Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Homazh për artistin e shquar Zhan Mare (Jean Marais)

| E merkure, 02.01.2008, 01:56 PM |


Nga Vasil Qesari 
 

Jean Marais
Zhan Mare (Jean Marais), një prej aktoreve më të shquar të kinemasë franceze, miti i gjallë i saj, është shndërruar tashmë në një legjendë të vërtetë. Kush nga ne, s’e ka të ngulitur në kujtesë portretin e tij nga filmat që ka parë qysh në adoleshencë? Kush prej nesh, nuk enderruar, duke parë rolet aq të njohur për publikun e gjerë ? Konti i Montekristos, Kapiteni, Kurizoja, janë role të paharruara edhe pse sot, kinemaja moderne ‘prodhon’ personazhe tepër spektakolare ... 
 
Mua, personalisht, Zhan Mare ndër të tjera, më kujton kinemanë e vjetër të Lagjes Llonxhë në Vlorë, shitësin e gështenjave të pjekura para saj, radhët e gjata në sportel për të blerë një biletë dhjetë lekëshe, afishet me ngjyra, operatorin Qani, dy orët e kaluara plot ëndrra para pëlhurës së zhubravitur e të zverdhur të ekranit të kinemasë i cili hapte portat e një bote tjetër fantastike si edhe shiun që binte vazhdimisht pas shfaqjeve. Me kujtohet vegjëlia, koha kur në Shqipëri u shfaq për herë të parë, filmi ‘Konti i Montekristos’, realizuar sipas romanit të Alexander Dumas. Ishte i madhi aktor francez, Zhan Mare (Jean Marais), i cili luante rolin e Edmond Dantes. Zhan Mare - heroi i filmave tanë të vegjëlisë ! Artisti i shquar, legjenda, miti ynë i adhuruar, të cilin për herë të parë e njohëm aty, në kinemanë e vjetër. Aty, ku për të siguruar një biletë, zhvillohej një ‘betejë’ e vërtetë e cila vazhdonte me orë të tëra, mes britmave e poteres së qindra njerëzve të cilët, hipur njeri mbi tjetrin, shaheshin, shtyheshin, qëllonin me grushte, gjakoseshin në sportelin e vogël me hekura ... vetëm e vetëm për të parë të ‘gjallë’ Zhan Mare –në e ‘Kontit të Montekristos’ ...
 
... Që do vinte një ditë, që mua do të më jepej rasti ta takoja Zhan Marenë, këtë sigurisht, as që nuk e kisha menduar kurrë. Dhe kujtimin që ai më dhuroi, një autograf me një dedikim të ngrohtë e miqësor, do ta ruaj si një gjë të shenjtë. Sot, aktori i madh është në moshën 85 vjeç e banon në Vallauris, në Cote d'Azur. Aty ai, ka ngritur një galeri artesh dhe kalon ditët i qetë, me peizazhet mesdhetare në sy e ne shpirt.
 
Me flokë të bardhë, shpërthime të qeshurash e sy gjithë shkëlqim, Zhan Mare duket më shumë i ri se sa plak. Që prej gjashtëdhjetë vjetësh, ky ‘djalë 85 vjeçar’, siç i pëlqen ta quajë veten, jeton një histori magjike dashurie me teatrot dhe sheshet e xhirimit. Pikaso, Koko Shanel, Viskonti, Kokto, Renuar - këta kanë qenë dëshmitarë të bukurisë e mjeshtërisë së interpretimit që ai zotëron. Siç duket, në 11 dhjetor 1913, dita e lindjes së aktorit, gjithë muzat janë përkulur plot frymëzim mbi djepin e tij ...
 
Teksa e dëgjon të flasë me kënaqësi për jetën që ka bërë, ndërsa lexon librin e tij të fundit ‘Metamorfozat e mia’, kur e sheh që ngjitet në shkallet e skenës për të luajtur ‘Arlesianen’ në teatrin e ‘Folies Bergere’, të krijohet përshtypja se jeta e tij ka qënë mjaft e lehtë e me ngjyra rozë. Përkundrazi, fatin e tij Zhan Mare e ka ndërtuar vetë, çdo ditë e çdo vit. Është pikërisht ai, që ka punuar për jetën e tij, me vullnet të hekurt, duke e transformuar atë në dobi të vet, ashtu si skulptori që nga një copë shkëmbi pa formë, nxjerr një vepër arti ...
 
Fillimi i jetës për Zhan Marenë, ishte i vështirë. Një fëmijëri pa baba. I rritur nga e ëma, Rozalia, që zhdukej shpesh nga shtëpia, në mënyrë misterioze, nga një herë edhe për ditë të tëra. Në shkollë, Zhani i vogël ëndërron. Endërron një botë, ku prindërit do t'i jenë gjithmonë pranë. Ai do ta shohë jetën pa vuajtje. Të ardhmen, optimiste. Humori dhe shkathtësia bëhen tipare të përditshme për të. Shokët e shohin me zili. Nga që Zhan Mare ka zbuluar sekretin e një jete më të gëzuar, gjë që ngjan pak a shume me mjeshtërinë e alkimistit, i cili di të shndërroje plumbin e trishtimit në flori. 
 
Tetëmbëdhjetë vjeç, Zhan Mare është asistenti i një fotografi. Me tej, i lind dëshira të luajë teatër. Në konservator, nuk e pranojnë. Atëherë, ai merr kurse private me pagesë nga mjeshtëri Sharl Dyle, duke punuar si figurant nëpër teatro. Dhe, nuk vonon që sakrificat, t'i shpërblehen. ‘Më 1937, - kujton ai - më propozuan të luaj ‘Edipi-Mbret’ të Zhan Koktosë. Vajta për provë dhe më mbajtën. Kështu nisi karriera ime në teatër’. Më 1943, gjithë Franca, bie në dashuri me heronjtë e filmit ‘Kthim i përjetshëm’. Në të, ai është partner i Madlenë Solonjë. Zhan Mareja shkëlqen në rolin e Tristanit. Në shumë kinema, njerëzit thyejnë vitrinat për të vjedhur fotografitë që shoqërojnë afishet e filmit.
 
Ishte vallë fiziku, pamja, trupi i tij i bukur, që i sillte aq sukses ?! Zhan Mare, thotë se pamja nuk i ka shërbyer shumë. I është dashur të punojë dyfish, për të luftuar këtë ‘handikap’, siç e quan ai paraqitjen e tij të jashtme. Unë s’e kam quajtur kurrë veten të bukur ! - shton ai. Naivitet apo modesti ?!  Paraqitja e tij, ky ‘handikap’ i pëlqyeshëm, do t'i shërbente pa dyshim shumë, gjatë gjithë karrierës së tij. Mbas roleve klasike në ‘Britanikus’ dhe ‘Andromake’, ai luan në dy filmat e mrekullueshem të Koktosë ‘E bukura dhe bisha’ dhe ‘Orfeu’. Pastaj, në fund të viteve ’50, çelet para tij një epokë e re. Ajo e filmave të ‘pelerinës dhe shpatës’, ku ai cilësohet si një ‘star’ i vërtetë. Vijojnë filmat e kësaj gjinie ‘Kurrizoja’, ‘Kapiteni Frakas’, ‘Maska e hekurt’, ‘Kapiteni’ etj.
 
Njerëzit mendojnë, se në këto filma, ai ka gjetur vetveten. Zhan Mare përgjigjet se zbavitet. Fëmijë i përjetshëm që i pëlqen të luajë, ai kërkon të qeshë e të gëzojë me rolet e tij. Asgjë më tepër ! Klod Karliez, mjeshtëri i armëve dhe i shpatës, për rreth dhjete filma të Zhan Maresë, tregon se filmi i parë që ai realizoi me aktorin në fjalë, ishte ‘Kurrizo’. Zhani - tregon ai - ishte njeri i thjeshtë. Ai nuk mungonte në asnjë seancë stërvitje dhe angazhimi i tij në rol ishte i plotë. Vëmendje e kujdes të veçante, ai i kushtonte përgatitjes fizike. Për të, çdo skenë sado e vështirë të qe, nuk paraqiste problem. Disa herë, si bie fjala në filmin ‘Fantomas kundër Skotland Yars’, ai luante pa litar sigurimi, gjë që bënte të na kullonin djersë të ftohta, aty në sheshin e xhirimit. Por Zhani ishte i zoti të ja dilte mbanë për gjithçka. Në filmin ‘Kapiteni’ ai ishte me të vërtetë, mjeshtër i madh i shpatës ...’
 
... Vite të tëra, kaluan pastaj për Zhan Marenë, në teatër. Tartufi, Sirano de Berzherak, Mbreti Lir, Sidi - sa e sa role të tilla provuan aktorin e madh me talent të shkelqyer. ‘Teatrin nuk e kam tradhtuar kurrë ! - thotë ai. Edhe tani që jam tepër i moshuar, do të doja të provoja përsëri emocionet e skenës - dhe vazhdon - Nuk dëshiroj të jetoj më gjatë. Kam rrojtur boll. Sikur të vdisja në skenë të teatrit, kjo do qe per mua diçka e mrekullueshme! Unë them se, të plakesh është një privilegj. Vdekja nuk më bën përshtypje ! Qëllimi im ka qenë vazhdimisht që jetën time ta bëja sa më të këndshme. Dhe them se ja kam arritur. Kam patur me të vërtetë, fat të rrallë! Jam i ndërgjegjshëm se kam qënë i privilegjuar ... Zhan Mareja, nuk pranon ta cilësoj artist të madh. Le të shpresojmë që ai do të pranojë të paktën, ta quajmë një ‘artizan’ të vërtetë të lumturisë së tij ... 

Shënim: Ky shkrim (variant i shkurtuar) është botuar në tetor 1998, një muaj para vdekjes së artistit të shquar, më 8 nentor 1998

© amarus.over-blog.com