Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Rovena Dilo dëshirat e mija për shqiptarët e 2008

| E premte, 28.12.2007, 04:39 PM |


Rovena Dilo
Në një intervistë për gazetën “Sot”, këngëtarja e mirënjohur flet për vitin që po mbyllet dhe atë që po afron.Por dhe mbi planet në aspektin profesional, duke treguar detaje mbi videoklipin dhe albumin e ri që do të nxjerrë. Ndalet në urimet për shqiptarët duke treguar pse dëshiron të ndalet në ato që i cilëson “halle tradicionale”. Si dhe me cilët do të kalojë mbrëmjen e shumëpritur të ndërrimit të viteve.

-Jemi në ditët e fundit të 2007-ës dhe për rrjedhojë pyetja është si ka qenë për ju ky vit?

Mund të them se viti që po mbyllet ishte i mbushur me veprimtari të cilat në aspektin profesional, atë të këngës, sollën jo vetëm suksese por dhe risi. E them këtë sidomos kur kam parasysh faktin se në muajt e parë të 2007-ës, në tregun muzikor doli kënga “Dorëzohem”, me një videoklip që mendoj se ishte i arrirë.

-Më duhet të ndërhyj këtu dhe të kujtoj se jo vetëm qytetarët, teleshikuesit e dëgjuesit, por dhe kritikët e specialistët e tjerë të fushës, e kanë vlerësuar klipin tuaj duke e cilësuar si unik për vetë cilësinë e tij. Citoj vlerësimin se klipi juaj kishte përmasa gjigante A mund t’ju pyes sa ka kushtuar ai?

Ç’është e vërteta ka kushtuar vërtetë shumë. Por, e rëndësishme është ajo që cituat dhe ju. Arrita të nxjerr një videoklip risi, ndryshe nga pjesa më e madhe e atyre që shihen deri sot. Ai po transmetohet në televizion prestigjioze si Top Channel, My Mucic, Supersonic TV. Ky i fundit që i përket shtëpisë diskografike me të njëjtin emër, ka marrë përsipër prodhimin dhe distribuimin e albumit “Dorëzohem” në të cilin gjenden edhe 11 këngë të tjera.

-Në vigjilje të Vitit të Ri çfarë do të dëshironit t’ju sjellë 2008-a?

Sigurisht që dëshirat janë të mëdha, në jetën private dhe atë profesionale. Në këtë të fundit, dëshiroj që të vij këtë vit që vjen, përpara publikut me një videoklip të ri. Ai do të përgatitet për të lançuar këngën “Rrëfimi”. Kjo këngë ka muzikën e Armend Rexhepagiq dhe tekstin e Aida Barakut dhe është orkestruar nga Darko Dimitrov.

-Në këtë pikë, keni ju edhe tjetër projekt muzikor për vitin që po afron?

Po, gjatë vitit të ardhshëm kam në plan të nxjerr një tjetër album me këngë të reja dhe përzgjedhje e ripunime të disa perlave të tjera në kohë.

-Mbrëmja e ndërrimit të viteve më 31 dhjetor ku do ta gjejë Rovenën?

Këtu në ish-Bllok, në lokalin tim ku edhe po flasim bashkë në këto momente. Do të jem në shoqërinë e familjes sime, miqve dhe bashkëpunëtorëve por sidomos edhe të klientëve të “Bar Rovena”.

-Keni menduar të bëni dhurata në këtë prag feste tradicionale?

Dua vetëm të marr dhurata për këtë festë. (Qesh)

-Së fundi cili është urimi juaj për shqiptarët në prag të Vitit të Ri?

Urimi im. Fatkeqësisht, pas afro dy dekadash postkomunizëm, urimi parësor është që të kemi sa më pak halle “tradicionale”. Domethënë të vuajmë sa më pak nga mungesa e dritave, ujit, rrugëve dhe infrastrukturës në tërësi. Mbi të gjitha, për shqiptarët e Kosovës, që këtë vit ta nisin me shtetin e tyre të pavarur, që po e presin me padurim, po aq shumë sa dhe e meritojnë. E padyshim, të gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë kufirit tonë, i uroj një vit të mbarë, të shëndetshëm dhe me sa më shumë dëshira të realizuara.

Sot