E merkure, 24.04.2024, 06:14 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Çështja çame, debat në parlamentin e Greqisë

E merkure, 15.12.2010, 10:21 PM


 Nga Tedi Blushi, Gazeta Shqiptare

 

Çështja çame dhe vendimi pro liberalizimit të vizave për Shqipërinë, e kanë kthyer parlamentin grek në një arenë të ashpër debati. Shkak është bërë partia e katërt më e madhe në Greqi, LAOS (Alarmi Ortodoks Popullor), e cila ka kërkuar me insistim një interpelancë me ministrin e Punëve të Jashtme, Dimitris Droutsas, lidhur me deklarata e kreut të Partisë për Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, për përkujtimin e "Ditës së genocidit çam" në Igumenicë, në vitin 2011. Gazeta greke "Proinos Logos", në numrin e saj të datës 12 dhjetor ka zbardhur fjalën e kreut të deputetëve të LAOS-it, Ioanis Korandis në parlamentin grek, jo vetëm kundër idesë së PDU-së për të kujtuar në Greqi genocidin, por edhe kundër politikës së Greqisë, që sipas tij, ka lënë në mëshirë të fatit minoritetin grek në Shqipëri.

Çështja çame

Në artikullin e "Proinos Logos", Korandis citohet të jetë shprehur se pretendimet e çamëve për genocid janë vetëm në fillimet e tyre. "Por sigurisht, qeveria Berisha, e cila ka përfshirë partinë e çamëve në koalicion, do të përpiqet të nxjerrë në pah këtë çështje duke organizuar të tilla festime. Por, ajo që mund të ndodhë është më e rëndë se kaq. Një numër i pakontrolluar shqiptarësh mund të vijnë në Greqi, në mënyrë që të ndjekin këtë manifestim. Ngjarja të cilën çamët duan të zhvillojnë në shtetin grek, sigurisht që nuk ka qëllim tjetër, vetëm e vetëm që të manifestojnë genocidin që ata pretendojnë. Sigurisht që kjo gjë ngre një pikëpyetje të madhe në lidhje me 'kthimin e pronave', të cilat ata kanë vite që i kërkojnë, duke arritur kulmin vitin e shkuar gjatë vizitës së zyrtarëve grekë në Shqipëri", shkruan gazeta greke, duke iu referuar pyetjes së bërë nga ana e deputetit të LAOS-it në parlament. Korandis ka shtuar më tej se Greqia ka lënë në mëshirë të fatit minoritetin grek në Shqipëri dhe kjo gjë do t'i kushtojë shumë shtrenjtë vendit në vitet e ardhshme. "Sot, në pjesën veriore të Epirit ka ende njerëz që vuajnë terrorizmin e shqiptarëve të armatosur", - është shprehur Korandis.

Liberalizimi i vizave

Kreu i grupit të deputetëve të LAOS-it, në fjalën e tij ka kërkuar gjithashtu shpjegime zyrtare nga Droutsas, pse nuk ka shprehur asnjë fjalë kundër liberalizimit të vizave për Shqipërinë. "Vendimi i fundit i Këshillit të Ministrave të Europës e vendos Greqinë në një parametër shumë të rëndësishëm. Mbajtësve të pasaportave shqiptare u hiqen vizat për hyrjen në vendet e BE-së që nga java e ardhshme, dhe më saktë nga 17 dhjetori. Nga ajo ditë dhe më vonë, shteti grek dhe çdo shtet europian nuk do të ketë më fjalën e vet se kush dhe sa shtetas shqiptarë do të mund të hyjnë në vendin e tij. Vlen të theksohet se vendimi në fjalë u mor unanimisht, ndërsa ministri i Jashtëm, z.Droutsas nuk tha asnjë fjalë kundër", - është mbyllur fjala e kreut të deputetëve të partisë LAOS, Ioanis Korandis në parlamentin grek. Partia LAOS e ekstremit të djathtë, e njohur për qëndrimet e saj publike antishqiptare, ka aktualisht 15 deputetë në parlamentin grek. 



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora