Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Thanas L. Gjika: Ramiz Alia në ceremoninë e 90 - vjetorit të Akademikut Kristo Frashëri?

| E merkure, 22.12.2010, 09:59 PM |


RAMIZ ALIA NE CEREMONINE E 90-VJETORIT TE AKADEMIKUT KRISTO FRASHERI?

 

Nga Prof. Asc. Dr. Thanas L. GJIKA

 

Ish kupola e PPSH me në krye z-njën Nexhmie Hoxha e z. Ramiz Alia, edhe mbas 20 vjet nga shkërmoqja e diktaturës, nuk do të reflektojë për dëmet që i solli vendit dhe shkencës shqiptare dhe nuk do që t’i kërkojë me kurajë të falur viktimave, por guxon ta paraqisë veten mik e shkuar mikut të studiuesve më të shquar...

Vjet, mbas mbylljes së vitit jubilar të Prof. Eqerem Cabej, z-nja Nexhmie shfrytëzoi rastin për të na treguar se sa shumë e respektonte dhe e donte Enveri profesor Cabeun dhe ajo Shyretin, bashkëshorten e tij me të cilën kishin qenë dibrane e komshie në Tiranë, aktiviste të hershme të Partisë Komuniste gjatë viteve të Luftës Antifashiste. Kujtime këto që ngjallën revoltë midis njerëzve të cilët i njihnin nga afër jetën e profesorit e të bashkëshortes së tij.

Tani, z. Ramiz shfrytëzon rastin e festimit të 90-vjetorit të Akademikut Kristo Frashëri, për të na treguar me praninë dhe fjalën e tij, se ai ka qenë e ka mbetur mik i prof. Kristos, ish bashkënxënës në gjimbazin e Tiranës.

Në këtë takim në prani të shumë akademikëve e profesorëve, pritej që z. Alia të tregonte sesi partia e kishte goditur pa të drejtë këtë ish komunist të ’41-shit, si e kishte bërë kandidat partie dhe e kishte dërguar si partizan të thjeshtë në zonën e Dibrës për të dhënë prova heroizmi që t’i jepej e drejta për t’u ribërë anëtar partie, e drejtë që nuk iu dha kurrë. Ky “shok e mik” duhej t’i kërkonte të falur profesor Kristos për faktin se partia e tij nuk i dha kurrë, këtij ish partizani e vëlla dëshmori, munësinë për të studiuar në vendet e kampit socialist dhe mbas vitit 1960 nuk i dha kurrë mundësinë të rikualifikohej në Francë a Itali, vende që ai ua njihte gjuhët.  Ishte rasti t’i kërkohej të falur këtij studiuesi, të cilin partia e qarkulloi në Përmetin e largët për më se shtatë vjet, ku ai humbi kohë e kualifikim...

Pritej që ish shefi i PPSH-së të fliste për pengesat që u pati krijuar partia shtet studiuesve shqiptarë, të cilëve nuk u dha mundësi të specializoheshin jashtë shtetit (ku dërgoheshin vetëm bijtë e udhëheqësve), nuk u krijoi mundësi të mësonin gjuhët e mëdha të shkencës si anglishtja, frëngjishtja e gjermanishtja në vendet ku ato fliteshin dhe nuk u dha mundësi të binin në kontakt me librin e huaj bashkëkohor. Sjellja e librit të huaj quhej punë armiqësore, gjë për të cilën u dënua ish drejtori i Bibliotekës së Universitetit, i paharruari  Mihal Hanxhari e disa persona të tjerë.

Duhej të fliste për trajtimin e kuadrit shkencor si qena të rahur, si njerëz që u lanë të jetonin në kushte varfërie, në apartamente me një a dy dhoma e një guzhinë, pa dhomë studimi, pa dhomë pritjeje, pa rafte të bollshme bibliotekash (i ndjeri prof. B. Dedja u qarkullua se guxoi të bënte një bibliotekë sa faqja e murit), me rroga që nuk blinin dot as ato pak libra që u duheshin t’i kishin në shtëpi. Këta qena të rahur vijojnë të jenë përsëri qena të rahur, sepse qeveria e sotme e mbushur me ish komunistë i trajton njësoj me farfëri. Asnjë profesor nuk ka mundësi të shkojë jashtë shtetit, pa le të dërgojë fëmijët  e vet për studime me paret e rrogës së vet. Kështu që ata e mbyllin gojën ndaj atyre pushtetarëve apo klerikëve të huaj që u jepin nga një kompjuter, nga një bursë studimi për fëmijët, që u jepin nga një vizë për të shkuar jashtë, etj.

Asnjë profesor ose akademik i sotëm nuk ka bërë kualifikim në vendet borgjeze në vitet e diktaturës, sepse kjo nevojë kualifikimi ishte rreptësisht e ndaluar për punonjësit shkencorë, gjë që ka sjellë si pasojë faktin e hidhur që shumica e profesorëve dhe akademikëve të rinj, nuk kanë teoritë e tyre për fushat që mbulojnë, nuk zotërojnë gjallërisht asnjë gjuhë të huaj për të hyrë në debat me studiuesit e huaj...

 Z. Ramiz Alia nuk e sheh e nuk do që ta shikojë dëmin e madh që i ka sjellë partia e tij shkencës shqiptare. Në kohën e monizmit dhe me përkrahjen e partisë u krijuan Univeristeti i Tiranës, Institute shkencore, Akademia e Shkencave, etj, por ato u krijuan për të prodhuar kuadro të cilët duhet të ishin të aftë vetëm për të mbështetur politikën e partisë shtet dhe jo për të qenë të aftë që të debatonin me rezultatet e shkencës që zhvillohej jashtë vendit. Prandaj krijimi i këtyre institucioneve duhet konsideruar një sukses i vogël në krahasim me nevojat që kishte shkenca shqiptare në atë kohë.

Akademikët sërbë shkruanin e botonin vepra në gjuhët europiane me teza antishqiptare për historinë e Kosovës; por studiuesit shqiptarë nuk ishin në gjendje t’u përgjigjeshin atyre. Asnjë studiues shqiptar gjatë monizmit nuk botoi dot ndonjë studim në gjuhë të huaj për të mbrojtur problemet e historisë sonë kombëtare...

Ky ish shef i PPSH-së, është mësuar të flasë vetëm për sukseset e partisë së tij, si ka bërë shpesh herë edhe gjatë viteteve të fundit, ai nuk ndjen asnjë përgjegjësi morale për krimet e bëra gjatë monizmit, dhe as do të dijë për gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhet Akademia Shqiptare e Shkencave, gjendje e cila është pasojë e politikës miope të partisë së tij, sepse profesorët dhe akademikët nuk krijohen brenda një a dy dhjetëvjecarësh.