Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Laureta Mema: Si filloi protesta…

| E marte, 01.01.2008, 02:05 PM |


Si filloi protesta…

Nga Laureta Mema

Foto nga Agim Zajmi
Gërshetim reportazhesh ngjyer në një realitet verbues, të spikatur me tone ‘E sikur… ?’. Sikur të protestonin shqiptarët ‘siç duhet’ edhe realiteti shqiptaresk do të kishte mbase më pak dialogje e monologje që fillojnë me “E sikur…?” e mbarojnë me “Ata lart e kanë fajin!”. 

U takuan si gjithmonë në kafenenë e preferuar. Ja po vjen dhe Teuta, i kapërcen shkallët e lokalit me nga dy.

-Duket me nerva bukuroshja. - rrudhën buzët ato të dyja. Teuta mbërtheu karrigen dhe akoma pa u ulur shpërtheu:

-E di se çfarë do bëj? Do dal në rrugë e do të ulëras. Të bëj skandal. Sikur po jetojmë ne vendin e ferrit, pa drita, pa ujë, pa punë, pa ajër, pa pare…

-Aman, se e kemi konsumuar këtë muhabet tashmë, duke pritur zotroten tënde. – e ndërpreu Lira prishaqejfas.

– Mos ma prishni më humorin se nuk mbaj dot. Na hapni një muhabet të hajrit se të njëjtin refren po dëgjojme prej shekujsh e asgjë s’ka ndryshuar…

- E di çfare po mendoja? – vazhdoi Teuta. - Sa pimë këtë kafen këtu, vrasim kohën kot e llomotisim të njëjtat muhabete tonat, përse nuk ulemi te stoli përballë e protestojmë. Vazhdojmë të njëjtat muhabete aty po deshët, por protestojmë. Më duket vetja si parazit, si e pafte, kemi mbaruar shkollën e lartë e prapë një zero jemi, një vrimë në ujë bëjmë çdo ditë, vetëm ankesa e asgjë më shumë…

- E si do protestokemi ne? –pyeti Lindita pa shume interes. Ajo sapo kishte filluar të raportonte me gjithe qejf aventurën e re që kishte filluar me një djalosh të panjohur që e kishte psonisur para dy ditësh te Buda Bar e ja ku po kalonin kohën tani kot me një muhabet kaq monoton e të stërpërsëritur. Se ndryshe nga mikeshat e veta, që e gdhinin përjashta, ajo i kishte orët e numëruara, apo minutat apo sekondat dhe nuk bëhej shaka me ata të shtëpisë së saj. Orari ishte orar, rregullat rregulla. I zoti i shtëpisë kishte komandën, dhe ajo thjesht i bindej edhe kur nervat i bëheshin kaçurrell.

- Po ja moj, me një karton. Siç protestuan ata emigrantët shqiptarë para ambasadës Greke për të drejtat e emigrantëve në…

-Po pra, të dal në mes të rruges unë me një karton e të ma shoh surratin kush të kalojë.

-Po pse këtu s’na e shohin surratin zotrote?

-Eu, çfarë do ndryshokemi ne se do dilkemi në rrugë duke protestuar. A nuk e kanë provuar tashmë sa e sa herë. Pse nuk protestojnë të tjerët?

Ky muhabet devijoi menjëherë tek ankesat e shumta që ato i kishin stërpërsëritur por duke i rithënë sa herë takoheshin, sikur lehtësoheshin. I pinin cigaret rrjesht dhe kur ju mbaroi paketa thirrën kamarierin, jo tu sillte një paketë nga lokali e cila kushtonte dyfish por të kapte ndonjë nga ata cigareshitësit e vegjël në rrugë…

Urimi e shiti paketën dhe u drejtua nga dy shokët e vet te cepi i rrugës së Bllokut. Kishte fjetur tek parku mbrëmë dhe dukej copë-copë. Disa djem më të mëdhenj e kishin rrahur dhe marrë jo vetëm lekët e bëra gjatë ditës por edhe paketat bashkë me to. Shokët, Nazmiu dhe Arbri, ishin munduar ta ndihmonin paksa me lekët e tyre ‘rezervë’ dhe të ja mbushnin mendjen të kthehej në shtepi, në Bathore, por ai kishte kërcëlluar dhëmbët nga frika. Preferonte të përballte frikën e natës më mirë sesa atë të babait të tij, i cili do ta zhdëpte me siguri në dru. Pastaj kishte heshtur e imagjinuar tërë skenën me mendje. I ishin mbushur sytë me lot kur kishte përfytyruar nënën që do merakosej se i kishte humbur djali i vetëm. Pastaj përsëri kishte përfytyruar babain por në vend të syve të përlotur, ai kishte parë shishen e rakisë bosh dhe nofullat e shtrënguara. Më në fund, kur ishte terrur ata e kishin lënë vetëm, pasi i kishin gjetur kartona mjaftueshëm dhe siguruar për një vend të padukshëm mes shkurreve, aty ku lypësit e shumtë nuk do iu shkonte bira e mendjes të futeshin.

-Kam një ide. – ia priti Arbri, i cili ishte më i madhi nga ata të tre, sapo kishte mbushur 10 vjeç. -Shesim paketat shpejt e shpejt edhe lypim në rrugë, kështu i bëjmë lekët edhe sonte ti ikën në shtëpi.

Dhe ashtu bënë. Me të shitur paketat, në vend që të bënin gallatë siç bënin gjithmonë tek tallnin e fërshëllenin si të mëdhenjtë shalëgjatat e pispillosura që parakalonin si top-modele në rrugën e pluhurosur, ata gjetën nga një karton dhe shkruan:

“NA FALNI NJË LEK. JETIM. JU FALTË  ZOTI”

U takuan pas gjysëm ore por nuk kishin fituar kushedi se çfarë. Këtë herë Urimi ja dha një të qare sa të këpuste shpirtin. U ul te bordura e rrugës, e ngjeshi kokën mes këmbëve nga ku dëgjoheshin vetëm shkulmat e tij. Arbri dhe Nazmiu i luteshin:

 - Mos bëj kështu! Hë mo pusho, tani!

Arbrit si duket më shumë nga turpi i kalimtarëve, të cilët në fakt as që e kthenin kokën nga të qarat, e humbi durimin:

- Do pushosh apo ta futa një shqelm bythëve. Do të zhdep më keq se minatorët! –kështu quanin bandën kundërshtare me të cilët ziheshin e përlesheshin gati çdo ditë.

Urimi pushoi.

- E di çfarë? – kërceu me gëzim Nazmiu, i cili ishte nëntë vjeç e mbahej si më shejtani nga ata të tre e nuk nguronte të shpikte idera bombastike për të dalë nga situata.

 -Po të ndodh një diçka e madhe, prindërit do ta falin Urimin. Kështu ndodh me prindërit e mi, po t’u bjeri një gjëmë më e madhe ata e harrojnë dajakun për mua.

-E ç’na qenka kjo diçkaja e madhe? – Ju hakërrye Arbri, i cili dukej se durimit të tij po i vinte fundi e megjithëse donte me gjithë shpirt ta ndihmonte shokun, s’kishin pse e rëndonin më shumë situatën, s’do ishte as dajaku i parë e as i fundit që do hanin. Sa më parë aq më mirë, sa më vonë aq më keq se dajaku do rëndohej.

-Po ja, sikur të binte tërmet… apo… Urimi të priste dy gishta… apo të plaste sherri me njerëzit… apo njerëzit të hapnin sherr… Apo njerëzit ta kenë mendjen diku tjetër…

Oh, e gjeta! Po sikur ta hedhim poshtë qeverinë. Të shkruajmë te kartonat: “Poshtë qeveria!”.

Urimi e harroi për një çast ankthin e filloi të gajasej me gjithë shpirt, bashkë me Arbrin. Qeshën sikur të ishin përsëri fëmijë. Pastaj heshtën. Ulën kokën si fajtorë. Ishin mësuar tashmë t’i bluanin gjërat e rëndësishme në heshtje. Si kryefamiljarë që e quanin veten, me të drejtë përderisa familja jetonte me shpatullat e tyre, kishin mësuar herët respektin e heshtjes…

- Ku do të dalësh?

- Po ja. Për politikë gjithmonë nxehen prindërit. Ata thonë se qeveria e ka fajin… Kartonat i kemi se i kemi…

Lira doli më në fund bashkë me Teutën nga kafeneja.

-E di që dhe unë dua të dal në rrugë e të protestoj. Edhe mua më duket vetja si parazite, si dështake. – ia këputi fare pa lidhje Lira.

- E di, e di – Ja priti Teuta që dukej që as nuk e dëgjoi fare atë që i tha e shoqja se diçka po bluante si duket në kokën e saj. Ecën në heshtje deri tek cepi i rrugës ku e kishin zakon të ndaheshin. Per çudinë e tyre tek cepi, tre djem të vegjël kishin ngritur nga një karton të vogël ku lexohej nga njëra anë “POSHTË QEVERIA!”  e nga ana tjetër “NA FALNI NJË LEK. JETIM. JU FALTË ZOTI”. Ato ndaluan.

-Ku i gjetët kartonat?

Një rrugicë te Blloku filloi të mbushej me njerëz. Pastaj më shumë, pastaj më shumë. Gazetarët pyesnin turmën që sa vinte e shtohej kush ishin organizatorët.

- Ç’organizatorë moj shoqe? – ja ktheu një plak. – A s’e sheh që këto hallet tona i kanë organizatorët e padukshëm? Fshihen me maska, me maska! Me maska na e shkatërruan këtë vend…

Kartonat tundeshin në ajër me parulla pakënaqësie. Lexohej: “SHTET I PAAFTË! DUAM UJË! DUAM DRITA! DUAM PUNË! DREJTËSI! LIGJE! DINJITET! ZGJOUHU SHQIPTAR PREJ GJUMIT ZGJOHU! POSHTË KORRUPSIONI! DUAM NJË JETË MË TË MIRË! KU I KENI PREMTIMET QË NA DHATË? GËNJESHTARË! TË PANGOPUR!…

Tirana kishte vendosur ta gdhinte. Gjithë Shqipëria po e gdhinte. Shqiptaria jehonte kudo e ngado. Për çudi turma nuk duartrokiste as nuk ulëriste. Ajo kalonte në heshtje, dukej si nje turmë varrimi. Mbase po varroste një dhimbje të gjatë, një dhimbje shekullore që ia kishte gjarpëruar bishtin e helmatisur në shpirt. Dukej sikur turma shqiptare i kishte sytë e përlotur. Mbase po qante fatin e vet, heshtjen e vet. Por nuk vajtohej. Kishte ndodhur e shumëpritura. Turma shqiptare e kishte kapërdirë më në fund turpin e ‘parakalimeve’, lotët e viktimizimit të gjatë në kohëra, heshtjen e çpërfytyrimit e i kishte dhënë vetes shancin e fundit. Ajo ishte ngritur mbi gërmadhet e vetes e kishte lindur vetë shpresën.

Pushtetarët ishin mbyllur me kohë në vilat e tyre. Nuk kishte lajme. Ata nxirrnin nga një sy nga dritarja e vrojtonin turmën.

-Ky është fundi, -pëshpërisnin me vete politikanët.

-Ky është fillimi,- pëshpëriste bashkarisht turma.

Ishte errur kur Urimi hyri vjedhurazi në shtëpi. Shtëpia ishte boshatisur, as gjyshja nuk ishte brenda. Mori frymë thellë i qetësuar e u përplas në krevat i dërrmuar. Donte veç të flinte, të flinte në krevat e jo nën shkurre si mbrëmë. Para se të mbyllte sytë u lut me gjithë shpirt që turma të ishte në rrugë edhe nesër…E zuri gjumi me buzëqeshjen ne buzë teksa ai po përfytyronte se mbase nuk do shiste nesër cigare, se mbase ai…

Laureta Mema
Tetor, 2007

Vizitoni faqen zyrtare te poetes: www.LauretaMema.com