E merkure, 24.04.2024, 02:56 PM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Bolshevikë dhe muhaxhirunë: Revolucioni komunist i Leninit dhe Revolucioni Islamik i Muhametit (2)

E marte, 14.12.2010, 10:57 PM


Bolshevikë dhe muhaxhirunë: Revolucioni komunist i Leninit dhe Revolucioni Islamik i Muhametit (2)      

 

Nga Kastriot MYFTARAJ

 

Ashtu si Lenini kopjoi "socializmin e luftës" gjerman, organizimin e ekonomisë së Gjermanisë ëilhelmiane për nevojat e luftës, edhe Muhameti kopjoi praktikën fiskale persiane për marrjen e një të pestës së të ardhurave, nga ana e sundimtarit. Po në Sure El Enfalë, Muhameti shpalli vullnetin e Allahut për raportin numerik të muslimanëve me armiqtë në luftë, çka mund të quhet edhe si Ligji Islamik i Triumfit të Minorancës Fanatike të Dhunshme:

"O Pejgamber! Allahu të mjafton ty dhe besimtarëve që janë me ty. O Pejgamber! Nxiti besimtarët për luftë. Nëse prej jush janë njëzet të durueshëm dhe trima, do t' mundni dyqind armiq, e nëse janë njëqind, do t' i mundni njëmijë jobesimtarë, për shkak se ata janë njerëz që nuk kuptojnë përse luftojnë. Allahu ju bëri lehtësim tash duke ditur se jeni të dobësuar". (Kuran, El Enfalë: 8/64-66)

Kjo është e ngjashme me udhëzimet që jepte Lenini se një minorancë e disiplinuar bolshevike dhe e vendosur për të ushtruar dhunë të pakufizuar, do të triumfonte mbi armiqtë. Është domethënëse që kjo u shpall në suren për plaçkën e luftës. Ky urdhër vlen sot edhe për muslimanët praktikues në shoqëritë ku ata janë minorancë, si në Shqipëri.         Ashtu si Lenini Muhameti ishte për terrorin e pakufizuar, duke mos u kursyer gratë dhe fëmijët kur ishte e nevojshme të goditeshin kundërshtarët në luftën civile në Rusi. Një nga vartësit e Muhametit të cilin ai e urdhëroi të ngrinte një pritë kundër karvaneve mekane, tregoi këtë ngjarje, që u bë një hadith i famshëm: "Profeti kaloi tek unë në një vend të quajtur Al Abwa ose Waddan e u pyet nëse ishte e lejuar që të sulmoheshin jobesimtarët luftëtarë natën, kur gratë e fëmijët e tyre do të rrezikoheshin. Profeti u përgjigj: Gratë e fëmijët janë të tyre". (Sahih Bukhari, Hadithe, vol 4, libri 56, nr. 3012)

Fakti se bashkëluftëtarët e pyesin Muhametin nëse mund të vriten edhe gratë e fëmijët, tregon se tashmë kjo gjë ishte e ndaluar tek arabët idhujtarë, sipas dispozitave fundit të kultit të Kaaba. Ajo çka po bënte Muhameti ishte një dekretim i terrorit të pakufizuar, rikthim në një barbari të cilën arabët tashmë e kishin kapërcyer. Nëpërmjet grabitjeve Muhameti krijoi një ushtri, duke joshur të gjithë banditët e shkretëtirës që të bashkohen me të, duke u bërë muslimanë, se kështu siguronin pjesëmarrjen në fushata grabitëse të suksesshme. Flamuri i Muhametit ishte i ngjashëm me atë të piratëve të mëvonshëm të deteve. Në luftë dhe marshim Muhameti përdorte flamur të zi, pa asnjë simbol. Ky njihej si Al-Uqaab. Ky ishte flamuri i fisit kurejshi. Flamuri i zi u përdor edhe nga khalifati islamik si flamur shtetëror dhe luftarak. Kur një fushatë ushtarake e komandonte Muhameti, kjo quhej Ghazwat, çka ishte shkalla më e lartë e luftës së shenjtë. Kur komandonte një nga shokët e tij (Sahabi) quhej Saraya. Në fakt të dy llojet e fushatave qenë sulme banditeske.

Kur Muhameti i humbi shpresat përfundimisht se hebrejtë do ta njihnin si profet dhe nuk i nënshtroheshin, ai u kthye kundër tyre, fillimisht duke ndryshuar kiblen (drejtimin se kah ktheheshin muslimanët gjatë faljes), nga Jerusalemi në Mekë. Kibla ishte në Jerusalem sa kohë qenë në Mekë, dhe kështu vazhdoi të ishte edhe 17 muajt e parë të qëndrimit në Medinë. Pastaj ndryshoi dhe u bë Kaaba, ku ishte Guri i Zi. Kjo ndodhi në prill 624. Vendimet për kiblat qenë politike në të dy rastet. Kibla kah Meka kishte dhe një kuptim tjetër, se Meka ishte objektivi. Gjithashtu kjo u bë për të fituar pikë tek kurejshit dhe mekanët, në përgjithësi. Kjo ishte një sjellje e ngjashme me atë të Leninit, i cili kur pa se nuk mund ta kontrollonte parlamentin e dalë nga zgjedhjet e nëntorit 1917, ku bolshevikët qenë pakicë, dhe as partitë që e përbënin atë, ai u kthye kundër tyre, duke i ndaluar partitë dhe duke e mbyllur parlamentin. Pas betejës së Bedr, Muhameti msyu hebrejtë e fisit Banu Qaynuqa, pranë Medinës. Në suren e tetë të shpallur në Mekë, atë Muhamet (e dyzeteshatata në Kuran) thuhet: "Prandaj, kur t' i takoni jobesimtarët, goditini pas qafe dhe kur të keni bërë një banjë gjaku me ta, vendosni një shpërblim për lirimin e atyre që mbeten gjallë".(Kuran, Muhamet: 47/4)

Tashmë do të ushtrohej terror i pakufizuar mbi të gjithë josmuslimanët. Zhgënjimi nga hebrejtë bëri që Muhameti të kthehej me vendosmëri nga idhujtaria, do të thotë që ta inkorporonte idhujtarinë mekane në fenë e re, për të bërë për vete arabët idhujtarë. Kompromisi i madh i Muhametit me politeizmin arab kishte qenë dhe mbetej ai që mund të quhet si Poli-Allahu. Derisa Muhameti tha se kishte vetëm një Zot, ky Zot, Allahu, flet për veten në shumës, duke thënë "Ne". Qindra herë në Kuran Allahu thotë "Ne". Kjo bënte rezonancë pëlqyese me sensin politeist të arabëve. Muhameti futi në fenë e re Kaaba-n, Gurin e Zi, Ramadanin, ritualin e flijimit të bagëtive, etj. Kaaba nuk kishte histori se arabët nuk kishin zhvilluar kulte. Muhameti shpiku historinë e Kaaba, kur arabët nuk kishin pasur asnjë kult të tillë para Muhametit. Ky qe fiksion. Muhameti në Medina përvetësoi edhe festën hebreje të Yom Kippur, që e vendosi në 10 muharrem, me ditën e Hashuras.

Që prej vitit 626 Muhameti filloi luftën me hebrejtë dhe të krishterët, duke i dëbuar nga Medina. Atij i duhej pasuri për të joshur idhujtarët që të pranonin Islamin, kështu që vendosi të grabiste çifutët dhe të krishterët e Medinës dhe vendeve përreth. Si gjithmonë Muhameti i veshi qëllimet e tij banditeske me argumente teologjike, duke i shitur si urdhra të Allahut.

Në Medinë Muhameti e shndërroi Islamin nga një fe në një sistem total politiko-shoqëror-ekonomik. 27 suret më të gjata kanë dalë atje. Në këto sure Muhameti shpalli pjesët e Kuranit mbi normat e sjelljes e jetesës për besimtarët, mbi ndërtimin e shtetit, ushtrisë, ekonomisë etj. Perëndimorët, të cilët i shikojnë gjërat ashtu siç përthyhen në prizmin e tyre, e kanë quajtur Islamin fe, por kjo fjalë nuk është e saktë në rastin e Islamit. Islami është njëlloj sikur të bashkoje së bashku me doktrinën e krishterë edhe dispozita nga legjislacioni i një vendi si kushtetuta, legjislacioni penal, civil, fiskal etj. Nga kjo pikëpamje, Islami ngjan me Komunizmin i cili është një doktrinë që paraqet një sistem të plotë filozofik, politik, shoqëror, ekonomik, që prej shpjegimit të krijimit të botës dhe njeriut mbi baza ateiste dhe deri tek ndërtimi i shoqërisë në çdo aspekt. Këtu ka dhe një analogji me librin e Leninit "Shteti dhe Revolucioni", i shkruar në prag të marrjes së Petrogradit, në 1917. Në suret e Medinës Muhameti ndërtoi strukturën e shtetit despotik teokratik dhe të shoqërisë së mbyllur hermetikisht në sarkofagun e dogmës. Të njëjtën gjë bëri edhe Lenini në librin "Shteti dhe Revolucioni".

Aventura e Muhametit për pak mori fund në vitin 627, kur mekanët, e ndihmuar nga aleatët e tyre rrethuan Medinën. Jo rastësisht kjo ndodhi në vitin kur imperatori bizantin Herakliu invadoi Persinë. Muhameti shpëtoi falë këshillës së një persiani misterioz i cili i sugjeroi që të ndërtonte një kanal rreth qytetit, çka e shpëtoi atë. Rrethimi vazhdoi një muaj pa sukses. Mekanët nuk mund të rrinin më gjatë se qenë larg bazës së tyre të furnizimit dhe ç' është më e rëndësishmja mungonte uji për njerëzit dhe kafshët. Gjatë rrethimit të Medinës nga kurejshët, Aliu, leitnanti i Muhametit, u ndesh me xhaxhain e vet, i cili i tha: "O djali i vëllait tim, unë nuk dua të të vras".

Aliu iu përgjigj; "Por unë dua të të vras ty"

Dhe Aliu e vrau xhaxhain, sipas betimit që kishte bërë në Vëllazërinë e Muhametit se do të vriste edhe të afërmit e vet jomuslimanë. Më pas Aliun do ta vrisnin "vëllezërit" muslimanë, së bashku me gruan dhe fëmijët e vet. Kështu, Aliu, muhamedani më fanatik, ngjan si homologu i Trockit, leninistit më fanatik në kohën e revolucionit, i cili më pas do të vritej së bashku me fëmijët nga "shokët" bolshevikë.

Në vitin 628, kur bizantinët përparonin në territorin persian, Muhameti bëri në Hudejbi një paqe dhjetëvjeçare me kurejshët e Mekës. Paqja e Hudejbit qe "Brest Litovsku" i Muhametit. Ai e bëri atë i trembur për shkak se persianët po humbnin në luftën me bizantinët. Në këtë paqe Muhameti nënshkroi thjesht si Muhamet bin Abdullah. Termat e paqes qenë të rënda për Muhametin. Sipas traktatit, mekanët që largoheshin nga Meka dhe shkonin në Medinë, do të dorëzoheshin nga Muhameti në Mekë, ndërsa ata muslimanë që largoheshin nga Medina e kërkonin strehim në Mekë nuk do të ktheheshin pas. Me këtë Muhameti firmoi tradhtinë ndaj vëllezërve muslimanë. Paqja e Brest Litovskit i duhej Leninit edhe për të ndërmarrë luftën civile në Rusi. Muhameti përfitoi nga Paqja e Hudejbi për të ndërmarrë atë që mund të quhet lufta civile brenda abrahamistëve, do të thotë e muslimanëve kundër hebrejve dhe të krishterëve të Medinës dhe territoreve përreth. Në Suren El Maidë, të shpallur gjatë kohës kur Muhameti ishte në Medinë, pas kthimit nga Hudejbi, ai tha:

"Ne morën zotimin edhe të atyre që thanë: 'Ne jemi nesara (të krishterë)', por dhe ata e harruan një pjesë të asaj me të cilën ishin udhëzuar, andaj Ne kemi nxitur urrejtjen dhe armiqësinë ndërmjet tyre deri në ditën e kijametit. E më vonë Allahu do t' i njoftojë ata mbi atë që bënë.

O ithtarë të librit, juve ju erdhi i Dërguari jonë i cili ju sqaron shumë nga ajo që fshihnit prej librit, e për shumë nuk ju jep sqarime. Juve ju erdhi nga Allahu dritë dhe libër i qartë.

Allahu e vë me Kuranin në rrugën e shpëtimit atë që bën atë çka është e kënaqshme për Atë dhe me ndihmën e tij i nxjerr ata prej errësirës në dritë dhe i udhëzon në rrugën e drejtë.

E mohuan të vërtetën ata që thanë se Zoti është Mesihu, biri i Merjemes".(Kuran, El Maidë: 5/ 14-17)

Kështu, në Kuran nuk pranohet se Krishti ishte trupëzim i Zotit, çka është themelore në fenë e krishterë, në të gjitha degët e saj. Po në këtë sure, Muhameti i atakoi bashkërisht hebrejtë dhe të krishterët:

"Jehuditë dhe të krishterët thanë: 'Ne jemi bijtë e Zotit dhe të dashurit e tij". Thuaju: "E pse pra, Ai ju dënon me mëkatet tuaja?" (Kuran, El Maidë: 5/18)

Po në Suren El Maidë, Muhameti shpalli si urdhër të Allahut për muslimanët:

"O ju që besuat! Mos zini miq as jehuditë as të krishterët. Ata janë miq të njëri tjetrit. E kush prej jush i miqëson ata, ai është një prej tyre. Vërtet Allahu nuk vë në rrugë të drejtë popullin zullumqar".(Kuran, El Maidë: 5/ 51)

Pas kësaj pati masakra ndaj të krishterëve e çifutëve nga muslimanët. Më pas Muhameti e ndaloi ushtrimin e fesë së krishtere dhe Judaizmit në Gadishullin arabik. Khalifi Umar e ndaloi krejt praninë e çifutëve dhe të krishterëve në Gadishullin Arabik, duke e shpallur atë territor të shenjtë. Që atëherë gjërat nuk kanë ndryshuar shumë. Arabët idhujtarë, në luftrat e tyre kishin pasur në shënjestër individë, grupe të vogla, e shumta një fis. Muhameti bëri shënjestër të luftës një grup shumë më të gjerë njerëzish, jobesimtarët. Këta qenë ekuivalenti i klasave të përmbysura në Rusinë e Leninit. Duke parë mënyrën se si e ushtronin dhunën bashkëpunëtorët më të afërt të Muhametit, bëhet e qartë se ata qenë banditë të rëndomtë.

Në vitin 629 u arrit Paqja Persiano-Bizantine, në dëm të Persisë. Por Bizantit iu ezauruan fuqitë dhe Muhameti vendosi që të veprojë për të pushtuar Mekën. Por edhe kundërshtarët e tij nuk rrinin duarkryq. Në 629, në kohën kur gjendej në Medinë, Muhametin e helmuan. Ai vdiq tre vite më pas. Sipas traditës islame, në shtratin e vdekjes tha se që prej helmimit kishte pasur dhimbje të mëdha. Kështu që helmimi i Muhametit mund të quhet si ekuivalenti i atentatit që iu bë Leninit.

Në 631 Muhameti hyri në Mekë me ushtri, pas një ultimatumi, duke shkelur kështu Paktin e Hudejbi. Ai hyri në Mekë tetë vite pas largimit në Medinë. Muhameti në fillim hyri në Kaaba, ku puthi Gurin e Zi, edhe pse ishte shprehur kundër idhujtarisë, dhe eci tre herë rreth tempullit. Kur Muhameti doli prej andej të gjithë banorët e Mekës, sipas urdhërit të tij, qenë të detyruar që të vinin tek ai e t' i shprehnin besnikërinë. Muhameti u tha:

"A do të më dëgjoni mua o kurejshë? Ndryshe, nëpërmjet Allahut i cili ka në dorë jetën time, unë do t' u sjell gjakderdhje". ("The Life of Muhammad: A translation of Ibn Ishaq' s Sirat Rasul Allah", Oxford University Press, 1955, f. 131)

Muhameti, në krye të një force të vogël, triumfoi në një hapësirë ku kishte vakuum autoriteti. Muhameti ishte kryetar i fesë dhe shtetit. Ai ishte në krye të një teokracie. Allahu qe mbreti, Muhameti mëkëmbësi i tij. Por në kohën që Muhameti shpallte kultin e Allahut, ai në fakt ndërtonte kultin e vet. E vërteta ishte se Allahu nuk kishte shoqërues, por ama Allahu ishte shoqërues i Muhametit. Njerëzit duhet të jetonin veçse për të adhuruar Allahun, çka praktikisht do të thoshte për të adhuruar Muhametin. Muhameti krijoi një doktrinë të dhunës politike e pushtetit. Ky kombinim shprehet mirë në flamurin e sotëm saudit ku është një varg i Kuranit dhe shpata. Komunizmi bolshevik, një fjalë e rimarrë nga Lenini, u bë një doktrinë nacional-etatiste ruse. Imperia ruse dështoi që të bënte shtet modern dhe këtë sfidë e rimori komunizmi. Islami qe doktrinë nacional-shtetërore arabe.

Për Arabinë e kohës së Muhametit Medina dhe Meka ishin si San Petërburgu dhe Moska. Largimi i Leninit nga San Petërburgu në Moskë, shënonte rikthimin e qendrës ruse të pushtetit në Moskë. E njëjta gjë vlen dhe për Muhametin. Ai e riktheu qendrën e pushtetit në Mekë. Midis Muhametit dhe Leninit ka një analogji shumë kurioze. Të dy e instaluan qendrën e pushtetit dhe idesë së tyre në qendrën tradicionale të fuqisë dhe kultit, por të dy nuk e donin atë dhe emrin e tyre e lidhën me qytetin ku patën suksesin fillestar, Petrogradin dhe Yathribën. Të dy qytetet ndërruan emrat duke marrë emrat e tyre. Petrogradi u quajt Leningrad, ndërsa Yathriba u quajt Medina, do të thotë qyteti i profetit. Por shtabin e tij Muhameti e mbajti në Medinë, edhe pas hyrjes në Mekë.

Pas pushtimit të Mekës Muhameti fushatën e parë e ndërmori kundër fisit Thaqif të qytetit Taif, i cili ishte një fis armik i kurejshëve. Me këtë Muhameti donte të kënaqte sedrën e kurejshëve, por edhe të ndëshkonte ata që e poshtëruan dikur. Thaqifasit u nxituan duke marshuar drejt Mekës dhe i dhanë mundësi Muhametit që t' i godiste e t' i mundte. Muhameti ndërmori dhe disa fushata të tjera për nënshtrimin e fiseve të Hexhazit dhe më gjerë, duke çuar komandantin e tij të tmerrshëm, Khalid bin al-Walid, i quajtur "Shpata e Allahut", i cili u jepte tre ditë afat tribuve arabe që të pranonin Islamin, ndryshe do t' i masakronte. Kur këto tribu dërgonin përfaqësues tek Muhameti për të negociuar ky u përgjigjej me një ultimatum tjetër. Në jetëshkrimin më të hershëm të Muhametit, atë të Ibn Ishaq, që është burimi kryesor për të gjitha jetëshkrimet e tjera, rrëfehet se Muhameti u kumtonte:

"Nëse Khalidi nuk do të më ketë shkruar se ju keni pranuar Islamin, unë do të bëj që të bien kokat tuaja tek këmbët tuaja". (po atje: f. 645, 646)

Në 631 Muhameti ndërmori një fushatë kundër një zotërimi bizantin qytetit Tabuk, çka u interesonte persianëve. Fushatën e komandoi personalisht Muhameti. Pas fushatës në Tabuk Muhameti shpalli kumte shumë të egra ndaj të krishterëve. Këtej e tutje të krishterët dhe hebrejtë do të qenë në territorin e shtetit islamik, me po atë statusit si të ashtuquajturat klasa të përmbysura në shtetin bolshevik. Pikërisht pas kësaj fushate Muhameti bëri haxhin e fundit në Mekë. Atje ai shpalli Suren Et Tevbe, ku hebrejtë dhe të krishterët mallkohen dhe quhen idhujtarë. Muslimanëve u kërkohet që të luftojnë kundër tyre:

"Luftoni ata që nuk besojnë Allahun e as botën tjetër, nuk e konsiderojnë të ndaluar atë që e ndaloi Allahu dhe i Dërguari i tij, nuk besojnë fenë e vërtetë, prej atyre të cilëve u është dhënë libri, derisa të japin xhisjen në dorë e duke qenë të mposhtur.

Jehuditë thanë Uzayri është djalë i Zotit, të krishterët thanë Mesihu është Biri i Zotit. Kjo është një thënie prej gojës së tyre; Me këtë ata veç imitojnë çka jobesimtarët e hershëm janë mësuar të thonë. Mallkimi i Allahut qoftë mbi ta: sa shumë ata janë të zhgënjyer larg prej së vërtetës".(Kuran, Al Tawbah, 9/29-30)

Ata hebrej dhe të krishterë që paguanin xhisje, taksën e jetës, fitonin statusin e të mbrojturit nga rreziku që ishte vetë shteti islamik! "Dhimmis" në arabisht ka kuptimin "i mbrojtur" dhe "fajtor". Me këtë Sure, Muhameti u dha të krishterëve, hebrejve dhe idhujtarëve katër muaj kohë që të largohen nga Arabia, nëse nuk e pranonin Islamin. Ndryshe muslimanët do t' i vrisnin kudo që t' i gjenin.(Kuran, Al Tawbah: 9/ 5) Lexuesit mund të pyesin se si është e mundur që një fe e krijuar nga një spekulues sharlatan të përhapej kaq shumë dhe të jetonte kaq gjatë. Komunizmi u krijua nga një spekulues sharlatan, Marksi dhe u përhap në më shumë njerëz se Islami, mbijetoi kur ishte ideologji shtetërore, dhe u shpërbë shpejt kur nuk ishte e tillë. E njëjta gjë ndodh dhe me Islamin.

Marksizmi do të kishte qenë një doktrinë pa ndikim të madh. sikur të mos kishte ardhur në pushtet në Rusi, në trajtën e Leninizmit. Kjo i inkurajoi ithtarët e tij në botë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Islamin. Ai do të kishte mbetur një doktrinë pa ndikim sikur të mos kishte ardhur në pushtet me dhunë në Mekë dhe Arabi. Më pas Islami, ashtu si komunizmi u mor me entusiazëm e fanatizëm jashtë vendeve komuniste, nga njerëz të cilët kurrë nuk kishin jetuar në një shtet islamik. Islamikët që jetojnë në vendet perëndimore dhe dashamirësit perëndimorë të Islamit, ngjajnë shumë me komunistët e vendeve perëndimore. Komunistët e vendeve perëndimore shijonin jetesën në Perëndimin kapitalist dhe flisnin për të mirat e komunizmit e lavdëronin Bashkimin Sovjetik, ku ata nuk kishin jetuar kurrë, dhe ku nuk u pëlqente të shkonin të jetonin. Edhe islamikët perëndimorë, shijojnë të mirat e shoqërive perëndimore dhe janë fanatikë të Islamit. Edhe ata nuk do të parapëlqenin që të jetonin në një shtet vërtet islamik, si Afganistani i sunduar nga talebanët, se asnjë prej tyre nuk shkoi të jetonte atje, përveç terroristëve profesionistë që shkonin në kampet e atjeshëm të stërvitjes. Edhe Islami si komunizmi  nuk mbijeton dot pa shtetin që e ka ideologjinë e tij. Ashtu si entusiazmi, kuraja dhe fanatizmi i komunistëve në vendet perëndimore, vinte nga ekzistenca e Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të tjera komuniste, të cilat mbanin gjallë shpresën për fitoren e komunizmit në mbarë botën, dhe organizatave globale komuniste si Kominterni, ashtu edhe entusiazmi, kuraja dhe fanatizmi i muslimanëve në vendet perëndimore dhe vende të tjera joislamike vjen nga ekzistenca e shteteve islamike dhe organizatave si Al-Qaeda.

 

kastriotmyftaraj@sot.com.al



(Vota: 17 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora