E shtune, 28.01.2023, 01:12 PM (GMT)

Kulturë

Interviste me kengetaren Ermanda Durmishi

E diele, 23.12.2007, 11:12 PM


Këngëtarja Ermanda Durmishi  në prag të një albumi të dytë. 

Emigracioni është sfida më e madhe e kohës së sotme moderrne

Çasti më i vështira i jetës kur kam patur nënën të sëmurë. Ndërsa ajo ishte në spital, unë isha në koncert.

Nga Albert Zholi

Simpatike, e thjeshtë, e sinqertë, e lirshme në bisedë, këto ishin impresionet e para me këngëtaren Ermanda Durmishi. Jeta e saj skenike, valëzon sa nga Korça,  Maqedonia në Amerikë, ku tashmë vend i Demokracisë së Artë është dhe ankorimi më i gjatë, pasi aty ka krijuar dhe familje. Larg politikës, por e dashuruar marrëzisht me këngën ajo nuk mund ti fshij lotët e mallit pas shumë vitesh kthimi në atdhe. Në bisedë fytyra e saj e qeshur përcjell natyrshëm  karakterin e një femre optimiste, që nga qyteti i lindjes (origjinës) ka përvetsuar artin e vështirë të të qënit njerëzor dhe  artist në shpirt. Nuk e mohon se qyteti i Serenatave kanë mbrujtur tek ajo dashurinë e parë për këngën, si dhe ëndërrimet e pafundme për të zotëruar skenat, ku do të përhapte zërin e saj potent. Ka lindur në  Korçë, ku ka kryer dhe  shkollën tetëvjeçare. Duke patur pasion këngën është aktivizuar në radio “Korça” dhe është bërë e njohur në atë kohë me këngën “Lule Velo partizani”, këngë që u bë mjaft popullore. Më pas është aktivizuar në festivalet e fëmijëve duke vazhduar më tej studimet në lice për kanto dhe së tejmi Akademinë e Arteve. Në vitin 1990 merr pjesë në festivalin Kombëtar të RTVSH me këngën “Mësues dhe shokë”, më pas largohet nga Shqipëria duke jetuar në Maqedoni dhe rrugëtimi i saj ka vazhduar  në të gjithë diasporën. Së fundmi jeton në Amerikë bashkë me bashkëshortin. Sipas saj jeta është një lëndinë e bukur që duhet mbajtur me kujdes nga gjembat dhe barërat e këqia.

Në fëmijërinë tuaj kush ju zbuloi për herë të parë si këngëtare?

-Që kur kam qenë në kopësht dilja dhe këndoja para shokëve dhe ka qenë edukatorja ime Fatmira e cila më ka zbuluar. Ajo më aktivizoi me fëmijët, duke më futur në konkurset që bëheshin në atë kohë. Mbështetja ka qenë dhe e familjes sime të cilët më kanë inkurajuar. Në jetë çdo gjë e bukur zanafillën e ka tek familja.

Si fëmijë mbaj mend që kam qenë shumë çapkëne dhe shumë llupëse. Shpeshherë edukatoret më hiqnin veshin për ndonjë zarar të vogël që bëja me shokët. Kam qenë shumë fëmijë social dhe vazhdoj të kem nevojë të jem e shoqëruar me njerëz që respektoj. Mendoj se mbetem e njëjta natyrë, dhe pse tani janë zgjeruar të metat dhe virtytet me të cilat jam mësuar që në fëmijëri.

-Si ka qenë jeta juaj shkollore e atëhershme. Keni patur probleme me ndonjë mësues?

-Koha e shkollës kanë qenë vitet më të bukura të jetës sime. Kam shumë nostalgji për vitet e liceut. Tirana për mua ishte ëndërr dhe ardhja në Lice ishte një buqetë lulesh për mua në atë kohë. Liceun e vecoj nga shkolla e lartë. Kjo për faktin se shkollën e lartë e vazhduam pak nga liceistët, ndërkohë që në lice kemi qenë shumicë dhe unë kam jetuar në konvikt. Marëdhëniet kanë qenë shumë të mira dhe me kujdestarët, por më të mira kanë qenë me mësueset e lëndëve të përgjithshme dhe shumë shumë të mira me mësueset e kantos. Mua më ka dhënë mësim si profesoreshë artistja e merituar Edit Mihali, të cilën e përshëndes, njëkohësisht dhe Vitore Mamaqi të cilën e dua shumë . Ato më kanë trajtuar si vajzën e tyre dhe jo si studente, duke më ndihmuar të nxjerr vlerat që duhet të jap si këngëtare.

-Ke ngrënë ndonjëherë ndonjë shuplakë?

-E kam ngrënë  një shpullë nga mësuesi i harmonisë, Kujtim Haxhiu, dhe kjo për faktin se nuk kisha bërë një detyrë. Pra ishte faji im.

-Keni dalë në skenën e madhe në një vit të vështirë apo jo….

-Është e vërtetë. Ka qenë viti 1990 dhe ka qenë një viti tranzicioni i vështirë. Në festivalin e madh Kombëtar të RTVSH, mora pjesë  me këngën “Mësues dhe shokë”. Kemi patur si regjizor Osman Mulën . Si sot më kujtohet që kur bëheshin provat gjenerale të festivalit, na u thye xhami dhe unë u rrëzova mbrapa skenës. Ishte eksperienca më e bukur e jetës sime. Ishin momentet kur ndaheshin përfundimish dy botë, ajo e të qënit këngëtare skenash të vogla dhe ajo e skenave me përmasa më shumë se kombëtare. Ishte përgjegjësi dhe ankth. Këtu fillonte sfida e jëtës skenike. Kanë qenë gjëra shumë interesante që ndoshta ndokush nuk i vë re, po për mua kanë qenë të pashlyeshme në kujtesë. Ka qenë një interpretim në “Play back”, jo live. Për mua ishte mirë, sepse unë vija nga muzika klasike dhe e kisha akoma të vështirë të paraqitesha në një skenë festivali.

-Ju keni kënduar shumë zhanre muzikore duke nisur nga muzika klasike tek ajo e lehta. Por keni lindur në vendin e serenatave korçare. A janë ato pjesë e repertorit tuaj?

-Unë mund të këndoj në shumë zhanre, por këngët ku e gjej më shumë veten janë serenatat korçare, kjo për faktin se këto janë tradita e vendit ku unë kam lindur. Kam marrë pjesë në vitin 2000 në festivalin e serenatës ku kam marrë çmim. Ka qenë kënga “Zemra ime këndon për ty”, një kompozim i Adrian Jorgjit , një nga kompozitorët më të talentuar në Korçë. Kam nxjerrë gjithashtu dhe albumin tim të parë që titullohet “Sytë jeshilë” me serenata, ndërkohë që tashmë jam kthyer me një album të dytë ku nuk prek vetëm zhanrin e serenatës, por duke prekur nga pak të gjitha zhanret. Kjo për faktin se diaspora më ka respektuar shumë në koncertet që bëj dhe unë duhet të respektoj traditën e tyre, duke i sjellë në këtë mënyrë diçka që ato pëlqejnë. Dua që ta gjej veten shqiptari nga Jugu, shqiptari nga Veriu, patrioti që do flamurin por ta gjej vendin në album dhe dashuria.

Vjen në Shqipëri këtë radhë për…

-Më ka sjellë një ftesë e Zamira Kitës për të marrë pjesë në festivalin e serenatave që  zhvillohet në Korcë, një nga festivalet më të bukura të traditës. Dhe albumin e dytë..

Ç’farë ju largoi nga Shqipëria?

-Unë jam martuar në Amerikë dhe nuk kisha rrugëzgjidhje tjetër përveçse të largohesha drejt bashkëshortit tim.

Janë shumë arsye që të shtyjnë në emigrim. E para për të përmirësuar ekonominë. Dhe më pas, për t’u ndjerë më e integruar shpirtërisht dhe profesionalisht.

Me valixhe në dorë gjithnjë?

-Kam jetuar për një kohë të gjatë në Maqedoni, Zvicër dhe Kosovë. Është e vërtetë që jeta ime bëhet me valixhe në dorë, duke udhëtuar gjithkund. Por gjithnjë jam kthyer në Korçë  për të takuar prindërit e mi.

-Çastet më të vështira të jetës suaj?

-Kur kam patur nënën të sëmurë. Ndërsa ajo ishte në spital, unë isha në koncert. Artisti është i detyruar të këndojë dhe kur të qan shpirti. Spektatori nuk e dinte se çfarë ndjeja unë brenda meje. Por dhe faktin që ditët e festave ne përgjithësisht largohemi nga familja për të marrë pjesë nëpër koncerte. Mendoj se dhe festat e fundvitit do jenë nëpër koncerte.

Vështirësia në jetën e të qënit emigrant?

-Që duhet të luftosh për të jetuar, sepse nuk të ofron askush asgjë. Nuk është një jetë e lehtë. Emigracioni është sfida më e madhe e kohës së sotme moderrne.

Cili është kuptimi juaj për dashurinë?

-Dashuria për çdo njeri është gjithçka. Ajo të jep impulsin për jetën. Ajo i jep kuptim jetës  jo vetëm për një njeri por dhe për artin dhe jetën në përgjithësi. Gjithsesi...

Nuk dua ta prek këtë temë, por ndjehem e lumtur. Megjithëse  jeta ime ka patur disa brenga, por tashmë me bashkëshortin tim e kam kthyer lumturinë në zemrën time. Nuk më pëlqen ta përcjell dhimbjen. Tek të tjerët përcill gëzimin, dhibjen kapërdije. Këtu del në pah forca e njeriut.

Amerika dhe ju?

-Amerika nuk është ashtu siç e mendojnë të gjithë shqiptarët, e shtruar me lule. Nuk është se i ke dyert e hapura. Ke shumë vështirësi  për t’u përshtatur dhe për të fituar vendin që të takon, sidomos kur e dinë se nuk je amerikane etj. Për artistin është shumë e vështirë. Konkurenca është në zenith. Për mua ka qenë më e lehtë se kam patur ndihmë bashkëshortin dhe vëllain dhe disa njerëz të mi dhe shumë miq, që unë kam kënduar shqip nëpër tryeza, dasma apo aktivitete shqiptarësh.

A mund të na e përcillni ditën tuaj të parë në  Amerikë?

-Ishte një ditë plot me ankth. Meditime. Në mendje ç’farë nuk çoja. Një ditë kur unë isha shumë e trëmbur, ku më priste një botë krejtësisht e panjohur. Ndjehesha e kontraktuar dhe e mbyllur në guackë sepse nuk ndjehesha vetvetja, derisa kur zbrita në aeroport rrija si e ngrirë. Disa minuta..Pastaj të afërmit dhe gjendja kaloi...Pra pas pak sheh që ambjentohesh me njerëzit, me vendin. Fundi i fundit siç ndodh kudo , kur shkon për herë të parë. Por në këtë rast flitej për Amerikën që çfarë nuk kemi dëgjuar. Na dukej si planet tjetër.

Ç’farë do të veçonit nga  koncertet tuaja?

-Mbaj mend që kemi qënë një koncert në Miçigan dhe vjen një nënë pensioniste e cila më përqafon duke qarë. Sepse unë këndova një këngë për nënën dhe ajo përjetoi historinë e saj personale. Më treguan që e kish  patur djalin emigrant dhe pas shumë kohësh është takuar (përqafuar) me të birin (si kënga). Por më vonë, fati e kish ndëshkuar përsëri, sepse  djali i saj kishte ndërruar jetë para tre vjetësh. Pas këngës, ajo më afrohet, më përqafon mes lotësh  duke më thënë:”Mu duk sikur takova tim bir!” Jam emocionuar shumë, sepse m’u duk sikur kisha pranë nënën time. Lotët e nënës janë të padurueshme, më tepër se prekëse.

A e keni ndjerë veten ndonjëherë keq?

-Po. Kur nuk të njohin në publik. Kënga e parë është një përpjekje serioze. Publiku pret të të dëgjojë që të vlerësojë se kush je. Ka ndonjë këngë që nuk i pëlqen, nuk të duartroket dhe ky është momenti më i trishtuar për këngëtarin. Por ka  dhe çaste të tjera të veçanta të mbushura me shumë të puthura, lule, falënderime. Gjendja e artistit varet gjithnjë nga raporti që krijon me spektatorin.

Sa kujdes  i  kushtoni lukut?

-Luku është një respektim ndaj publikut që të ndjek. Garderoba është pjesë e veçantë e çdo artisti që duhet ti përshtatet çdo artisti. Që i përshtatet, pa dyshim dhe stilit të këngëtarit.  Nuk mund të vishesh me pantallona xhins për të kënduar “Perëndeshën e bukurisë”, psh. Janë ca gjëra që kërkojnë klasike, moderrnen.

Çfarë vishni ju kryesisht në skenë?

-Unë i preferoj të dyja. Thellë brenda meje është klasikja. Ndoshta mund të më quajnë dhe provinciale por unë minifundet dhe dekoltetë nuk i pëlqej . Pavarësisht se nuk i paragjykoj ato që i veshin. Në natyrë jam tip sportive  dhe shpesh vishem klasike.

Të kushton shumë garderoba?

-E kam realizuar me ndihmën e bashkëshortit dhe të familjes sepse në fakt kushton shumë më tepër se të ardhurat që unë nxjerr nga kënga. Një artist ka më shumë vlera shpirtërore se materiale. Nuk mund të them se ne artistët kemi të ardhura të konsiderueshme.

Mendon se popullariteti fitohet më shumë nga bukuria?

-Jo. Nuk besoj. Nuk mund të përcaktohen vlerat e artistit nga pamja e jashtme. Mendoj se këngëtari mundohet të përmirësojë pamjen e jashtme dhe garderobën me të gjitha mundësitë që ka. Por talenti është tjetër gjë.

Ngjyra juaj e preferuar?

-E kuqja.

Ushqim i preferuar?

-Sallatat.

Këngëtarja më e preferuar?

-Nuk mund të veçoj shumë. Nga të huajt më pëlqen Luçiano Pavaroti i cili ka ndërruar jetë prej pak kohësh dhe mendoj se  ka qenë një humbje e madhe. Ndërkohë që më pëlqejnë Whitney Hjuston dhe Celin Dion. Më pëlqen mënyra se  si ato interpretojnë.

Pushimet tuaja?

-Kam shkuar kudo. Në Antalia dhe në Greqi por dhe në Amerikë. Por Sarandën e preferoj shumë, sepse është një vend i vogël dhe shumë i bukur që për artistin përkthehet si një relaks i vërtetë.

Po të kishit shumë para çdo të bënit?

-Do ndihmoja të varfrit sepse është një gjë që e bëj me shumë shpirt. Sepse nëse i lutesh zotit për të plotësuar një dëshirë ai ta jep  në mënyrën e duhur. Varet se ç’quhet pasuri nga shqiptarët. Nuk mendoj se jam shumë e pasur materialisht, por shpirtërisht e ndjej veten plot.

Kush është pengu më i madh i jetës tuaj?

-Do kisha dëshirë të merrja pjesë në festivalin europian, por në mënyrë dinjitoze.

Çarë vlerësoni tek një njeri?

-Vlerësoj ndershmërinë, karakterin, shpirtin e mirë. Urrej shumë hipokrizinë. Ajo më lodh.

Keni gënjyer ndonjëherë?

Ndonjë gënjeshtër pa zarar. Më kujtohet që një herë në fakultet kam gënjyer pedagogun duke i thënë se më kish vdekur gjyshja, ndërkohë që gjyshja kishte kohë që më kishte vdekur. Kur vjen babi për të takuar pedagogun më doli gënjeshtra shumë shpejt. Babi vërtet më shau shumë duke më thënë të mos e edukoja gënjeshtrën brenda vetes, se do më bënte shumë dëm. I ruhem gënjeshtrës, sepse një fjalë e urtë thotë. Gënjeshtra i bën dëm atij që e jep, por më shumë atij që e merr.

Çfarë jeni duke përgatitur?

-Një album të ri . E kam përgatitur tek studio “Kristi”. Shpresoj shumë shpejt ta nxjerr në treg. Titulli  ...? Ende. Kam shumë pretendime në këtë album. Dua që të jetë në kompleksitet i suksesshëm. Se kam vendosur ende si do ta titulloj...Disa herë njeriu...Eh..!

Udhëtimi më i bukur?

-Kur kemi udhëtuar për në Gjenevë, kur në mes të liqenit është e shkruar në frengjisht :”Paraja e ngre ujin përpjetë” dhe me të vërtetë, që uji ngrihej aq lart, sa nuk e shihje dot se deri ku shkonte uji. Atë thënie e kisha dëgjuar, por nuk e kisha faktuar. Ishte një nga mrekullitë e botës që nuk do e harroj kurrë.

Dëshirat për të ardhmen?

-Njeriu ka shumë ëndrra për të ardhmen. Kam dëshirë të jem e lidhur me muzikën dhe të mos ndahem kurrë nga ajo.

Keni shumë mikesha?

-Kam. Por kam më shumë shokë se shoqe, kjo për faktin se gjinia e kundërt të jep më shumë këshilla pa patur parasysh xhelozitë personale. Me shokët e gjen mirëkuptimin më mirë. Megjitahtë në emigarcion dua të përshëndes në mënyrë të vecantë bamirësen Vitore Stefa Leka dhe këngëtaren Alida Hisku.

-Emri Ermanda?

- (Më ndërpret dhe qesh). Më duket se motra ime e ka parë në një film dhe ma ka ngjitur mua.  Por më thërrasin kryesisht Era sepse në fakt jam si erë. Gjithnjë me një valixhe në dorë tek fluturoj nga një vend në tjetrin. Era është emër poetik apo jo? Era lot me flokët, me fytyrën, me gjethet e pemëve, me fustanet e vajzave, me barin  e lëndinës, me balluket e cunave, me petalet e luleve...Me valët e detit. Era dhe vala..më pëlqejnë të dyja

-Urimi juaj?

-Gjithë shqiptarëve kudo që janë gëzuar festat e fundvitit. Në familjet e tyre viti që vjen të gjej lumturi, punë, gëzim, harmoni, paqe. Gëzuar!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora