E merkure, 24.04.2024, 08:58 PM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Për shumë mot Këshndellat e Vjetin e Ri 2011, i nderuemi Dr. Mentor Quku!

E premte, 24.12.2010, 12:19 PM


PËR  SHUMË  MOT  KËSHNDELLAT  E  VJETIN E RI 2011,

I NDERUEMI  DR. MENTOR  QUKU !

 

Nga Fritz RADOVANI

 

            E cilit Shqiptar Atdhetar me ia urue ma parë se Ty, i dashtun Mentor Quku këto festa?

            E cilit Shkodranë para Teje me i dergue urimet e mija prej zemre, mik i dashtun?

            Cilit klerik, intelektual apo studjues i përkasin urimet e këtyne ditve ma parë se Ty?

            Jo, jo asnjenit në tokën Shqiptare nuk i tokon me u nderue sa Ty ndër këto festa!

            E pse, mund të më pyes dikush!!...

            Po cili, asht Ai Shqiptar që me aq përkushtim  punoi gjithë jeten e Tij me gjithë vullnetin e kapacitetin kulturor pa u lodhë e as frigue, tue iu kushtue studimit letrar, kulturor, fetar e shkencor një Prifti Katolik...kur, pak kush mund të marrin me mend guximin Tand vetem me shenue ndër letra me volume e volume të tana emnin e meshtarit Don Ndre Mjedja?

            Më vjen mirë që nuk jam gabue asnjëherë qyshë se të njohta i dashtun Mentor!

            Ishe shumë i ri Ti dhe unë, kur shkuem në oborrin e gjimnazit të shtetit në Shkoder, por të dy e kishim të ndalueme hymjen nga krahu i djathtë i tij. Na ishim të lejuem me u ba mësues, për me u tretë malesh e fshatrash ku mjerimi dhe skami i banorëve pra, atyne malësorëve që sot as nuk mund të kuptohet as nuk mund të merret me mend nga të rijtë! Ne na priste vetem balta dhe shiu me përmbytjet e tija që vetem sillnin dishprim në atë kohë kur edhe ky trajtim klasor ishte një “privilegj”...Nuk do të hyj me përshkrue as boren as të ftohtit që vazhdonte me muej.

            Ti ishe një vit ma naltë se unë në shkollë. Ti ishe le në vitin 1939 dhe kudo n’ atë oborr binte në sy dishka pak e veçantë që tregohej në mënyren e sjelljes dhe edukatës Tuej, po e tham shumës, mbasi nuk mund të ndaj motren tande Lali, që edhe Ajo qyshë e re, ishte një pasqyrë e edukatës qytetare  me të cilen ishit mbrujtë të dy...nga prindët e Nderuem Qamil e Naxhije Quku.

            Fizionomia e yte, e një djaloshi biond me sy të qeshun dhe joshës tregonte gjithnjë se nuk mund të zente vend në atë fizik të shëndetshëm e të lidhun as vesi as kryenaltësia, që sillnin ma vonë pasoja e hipokrizi për me mbulue metastazat e mnershme të atyne fatkqijve që qyshë ndër ato banka humbën karakterin tue u ba vegla të sigurimit të shtetit komunist...e, ata “fantazma” që sot mundohen me vue puder në surretnit e tyne të perçudun nuk ishin të pakta as në bankat e asaj shkollë ku unë dhe Ju, survejoheshim edhe kur shkonim ndër çesme me pi ujë!...

            Ju kujtoj gjithnjë mbrenda një treshes që Ju bashkonte jo vetëm edukata dhe sjellja e Juej qytetare, rruga e shkumjes në shkollë dhe këthimit ndër shtëpija, shoqnia dhe miqësia apo edhe mosha, po ishte edhe dishka ma shumë që Ju dyve, vëlla e moter ju lidhte me Xhixhi Klosin, një tjetër vajzë e nderueme që kishte provue mbetjen pa Babë, nga plumbat komuniste mbi krahnorin e të Ndjerit Ingj. Klosi, dhe përndjekjen gjysëshekullore të “luftës së kllasave” bashkë me vllaun e saj ma të rij se vedin...E Ju, të tre nuk dalloheshi se mbrenda shpirtit tuej ndryhej edhe dashnia e pakufi për njerzit e përsekutuem nga diktatura komuniste. Ndër familjet Tueja me kohë kishte depertue edukata dhe kultura europjano Perëndimore, ku juristët, oficerët dhe njerzit e rrethit Tuej kishin mbarue shkolla të larta në disa shtete e, që njiheshin mirë nga qytetarët shkodranë.

            Fisi i juej Quku, ku përfshiheshin edhe Aliu, Ganiu, Oso e sa të tjerë që ma vonë kanë provue burgjet e kampet e shfarosjes, po unë zuna në gojë ata djelmë që kam njohtë ma afer, e që gjithmonë ju kanë nderue si fis, mbasi ndër të gjitha rrethanat e vështira kanë qendrue Burra.

            Ja, pra, i dashtun Mik, çka domethanë Trashigimia e Fisi...Asht pikërisht, burimi i jetës s’ Ate prej qytetari të nderuem, që të ka karakterizue gjithë vepren Tande qyshë fare i ri!

            Këtu e ka zanafillen edhe fillimi i punës Tuej si studjues i palodhun dhe dashamirës!

            Ju filluet jetën si mësues dhe shumë vonë arritët në vitet mbas 1992 me kenë drejtor Muzeu, drejtues i Partisë “Balli Kombëtar”, protagonist kryesor i fitores së votimeve në 1996 me të “Djathtën e Bashkueme Shkodrane” dhe, gjithnjë në ballë të luftës për Demokraci Europjane.

            Shpesh kjo rrugë na ka ba me u tokue bashkë e kryesisht kur Ju, keni kerkue që unë me kenë deputet i kësaj së Djathtë të Bashkueme në Parlamentin Shqiptar.

Kujtoj atë kohë një takim me priftin Don Zef Gila, në Barbullush ku Ai ishte famullitar.

            E njihshe që në vitin 1949 – 50 kur Ai kishte ardhë me dajën tem Don Kolec Prennushin dhe kishte fjetë aso kohe në shtëpinë tonë. Një klerikë me kulturë të gjanë që kishte kalue ashtu si të gjithë tjerët burgje dhe interrnime të pafund. I fola për ju. Ai më drejtoi një pyetje shoqnue me mendimin e vet që kishte formue për Ty: “Nuk di a e njeh me kohë Mentor Qukun. Unë kam njohtë në jetën teme shumë muslimanë. Disa herë kam mendue me vete, cili do të jetë rrethi i tij familjarë në të cilin ky njeri asht rritë e formue me të gjitha tiparet e një qytetari të vertetë, pa ma të voglen shkëndi fanatizmi. Jo vetem nuk e ka në formimin e vet po ajo që më ka ba përshtypje asht lufta që i ban fanatikëve, që edhe pse janë rritë pjesa ma e madhe ateistë, në disa momente të pakuptueshme plasin si gështenja dhe nxjerrin gjithë helmin e fanatizmit që kanë përmbrenda?!”

            Ai klerik kishte kuptue formimin Tuej dhe përpjekjet për me luftue shfaqjen e asaj brenge aq të madhe që shkatrron ecjen përpara të shoqnisë shqiptare. Por duhet cilsue se krahas asaj pune aq të madhe studimore që keni ba, asht edhe aftësia e Juej përsonale me nxjerrë mjaltën e edukatës shpirtnore të atij Kleriku aq të madh, të cilit Ju i keni kushtue aq shumë kujdes e mund dhe keni mërritë me kenë shembull moral i tolerancës dhe i mirkuptimit mes nesh, madje edhe tue u konsiderue model në rrethet intelektuale të qytetarisë shkodrane. Kjo asht dishka që nuk e ban gjithkush, prandej edhe në këte drejtim merita e yte asht shumë e madhe, mbasi Ti, nuk je një studjues mekanik i jetës së Mjedjes, por je një analist i vertetë që vepren e tij e ke asimilue dhe sot je njeriu ma i denjë me perfaqsue emnin e Tij në rrethet kulturore dhe shkencore tue i ba të kjartë të gjithëve, se Mentor Quku asht i vetmi Shqiptar që mund të flasin me kompetencë për klerikun Don Ndre Mjedja! Mos vallë kjo punë e ytja ishte kalimi si vizitor në qelen e Kuklit, ku Mjedja pat mbyllë jeten e Tij?  – Jo! Atëherë kur ti ke fillue me kërkue ndër germadha gjurmët e priftit apo poetit të madh, duhet kujtue mirë nga të gjithë ne, se gjithë punës s’ Ate spijunët që të kanë rrethue i kanë vue disa pikpyetje?? Kush e shtynë këte njeri me u marrë me këte punë? A ka mundësi një musliman me kërkue me ditë për një prift katolik, pa kenë i lidhun me dike?! Dhe, në fund, cila asht “përbërja politike” e këtij mësuesi që do të nxjerrin në pah vlerat kulturore, Atdhetare, shkencore etj. të një Prifti Katolik, kur na po i nxjerrim edhe nga vorret shokët e tij?

            O sa guxim i madh asht dashtë me ba një punë si ajo që keni ba Ju, o Mentor Quku!

            O sa smirë e urrejtje asht ngjallë në rrethet e pseudoprofesorëve të Shkodres, që tue kenë jo vetem shpirtkqijë por edhe egoistë e fanatikë, në çdo minut kanë mendue një të keqe për Ty!

            Ky ishte guxim i Yti por edhe Burrni me përballue mbrapaskenat e tyne.

            Sot, ju o Mentor, Ju ia keni arrijtë qellimit Tuej...Ju lumtë!

            Ju sot soditni frutin e të gjitha përpjekjeve dhe betejave tueja të pafund në raftin e Atyne volumeve që flasin ma shumë se kushdo e cilido kjoftë ai, që vrojton me sinqeritet e respekt gjithë frutin e punës Tande, aq të vyer në sherbim të kulturës sonë kombëtare por mbi të gjitha, të një Atdhetari të paster dhe të vendosun në rrugën e formimit kulturor të brezit të ri.

            Ju, Mentor Quku, jeni një rast unik i inteligjencës postkomuniste, që i keni ngritë një nga Monumentet ma me vlerë kulturore një Kleriku Katolik, kur diktatura kishte shpallë genocid për të gjithë ata që vetem besojnë në Zotin! Ai pastë në kujdesin e Tij Familjen Tuej dhe të gjithë Ata që vazhdojnë rrugen Tande për të miren dhe lulzimin kulturor e fetar të Atdheut!

           

Melbourne, 24 Dhetor 2010.



(Vota: 9 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora