E merkure, 24.04.2024, 07:54 PM (GMT+1)

Kulturë

Suksesi i fundit i këngëtares Alicia Keys

E diele, 09.12.2007, 11:57 PM


Alicia Keys
Alicia Keys po jeton ëndrrën e saj. Ajo është nderuar me nëntë çmime Grammy, 11 çmime Billbord Music, tre çmime nga American Music dhe shumë të tjera. Alicia sapo ka nxjerrë albumin e saj të katërt, As i Am, që ashtu si tre CD-të e para kanë arritur në vendin e parë të klasifikimeve. Me dy filma dhe CD-në e saj të re, Alicia ka patur një vit të ngarkuar. Ajo ishte kohët e fundit në Zërin e Amerikës dhe bisedoi me kolegun tonë Larry London.

Pasi u diplomua nga shkolla prestigjoze e Interpretimit të Artit Profesional në Nju Jork në moshën 16 vjeçare, Alicia Keys nënshkroi një kontratë regjistrimi me kompaninë So So Def. Megjithëse kompozoi një këngë për filmin Men In Black, muzika e saj nuk tërhoqi shumë vëmendje. Kjo nuk ndodhi derisa drejtuesi i kompanisë J-Records, Clive Davis e zbuloi atë në vitin 2000 kur filloi edhe karriera e saj. Një vit më vonë, pasi nënshkroi kontratë me J-Records, ajo nxorri CDnë e parë Songs In A Minor. Albumi përfshinte këngën e suksesshme “Fallin” që qëndroi në krye të klasifikimit Billbord Hot 100 për gjashtë javë. Atë vit Keys fitoi çmimin si artistja më e mirë e vitit. Alicia shpjegon krijimin e albumit të ri As I Am. "M'u desh kohë. Përveç filmit, është jeta personale, familja dhe gjëra të tjera të rëndësishme që kërkojnë kujdes. Vërtet që mu desh ta mbyllja veten. Shkova në studio për tetë muaj rresht dhe krijova këtë muzikë. Është e pabesueshme dhe jam shumë e entuziazmuar prej saj".

Cd-ja e re përfshin bashkëpunime me këngëtarë të talentuar si Hohn Mayer dhe Linda Perry. "Kjo është e veçanta tjetër e këtij albumi. E shkëputa veten nga si të thuash zona e rehatshme dhe punova me njerëz që gjithmonë i kam admiruar por nuk kisha punuar kurrë më parë. Ky bashkëpunim krijoi një variete tingujsh dhe hapërisash. Është e pabesueshme. Mezi pres të dëgjohet muzika ime".

Me tre albumet e saj të para që arritën majat e klasifikimit, dhe me këngën As I Am në krye që javën e parë, Keys thotë se nuk ndjeu shumë presion për të përsëritur suksesin e saj të mëparshëm me albumin e katërt. "Ndershmërisht ju them që nuk ndjeva presion. Sigurisht që punova shumë dhe shpresoj se bota do ta dojë muzikën time aq sa e dua unë. Por për mua kjo është gjëja më e rëndësishme, efekti që ka muzika ime tek njerëzit. Ata e ndjejnë atë që dua të them dhe krijojnë një lidhje me të".

Alicia Keys interpreton këtë vit në filmin Smokin Aces përkrah aktorëve Ben Affleck, Ray Liotta dhe Andy Garcia. Filmi i dytë i saj këtë vit ishte The Nanny Diaries me Scarlett Johansson. Keys ka pranuar të interpretojë në një film të tretë. "Është një film që ka si producente Halle Berryn. Është historia e një gruaje fantastike të quajtur Philippa Skyler e cila u rrit në vitet 40. Ajo ishte gjysëm e bardhë, gjysëm zezake dhe një pianiste brilante. Gjatë asaj kohe, ishte e vështirë për të të luante piano në vende që do ta lejonin. Ajo luftoi për të gjetur vendin e saj në botë, duke qënë një kompozitore e shkëlqyer e muzikës klasike por që nuk pranohej në atë kohë. Po punojmë për këtë projekt dhe shpresoj të përfundojë së shpejti".

Keys është nderuar me 80 çmime nga industria e muzikës që nga viti 2001. Ajo thotë se ia ka dhënë medaljet menaxherit të saj pasi nuk ndjehet mirë t’i mbajë ato në shtëpi. "Më pëlqen të kem një jetë normale – të rehatshme. Më pëlqen ta shtyj veten për t’u bërë njeri më i mirë por jo nga çmimet që marr". Ajo është 27 vjeç dhe karierra e saj vetëm sa ka filluar. "Pa dyshim që po jetoj një ëndërr dhe jam shumë mirënjohëse për këtë. Çdo ditë jam mirënjohëse për gjërat që mund të bëj. Pa dyshim që është punë e vështirë, mos më keqkuptoni. Nuk është e lehtë. Por unë e dua punën dhe kur do diçka kaq shumë sa e dua unë muzikën, është kënaqësi të jesh në gjendje të provosh këtë ndjenjë". Keys do të fillojë një turne botëror në Evropë fillimisht në shkurt të vitit 2008. por tani për tani ajo do të vazhdojë të ashtuquajtur Turneu Buzzshow me disa ndalesa në Shtetet e Bashkuara.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora