E marte, 23.04.2024, 04:12 PM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Korbat po kërrasin

E shtune, 11.12.2010, 08:59 PM


Korbat po kërrasin

 

Nga Reshat Kripa
Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës

 

Rreth pesëmbëdhjetë vjet më parë shkrova një poezi me titull “Le të hapen dosjet”.  Në strofën e parë të asaj poezie shkruhej:

                                    Le të hapen dosjet, gjithë po thërrasin,

                                    Kush e kush më shumë, korbat po kërrasin,

                                    Korbat e pabesë, korbat shpirt të zi,

                                    Thua të jenë engjëj, të jenë bërë njeri?

            Këtë poezi ia kushtoja të gjithë atyre që,  ndonse ishin të zhytur në krimet e kryera në kohën e sundimit të diktatorit, sot çirreshin dhe bërtisnin shumë më tepër se ata që e kishin hequr mbi supet e tyre atë shtypje mizore.

            Megjithatë për atë periudhë një gjë e tillë më dukej normale. Në fund të fundit kjo është demokracia jonë. Ajo i jep liri veprimi kujtdo, qoftë atij që ka qenë shkaktar i shtypjes mizore të të drejtave të njeriut, qoftë atij që i janë shkelur këto të drejta. Në fund të fundit le të fitojë ai që është më i zoti, ai që ka më shumë argumenta.

            Tashmë kanë kaluar më se pesëmbëdhjetë vjet që nga ajo kohë. Mentalitetet deri diku kanë ndryshuar. Shoqëria shqiptare ka ecur përpara. Tashmë, për pjesën më të madhe të shoqërisë, është e qartë se kush është e drejta dhe kush jo. Qytetarët janë në pragun e hyrjes në Europë, në botën e qytetëruar demokratike. Pas vetëm disa ditësh hiqen vizat dhe kushdo është i lirë të lëvizë kudo.

            Por ç’e do se paska ende disa ekzemplarë, që do t’i quaja korba të zinj, që ëndërrojnë ende për sistemin e përmbysur dhe fatkeqësia e tyre është se mbajnë në krye të partisë një klloun të diskredituar, pa asnjë normë morale në jetën e tij personale, familjare apo shoqërore.

            Pikërisht ky klloun i detyron të llomotisin lloj lloj shpifjesh dhe trillimesh të ndyra kundër zhvillimit të kombit. Të gjithë jemi dëshmitarë të fatkeqësisë natyrore që i ndodhi vendit tonë me rastin e përmbytjeve të ndodhura kohët e fundit. Të gjithë jemi dëshmitarë që të gjitha strukturat e shtetit u mobilizuan për t’i bërë ballë kësaj katastrofe. Dhe rezultatet janë të dukshme. Nuk ka asnjë viktimë në njerëzit. Nuk ka munguar për asnjë çast ndihma në materialet e nevojshme ushqimore apo industriale për të përmbyturit. Le ta krahasojmë me vendet e tjera. Dëgjojmë për qindra të vdekur dhe të zhdukur nga përmbytjet në ato vende. Madje kjo edhe në disa vende të zhvilluara të Europës. Kurse në Shqipëri asnjë.

            E pra, në këto çaste dëgjojmë korbat të kërrasin dhe të çirren duke vjellë vrer kundër çdo gjëje humane që zhvillohet në vendin tonë. O fatkeqë! Pse u janë qorruar sytë dhe nuk e shikoni realitetin e vendit tuaj? Kur do të ktheheni në rrugën e drejtë që i takon një opozite? Deri kur do të vazhdoni të jeni vegla qorre të një karierristi dhe aventurieri të paskrupullt? Këtë pyetje ua bëjë unë, një kundërshar i juaj por që do të doja të kisha përballë një kundërshtar dinjitoz dhe jo një mediokër  pa dinjitet.

            Rasti i përmbytjeve nuk është i vetmi në karierën tuaj. Qëndrimi juaj ndaj ndërtimit të rrugës së kombit, ku asnjë prej jush nuk guxoi ta vizitonte atë vepër madhështore, që bashkon dy gjymtyrët e një kombi, tregon mediokritetin tuaj. Ju u munduat me gjithfarë shpifjesh të hidhnit baltë mbi atë vepër të madhe dhe dështuat.  Dhe

nuk kishte si të ndodhte ndryshe.

            Nuk erdhët në parlament për një periudhë gjashtë mujore duke pretenduar se gjoja u qenkëshin garbitur votat. Por u kthyet si pula të lagura kur e kuptuat se në mbarim të këtij afati do të humbisnit rrogat tuaja. A keni moral? A keni ideale? Se idealet nuk blihen me para. Por për ju vlente më tepër leku se ideali.

            Filluat grevën e urisë, grevë i thënçin se trastat me ushqime vazhdonin pa rreshtur në çadrat e grevistëve. Po përfundimi? Përsëri si pula të lagura e pezulluat grevën pa arritur asnjë rezultat në kërkesat tuaja absurde.

            Mund të vazhdoj edhe më gjatë me bëmat tuaja. Kudo do të ndeshesha me Don Kishotizmin tuaj. Luftoni me mullinjtë e erës se shpejt do t’ia shihni rezultatin. Zgjedhjet nuk janë larg. Ato do të tregojnë se ku po ju shpie mushka e juaj. Atëherë, mjerë ju për mendjen tuaj!

            Në mekanizmat e politikës tuaj janë ingranuar,çuditërisht, edhe disa pesonazhe të shtresës së cilës unë i përkas. Njerin prej tyre e njoh mirë, pasi ka qenë kryetar i shoqatës ku unë isha nënkryetar i saj. E kam parë edhe në vitin 1997 dhe e njoh mirë pozicionimin e tij në atë kohë. Si rezultat sot ka mbetur si peshku pa ujë dhe po përpiqet më kotë të kapet diku për të shpëtuar nga mbytja. Por fatziu është kapur pas një dege të kalbur që shpejt a vonë do të këputet dhe ai, prapë se prapë, do të mbytet.

            Por kohët e fundit na paskan dalë edhe një kategori tjetër “të përndjekurish politikë” që deklarojnë, natyrisht nëpër faqet e mediave të majta, se na dashkan të shkojnë deri në Bruksel për të kërkuar të drejtat e tyre. Madje, dashkan të zhvillokan edhe një grevë urie atje të lidhur me ca zinxhirë që do i merrkan këtu në Shqipëri. Le ta provojnë se shpejt do t’i shohin rezultatet e çmendurisë së tyre.

            Kush është nismëtari i kësaj lëvizje të ashtuquajtur të re. Edhe këtë e njoh si atë të parin. Kryetarin e tyre e kam patur në kampin e Vlashukut në vitin e largët 1953. Atëherë ishte i dënuar ordinerë. Nuk e di sepse, për vjedhje apo çnderim apo ndoshta diçka tjetër.  Pikërisht për këto “merita” e kishin caktuar si tellall të kampit. Me borien e tij përditë na komunikonte “të mirat” që na dhuronin satrapët e kampit. Të gjithë të burgosurit politikë e dinë mirë se kush ishin tellallët e kampit. Le që vetë fjala tellall e tregon një gjë të tillë. Siç duket këta fatkeqë kanë gëlltitur ndonjë “lugë çorbë të prishur”, siç thuhej në filmin shqiptar të shfaqur shumë vite më parë.

            - Kush janë këta? -  do të më pyesë ndonjë.  Nuk ka nevojë t’i përmend, pasi të gjithë i njohin. Ndoshta ndonjë herë tjetër, po të më detyrojnë, mund edhe t’ua them emrat e tyre. Sidoqoftë le të presim e t’ia lemë së ardhmes.

            Duke u kthyer në poezinë e fillimit të këtij shkrimi para syve më dalin vargjet e një poezie tjetër të shkruar në ato vite:

                                    Në këtë kaos, këtë vend të nxirë,

                                    Nga këta “bandillë, këta “xhevahirë”,

                                    Zërat tanë të fortë, zërat tanë të mirë,

                                    Zërat tanë të lirë, zë për Shqipërinë.

            Zotërinj opozitarë dhe ju lakej të tyre, mos i harroni zërat tanë! 



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora