E merkure, 24.04.2024, 11:23 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

"Vetëvendosje": UÇK-ja nuk mund të njolloset me bëmat e Hashim Thaçit

E enjte, 16.12.2010, 10:35 PM


Lëvizja "Vetëvendosje" ka reaguar ndaj raportit të Dick Martyt, duke vlerësuar se pretendimi për ta njollosur UÇK-në, kësaj radhe nëpërmjet Hashim Thaçit, është tendencë e turpshme dhe e papranueshme, që synon ta degradojë në aktivitet të ulët e kriminal luftën çlirimtare të popullit të Kosovës.

"UÇK-në nuk mund ta njollosë kush përmes Hashim Thaçit, apo cilitdo individ. Pavarësisht faktit që persona të caktuar mund ta kenë keqpërdor luftën fisnike çlirimtare me qëllime të pastra për përfitime personale, kjo nuk mund të përzihet me përpjekjen e popullit tonë për liri, një përpjekje fisnike për të dalë nga prangat e dhunës e për t'i shpëtuar shtypjes e spastrimit etnik", thuhet në komunikatën e "Vetëvendosjes".

UÇK-ja, sipas Vetëvendosjes, i përket sublimimit të luftës dhe sakrificës historike të shqiptarëve për çlirim, 2,500 dëshmorëve të luftës së fundit, familjeve të dëshmorëve, veteranëve e invalidëve të luftës dhe "kushdo që mund ta ketë keqpërdorur UÇK-në, nuk mund të fshihet pas UÇK-së".

Në anën tjetër, kjo lëvizje thekson se nëse KE-ja dhe BE-ja dyshojnë në Hashim Thaçin, le të mos e shfrytëzojnë atë vetëm sa për ta njollosur UÇK-në, por në vend që ta trajtojnë atë si partnerin e tyre kryesor strategjik në mbajtjen e stabilitetit në kurriz të popullit të Kosovës, le ta vendosin para drejtësisë.

"Ne druhemi se këto pretendime të Këshillit të Evropës nuk janë në funksion të drejtësisë, por gjithnjë drejt rritjes së trysnisë ndaj Hashim Thaçit për negociata dhe koncesione të reja me Serbinë për hyrjen e saj sa më të përshpejtuar në BE. Populli i Kosovës nuk ka pse ta paguajë çmimin e makinacioneve të stabilitetit rajonal nëpërmjet figurave politike të lidhura me krimin e organizuar ballkanik. Edhe bastisjet e EULEX-it nëpër ministri dhe shtëpitë luksoze të politikanëve, kurrë nuk u pasuan me drejtësi, por vetëm me presion politik në shkëmbim të dëgjueshmërisë", theksohet në komunikatë.

Vetëvendosje vlerëson se të gjitha këto akuza, të cilat po mbesin vetëm akuza, po bëhen vetëm tash para negociatave me Serbinë. Boris Tadiqi tha se do të bisedojë me Thaçin përderisa nuk janë vërtetuar akuzat e KE-së.

"Gjithçka po tregon se Tadiqi po ia kthen Hashim Thaçit dashurinë", vlerëson "Vetëvendosje".



(Vota: 3 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora