Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Berisha dhe Topalli: Akuzat e Dick Marty për Thaçin, abuzive

| E merkure, 15.12.2010, 07:48 PM |


Tirana zyrtare nëpërmjet Kryeministrit Sali Berisha dhe Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli ka hedhur poshtë akuzat e ngritura nga raportuesi i KE, Dick Marty, për kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. Një raport në të cilin kreu i ekzekutivit kosovar identifikohet si bos i mafias në Kosovë. Qëndrimi i autoriteteve shqiptare erdhi gjatë takimeve që ata patën me Drejtorin e Përgjithshëm për Demokracinë dhe Çështjet Politike në Këshillin e Europës, Jean Louis Laurens. Kryeministri Berisha e konsideroi të pabazuar në fakte raportin e Dick Marty, ndërsa akuzoi këtë të fundit për anshmëri politike dhe për abuzim flagrant me autoritetin e Këshillit të Europës.

Sali Berisha: "“Raporti i anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës Dick Marty është një raport totalisht i pabazuar në asnjë fakt, evidencë apo realitet, çka dëshmon për një anësim politik të qartë të autorit, duke përbërë abuzim flagrant me autoritetin e Këshillit të Europës”

 

Në të njëjtën linjë me kryeministrin Berisha edhe kryeparlamentrja Topalli gjatë një takimi të zhvilluar me Jean Louis Laurens konfirmoi të njëjtin qëndrim lidhur me raportin e deputetit zviceran. Sipas zonjës Topalli ky raport është i pabazuar në asnjë fakt, dhe se dëshmon shpërdorim të paprecedent të detyrës nga ish-prokurori Dick Marty.

 

Jozefina Topalli: “Nëse deputeti nuk paraqet fakte për ato që ka shkruar dhe nuk i paraqet këto në Gjykata, do të ishte në nderin e Këshillit të Evropës, të kërkojë një ekspertizë mjeko-ligjore për Raporterin zviceran, si dhe një hetim tërësor rreth rrethanave që kanë shtyrë Dick Marty të prodhojë një raport të tillë . Raporti i Dick Marty është i pabazuar në fakte dhe dëshmon shpërdorim të paprecedent të detyrës nga ai”

 

Raporti i plotë, i bazuar në burime të FBI-s, u publikua në faqen zyrtare të Këshillit të Europës, duke zbuluar detaje të trafikut të drogës dhe organeve, që dyshohet të jenë kryer nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Gjithashtu në të konstatohet se godina e njohur si Shtëpia e Verdhë në veri të Shqipërisë, është përdorur si burg ku mbaheshin të burgosurit serbë, ndërsa operacionet e heqjes së organeve kryheshin në një shtëpi tjetër në Fushë Krujë, 20 km larg Tiranës. Ndërsa kryeministri Thaçi identifikohet në raport si bos i drogës në Kosovë dhe njeri me ndikim në trafikun e heroinës.

 

TV KLAN