Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: Hivzi Vokshi - Njeriu që i dha shpirt dhe jetë këngës popullore qytetare

| E diele, 19.12.2010, 10:00 PM |


EMRA QË (S)HARROHEN

 

HIVZI VOKSHI - NJERIU QË I DHA SHPIRT DHE JETË KËNGËS POPULLORE QYTETARE

 

Nga Sejdi BERISHA

 

Kënga, gjithmonë ka shprehur dhe reflektuar jetën, lumturinë, fatin, dhembjen dhe qëndresën e popullit. Kjo do të thotë se kënga, thjeshtë e ka mbajtur dhe e ka bërë unik popullin, e ka ngritur edhe në aspektin kulturor, por edhe e ka fleksibilizuar për të ditur për të dashuruar dhe për të qenë i dashur. Kështu pra, këngëtarët dhe artistët e muzikës i ruanin dhe i begatonin vlerat shpirtërore dhe kulturore. Në mesin e tyre ishte edhe Hivzi Vokshi-Picaku nga Peja, i cili me zërin e tij ka pushtuar zemrat e secilit dashamir dhe adhurues të këngës popullore qytetare, dhe kështu, gjërave më të bukura dhe më të çmueshme ua shtonte vlerën, kurse përmes këngës, ai dhe shumë këngëtarë të tjerë e shtonin dhe e zgjeronin ndikimin për themelimin e shumë shoqërive kulturo-artistike, në gjirin e të cilave tuboheshin këngëtarë dhe talent të rinj, të cilët më vonë edhe u bënë themel dhe histori e vlerave muzikore dhe kulturore.

Zëri dhe kënga e Hivzi Vokshit-Picakut, ka ditur që ta kënaq secilin njeri, t’i japë kuraje e dëshirë për punë dhe jetë, bile edhe atëherë kur zëri i tij ta ka detyruar lotin i cili ka përcëlluar nga përjetimi dhe malli.

 

Kënga si element i qëndrueshëm i forcimit të kauzës kombëtare

 

Atëbotë, kënga nuk ishte vetëm sa për t’u kënduar, por ajo ishte edhe mesazh dhe forcë, dhe si e tillë ka mbetur edhe sot e kësaj dite, e cila, edhe atëherë, edhe tash, me siguri se do të na sjellë me kujdes vlera të larta artistike, vlera muzikore dhe kulturore, të cilat shërbyen edhe si element i qëndrueshëm i forcimit të kauzës kombëtare. Andaj, ato këngë edhe tani i kujtojmë, i përjetojmë dhe i çmojmë lartë si thesar të çmueshëm. Vlerat e tilla i kujtojmë me pietet dhe me respekt, sepse, periudhat e kaluara të zhvillimit të vlerave shpirtërore dhe kulturore, pra edhe të atyre muzikore, janë pjesë e ndritshme e historisë, e cila një popull e bën të pavdekshëm dhe madhështor.

Gjërat e tilla janë sumblimuar dhe gërshetuar përmes këndimit, përmes muzikës dhe dashurisë  për të krijuar vlera, për t’i bërë ato me peshë, domethënëse dhe të pavdekshme. Kështu kanë vepruar grupet muzikore e më vonë shoqëritë kulturo-artistike, të cilat kanë qenë të adhuruara dhe shumë të respektuara nga secili qytetar, nga i madh dhe i vogël. Bile, në këtë mënyrë është provokuar edhe ëndrra e talenti tek gjeneratat e reja, të cilat pastaj merrnin guximin për ta sprovuar vetveten, zërin dhe talentin e tyre për t’u bërë këngëtar si Hivzi Vokshi-Picaku.

Andaj, puna dhe vepra e këtij këngëtari dhe e shumë të tjerëve, kërkojnë nevojën dhe angazhimin për t’i studiuar vlerat e tyre, dhe kështu, përmes analizave dhe shkrimeve të ngjashme t’i sjellim ata në vendin që meritojnë, t’i bëjmë ata të pavdekshëm përmes shkrimeve mbase edhe librave, sepse, në këtë drejtim nuk është punuar sa duhet, për të mos thënë, nuk është punuar fare.

E tërë kjo begati, i tërë ky thesar artistik, sot e kësaj dite me ëndje e me krenari komentohet, por duke u përcjellë vetëm gojarisht prej njërit në brezin tjetër. Kështu që, kjo formë tani konsiston që vlerat e së kaluarës t’i shndërrojmë në dokument të qëndrueshëm e jo t’i lëmë vetëm si gojëdhënë!

 

Këngëtari që përmes këngës i dha kuptim dhe vlerë jetës

 

Çfarë kanë thënë për Hivzi Vokshin-Picakun

 

Ka shumë njerëz që me pietet të lartë e kujtojnë këtë këngëtar, por edhe me krenari flasin për zërin dhe këngën e tij.

-Zëri i Hivzi Vokshit-Picakut, edhe sot mahnit kur e dëgjojmë përmes valëve të radios, por edhe në gjirin familjar të atyre që e kujtojnë dhe e adhurojnë këtë këngëtar të rrallë të këngës popullore qytetare. Kur flitet për te, atëherë zhvillohen biseda dhe debatohet por edhe evokohen kujtime për ato kohëra të shkuara kur kënga ishte në piedestalin e respektit dhe të ringjalljes së kultit për kulturën dhe vlerat e saj, ka thënë Adem Mullarama, violinist i dikurshëm i SHKA “Përparimi”.

Hivziu me shokët e vet ka ditur t’i këndojë më shumë se 300 këngë, por edhe është kënduar 1-2 orë pandërprerë..., vazhdon rrëfimin, Mullarama.

-Ndejat dhe gazmendet i ndritnin vlerat muzikore, e në këtë, i patejkalueshëm ishte zëri i Hivzi Vokshit-Picakut, thotë Xhevat Nallbani, solist dhe bashkëkohës i Hivziut.

-Kam karrierë në këndim, por disa këngë që i ka kënduar Hivziu, nuk mund t’i këndojë me aq përjetim dhe art të lartë, thotë këngëtari i mirënjohur, Ismet Peja.

Ngjashëm rrëfejnë edhe shumë të tjerë, si Skënder Harxhi, Hashim Shala e shumë e shumë të tjerë.

 

Foto nga nëntori i vitit 1965: Qamili i Vogël, Hivzi Vokshi-Picaku,Bajrush Doda, Hashim Shala, Tahir Drenica dhe Qazim Krasniqi së bashku me disa adhurues të këngës popullore qytetare.
Foto nga nëntori i vitit 1965: Qamili i Vogël, Hivzi Vokshi-Picaku,Bajrush Doda, Hashim Shala, Tahir Drenica dhe Qazim Krasniqi së bashku me disa adhurues të këngës popullore qytetare.
Një prej shembujve më të mirë për të na provokuar dhe për të na zgjuar mendjen, është edhe këngëtari-legjendë i asaj kohe, Hivzi Vokshi-Picaku, përmes të cilit dhe përmes këngës së tij, që edhe tani ruhet në fonotekat e fanatikëve të muzikës popullore qytetare por edhe në disa radio- stacione, reflekton begati shpirtërore por e dëshmon për çiltërsinë e popullit, madhështinë e tij imagjinatave dhe forcën e dashurisë, që gjithnjë ishin themel i forcimit dhe i ndërtimit të karakterit dhe të qëndresës. Këtu qëndron edhe madhështia e këtyre këngëtarëve siç ishte Hivzi Vokshi-Picaku, që kanë vënë në spikamë kurrë pa u lodhur xhevahirtë dhe vlerat e pakontestueshme muzikore dhe kulturore të kombit.

Kështu, Peja shndërrohet në vatër të vlerave të mirëfillta muzikore, për çfarë janë vule e kohës shumë SHKA, klube dhe grupe edhe muzikore por edhe të fushave të tjera kulturore. Disa prej tyre ishin edhe: Seksioni i dramës (më vonë Teatri i qytetit të Pejës, i cili u themelua në vitin 1949), SHKA “Përparimi”, Orkestrina e mandolinave, Orkestra frymore etj. Të gjitha këto që i theksova, në gjirin e tyre janë bashkuar talentet dhe entuziastët e të gjitha fushave të kulturës, të cilët janë prezantuar me programet e tyre në shumë qendra e qytete edhe jashtë Kosovës, si në Maqedoni (Shkup, Tetovë, Gostivar, Kumanovë, Strugë etj), në Mal të Zi, por edhe në Serbi dhe në Bosnjë.

Në këtë drejtim, vlerat e kulturës pejane por edhe ato kombëtare i afirmuan Orkestrina e mandolinave dhe ajo frymore. Ndërsa, grupet muzikore, të cilat programet e tyre më shumë i “shfaqnin” me rastin e ndejave nëpër shtëpi, por edhe në dasma, e që atëbotë e kishin karakteristikën e veçantë, sepse dasmorët, për ta marrë nusen nuk shkonin as me pajton dhe as me ndonjë gjë tjetër, por shkonin këmbë. Kështu që, përgjatë rrugës tuboheshin qindra njerëz për ta shikuar e përcjellë, e besa edhe për ta shijuar e përjetuar gazmendin, e në këtë rast, veçmas për t’i parë e për t’i dëgjuar këngëtarët, të cilët si orkestër muzikor u prinin dasmorëve, e në mesin e tyre, ka qenë e pamundur të mos jetë këngëtari, Hivzi Vokshi-Picaku.

 

Ky këngëtar i veçuar, i cili qysh si fëmijë i moshës trevjeçare kishte ngelur pa baba, si i ri, me zërin e tij pushton zemrat e njerëzve, gjë kjo e cila gjithnjë e më shumë begatonte repertorin e grupeve muzikore, por njëherësh edhe zbulonte talentet e rinj. Ai, së bashku me Make Sadikun e me shumë të tjerë (kësaj radhe po flasim vetëm për Hivzi Vokshin-Picakun), joshi dhe u dha vlerë talentit e dhuntisë për këngë. Ky talent i rrallë i cili u lind në vitin 1918, qysh herët, por në mënyrë aktive u angazhua në shprushjen e këngës dhe në flakërimin e saj që në vitin 1936, dhe atë në të gjitha grupet muzikore. Kjo ngase, zëri i tij ishte me ngjyrën dhe timbrin që këngës i jepte vlerë e kuptim të veçantë. Andaj, në saje të tij dhe të shumë këngëtarëve të tjerë u poqën kushtet për themelimin e SHKA “Përparimi”, e cila në atë kohë pothuaj se ishte boshti dhe kurrizi i zhvillimit të të gjitha aktiviteteve kulturore. Tanimë, në këtë shoqëri kyçen shumë këngëtarë të dëshmuar, si: Make Sadiku, Shyqri Tabaku, Fahredin Trakaniqi, Muhamet Muhaxheri, Sefë Bakraçi, Mati Bakraçi, Xhevdet Nallbani, Sefer Haxhiu, pastaj Emin Valla, Jahja Sapunxhiu, Sylë Sapunxhiu, por edhe shumë këngëtarë dhe instrumentalistë të tjerë.

 

SHKA “Përparimi” e Pejës (Foto 1957) në mesin e shumë anëtarëve edhe këngëtari i mirënjohur, Hivzi Vokshi-Picaku
SHKA “Përparimi” e Pejës (Foto 1957) në mesin e shumë anëtarëve edhe këngëtari i mirënjohur, Hivzi Vokshi-Picaku
Zëri si dhunti që këngëtarin e shndërron në idhull dhe në emblemë kulture

 

Është për të theksuar se zëri i Hivzi Vokshit-Picakut, ka mbetur në historikun muzikës të shumë qyteteve të Kosovës por edhe jashtë saj. Ka mbetur kujtim dhe vlerë thelbësore edhe në shumë familje, ku ai me grupet muzikore këngën e shndërroi në dashuri e lumturi. Bile, shpeshherë është thënë e përsëritur se Hivzi Vokshi-Picaku e Make Sadiku janë bilbilat e Pejës, ashtu siç është thënë edhe për Ymer Rizën, Qamilin e Vogël dhe për Nexhmije Pagarushën. Ishte pra kjo një peshë dhe vlerë që Hivziun e bënte emblemë dhe njeri me vlera të veçanta, të cilat as nuk harrohen por edhe as që mund të harrohen.

 

Kush ishte Hivzi Vokshi-Picaku?

 

...Hivzi Vokshi-Picaku u lind në vitin 1918 në Pejë dhe vdiq në vitin 1990. Ai, që në moshën e re kishte ngelur pa babanë, dhe prej aty sikur mbi supet e tij bie barra e jetës. Babai i tij ishte zejtar, kurse Hivziu po ashtu ishte zejtar. Ai, deri në vdekje ushtroi zejen e rrojtarit-berberit.

Në moshën 16-vjeçare fillon ta ushtrojë e zbulojë talentin e vet të rrallë prej këngëtari. Ndërsa, në vitin 1936, bëhet një prej anëtarëve më të dashur dhe më të preferuar të grupeve muzikore, të cilat grupe pastaj rezultuan në SHKA “Përparimi”, e cila me sukses dhe me nam punon që nga viti 1945.

Hivziu, tërë jetën ia kishte kushtuar këngës popullore qytetare, e cila ishte bërë pjesë me rëndësi por edhe faktor i zhvillimit të rrjedhave muzikore dhe kulturore. Tash, fëmijët e tij: Mahiri, Fahriu, Shaqiri, Nazmiu, Melihatja dhe Kujtimi, por edhe ata që e deshën këngën dhe e adhuruan zërin e tij, i ruajnë kujtimet dhe vlerat e këtij këngëtari me merita të veçanta...

 

Vlerave të tij ia shtonin peshën edhe shumë virtyte të tjera. Si këngëtar i dalluar, ai tani kishte kontakt dhe bashkëpunim me shumë këngëtarë anë e kënd Kosovës, si me Ymer Rizën, Qamilin e Vogël, me babain e Ismet Pejës e më vonë edhe me Ismet Pejën, me Hashim Shalën, Tahir Drenicën, Bajrush Dodën e me Qazim Krasniqin, por edhe me shumë e shumë të tjerë, duke përfshirë këtu edhe gjeneratat që vijnë pas tij. Kurse, në vitin 1957, në Turqi takohet edhe me këngëtarin mirënjohur turk, Zeki Myren.

 

SHKA “Përparimi”(1956)
SHKA “Përparimi”(1956)
Vlera e këngës së Hivzi Vokshit-Picakut, në atë kohë ishte e shumëfishtë, sepse, përmes saj, pos tjerash, me fanatizëm afirmoheshin, ruheshin dhe përcilleshin tek gjeneratat këngët që kanë dalë nga vetë populli, nga ndijimi i tij nëpër periudha e në rrethana specifike. Mirëpo, për habi, tash shumë këngë që këndoheshin atëherë, janë zvetënuar apo edhe ato po harrohen gradualisht, siç janë këngët: “ Prej zemanit të djemve t’ri”, “Pa trashëgim paske qenë”, “Dalëngadalë po vjen behari”, “Kënga e Rexhës”, “Kënga e Avdisë” etj. e që secila e ka vlerën dhe peshën e vet historike dhe përmbajtjesore, të cilat kanë reflektuar gjërat më thelbësore të njeriut tonë, ngjarjet më të ndritshme, më tragjike, më të dhembshme dhe më të lumtura, e që si të tilla janë pasqyra më e saktë e jetës dhe e popullit. Andaj, këtu qëndron edhe vlera edhe pesha e personalitetit të Hivzi Vokshit-Picakut, i cili nuk duhet të harrohet, sikurse që nuk duhet të harrohen edhe shumë këngëtarë por edhe krijues e personalitete të tjera të shquara të kulturës.

 

Këngët e tij janë incizuar në studiot e Radio-Prishtinës në vitin 1950 e këndej. Andaj, ato duhet të ruhen por edhe të trajtohen si thesar i çmuar i muzikës së vjetër qytetare, edhe si thesar i kulturës përgjithësisht. Për të gjitha këto, me admirim flasin të gjithë ata që e kanë njohur dhe e kanë dëgjuar dhe përjetuar këngën e Hivziut, siç janë shumë kolegë e dashamirë të muzikës popullore qytetare: Adem Mullarama, Ismet Peja, Hashim Shala, Xhevdet Nallbani, Skënder Harxhi, Shyqri Tabaku, Tahir Drenica, Ramadan Krasniqi-Dani, Islam Kajtazi etj.

Emrat e tillë që kanë lënë gjurmë, pra, jo vetëm se nuk duhet harruar, por talentin, dhuntinë, kontributin dhe veprën e tyre duhet studiuar e nderuar, duke i bërë ata pjesë të historisë dhe të vlerave shpirtërore ashtu edhe siç në të vërtetë janë. Kjo i nevojitet kompletimit të rrjedhave të vlerave dhe të historisë së kombit, në ç’drejtim ende duhet punuar shumë e shumë. Sepse, po ashtu Pejës, por edhe kombit i mungojnë veprat të cilat duhet të ndriçojnë të kaluarën ashtu si duhet dhe si e meriton dhe atë në të gjitha fushat, pra edhe në kulturë.