E premte, 19.04.2024, 11:37 PM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Domosdoshmëria e Gjykatës Ndërkombëtare për dënimin e krimeve të komunizmit

E merkure, 22.12.2010, 10:59 PM


Domosdoshmëria e Gjykatës Ndërkombëtare për dënimin e krimeve të komunizmit

 

Nga Reshat Kripa

Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës

 

Lexova në median elektronike në internet shkrimin me titull: “Një nismë e re në BE për krimet e komunizmit” nga zonja Sadie Kryeziu dhe para syve më doli rruga e gjatë e këtyre viteve që vazhdojnë të quhen në mënyrë absurde “vite tranzicioni”. Më dolën parasysh edhe përpjekjet e vazhdueshme që ka bërë Shoqata e të Përndjekurve Politikë për dënimin e krimeve të rregjimit komunist. Ndaj dua të përgëzoj zonjën Kryeziu për bërjen publike të një lajmi të tillë të pritur prej kaq kohësh.

            Në të vërtetë shoqata e jonë, qysh në vitet e para të pushtetit demokratik, ka kërkuar nëpërmjet gazetës së saj “Liria” dënimin e këtyre krimeve. Për numra të tërë me rradhë ka kërkuar dënimin e figurës së diktatorit Enver Hoxha dhe heqjen e titujve të dhënë atij nga rregjimi i përmbysur, duke e akuzuar si shkaktarin kryesor të genocidit të ushtruar në Shqipëri. Por fatkeqësisht ky zë ka mbetur pa përgjigje.

            Në vitin 2007, në Kongresin e XV-të të Shoqatës Ndërkombëtare të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit, mbajtur në Çeki, ku mori pjesë edhe një delegacion i Shoqatës Antikomuniste të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë, u mor vendimi për t’i kërkuar BE-së ngritjen e nje Gjykate Ndërkombëtare për dënimin e krimeve të komunizmit. Lidhur me këtë, në muajin tetor të atij viti, u mbajt në Tiranë, me nismën e shoqatës tonë,  konferenca shkencore me temë “Komunizmi në Gjykatën Ndërkombëtare” ku, nëpërmjet kumtesave të mbajtura, ngrihesh domosdoshmëria e kësaj gjykate. Por përsëri reflektimi i kësaj ngjarje në opinionin publik ishte fare i vakët, megjithse një vit më parë Kuvendi i Shqipërisë kishte miratuar një rezolutë mbi dënimin e krimeve të kryera nga rregjimi komunist.

            Sipas një njoftimi të bërë nga një media tjetër elektronike në internet, në mars 2010, një delegacion i Kombeve të Bashkuara i paska kërkuar Shqipërisë të dënojë krimet e komunizmit. Por edhe ky njoftim, ashtu si dhe të parët, ka kaluar pothuajse në heshtje. Përse? Këtë përgjigje e pres nga pushtetarët, opozitarët, shoqëria civile dhe nga media e shkruar dhe ajo vizive.

            Përse duhet denuar diktatura komuniste dhe përse duhet ngritur Gjykata Ndërkombëtare për dënimin e krimeve të kryera nga rregjimi totaliatar? Përgjigja është një dhe e vetme. Ajo është absolute. Nuk mund të ketë krim pa ndëshkim. Dhe në Shqipëri krimet janë të pallogaritëshme. Ato për nga numri dhe përmasat e tij ia kalojnë çdo vendi tjetër ku ka qenë në fuqi sistemi diktatorial komunist. Më lejoni t’ju tregoj një shembull. Në Kongresin e XVII- të të Shoqatës Ndërkombëtare të cituar më lart, delegati sllovak, antari i kryesisë Dr. Peter Bielik deklaroi se në Sllovaki dënimi i fundit me vdekje për motive politike ishte dhënë në vitin 1956. Le ta krahasojmë këtë me vendin tonë ku dënimet me vdekje vazhduan pa pushim deri në ditët kur rregjimi kishte marrë rrokullimën. Të mos harrojmë vrasjen dhe tërheqjen zvarrë të kufomave të Sotir Nastos dhe Jorgo Shellës nga Narta e Vlorës nëpër rrugët e qytetit të Sarandës në qershorin e vitit 1985 Të mos harrojmë varjen në litar të poetit hero Havzi Nela në Kukës në vitin 1988. Të mos harrojmë vrasjet e shumta pa gjyq, ku dua të veçoj ato të bëra në vitet 1990-1991 në kufi, megjithse faktikisht ishte hequr me ligj dënimi për tentativë arratisje.

            Sot dëgjojmë shumë zëra të pëshpërisin se duhet harruar e kaluara, gjoja për hir të së ardhmes. Unë mendoj se këto zëra vijnë nga ata që në ndërgjegjen e tyre kanë përgjegjësinë e këtyre krimeve. Këto zëra vinë nga rradhët e ish nomenklaturës së lartë të Partisë së Punës, ish gjykatësve, prokurorve dhe hetuesve, ish punonjësve të Minstrive të Brendëshme dhe të Mbrojtjes dhe të tjerëve të këtij kallëpi që normalisht duhet të japin llogari para ligjit për krimet e tyre. Mendoj, dhe këtë e kam thënë edhe shumë herë të tjera, se Shqipëria kryesisht dhe vendet e tjera ish komuniste duhet të zhvillojnë Nurenbergun e tyre.

            Por, për të realizuar këtë, është e domosdoshme hapja e dosjeve për çdo qytetar. Jemi i vetmi vend, në rradhët e ish vendeve të kampit socialist, që dosjet i mbajmë ende të mbyllura. Qysh me fillimin e vitit 2010 Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin mbi krijimin e komisionit për hetimin e krimeve të komunizmit. Megjithse ka gati një vit, ende ky komision nuk ka filluar nga puna, në një kohë kur komisione të ngjashme me të të ngritura në vendet e tjera të lindjes, pothuajse e kanë mbaruar punën e tyre. Flitet se do të fillojë të funksionojë normalisht me fillimin e vitit 2011. Le të shpresojmë se kjo do të jetë e vërtetë!

            Letra zyrtare, që përmendet në shkrimin e botuar që citohet në krye, e nisur më 14 dhjetor 2010 në adresë të Komisares Evropiane për Çështje të Drejtësisë, Vivian Reding, nga ana e ministrave të jashtëm të Lituanisë, Letonisë, Bullgarisë, Hungarisë, Rumanisë dhe Çekisë, me nismën e Ministrit të Jashtëm Lituanez, Audronius Azubalis dhe marrja përsipër për shqyrtimin e saj me seriozitetin më të madh nga ana e këtij komisioni të BE-së, na lë të shpresojmë se më në fund, megjithse kanë kaluar njëzet vjet, gjithçka do të shkojë në vendin e vetë.

            Do të kishim dashur që krahas firmave të ministrave në fjalë të kishte qenë edhe ajo i ministrit tonë, si përfaqësues i shtetit me përndjekjen më mizore. Megjithatë mendojmë se nuk është vonë që edhe tani përfaqësuesit e shtetit shqiptar t’i bashkangjiten zyrtarisht kësaj nisme. Një gjë e tillë do të ishte në nderin dhe dinjitetin e çdo personaliteti  shtetëror  shqiptar. Të mos harrojmë se kjo është edhe një nga kërkesat kryesore që BE-ja dhe Kombet e Bashkuara i kanë paraqitur Shqipërisë.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora