka historikisht të banuara nga shqiptarët.

Pikërisht, në këto kohë të turbullta, Kombit Shqiptar i dilte një mbrojtës i denjë,  Patër Gjergji Fishta. 

Jeta e tij u shtri mbi kapërcyellin e vështirë të dy shekujve.  

Kombi ynë, duke e pasë ruajtur në shekuj gjallërin’e tij, kish mbijetuar. Jetonte vërtetë, por jo i inkuadruar në atë strukturë shoqërore-ekonomike që quhet shtet. Ky koncept, abstrakt për shumëkënd, madje deri edhe për mëndjet e ndritura shqiptare të asaj kohe, ishte ende i pakristalizuar.   Disa rilindas e përfytyronin shqiptarin në suazën e një protektorati. Të tjerë e mendonin kombin tonë të bashkuar në një kanton. Pikërisht në këto rrethana tejet vendimtare për kombin tonë, kur e ardhmja e tij ish e rrethuar nga një mjegullnajë krejtësisht e turbulltë edhe kur Bismarcku Shqipërinë e shihte si “ një shprehje gjeografike ” duke shtuar edhe “ ... shqiptarët as gjuhë të tyre të shkruar nuk kanë … “, Patër Gjergji, duke i peshuar edhe drejtëpeshuar të gjithë këta faktorë, u bë njeri nga nismëtarët e Kongresit të Manastirit, (duke e kuptuar pohimin e Bismarck-ut si nxitje “... ku jeni, a nuk e kuptoni se pa gjuhë tuajën të shkruar nuk mund të shpalleni si shtet i pavarur ...” ).  Gjithashtu Patër Gjergji e kuptoi drejtë se Turqit e Rinj  donin përkrahje e prandaj ata, me Hyrrijetin, lejuan për herë të parë mësimin e gjuhës shqipe si gjuhë të dytë në shkollat fillore si edhe ruzhdijet, ( por shqipe e shkruar me shkronja arabe ). Tek personi i tij u ndërthurën madhështíja e tij parashikuese me patriotizmin e mirëfilltë.   Ai e shihte qartë se nuk kishte si të bashkohej kombi ynë në një shtet të mirëfilltë kur gjuha e tij shqipe të shkruhej me “kirilicat” e Kirilit  apo me “krrabat” osmane që për më se 500 vjet u kishin ngecur në fyt shqiptarëve !  Zgjedhja e tij si Kryetar i Komisísë së Alfabetit Shqip flet qartë për ndikimin e madh bindës që ai pati ndër pjesëmarrësit e Kongresit.   Pra, Patër Gjergji, lojti rol kryesor duke u bërë pjesë e rëndësishme e asaj kryeure që lidhi Rilindjen tonë Kombëtare me Pavarësinë e Shqipërisë, në atë kapërcyell shekujsh !  

Edhe sikur aktiviteti patriotik i Patër Gjergjit të qe ndalur në nëntorin e 1908-ës, aq sa kish bërë Ai për kombin e Tij deri atëherë, mjaft do të ishte që emri i Tij të shkruhej me gërma të arta.

“Gjuha shqipe vojt kah perëndimi”, kish thirrur atëbotë Patër Gjergji … dhe kish pasur të drejtë sepse me veprën e Tij realizoi aspiratat mbarëshqiptare, realizoi edhe ëndrrën e Naimit të madh që kërkonte “diellin që lind andej nga perëndon”.

    Por për Të nuk kish të ndalur përkushtimi atdhetar.  

    Më 1913-ën, në shënjë revolte kundra Fuqive Ndërkombëtare që e mbanin të pushtuar Shkodrën, Patër Gjergji do të ngrinte  Flamurin Shqiptar në Kishën e Gjuhadolit.   E, në shënjë vëllazërimi dhe solidarizimi mes muslimanëve dhe katolikëve, do të lidhte me një banderollë dritash  kambanoren e  Kishës Françeskane me minaren e Xhamisë së Fushë Çelës.  Çuan atëherë “qeveritarët e huaj” dërgatën e tyre që mes kërcënimesh frikësuese urdhëronin uljen e flamurit por “Frati trim” me ironinë e Tij të guximëshme u tha : “Flamuri jonë e ka për ndérë të gjuhet prej topash t’huej”.

 Më 1919 e shohim delegat në mbrojtje të çështjes sonë kombëtare,  së bashku me Imzot Bumçin, në  Konferencën e Paqës në Paris.   Dhe ç’është për t’u theksuar, jo rastësisht Kryeministri i Qeverisë së Durrësit Turhan Pashai vendosi të largohej vullnetarisht nga kryesimi i delegacionit në konferencën e njohur si Konferenca e Versailles.  “ … Eshtë më e udhës që para Kancelerive Europiane të paraqitet një Prelat Katolik se sa një ish ambasador i Turqisë së vjetër në Shën Peterburg.”

Sa sipër, mendojmë se ësht’e mjaftueshme në kuadrin e këtij shkrimi, për t’a sjellë të qartë gjëndjen si edhe pikëpamjet e kohës kur veprimtaría e Patër Gjergjit filloi të luante një rol vendimtar lidhur me fatet e Shqipërisë e kësisoji lexuesi të mund të vihet edhe vetë në kushtet e atëherëshme.

 Lidhur me kriterin e dytë, për të gjykuar mbështetur vetëm në gjurmë dëshmitare dore të parë, a ka kriter më të saktë se sa të gjykojmë si reagonte ndaj rrethanave të caktuara Patër Gjergji ynë ?  Përgjigjen e gjejmë tek “Lahuta e Malcís” ku autori, duke e analizuar gjëndjen politike në pragun e shkërmoqjes Perandorisë Osmane, shprehej e zezë mbi të bardhë :

Ku do t’mërrijë megja serbjane / Për me u gjetun Cernagora / Me Serbí bashkë dora dora /  Shqypnin tjetër kan me e dá / Bullgarija e ajo Greqija / Pse, mbasi Shkjét e Ballkanit / T’kenë pushtue tokët e Sulltanit / E mârrë t’kenë do skele detit / Të kenë lidhë besë ndërmjet vetit / Ká m’i u dhânë Shkjenís e mbara / Ka m’u shtrue ura përpara / Dét’e m’dét m’u kapë Moskovi ...

Me këta dymbëdhjetë vargje, shkruar nga dora e vetë Patër Gjergjit, mendoj se lexuesi i paanshëm dhe i ndershëm arrin t’a gjykojë, pa as më të voglën mëdyshje, si qëndrimin atdhetár të At Gjergjit nga njera anë, e doemos edhe keqdashjen sllavo-komuniste ndaj Tij, nga ana tjetër që nga Cërna Gora në Beograd edhe në Moskë !

Dhe për t’a mbështetur gjykimin tonë të jetë me këndvështrim sa më të gjerë rreth Patër Gjergjit e doemos edhe që të jetë sa më racional, i vërtetë dhe i paanshëm, u referohemi së rishmi edhe pesë vargjeve të tjerë shkruar po prej Tij, ku thotë : 

 Kjoftë mallkue, po, a plak a i ri,… / Qi s’lidhet sot me besë arbnore / Për me dhânë mâ parë jetën / Se me ra fisi i Shqyptarit / N’thôj t’pangijshëm t’Gospodarit

 E si për t’a nënvizuar pozicionimin e tij patriotik dhe kundrasllav, Patër Gjergji, ndaj qëndrimit të shfaqjes si lugat të Mehmet Ali Pashës ndaj Krajl Nikollës duke e nxitur të digjte e të lante në gjak Plavë, Gucí e Malsí, vazhdon :

“ I huptë Zoti përnjimênd /  Knjaz Nikollë edhe gjithkênd /  Qi mendon e shorton zí /

   Për të buk’rën këtë Shqipní !” 

Mbështetur e duke e zbatuar në vazhdim kriterin e dytë lidhur me dokumentime autentike, sjellim edhe dy gjykime albanologësh e studjuesish të huaj autoritarë.  Albanologu Maksimilijan Lambertz-i (i cili e ka përkthyer Lahutën e Malcis në gjermanisht) thotë :

“Lahuta âsht shprehja mâ e kjarta e dokeve të fshatarëve, banorë të Maleve të Veriut.   E prejse doket e lashta të fiseve malore janë gjykue të zhduken nga tallazet e forta të civilizimit, lexuesi, letrari, folkloristi, juristi e historiani i nesërm kanë për t’ia dijtë për nder në dhetë a qindvjetët e ardhshëm Poetit i cili në Lahutë të Malsisë na la nji ritrat (portret) të shqiptarit, të përshkruem nga goja e dëshmitarëve njikohsorë, ashtu si këta e gjetën në agimin e shekullit të XX-të, me atë ndryshim të vogël që shqiptari pësoi ç’prej kohëve të largëta të iliro – thrakëve .”   

Gjithashtu arbëreshin albanolog dhe njeriun me rreth të gjerë ndikimi në Itali, Gaetano Petrotta, Fishta e  kishte  bërë  aq  për  vete sa që ai shprehej :

“ Fishta është ndër të parët e ndër më të mëdhenj atdhetarë, të cilët në kohë më të vështira bënë çmos për t’a mbajtur gjallë lëvizjen kombëtare kundër dhunës barbare të qeverisë turke, kundër lakmisë dhelpërake serbe dhe kundër propagandës greke.    Kudo që shtrohej çështja e Shqipërisë, At Fishta gjëndej aty pranë e, ku me vepra e ku me shkrime, sidomos me poezinë e tij të gjallë, zgjonte nga gjumi më të plogështit dhe mbante gjallë gjithmonë shpresën e ardhmërisë “.  

Kurse albanologu bashkëkohës Robert Elsie duke e bërë Lahutën e Malcis të këndojë edhe anglisht, shprehet gjithë respekt për veprën e Patër Gjergjit se “ Tashti u plotësua Eposi Europian !”.  

 E gjejmë Patër Gjergjin flamurtar të çështjes shqiptare më 1930 në Konferencën Ballkanike të Athinës e fill mbas saj gjatë vitit 1931 në konferencën e Stambollit.   Më 1932 vete në Bukuresht ku me pathos të lartë mbron sërish çështjen shqiptare.   Dhe nuk duhet harruar se udhëtimet atëhere nuk bëheshin me avjonë Boeing por zgjasnin me javë të tëra dhe angazhonin edhe lodhje jo të papërfillëshme fizike.   

Kudo që vente Patër Gjergji një idé fikse kish :   Të propagandonte për çështjen tonë kombëtare si edhe t’a rriste rrethin e miqve të Shqipërisë.    Sa i takon pjesës së dytë të këtij pohimi, pikërisht lidhur me rritjen e rrethit të miqve të Shqipërisë, ai i qëmtonte me kujdes të veçantë dhe i përzgjidhte mirë këta të fundit.    Pra,  strategjia e tij ishte të siguronte mbështetjen e shteteve, popujt e të cilëve kishin pasë lidhje të lashta e tradicionale miqësije me popullin tonë.   Kurse taktika e tij mbështetej në afrimin me njerëz që kishin ndikim ndaj aparatit shtetëror të tyre që sa më efektivisht t’i shërbehej çështjes sonë kombëtare !   Në këtë drejtim rezultatet e arritura nga At Gjergji ishin të shumëta.  Por m’e rëndësishmja është se ato jo që ishin pozitive dhe në favor të Shqipërisë por edhe, t’a kërkoje me qirí, në to nuk gjeje dot as edhe më të voglën gjurmë e cila të linte shteg dyshimi !   Nisur tashti nga këto kushte paraprake  e të faktuara me dokumentacion të pakundërshtueshëm, shtrojmë pyetjen e dytë shumë të rëndësishme :

 

Ka qenë At Gjergji vërtet fashist siç e akuzonte diktatura ? 

 

Mbas analizës hollësishme që i u bë qëndrimit Patër Gjergjit ndaj sllavëve dhe politikës agresivo-ekspansjoniste si edhe mashtruese, ku cilësorin tradhëtar ata i a ngjeshën At Fishtës sepse kundrasllav i vendosur e si pasoj’ata e konsideronin edhe tradhëtar, (me të cilin pozicionim edhe diktatori Enver Hoxha u njësua plotësisht se vetë qe laké i tyre), në vazhdim përqëndrohemi tashti se sa çpifëse, e pavërtetë si edhe djallëzore ishte akuza ndaj tij si fashist ! 

Mjafton t’u referohemi dy viteve të fundit të jetës së Patër Gjergjit.   Mbi Europë dëndësoheshin ret’e zeza të stuhísë së II-të botërore.   Italia ushtarakisht e pushtoi Shqipërinë.   Flamuri u tjetërsua dhe italishtja futet si gjuhë në shkollat fillore.  Filloi të ziejë ndjenja e revoltës kombëtare.   Armiku italian, i vetëdijshëm për këtë, desh t’a kapë demin nga brirët.   Cili qe ai që për dhjetvjeçarë të tërë spikaste si frymëzues i ndjenjës kombëtare duke u kënduar bëmave heroike të të parëve tanë ?  Ç’pohonte Ai :

Si t’kshtênë, si muhamedan / Shqypninë s’bashkut t’gjith e kan / E prandej t’gjith do t’qindrojmë / Do t’qindrojm’e do t’luftojmë / Kem m’u bâ kortarë-kortarë,/  Priftën, fretën, hoxhallarë /  Për Shqypní !  

Cili qe ai që, ndonëse i veshur me zhgunin e Shën Françeskut të Assisit, anatemonte për hir të Atdheut pikërisht tradhëtarët, pa u druajtur se po bënte sakrilegj dhe shprehte revoltën e tij me vargje fuqije prometeiane edhe kundra vetë Krijuesit të Gjithësisë :

O Perendi a ndjeve / Tradhtarët na lane pa Atdhé / E Ti rrin e gjuen me rrfé / Lisat n’për male kot !

Cili qe ai që atdhedashurinë e shtynte deri në vetflijim :                

 Qe mue tek m’keni, merrni e m’bâni flí /  Për shqyptarí, me shue çdo mní mizore / Oh !  Edhe pa mue Shqypnija kjoftë e rrnoftë /  E nami i sajë për jetë u trashigoftë !

Pikërisht Ai duhej fillimisht mikluar e pastaj tulatur.  Dhe hapin e parë qeveria fashiste italiane e bëri :   I akordoi Patër Gjergj Fishtës, Provincialit të Françeskanëve të Shkodrës, me dekret mbretëror, një nga dekoratat më të larta që akordonte fashizmi italian.

Por përgjigja e Titanit qe e papritur.  Ajo qé e prerë :   E refuzoi dekretin mbretëror duke u shprehur :    Kjo dekoratë nuk âsht për mue ! 

Kësisoji Ai i dha udhë tufanit kombëtar me thirrjen fuqiplotë :   Shpërthé !  

Dhe arrijmë kështu tek ngjarja e parafundit madhore e jetës së Tij, Patër Gjergji anëtar i Akademisë së Shkencave të Italisë.  

Akademia Italiane përbëhej nga personalitetet më të shquara të kohës, një pjesë e të cilëve edhe laureatë të çmimit Nobel.    Patër Gjergjin e njihnin të gjithë akademikët si njerëz të kulturës botërore që ishin. E njihnin kryesisht si humanist të shquar, e njihnin për kulturën e tij të pa anë e fund, e njihnin si gjuhëtar e si ballkanolog të shquar, e njihnin edhe për vlerësimin e rrallë që i ishte bërë në fushën e vargëzimit si “Homeri i Ri” i përkthyer në shumë gjuhë  të botës. 

E  njihnin natyrisht edhe për dekoratat e titujt që i ishin akorduar :  nga Austria “Ritterkreuz” më 1912, ose nga Turqia “Mearif” po më 1912, nga Vatikani “Medaglia al Merito” më 1925, nga Greqia “Phoenix” më 1931, etj. etj., e pse jo, e njihnin edhe si kandidat i propozuar për çmimin Nobel !   E si pasojë, kur Patër Gjergji e refuzoi dekoratën e lartë të qeverisë fashiste italiane, akademikët e Italisë u trandën.   E njihnin ata për të gjitha  ç’u  thanë  më lart, por nuk e njihnin për madhështínë e karakterit të Tij !    Atëbotë akademikët e Italisë, si anëtarë të një institucioni të pavarur kulturo-shkencor që ishin, njëzëri e propozuan Patër Gjergj Fishtën si anëtar të Akademisë Italiane.  ( Për t’a biseduar me At Gjergjin paraprakisht mendimin e Akademisë Italiane, qe ngarkuar Prof. Agostino Gemelli frat dhe akademik,  mik i ngushtë i Fishtës ).    Me këtë veprim Akademia e shpërfilli si edhe e shpotiti qeverinë italiane, duke ia rritur skajshmërisht prestigjin  Patër Gjergjit e bashkë me të edhe Shqipërisë.   Akademia Italiane, nga ana e saj, zaret i kish hedhur.  Pritej përgjigja e Fishtës.   Hapin tjetër të priftit krenar e priste me padurim Akademia e Italisë,  por e priste me kureshtje edhe inat akoma më të shtuar qeveria fashiste, gjoja e pa interesuar,.   

Vonoi përgjigja, po më në fund erdhi : 

Patër Gjergji e kish për ndér propozimin që i bëhej dhe falënderonte gjithë anëtarët e Akademisë për vlerësimin që i bënin !   

Në konferencën e parë solemne si akademik në Kinema Rozafat, për t’a pozicionuar veten e Tij botërisht, duke folur për dukurinë e ngjashme ndërmjet pushtimit romak të Ilirisë me pushtimin fashist të Shqipërisë, guxoi e tha :

“ … rezistenca qi romakët hasën ndër fiset dhe mbretënitë ilire, të gjitha ndodhën sepse ilirët e panë menjiherë se trupat romake po bijshin robnínë në vênd të lirisë …”

Dhe unë shtroj pyetjen aspak retorike: Si mund të akuzohej si fashist ky atdhetar’i zjarrtë?

Po ju rikujtoj tashti edhe fjalët e fundit, në grahëm-vdekjeje e sipër, që Patër Gjergji i tha Arqipeshkvit të Shkodrës, Imzot Thaçit pak orë para se të ndërronte jetë :  

Nuk po më vjen keq se po des, mbasi të gjith’ atje kena me shkue, por po më vjen e rândë se tânë jetën e kam shkri për të pa nji Shqypni të lirë e në vedi, ndërsa sot po e lâ të shkelun prej ushtrive të hueja.  (Ka akoma gjallë dëshmitarë dore të parë që, nga goja e vetë Imzot Gaspër Thaçit, i kanë dëgjuar fjalët e fundit të Patër Gjergj Fishtës).

 Tashti i erdhi radha të përmëndim një datë, 30 dhjetorin e vitit të largët tashmë 1940.   Me këtë datë lidhet ngjarja e fundit madhore e jetës së   Patër Gjergji Fishtës, vdekja e Tij.   Atë të hënë të acartë dimri Ai s’foli më.  

Përcjellja mortore që i bëri Shkodra si edhe dhimbja e madhe që ndjeu e gjithë Shqipëria për Patër Gjergjin duan një përshkrim të veçantë.   E gjithashtu i veçantë i takon përshkrimi edhe Ceremonisë së Meshës Mortore që atëbotë organizoi Akademia Italiane, ku kori drejtohej nga akademiku Mjeshtër Perosi dhe akademiku tjetër, kompozitori i famshëm Mascagni.

At Gjergji nuk kish  si  t’i këndonte    së dashurës së tij, Shqipërisë, e as nuk kish më si t’i thurte vargje lirizmi të pashoq  gjuhës shqipe ! Megjithatë Ai vazhdonte e jetonte nëpërmjet veprës së tij. Në gjithë shkollat e Shqipërisë vargjet e Tija mësoheshin përmëndësh. Ai, që gjithë afshet e zemrës së Tij ia drejtoi Atdheut edhe gjuhës shqipe, si prift që ish,  u këndoi këtyre të dyjave si askush tjetër dhe rinia veç frymëzim atdhetar gjente në ta.  Madhor parashikimi i Tij i formuluar dhjetvjeçarë të shkuar :

              “ Shka t’lâjnë kta katër ujq /  Q’ i kërcnohen shoqishojt /

         Thonë do t’dalë nji djall i kuq /  Qi fort rreptë do t’ja njisë thojt / !”  

Nuk kaluan më veç katër vite mbas vdekjes së Poetit, e filluan të bëhen realitet parashikimet dhe thënjet e Tija profetike.  

 

Pra, atë që do të linin katër ujqit, ku me mbeturinat e trojeve shqiptare u krijua Shteti Shqiptar, do të vinte djalli i kuq që pa shpirt do t’ia zhyste kthetrat !  

E që nga ajo dit’e djallit të kuq, ndaj figurës si edhe veprës Poetit veç mllef e balt’u hodh.    Ato kohë të para guxoi e na pohoi në klasë Prof. Kostaq Cipua, siç e mbaj mënd tashmë mbas 57 viteve, se “ … tek vepra e Patër Gjergj Fishtës shkriheshin në një atdhedashuria me mjeshtrinë poetike …” . Ose Prof. Mark Dema, i cili mori guxim nga prishja me Jugosllavinë, e  duke mos iu shmangur  dot tundimit  ndonëse të  rrezikshëm,  na  pohoi    klasë  se “ … në personin e At Fishtës duhej të shihnim një kollos të vargëzimit si edhe një atdhetár të pashoq !”  

Pasojnë tashti vitet e tjera ku brezi i injorantëve dhe i të shkolluarve të dështuar u pasurua me shkrimtarët e realizmit socialist.  Ata, si lajkatarë të diktatorit pseudo-letrar,  zvetënohen dhe thellë e më thellë mundohen t’a zhysin Zeusin e vargëzimit patriotik.  Diktatori na e bën hero e atdhetar Haxhi Qamilin e ata :  “ T’i biem mbar’e prapë  At Gjergj Fishtës se veç të mira kemi “.  Kështu u rritën dhe u madhëruan ajo plejad’e shkrimtarëve dhe studjuesve të soc-realizmit, servilë të diktatorit.   Njeri pohon, (mbas shkërmoqjes së diktaturës – M.K.), “... nuk isha aq budalla sa të futesha në burg ...”.   Tjetri e konsideron Lahutën e Malcis”... Vepër jashtë kohe dhe përpjekje për t’a mbledhur eposin shqiptar nën shëmbullin e Nibelungëve ...”.  Ose vlerat letrare të veprës Patër Gjergjit i quanin  krejtësisht të paqëna.  Nuk kam ndërmënd sot t’u kundërvihem me kalime origjinale nga shkrimet e tyre të kaluara e t’i ballafaqoj me kalime nga veprat e At Gjergjit ku del në shesh mosnjohja nga ana e tyre e veprës At Fishtës, (sepse Patër Gjergji nuk ka mbledhur eposin shqiptar por ka shkruar historinë bashkëkohëse të Tij me personazhe e   ngjarje konkrete të kohës Tij.   Por sa për një shëmbull të qënësishëm do të sjell para lexuesit se si e përshkruan Ai në tërë hijeshín’e saj gjuhën tonë të bukur dhe i drejtohem lexuesit me pyetjen :  A ka se si të quhen të rëndomtë, për nga këndvështrimi letrar, vargjet pasuese :  

               Porsi kânga e zogut t’verës / Qi vallzon n’blerim të prillit / Porsi i âmbli fllad i erës /

              Qi lmon gjit’ e drandofillit / Porsi vala e bregut t’detit / Porsi gjâma e rrfés zhgjetare /

                                 Porsi ushtima e njaj tërmetit /  Njashtu â’gjûha e jonë shqyptare.

I shikoj për nga këndvështrimi artistik këta tetë vargje dhe në mëndjen time lirizmi i Mjeshtrit të madh q’i përshkon katër vargjet e parë, nuk ka se si të mos ma kujtojë Leonardon dhe buzëqeshjen’e Monalizës-tij ! Leonardoja e dashuron pa kufinj SIMBOLIN e tij dhe përgjërohet si e si t’i a paraqesë sa më të përkor’e të përkryer buzëqeshjen e saj.  Kurse Patër Gjergji ishte klerik.   Edhe ky dashuronte.  Mbase edhe më fuqishëm se sa Da Vinci ! Por dashuría e Tij, e kufizuar  brënda kufinjëve të etikës meshtarit, objektiv simbol nuk kish se si të kishte një femër, por ai e kish Gjuhën Shqipe ! Mbas asaj bukuríe të lirizmit daç edhe skajor, Leonardoja tulatet.  Nuk vazhdon dot më tej.  Kurse zjarri i dashurisë Patër Gjergjit bën që Mjeshtri t’i kapërcejë kufinjt’e lirizmit dhe me një “crescendo”, (me kah diametralisht të kundërt me përgojimin çpifës të  komunistëve ndaj Tij), i cili vazhdon me katër vargjet e tjera ku Gjuhën Shqipe, të dashurën e tij madhore, e portretizon si valë deti e egërsuar që si një gjâmë rrufeje shigjetare ngrihet lart si një ushtimë tërmeti, arrin majat më të larta të një dramaticiteti skajor !  

Dhe unë mëtoj sinqerisht e pa as më të voglën keqdashje, si të arrij e vargjeve kaq madhore të Patër Gjergjit mos t’u a shikoj bukurín’e skajëshme artistike dhe të pohoj, (siç bënin ajka e shkrimtarëve të realizmit socialist), se artistikisht vargjet fishtjane as që i aviten letërsisë artistike të mirëfilltë, më sa i avitet ujit të kulluar të ujëvarave alpine ujët’e ndenjur moçalor !   E vetmja dritë ndriçuese përgjatë këtij shtegu të errët mbetet përfundimi se ata nuk kanë faj.  Është mosnjohja nga ana e tyre e gjysmës së gjuhës shqipe, që Kongresi i Drejtshkrimit  e çvoshku nga trupi i së gjithës duke e lënë leksikun shqip të përgjysmuar !  Prandaj ata edhe me Kanunin e Maleve u sollën aq barbarisht, (duke mos i a kuptuar as gjuhën e duke ndjekur doemos qëndrimin servil ndaj diktatorit), sa që nderin e kombit ton’e kthyen në turp tonin.  Prandaj detyrohem edhe e parafrazoj pohimin e famshëm se në natyrë çdo gjë është diçka kurse injoranti nuk ësht’asgjë !   E pra kjo kategori servilësh të diktatorit si edhe egoistësh të skajshëm pikërisht atë Patër Gjergj Fishtë e dhunuan, e plandosën edhe varrin ia shkatërruan dhe menduan se e futën aq thellë sa për të dalje të mos kish. 

Mirëpo qëndrimi i këtyre shkrimtarëve të soc-realizmit së rishmi e tregon mosnjohjen e tyre, (tashmë jo vetëm në fushën e letërsisë por edhe n’atë të historisë).  Sa bukur i ka damkosur këta shkrimtarë pehlivanë poeti e shkrimtari Visar Zhiti duke i përshkruar  se mbasi e kanë braktisur diktatorin së vdekuri, mëtojnë t’u a marrin shkrimtarëve të persekutuar psherëtimat, vuajtjet deri edhe vegimet e metaforat, duke i vendosur në poemat si edhe romanet e tyre sepse tashti që s’ka më persekutim, çdo gjë ësht’e kollajshme.   Çensurë nuk ka.  Zanatin ajo kategori e di në maje gishtash.  Pra, si në një lojë shahu, ata ndërruan ngjyrat e gurëve të tyre, ndërruan edhe taktikat dhe ... vazhdojn’e plluskojnë mbi ujë si përgjatë diktaturës !   Por prapseprap ata tregohen të cektë.  Ata mbi ujë dalin falë mungesës peshës specifike të tyre e sado t’i zhysësh dalin lart.  Kurse vepra e Patër Gjergjit, duke qenë si një gjyl’e rëndë peshe specifike skajore, që nga thellësitë ku e kanë zhytur injorantët dhe egoistët keqdashës, vjen koha dhe i a hap rrugën vetes me shpërthimin, dinamikën’e të cilit i a japin vlerat madhore q’e kanë mbrujtur veprën e Tij sa atdhetáre e gjith’aq’edhe letrare !   Historija nuk harron ! 

Do të kalojnë vitet si edhe dhjetëvjeçarët.  E ndërsa shumica e atyre, që u stërmunduan t’a zhysnin thell’e më thellë në krahët e harresës të madhin At Fishtë, do të jenë harruar përjetësisht, vepra e kollosit Fishtë do të vijë hap mbas hapi duke u rivlerësuar në të gjithë madhështín’e saj, ku nuk e di në se ka shëmbull të dytë të një gërshetimi aq të përkryer në mes lirikut, epikut si edhe satirikut.  Dhe sot, në shtatëdhjetëvjetorin e ndërrimit jetë të Patër Gjergjit, mëtoj t’a jap edhe unë një gjykim sadopak të përkorë.  U rikthehemi atyre tetë vargjeve të tij për gjuhën e bukur shqipe.  Nga  katër vargjet e parë të përshkuar  nga një lirizëm i thellë por aspak i trishtë pa lé qarman, vjen e kalon në rritje, fillimisht si pa u dalluar, e pastaj shpërthen me vrull të skajshëm epika e Tij madhore duke u bërë një shëmbull i shkëlqyer atdhetari si edhe letrari të pakrahasueshëm !   Dhe unë pohoj :  Sillmëni shëmbull vargjesh dashuríje si edhe shpirti epik më mjeshtëror dhe të hijshëm shkruar nga ndokush tjetër, atbotë edhe unë do të përulem e do t’a quaj Mjeshtrin Fishtë, dështak në vargëzim, ashtu siç e quajtën soc-realistët e diktaturës!



(Vota: 15 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora