E premte, 29.03.2024, 02:40 PM (GMT)

Kulturë

Çerkin Ismaili: Ethe të trishta (XVI)

E diele, 19.12.2010, 09:57 PM


Çerkin Ismaili

 

Ethe të trishta

(XVI)

 

(Roman)

 

   13                   

 

Atë ditë mestetori gjatë  gjithë ditës vazhdimisht rigoi shi! Rruga me autobus nga kryeqyteti deri në morgun e Rahovecit, ku ekspozoheshin thasët e najlonit me  eshtëra të riatdhesur , Lushit iu duk shumë e gjatë dhe e mërzitshme. Për ta thyer monotoninë e rrugës, Lushi  bleu në stacionin e  autobusëve  tri gazetat e përditshme , që botohen në kryeqytet, të cilat jo vetëm  që propagandonin programet e partive që i finansonin, por glorifikonin pa fije turpi portretet politike të liderve të tyre, duke i nxjerrë si luftëtarë kolosal për mëvehtësinë e vendit nga pushteti dhe shteti i gjeneral Gexhës.Megjithëse, Lushi, qysh më parë, ishte betuar se më nuk do t’i lexonte gazetat e kryeqytetit, për shkak të monotonisë mbytëse të rrugës, atë ditë i kishte blerë.

Pasi  nxori nga xhepi ftesën që i kishte dërguar patologu i morgut , të cilën  i kishte sjellë postieri, ku shkruante  se Lushi ishte i ftuar të marrë pjesë në ceremonialin e identifikimit dhe shpërndarjes së thasëve të najllonit me eshtra të riatdhesuar, në orën 10:00, iu lut shoferit ta përshpejtonte pak autobusin se mund të vonohej në ceremoni.

- Të lutem, zotni ngutu pak, se mund të vonohemi!- i tha Lushi shoferit, që ishte një burrë i pjekur, i cili dukej  të ishte  vërtet i  mërzitur. Mbase  edhe ishte i mërzitur shoferi, që bartte vetëm pasagjerë që shkonin në morgun e riatdhesimit të eshtrave.

- Mos u merakos xhaxhi, kemi mjaft kohë! Edhe një orë pa pesë minuta kemi kohë! Pse po ngutesh, more burrë?! Mos do të kënaqesh, a?!

-?!!!

Hë, xhaxhi për kë të kanë ftuar?!

- ?!!!

- Sa të zhdukur i ke?!

-?!!!

- A të ka mbetur kush në shtëpi, xhaxhi?!

- ?!!!

- Mirë, bile, që ti paske shpëtuar ?!

- ?!!!

-A i  ke djem apo vajza të zhdukurit, o xhaxhi?!

-?!!!

Ndoshta  i ke vëllezër, apo nipër?!

-?!!!

- Fol , more xhaxhi! O, goja m’u thaftë, mos të lëndova gjë?! Sa interesant që jeni ju që kërkoni të zhdukurit në luftë, nuk mund t’u kuptoj njeri! Këndej i kërkoni të gjallë, kurse andej  paqëtoheni, kur ju kthehen eshtërat?! Bile gëzoheni kur I merrni thasët e najllonit! Është kështu, apo jo, xhaxhi?! Ih, sa njerëzit me lëngata ethesh të trishta ankthi i ka bartur  autobusi im nga kryeqyteti deri në morgun e Rahovecit?! Një det lotë nënash e nusesh janë derdhur në autobusin tim!

-?!!!

- Hë, xhaxhi?!

- Shkele gazin , zoti shofer, e mos pyet shumë! Unë  të pyeta a do të arrijmë me kohë në morgun e riatdhesimit të eshtërave dhe asgjë më shumë,  kurse ti ma bëre kokën shoshë me ato pyetjet tuaja bajate!

- Bukë e kam zotni! Autobusi im nuk i vonon pasagjerët e vet të rregullt! Sot  të gjithë reklamojnë punën e vet, edhe unë i bëj reklamë autobusit tim! Sikur të mos riatdhesoheshin eshtërat do të ngordhja si qeni pa bukë!

- Do të thotë se ha bukë eshtërash?!

- Zotëri, jo bukë eshtërash, por bukë ethesh të trishta dhe bukë ankthi...! Të papritura skandaloze po ndodhin në kryeqytet, xhaxhi! Shikoji gazetat e sotme, more xhaxhi, si vetëvriten njerëzit! Përpak pësoi edhe presidenti nga bomba e kurdisur në kryeqytet, more! Kronikat e zeza të gazetave janë mbushur deng  me vetëvrasje! Të lumët bosët e gazetave për skandalet  senzacionale të vetëvrasjeve në kryeqytet!

- Fol më qartë se nuk po të kuptoj, zotëri! Ju shoferët ia humbni njeriut me kos!- ndërhyri Lushi.

- Hapi gazetat, xhaxhi dhe lexo requimet dhe nekrologjet për Akun Bishtin dhe Harun Bixhozxhinë! Sa bukur i kishin hartaur!? Art se jo mahi...! Prozë më të bukur poetike kurrë nuk kam lexuar! Kemi shkrimtarë të mirë në kryeqytet, xhaxhi?!... Djallin e bëjnë engjëll, spiunin hero, tradhtarin humanist, filozofin matuf...! Matufin filozof...!

- Lëre pash zotin! Ç’merr vesh shoferi nga letërsia e filozofia? Kujdes timonin  se mos po na aksidenton!- reagoi përsëri Lushi dhe lexoi titujt me shkronja të mëdha në tri gazetat më afirmative të kryeqytetit!

“Jetë skandaloze-  vetëvrasje  skandaloze në kryeqytet!”, “ Vetëvrasja skandaloze e binjakëve Akun Bishti dhe Harun Bixhozxhia!”, “  Vetëvrasja  hipokrite e vëllezërve binjakë! Lushi lexoi edhe kolumnet memoriale të kryeredaktorëve me shkronja të verdha në letër të zezë dhe inmemoriamet e shoqatave të bishtaxhinjve dhe bixhozxhinjve të kryeqytetit, ndërsa  duke mbyllur gazetat tha :”T’i pshurrsha gazetat , kryeqyteti  im!!!”, kurse shoferi ndali autobusin para turmës së njerëzve, që hynin e dilnin nga shatorja prej najlloni e improvizuar si morg.

- Paç fat në morg, o xhaxhi!- uroi shoferi Lush Rebelin pasi doli nga autobusi.

“Fat në morg!!!”- mendoi Lush Rebeli dhe pasi mendoi pak, solli kokën dhe qeshi me uratën budallaqe të shoferit që tha se jetonte me bukën e ankthit dhe etheve të trishta të kryeqytetit!

Sapo zbriti, Lushi u takua me gratë e protestës në kryeqytet! U takua me gratë e Plagës dhe gratë e Dhimbjes! Xixëllonja e Fjolla e kapën nga krahët dhe i rrëfyen se nënë Raza e Dhimbjes kishte vdekur dhe se dy sytë hapur i kishin mbetur të shkretës, ndoshta ta shihte Ramën, ndoshta Gëzimin...?! Ndoshta...?! Kush e di pse i kishin mbetur sytë hapur pas vdekjes, por nuk kishte mundur kush t’ia mbyllte sytë!  Sa keq i erdhi për vdekjen e plakes dhe shëmtimin aq të shpejtë fizik të Fjollës dhe Xixëllonjës,

 Edhe plaka e protestës nga Plaga i thanë se kishte vdekur, kur kishte hapur arkën e pajës së të bijës, Rinës, të cilën pasi e kishte përdhunuar ushtari skizofren i ushtrisë pushtuese, para syve të së ëmës, e kishte ekzekutuar me plumb në kokë! Gratë e Plagës i rrëfyen Lushit se edhe plakës së Plagës i kishin mbetur sytë hapur pas vdekjes...!

“ Akoma vdekje me sy hapur dhe rrejnë se jemi në paqe e liri...??!!”- mendoi Lushi duke ofsha dhe pështyu...!, kurse kamionin me gjashtëdhjetë thasë najloni nën përkujdesjen e patologut që mbante nën sqetull një fletore  formati të madh, sigurisht, me të dhënat e ADN-ve të eshtrave të riatdhesuar, shpejt e zbrazën disa punëtorë mëditor, që i kishin marrë nga rrugët e Rahovecit. Sapo i zbrazën thasët e najllonit, patologu u kujdes që thasët të renditeshin në zhavorin e shtruar të morgut sipas radhës, duke  thirrë me emër, emër të babait dhe mbiemër çdo thes najloni të mbushur me eshtëra! Aritmia e zemrave të nënave që dridheshin teksa patologu thërriste emrat e thasëve prej najlloni të mbushur me eshtëra kishte arritur kulminacionin! Si për çudi, asnjëra nga nënat nuk derdhte lotë! Mbase edhe lotët iu kishin shteruar! Duke u dridhur nënat para se të vurnin lule , rrëzoheshin të alivanosura  para thasëve të najllonit ! Patologu, një gjerman me eksperiencë zhvarrimi dhe  riatdhesimi të  eshtërave në Bosnjë, me kohë ishte kujdesur të sillte edhe një ekip psikologësh e neuropsikiatërish për  të intevenuar  me sedative kur alivanosen fatzinjtë që pritnin me ankth kush ishte në thasët e najllonit.

“Gëzim Ramë Dhimbja, Ramë Zenun Dhimbja...!”- lexoi patologu me radhë gjashtëdhjetë emrat e thasëve prej najlloni të mbushur  me eshtra!

Si për çudi, Xixëllonja as nuk qajti, as nuk u rrëzua e alivanosur, por vetëm dridhej, kur i lexoi patologu emrin e të birit dhe emrin e burrit...!

Xixillonjën, i pari, e ngushlloi Lush Rebeli, ndërsa përpiqej të dëgjonte nëse patologu gjerman do ta lexonte edhe emrin e nënë Nazës!

- Urime Xixëllonjë që më fund të erdhën...!?- uroi një grua e Dhimbjes që priste ndoshta  patologu do t’i lexonte edhe  emrat e katër djemve të saj.
- E lumja ti, e lumja , moj Xixëllonjë që më nuk bie e nuk zgjohesh  me ankthin e etheve të trishta të pritjes së eshtrave!

- Paç fat edhe ti, si unë...!- uroi Xixëllonja  nusen e Plagës, që priste t’i lexohej edhe emri i burrit të saj!

“Lush Isuf Lisguri?!”- lexoi patologu gjerman edhe emrin e Lushit.

Gratë e Plagës e gratë e Dhimbjes qeshën me patologun, që lexoi edhe emrin e Lushit, të cilin e shihnin të gjallë midis grave!

- Mos është fantazmë, more ky njeri?!-  dyshoi një grua e Dhimbjes.

- Ikni se njeriu me një këmbë qenka  vampir...?!- bërtiti një grua e hutuar tek shihte Lushin duke reaguar ndaj patologut, i indinjuar pse nuk i kishte lexuar emrin e nënë Nazës, por emrin e tij?! Zotëri unë kërkoj nënën  e jo këmbën! A kupton? Aq më bën për këmbën,  derisa nuk e gjej  nënën!

Ishte e kotë që patologu gjerman dhe përkthyesi ta qetësonin Lushin, i cili pasi hapi thesin e najllonit, e mori në duar skeletin e këmbës së vet. Disa çaste e shikoi i habitur si kishte arritur këmba e tij nga guri i rrëzuar i kufirit  te Rrasa e Zogut deri në morgun e Rahovecit. Dyshoi në mos këmba nuk ishte e tij, por patologu gjerman, pasi që i tregoi  rezultatet e ADN-së, nxori edhe metrin nga xhepi , i mati këmbën e gjallë, pastaj mati edhe skeletin e  këmbës së riatdhesuar! Gjatësia e dy këmbëve millimetër për millimetër doli e barabartë!

- Tash merre, zotëri, këmbën tënde, jotja është?!- tha patologu.

- Ç’të bëj me të shkretën, more burrë!- tha Lushi, duke shikuar Xixillonjën tek përpëlitej t’i ngarkonte në shpinë dy thasët e najllonit me eshtrat e  Gëzimit dhe Ramës!

- Me shëndet këmba , o Lush Rebeli!- nuk kuptoi njeri , nëse u tall apo uroi një grua e Plagës.

Lushi e shikoi me dhembshuri edhe gruan e panjohur   që u nis me një thes najlloni në shpinë dhe nuk foli, madje, asnjë fjalë , ndërsa  përsëri i tërhoqi vëmendjen anatomia e skeletit të këmbës, që në morg shpërndante erë dheu!

- Do ta pranosh, zotëri, këmbën si të  tënden apo do ta lësh?! O merre, o lëre!- tha prerazi patologu, në qafën e të cilit pikonin pika të ftohta shiu  vjeshtor nga strehët  e morgut prej najlloni .- Të pyeta, zotëri, ç’të bëj me te?- tha Lushi  ndërsa vazhdoi ta shikonte skeletin që e mbante në duar.

- Varrose, zotëri! Ose dërgoje në muzeun e kryeqytetit?! Ose shite nëse ta blen kush?! Ose, dërgoje si eksponat natyral në Institutin e Ortopedisë në kryeqytet!!! Edhe ashtu atij instituti i mungojnë skeletet e improvizuara si mjete konkretizimi për studentët! Nëse  studentët kalojnë provimin, do ta urojnë  shpirtin e këmbës sate që u ka sjellë fat, por nëse bien në provim, besa, munden edhe ta mallkojnë ose ta shajnë?! Jotja është këmba, zotëri! Parimi i vetëvendosjes të jep të drejtën vetë të vendosësh për këmbën tënde, ç’do bësh me të!? Parimet e të drejtës demokratike, unë nuk i shkel si bëjnë politikanët modernë evropianë ose siç bënin etërit e tyre me fatin tuaj?! Merre këmbën dhe nisu , zotëri, mund të të ikën autobusi për në kryeqytet!

-Urime për këmbën, o Lush Rebeli!?- uroi Xixëllonja e Dhimbjes duke hipur në autobusin që do nisej për në Dhimbje.

- Xixëllonjë, moj? Kujdes Zgjimin e Dhimbjes! Të lutem , mos i zgjo Zgjimit të Dhimbjes dhembje të reja! - tha edhe Lushi, ndërsa  mbante  mbi supe skeletin duke u përpëlitur të hipte në autobusin që do nisej për në kryeqytet.

 

                                                   *     *     *`

 

Sapo arriti në kryeqytet, Lushi me thesin e najllonit ngarkuar në shpinë, shkoi te bankomati dhe nxori njëzet e tetë eurot e ndihmës sociale që i kishte akorduar qeveria e kryeqytetit për merita gjatë luftës dhe u nis në hotelin me pesë yje të kryeqytetit, ku rëndom pushon pas punëve të rënda, elita politike e kryeqytetit. Të gjithë musafirët e shikuan shtrembër Lushin që, në një farë mënyre, me kukëzat dhe thesin e zi prej najlloni  ngarkuar në shpinë, prishi imazhin e mbrëmjes solemne të  hotelit me pesë yje!

-Ç’po më shikoni ashtu vëngër, debilët e mallkuar? Zemra ju plastë, nëse xhelozoni sonte për festën time! Kurrë nuk keni parë njeri me një këmbë, a? Dy i kisha sikur ju, more pijanecët e dreçit! Dhe, prapë dy këmbë i kam! Njërën e kam ngjitur me trupin e tjetrën , ja ku e  kam në thesin  prej najlloni!

Kamerierët deshën ta nxirrnin jashtë, por reagoi komandant Gurra, që pinte  kafe me disa zyrtarë ndërkombëtarë ose si i quan Lushi jashtëtokësorë.

-Zotëri, ç’do të pish?- e pyeti Lushin kamarieri, një djalosh që e njohu Lushin nga vallëzimi në kryeqytet. Ai zotëriu që rri me ndërkombëtarët do t’u qeras! Më tha se edhe darkën do t’u paguajë! Më porositi të të them që mos ta kursesh!

- Djalosh bëj të fala atij mikut tim harrestar ! Falenderoju në emrin tim e këmbës time që e kam në thes dhe thuaj se Lush Rebeli nuk shitet as për kafe, as për dreka e darka , as për para , as pë pozita! Thuaj se ai Lushi që isha gjatë luftës kam mbetur edhe gjatë pasluftës!

- Më fal, zotëri, por etika e profesionit tim nuk më jep të drejtë t’i ngacmoj apo t’i fyej musafirët, aq më pak komandant Gurrën! Nuk mundem, zotëri, nuk mundem!

-Nëse nuk mundesh, djalosh pra më sjell një raki dopio!  Kamarier, sonte kam festë ! Festë të dyfisht; festë për  këmbën time dhe festë për vdekjen e lugetërve!! Ti ndoshta nuk e di se sot janë varrosur përgjithmonë lugetërit. Me dhjetë tonelata dhe i mbuluan të mallkuarit, Akun Bishtin dhe Harun Bixhozxhinë! Çudi si nuk paska sonte kryeqyteti festë?!

- Të lutem , zotëri, mos u tall me mua! Nuk ua kam ngenë talljeve! Shefi im është shumë i ashpër, mundet të më nxjerë nga puna, - reagoi butësisht kamarieri gjentil.

- Si duket nuk më beson, a? Këtu në thes e kam këmbën time! Edhe Haruni e Akuni mbrëmë kanë vrarë veten! Nga kati i pestë i pallatit të Akunit dorëpërdore janë hedhur! Të lutem tregoji mikut tim se tash jam me dy këmbë: njërën mbi tavolinë e tjetrën ngjitur me trupin! Kamarier , miku im i vjetër do të qerasë për myzhdenë e këmbës time! Miqë të vjetër lufte jemi, more, por si duket edhe mikut tim  i kanë çakërdisur trurin ethet e vjetra të kryeqytetit!  Vaj halli për mikun  tim harrestar!

Derisa kamarieri i solli dopion, Lushi nxori nga trasta edhe shishen me urnën e të et, dhe bashkë me  skeletin e këmbës i vuri mbi tavolinë! Musafirët u çuditën kur panë skeletin që kundërmoi erë kufome.

-Kush është ai  njeri që ka vënë skelet këmbe mbi tavolinë?-pyeti  nga kureshtja administratori ndërkombëtar i kryeqytetit, që cakëronte  me komandant Gurrën dolli vere të Rahovecit .

-Është një i krisur  me trauma lufte! – u përgjigj shkurt komandant Gurra.

- E njeh më heret?

- Jo, jo, nuk e njoh!- gënjeu kokulur komandanti.

- Ndoshta në luftë...?!- dyshoi i huaji. Nga pamja duket si fakir, por tip rebel me  karakter të fortë qenka! Kështu si qenka katandisur, me miliona do ta paguanin në Amerikë për xhirimin e filmave fatalistë!

- Kamarier, edhe një dopio të lutem! Dopio të sertë, kamarier! Festë të dyfisht kam sonte! Kurrë në jetën time nuk kam festuar! Ndoshta, sonte e meritoj kremtën time të parë në hotelin me pesë yje të kryeqytetit! Hë, babush si  thua, a po të   duket mirë në kolltuqet e buta e  salltanëtin e kryqytetit ?! Gëzuar babush! Hajde, gëzuar këmba ime! Edhe një dopio, kamarier! Gëzuar për shpirtin e urnës tënde, babush! Gëzuar për shpirtin tënd, këmba ime! Eks! Me nënë Nazën nuk guxoj t’i cakëroj dollitë! Gjithmonë e ka urrejtur rakinë! Më ndje nëna Nazë, sonte kam festë! Mbylli sytë para Lushit tënd rebel, fakirit që sonte  prish imazhin e pesë yjeve...!?  Kamarier, edhe një dopio! Mos harro, të sertë, kamarier! Flisni , bre!? Mos m’i bëni hile festës ! Edhe pse u qan shpirti, për hatër timin, sonte dukuni të qeshur! E di se jeni  mërzitur në zbrazëtirën e kryeqytetit gri, por festën sonte nuk mund të ma ndalë njeri! Gëzuar...! Eks...!Qeshu njëherë babush, qeshu edhe ti këmba ime! E meritoni nga një buzëqeshje para varrimit, ore...! Ha, haaa haaaaaa! Gëzuar...! Dopio, kamarier, të lutem! Dopio mbushur me  farmak, kamarier!  Qeshni bre! Argëtohuni në festën time të parë dhe të fundit! Ju jap besën se nuk do t’ju lë gjatë në këtë botë lëngatash me ethe të trishta të kryeqytetit gri! Vetëm edhe sonte do të flemë bashkë gji më gji! Ju do ta ndieni aromën e djersëve të trupit tim as gjallë as vdekur,ndërsa unë erën e shkrumbit dhe erën e dheut, kurse nesër...?! Nesër...?! Nesër...?! Ditë e re , nafakë e re...?! Që me ag do t’ju varros!  Me varre e nisëm me varre e sosëm...! Kamarier , edhe një dopio , kamarier! Gëzuar...! Tre varre nesër do t’i hap! Një për ty, babushi im, që gjashtëdhjetë vjet dergjesh mbyllur në shishe, një për nënë Nazën do ta lë të hapur afër teje me një trëndafile ... Prite, babush,ndoshta Nënë Naza do  kthehet si nuse...?! Edhe një varr për ty do ta hap nesër këmba ime! Ndoshta do hidhërohesh  që unë e ti do t’i kemi dy varre të ndara?! Kështu janë fatet e luftës dhe fatkeqësitë e pasluftës, këmba ime ! U mundova t’i ndryshoj, por dështova! Njerkë e pashpirt  historia, medet...! Mos e prish qehren këmba ime, bre?! Kupto se  jemi të dënuar t’i kemi dy varreza dhe pikë! Edhe Ali Pasha i ka dy varre: njërin për trupin  në Janinë e tjetrin për kokën në Stamboll! Edhe Mehmet Konjuhi ka një varr për kokën në Nish e tjetrin diku në Llap apo Gallak! Gëzuar, babushi im prej hiri...! Gëzuar këmba ime me erë dheu...! Gëzuar komandant Gurra...! Gëzuar togere Bubulinë! Dopio, kamarier! Në fund , ju betohem se nëse kam jetë do ta shkruaj Baladën  për  eshtërat e  (pa)kthyer...!

Kamarier, dopio! Gëzua...r! Mos përto, dopio, kamarier! Nuk është me rëndësi nëse gota vjen me  helm apo raki...?! Gëzuar gota ime për miqësinë tonë të re! Unë do  pi nga ti, kurse ti , sa më shpejt, të lutem, më pi mua! Edhe Grameno pas Luftës së Mashkullores pati lidhur miqësi me gotën dhe deri në vdekje ia kaluan mirë me të! Pas luftërave nëse nuk vijnë liritë, vijnë gotat, zhgënjimet, dëshprimet, pastaj nisin sërish të thyhen kokat...! Dopio...! Dopio...! Dopio...! Edhe për komandant Gurrën, dyfish dopio, kamarier! Për harresën e tij , fatin tim, fatin e tij dhe shikimet tona nën vetulla, sonte pi kokulur komandant Gurra! Shih sa shumë e shtrëngon kokën, shiko  nga pezmi si i thyen gotat! Dopio edhe për togere Bubulinën, që iku pa më thënë lamtumirë! Fajtore e përjetshme do mbetet që më shpëtoi nga vdekja...!? O, i mjeri unë i mjeri , edhe miqët e  mi i  kanë  prekur  ethet  e trishta  me Sindromin  e Alzheimer-it?!

T’ia marrim një kënge këmba ime? Babush si thua, a do na shkojë zëri imirë?! Gota ndoshta nuk hidhërohet nga kënga ime?! Ti këmba ime, sonte do të shndërrohesh në violinë! Po, po në violinë do shndërrohesh! Vajto mirë, ashtu si di ti! Shkrije akullin e hotelit me pesë yje! Nuk është me rëndësi që nuk ke tela! Ty edhe pa tela të shkon zëri mirë! Ani, kur ta mbajnë ison urna e Isuf Lisgurit, kamarieri e bodiguardët e koamdant Gurrës dhe administratorit të kryeqytetit, kënga jonë do mbahet mend gjatë nga harrestarët!

                                           

 

                                        Koshare, moj liskurorë

                                                                Liskurorë...

                                        Brenda zjarrë , jashtë dëborë...

                                                                   Jashtë dëborë...

                                        Koshare, moj Koshare

                                        Ç’u dogje, moj me batare...

 

                                         Ç‘u dogje, moj, me batare

                                         Liri mbollëm, moj, na mbinë varre

                                         Koshare, moj Koshare ...

 

Kamarier, më fal nëse këmba dhe  kënga ime , sonte prishën imazhin e ahengut në hotelin me pesë yje! Vetëm këtë këngë e kam kënduar në jetën time! Me komandant Gurrën e këndonim bashkë në male! Desha t’ia përkujtoj mikut tim harrestar këngën e maleve që me përkushtim e këndonte pas betejave!   Kamarier, as mos u bezdis për pagesën e dopiove të mia! Njëzet e tetë euro pension i merr dhuratë nga qeveria  Lush Rebeli, apo si më qujnë tani Lush fakiri ...! Më kanë thënë se aq vlen këmba ime , ndërsa unë jam pajtuar! Pazaret me matrapazët nuk më shkojnë mirë! Sonte unë e këmba ime do qerasim të gjithë musafirët e hotelit me pesë yje! Nëse nuk mjafton pensioni im, me unazën e nënë Nazës sonte do paguaj , kurse po  nuk mjaftoi edhe  unaza, Lush Rebeli do t’u lë këmbën peng deri në agim ...! Pastaj , nesër... ditë e re, nafakë e re...! Ndoshta, nuk do të jem aq i pa fat, që edhe unë të vdes  sy hapur me ankthin e etheve të trishta si babai, gjyshi e stërgjyshi im?!

 



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora