E enjte, 28.03.2024, 01:59 PM (GMT)

Mendime

Gjergj Xexo: Paradhoma e ferrit

E enjte, 03.01.2008, 04:56 PM


Paradhoma e ferrit

Nga Gjergj Xexo

Asgjë në të nuk të ndjell Qoftëlargun.
As muret e pastra dhe të bardha, të lyera me hidromat, as edhe era e lehtë e produkteve të pastrimit të dyshemesë, as edhe dy tryezat e mëdha prej druri të shëndrishëm përballë, të ngritura mbi podiume të larta. Dekori i llustruar kërkon të theksojë paasnjanësinë e përfaqsuesit të Ligjit që do të instalohet në të, të paarritshëm nga grupi i njerëzve që do të mbushin së shpejti sallën.
As edhe dritaret e gjera sa një faqe muri që shohin terrenin djerrë të aeroportit. Një fushë e paanë, mbi të cilën – në vend të avionëve - sillen disa sqifterë të vegjël por të durimshëm që rrahin krahët në mënyrë frenetike dhe presin të palëvizshëm në ajër çfaqjen e gjahut.
« Ata vijnë gjithmonë pas kositjes së barit, Presin që minjtë e arave dhe lepujt e vegjël të lëvizin përpara se të bien mbi ta…  ».
Mjaftohem me një të lëvizur të kokës dhe nuk e shoh në fytyrë personin që flet pranë meje. Sigurisht, është polici që më përshëndeti pak minuta më parë në hyrje të sallës boshe. Nuk dyshoj aspak në vërtetësinë e thënieve të tij pasi ai e njeh këtë vend më mirë se shtëpinë. Ai punon aty prej vitesh.
I vetmi element që kontraston me atmosferën e ngrohtë të zyrës është rreshti i stolave të drunjtë. Gjithsej gjashtë rreshta të gjatë, anash të cilave gjenden disa karrike të zeza ku zakonisht ulet një publik me uniformë.
Të gjithë presin me durim grupin e njerëzve që së shpejti do të dalë nga barku i godinës së ulët.
- « Sot janë 25 vetë që do të dëgjojnë vendimin ».
Megjithëse jam i sigurt se gabohem, kam përshtypjen se është i njejti zë me atë të qëparshmin. Zaten, zërat e policëve ngjajnë me njëri tjetrin. Ndoshta për hir të uniformës…
Si zakonisht, të fundit që do të hyjnë në sallë janë gjykatësit dhe ftuesi i gjykatës. Fytyra të lodhura dhe të mërzitura dhe sy pothuaj të shuar që mezi ngrihen nga turra e dosjeve që i ndan nga turma dhe që rrallëherë përshkohen nga buzëqeshjet. Si fytyrat e ngurta të policëve. Të ngurta dhe indiferente, që gjallërohen veçse kur gjenden në sallën pranë të kafesë. Togat e tyre të zeza dhe të gjata janë të vetmet detaje që ndjellin zi. Sigurisht, për të shuar këtë përshtypje, ata mbajnë qafore dhe disa si përparëse të vogla të bardha me pala të imta.
Mundohem t’i heq nga mendja këto fytyra dhe mendimet e zymta që më ngjallin. Ata që më interesojnë janë fytyrat e atyre që do të hyjnë së shpejti dhe që do të mbushin bangat me erën e tyre të qelisë. Fytyrat e « të dënuarve » për të vetmin faj që i ka mbledhur në këtë sallë : « hyrje dhe qëndrim i paligjshëm në territorin francez ». Një faj i tillë ndëshkohet zakonisht me një frazë standard :
- « kthim në ferr ».
Në vendin e tyre të lindjes, të cilin e kanë braktisur pas një mijë e një peripecish. Pra, edhe kjo parajsë në të cilën jetojmë ku demokracia dhe pasuria çfaqen sheshit dhe shpalosen në gazeta dhe në vitrina, ku fjala e politikanëve përmasohet nëpërmjet shprehjes tashmë të famshme « Liri, barazi, vëllazëri », komunikon me ferrin. Veçse kalimi nga njera botë në tjetrën sigurohet me teknologjinë e sotme të çarterëve, pasi që përfaqsuesit e asaj bote (punonjësit e Konsullatave dhe të Ambasadave) në këtë tjetrën (të Ligjit, të gjykatave dhe të burgjeve) sigurojnë lidhur me nënshtetësinë e kandidatëve drejt skëterrës aq mikpritëse.
Ja përse sallën ku ndodhem e kam quajtur në intimitet « paradhoma e ferrit ».

* * *

Tashmë salla është plot. Burra dhe gra që presin të tensionuar hyrjen e gjykatësve, ndërkohë që mundohen të shkëmbejnë ndonjë fjalë me fqinjin e tyre të stolit. Dalngadalë zërat shpengohen dhe bëhen më të sigurt, më të lartë. Diku dëgjohet edhe ndonjë e qeshur. E matur. Arabishtja e zvargur, turqishtja me llë-të e saj të papërsëritshme, spanjishtja e shpejtë dhe nervoze, anglishtja e sakatuar e afrikanëve… një « kullë e Babelit » në miniaturë. Dhe herë pas here disa fjalë në frëngjisht :
- « qetësi ! »
Përderisa gjykatësit ende nuk kanë hyrë në sallë, s’ka polic në botë që të mund të ndalojë pëshpëritjet dhe muhabetet dhe diku, ato bëhen të papërmbajtura. Asnjë fjalë në shqip. Me siguri shqiptari « im » është i vetëm dhe s’ka me kë të bisedojë. I jepem kështu lojës sime të preferuar : « cili nga këta është shqiptar ? ». Hezitoj mes dy-tre fytyrash « tipike » dhe të heshtura. Cilat janë tiparet që dallojnë një shqiptar nga një turk, nga një kurd, nga një bullgar apo rumun ?
Zëri i policit më befason dhe thuaj më tremb :
- « Trupi gjykues. Ngrehuni më këmbë ! »
Pak minuta më pas, salla rigjen gjallërinë e saj të mëparshme. Gjykatësit presin të vijnë avokatët e mbrojtjes :
- « Ku janë ? »
- « Ndoshta në sallën pranë.. i pashë pak minuta më parë që silleshin në koridor. »
- « shko dhe ju thuaj që të vijnë sa më shpejt. Përndryshe do të kalojmë këtu gjithë natën ! »
Një grua police del nga salla dhe humb në korridore në kërkim të avokatëve.
Përfitoj nga momenti dhe i drejtohem në shqip njërit nga ata me fytyre tipike :
- « shqiptar je ? »
I ngrati rrotullon sytë sikur i kërkon ndihmë dikujt. Ja pra qeshë gabuar ! Edhe tipikja mund të të shtjerë në mëkat. Befas dëgjoj dikë një rresht stolash më larg :
- unë jam shqiptar.
Nisem drejt tij dhe i kërkoj fqinjit pranë të shtyhet për të më bërë vend. Më pëlqen të ulem pranë personit që duhet të asistoj dhe pasi kryqëzoj këmbët e mija nën stol, i prezantohem :
- « jam përkthyesi ».
Diku pranë mbi stol mbështes librin që sot kam marrë me vehte. « Historia e Adriatikut ». Një shok i heshtur që më ndihmon të arratisem nga ky mjedis, përgjatë atyre orëve të gjata që ndajnë fundin e seancës nga shqiptimi i vendimit.

* * *

Telefoni i parë sot në mëngjez, îshte ai i ftuesit të gjyqit :
- « a mund të vini sot në sallën e Qendrës së Paraburgimit ? Seanca fillon në orën 14. »
- « S’ka problem. Do të jem aty në orën e caktuar »
- « Mirë u pafshim pra. Përshëndetje ».
Harrova t’i kërkoj emrin e personit që do të asistoja. Zaten, emri nuk të ndihmon aspak të zbulosh një të panjohur në mes të një grupi të huajsh. Bile as edhe të njohësh fatin e tyre të mëtejshëm. Kështu, një a dy herë më parë, në të njëjtën sallë njoha Selamiun. Një burrë i imët dhe i drojtur. Nisur nga dialekti në të cilin shprehej, e pyeta :
- « nga Shkodra ? »
u mendua një copë here përpara se të më përgjigjej :
- « nga Mali i Zi. »
- « nga Mali i Zi i Shkodrës apo i Lezhës ? »
Buzëqeshi disi me zor por ndërhyri e shoqja dhe e nxorri nga sikleti :
- « kemi deklaruar se jemi nga Mali i Zi. Për punën e azilit. »
Pasi Selamiu gjendej në Qendër bashkë me gruan dhe me dy fëmijët e tij të vegjël. Vajza kishte 8 vjeç dhe djali 7. Pasi fola me ta gjerë e gjatë, si gjithmonë në pritje të avokatëve dhe të gjykatësve, një moment u revoltova papandehur dhe dola nga salla, në kërkim të përfaqsuesve të një shoqate që i ka zyrat po në Qendër dhe që përpiqet për mbrojtjen e të drejtave të të huajve. Në zyrë gjeta një vajzë të re dhe ju drejtova paksa me inat, bile pa e përshëndetur :
- « si ka mundësi që fëmijët e mitur janë të detyruar të jetojnë në burg me prindërit e tyre, kur këta të fundit janë « fajtorë » për qëndrim pa leje në vend ? Çfarë thotë ligji lidhur me fëmijë të tillë ? A mund të jetë fajtor një i mitur për qëndrim pa leje në një vend, ndërkohë që ligji nuk e detyron të pajiset me pashaportë ? Pra, cili është faji i tij ? »
Fort e bezdisur, vajza e re u mundua të më shpjegonte pikpamjen e saj lidhur me kërë rast. E vetmja gjë që arrita të kuptoj ishte se ata ishin krejtësisht të pafuqishëm për të ndërhyrë.
- « me çfarë merreni atëhere këtu tërë ditën e ditës ? »
Dola nga ajo zyrë dhe shkova u ula pranë Selamiut.
Kësaj rradhe, pyeta një nga policët e sjellshëm nëse dinte gjë lidhur me fatin e Selamiut. Ai ngriti supet :
- « sa persona shohim ne këtu… »
- « Nuk ju flas për persona, por për një familje të tërë, me dy fëmijë. Kaq shumë familje të tilla keni këtu brenda saqë nuk arrini t’i dalloni ? »
Ai s’foli dhe ktheu vështrimin gjetkë.
- « ata ndenjën në Qendër përgjatë 34 ditësh » - këmbëngula përsëri.
Polici më hodhi një vështrim të shpejtë, bëri të thoshte diçka por heshtja e tij ishte kryeneçe. Kështu humba gjurmën e Selamiut dhe të familjes së tij që me siguri kishin integruar ferrin amëtar. Diku mes Malit të Zi dhe Shkodrës së lindjes.. Pas 5 vjetësh të humbura në Francën e dëshiruar në kërkim të një azili që nuk erdhi kurrë. Bile muajt e fundit ata flinin në një veturë.. deri sa policia kapi prindërit në një supermarket të një qyteti jugor, pasi kishin rrëmbyer një copë mish.

Shqiptari i sotëm ishte nga Tirana. Nga Sharra.
- « si e ke mbiemrin, Allmuça apo Xhameta ? »
- « Xhameta. Allmuçat janë nga Vaqarri. »
Ai më shihte paksa i habitur. E njihja fshatin e tij sikur të ishte xhepi im. I vogël, i kisha bredhur ato kodra thuajse çdo ditë në kërkim të breshkave ose të zogjve.
- « po shtëpinë ku e ke ? sipër në fshat apo nga ana tjetër e kodrës ? »
- « tek varrezat, Prapa murit të varrezave ».
Bzëqesha pasi më vërshuan kujtimet. Isha i kënaqur që kisha gjetur një bashkëvendas, Bile më tepër se një bashkëvendas, gati një bashkëfshatar. Vetëm koha na ndante. Edhe momenti i tashëm, pasi ai gjendej nga ana e keqe e barrikadës dhe sipas të gjitha gjasave do ta shihte Sharrën e tij të lindjes shumë më shpejt se sa unë.
Megjithë shkëmbimin e frazave të para, e ndjeja se më shihte pjerrtas dhe disi me mosbesim. Me siguri, mendonte se unë kisha diçka të përbashkët me ata policët, me gjykatësit… Për të unë isha pjesë e atij sistemi që e mbante në kthetra dhe që donte t’a dëbonte sa më shpejt. As që u mundova t’i ktheja mendjen. Herë të tjera kisha dështuar plotësisht. Bile sa më tepër që mundohesha të bindja dikë, aq më tepër i shtohej mosbesimi.
Dikur, avokatët u paraqitën në sallë dhe procedura gjyqësore rigjeti ritmin e saj të çoroditur. Njëri pas tjetrit, të huajt u paraqitën përpara gjykatësit dhe pas një procedure disaminutëshe, ai shqiptonte shprehjen tashmë klasike :
- « Vendimi ndaj jush do të shqiptohet pas tre orësh. Mund të uleni ».

* * *
Më në fund munda të gjendem vetëm, në shoqëri të librit tim të heshtur që kësaj rradhe mbeti i mbyllur. Vështrimi më shkiste tej dritareve të gjera, në kërkim të sqifterëve të palodhur që ende kërkonin gjahun e padukshëm. Vetëm një sqifter kish mbetur. Gjithmonë në ajër, thuaj i palëvizshëm, megjithë afrimin e territ. U mundova të dalloja diçka në mes të barit të kositur që po vdiste mbi fushën e aviacionit, diçka që i fshihej syrit të pamëshirshëm të zogut grabitqar. Më kot.
- « A do një kafe ? ta ofroj.. »
Ishte polici i sallës. Ai i Selamiut. Ndoshta donte të korrigjonte qëndrimin e mëparshëm, ndoshta mendonte si ai sharrjoti që unë isha « i dorës së vet ». Nuk ju përgjigja dhe bëra një lëvizje koke të papërcaktuar dhe ndjeva që hezitoi për ta interpretuar. Përfundimisht, ai u largua.
- "A ta merrte mendja se do të takoheshe sot me një sharrjot ?"
Me sa dukej po flisja me vehte. Sidoqoftë, herë pas here, fati e sillte të takoja ndonjë të njohur. Si puna e atij djaloshit kosovar nga Peja që e kisha parë për herë të parë në mes të rrefugjatëve të Kosovës në Tuluzë, në vitin 1999. Pas dy muajsh, ai kërkoi të kthehej në vendlindje. E ripashë pas 6 vjetësh, në një komisarjat policie të qytetit. E kishin kapur në stacion të trenit, në shoqëri të një vajze, pasi po kthehej nga Spanja. Menjëherë më dha të njohur :
- "si ja çon Ilir?"
- "Më quajnë Erzen" - dhe më vështroi në dritë të syrit.
Kësaj rradhe ai kish vendosur të quhej Erzen. Ashtu qoftë.. U pamë për herë të fundit në të pashmangshmen Qendër të Paraburgimit. Përpara se të humbisja rishtas lidhjet me të.
I përhumbur në këto mendime, m’u zhduk zogu nga pamja.
Këtë sharrjotin « tim » policët e kishin kapur në qytet, pasi shoku i tij që ngiste veturën kish harruar të vinte rrypin e sigurisë. E pra, sharrjoti megjithëse në sediljen prapa e kish vënë atë të uruar rryp por s’mundi të shpëtojë.
- « një shkelje flagrante e Ligjit » - komentoi avokati i tij mbrojtës. Pasi, në një veturë të ndalur pasagjerët nuk ishin të detyruar të mbanin rrypin e vënë ndërkohë që policët nuk mund të kontrollonin identitetin e pasagjerëve në një automjet që ecte. Aq më pak, Ligji i lejonte këta të fundit të kërkonin dokumentat e një personi që s’kish bërë asnjë shkelje. Shkelje apo jo shkelje, sharrjoti kish përfunduar në paradhomën e ferrit. Sikundër edhe ajo gruaja nga Fieri që e kishin kapur xhandarët në mes të turmës së pelegrinëve në shpellën e Zonjës së Papërlyeme të Lurdës, ose ai djaloshi nga Tirana që ecte me biçikletë mbi trotuaret e qytetit të Po-së, ose ai tjetri që s’kish mundur të asistonte deri në fund në rregjistrimin e martesës të të vëllait në Bashki…
- « Tê gjithë « klandestinët » kapen ndërkohë që mundohen të jetojnë normalisht sikundër dhe vendasit, në mes të turmës së përditshme ».
Befas, morali lakuriq i parajsës m'u shfaq përpara syve: gjuetia e minjve të arave që dalin nga bari i kositur i fushës, me anë të sqifterit të padukshëm që i ruan duke u sjellë në ajër. Sidoqoftë sot, gjahu i vërtetë gjendej në paradhomë dhe priste me durim vendimin e gjykatësit. Për t’u kthyer në ferr, në mëshirën e të tjerëve sqifterë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora