E enjte, 28.03.2024, 10:43 PM (GMT)

Shtesë » Lajme

Besa e meriton të jetë në mesin tonë

E hene, 27.12.2010, 06:58 PM


Shpirti bamirës e human i qytetarëve mund të shpëtojë jetën e nxënëses së shkëlqyeshme Besa Makolli nga Prishtina, e cila vuan nga një sëmundje e rëndë. Pas tri operacioneve në Kosovë, Besa tani është shtrirë në një spital të Zvicrës dhe për trajtimin e saj kërkohen 45 mijë euro. Në pamundësi për të përballuar këtë shumë të parave, familja e Besa Makollit dhe shokët e shoqet e saj të klasës që një javë po kërkojnë edhe ndihmën e qytetarëve. 

Dashuria për vajzën e tij e ka shtyrë Lulzim Makollin që tu drejtohet gjithë institucioneve e kompanive që ta ndihmojnë në shërimin e Besës, por shuma e madhe që kërkohet për mjekim e ka detyruar të kërkojë edhe ndihmën e qytetarëve, të cilët mund të kontribuojnë përmes xhirollogarisë në Raiffeisen Bank (1501090002107980). 

Pas tri operacioneve në Kosovë dhe përpjekjeve për tu shëruar nga kanceri në fyt, Besa Makolli tani është shtrirë në një spital të Zvicrës për të vazhduar terapitë, mirëpo sipas axhës së saj Naser Makolli, familja nuk ka mundësi që t’i siguroj rreth 45 mijë euro që kërkohen për shërim. 

“Besa ka qenë e sëmurë që 1 vit, por që 1 muaj është shtrirë në spitalin e Zvicrës edhe është duke u përballur me jetën. Ajo është në gjendje shumë të vështirë dhe kemi dal këtu për të kërkuar ndihmë për Besën. Organizimin e ka bërë shkolla e saj dhe kërkojmë nga gjithë qytetarët e Prishtinës edhe të Kosovës që t’i ndihmojnë Besës me aq sa kanë mundësi”, ka thënë Makolli, ndërsa kujton vështirësitë që ka pasur Besa në tri operacionet që ka bërë në gojë sa ishte në Kosovë. 

Angazhim të madh për të ndihmuar Besën po tregojnë edhe shoqet dhe shokët e saj të klasës nga Gjimnazi “Sami Frashëri”. Ata që një javë po zhvillojnë aksione në qendër të Prishtinës, duke inkurajuar qytetarët që të shprehin shpirtin bamirës e human për t’ia shpëtuar jetën e një nxënëse të shkëlqyeshme në shkollë. 

E motra e Besës, Shkurta Makolli, e cila vazhdon mësimet në Gjimnazin “Sami Frashëri” i ka falënderuar të gjithë shokët dhe shoqet e klasës dhe nxënësit e shkollës që po ndihmojnë aksionin për ndihmë Besës. 

“Aksioni ka filluar prej të martës dhe sot është dita e gjashtë. Për çdo ditë kemi qenë në`Prishtinë, përpos dje kemi qenë në Gjilan. Aksionet deri tani kanë pasur shumë sukses, përpos në Gjilan njerëzit nuk kanë qenë aq të informuar edhe nuk na kanë ndihmuar mjaft. Por për të gjithë ata të cilët duan të ndihmojnë ne jemi këtu në shesh të Prishtinës çdo ditë deri sa t’i mbledhim paratë”, ka thënë motra e Besës. 

Ndërkaq nxënësi Andi Belegu thotë se aksionet e tyre planifikojnë t’i zhvillojnë edhe në qytete tjera të Kosovës dhe deri në arritjen e shumës së nevojshme për shërimin e Besës. 

“I falënderojmë shumë të gjithë ata këngëtarë të cilët janë bashkangjitur me neve dhe kryesisht janë nxënës të Gjimnazit “Sami Frashri”. Edhe unë e kam dhënë një kontribut duke kënduar dhe besoj që do të vazhdojë të kontribuoj deri në përfundimin e këtij aksioni meqenëse të jesh human është diçka shumë e mirë. Tani ende jemi në disa diskutime dhe po mendojmë se ndoshta është mirë të shkojmë në Ferizaj, mandej edhe në Prizren”, ka thënë ai. 

Shoku i klasës së Besës, Granit Xheladini ka inkurajuar qytetarët që të jenë human dhe të ndihmojnë shoqen e tyre që t’u kthehet mësimeve dhe jetës në Prishtinë. 

“Jam nxënës i klasës së Besa Makollit dhe mendoj se Besa e meriton të jetë në mesin tonë. Ajo është një nxënëse e shkëlqyeshme dhe shpresoj se do të ketë kontribut që ajo të jetë në mesin tonë”, shprehet ai. 

Besa Makolli është e lindur më 19 janar 1994 në Prishtinë dhe është nxënëse e shkollës së mesme “Sami Frashëri”, ku mësimet deri tani i ka mbaruar me rezultate të shkëlqyeshme. Besa vuan nga sëmundja e kancerit dhe pas tri operacioneve të pasuksesshme në Kosovë është dërguar për trajtim në Zvicër./Kosovapress/



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora