E premte, 29.03.2024, 06:43 AM (GMT)

Mendime

Daniel Gàzulli: Deontologjia në gazetari

E premte, 10.12.2010, 09:59 PM


Deontologjia në gazetari

 

Nga Daniel Gàzulli

 

Të gjithë ata që bashkpunojnë në ZSH, janë njerëz vullnetmirë, që kane dëshirë të japin ndihmesën e tyne në tema, shqetësime, ide, ngjarje, portrete, që mund të ndihmojnë popullin tonë të bajë hapa përpara; por asnjeni prej nesh, ose ndoshta vetëm pak fare prej nesh (me duket një ose dy), asht gazetar nga profesioni.

Por edhe ai (apo ata, në qofshin dy), nuk ka ba deontologji në universitet, landa që studjon kodin etik profesional të gazetarit, ashtu edhe të profesioneve të tjera..

Me kujtohet se si, rreth 45 vjet ma parë, tek bisedoja me Prof. Selaudin Bekteshin, babën e pediatrisë shqiptare, mësova edhe këto gjana:

Në të gjitha universitetet e botës landa e deontologjisë, veçanarisht në disa fakultete si drejtësia, mjekësia, gazetaria etj., trajtohej e tillë, sa mund të kaloje vetëm me notën maksimale.

“Atëherë, tregonte Prof. Bekteshi, nota ma e naltë ishte 30. Në ndihmë të shpejtë dhe në deontologji mund të kaloje vetëm me notën 30. Shpjegimi ishte i thjeshtë. Nëse arrinte një i sëmuet në spital, deri sa t’i përcaktohej saktë diagnoza, kishte kohë për këshillime me kolegë, me analiza, me leteraturë etj. Por nëse të vjen me ndihmë të shpejtë, nuk ke kohë për asnjenen nga këto, duhet të ndërhyjsh menjëherë, pra duhet të jesh i aftë në maksimum me iu përgjegjë gjendjes, prandaj kaloje vetëm me notën 30. Po kështu edhe në deontologji, që përfaqëson kodin etik profesional. Kush nuk asht në pikëpamje etike (njerëzore) mjek, nuk ka si të jetë as në pikëpamje shkencore”, shtonte Prof. Bekteshi.

Në universitetet tona kjo landë asht injorue plotësisht, pse etika, morali, ishin “mësimet e partisë”, të tjerat nuk kishin asnjë vlerë. Për ç’etikë mund te flitej në drejtësi, kur nuk kishe as të drejtë të mbroheshe me avokat, të denonin edhe me vdekje pa krye asnjë krim, pse kështu vendoste partia.

Pra, drejtësia, mjekësia dhe gazetarie janë tri fushat ku në gjithë botën deontologia ka një peshë të madhe.

Nuk asht fjala se bashkëpunetorët e ZSH, apo edhe të një gazete tjetër on line, duhet të japin provimin e deontologji. Megjithate, nuk do te ishte keq që secili prej nesh të kishte parasysh dy rregulla:

a)         se kodi etik asht i detyrueshëm jo vetëm për gazetarët profesionsitë, por për çdo njeri që vendosë të botojë;

b)         se ndihmesa në fushën e mediave mund të jetë e efektëshme vetëm nëse respektohen normat bazë: liria e fjalës dhe e kritikës se parim bazë e i pamohueshem, por njëherësh edhe saktësi, objektivitet dhe paanshmëni në trajtimin e lajmit, temës, problemit etj.

Ne rastin tonë, të infektuem në shkallë kombëtare me sëmundjen e dhunës, qoftë ajo edhe verbale, zëvendësojmë shpesh argomentet, trajtimin, arsyetimet, me fyemjet, gjykimet prej prokurorësh të dikurshëm, shfrimit të mllefit dhe përjashtimit të të drejtës së tjetrit me paraqitë mendimin ndrysh.

Po të duem t’i thjeshtojmë gjanat, më duhet të jap një shembull ku shpresoj të mos preket askush. Mue më pelqen muzika klasike, Bethoven, Mozart, Vivaldi, Çajkovski, Rimskij Korsakov, Bela Bartok etj. Askush besoj se nuk zemrohet e të më fyej pse unë pëlqej këtë lloj muzike. Por nëse shpreh një mendim të ndryshëm nga i X-it apo i Y-it, pa e ndje nevojen e ballafaqimit të ideve nëpermejt argomenteve, shtjellimeve e trajtimeve sa ma shkencore, fillojnë menjëherë etiketimet, fyemjet, qendrimet përjashtuese e kështu me radhë.

Pse e ndjeva të nevojshme t’i shkruej këto pak radhë: Që ZSH të bahet shembull i një medie të kulturueme e cilësisht sa ma afër mediave ma të përparueme përendimore.

Fondamentalizëm, simbas fjalorëve ma të mirë, do të thotë  përjashtim i ideve të të tjerëve. Pra ai mund të jetë fondamentalizëm nazist, ortodoks, islamik, komunist, ashtu si mund të jetë edhe fondamentalizem mediatik. 

Në fund të fundit, një media që nuk ballafaqon dy mendime të ndryshme – aty edhe krejt të kundërta – mbi një temë, kryen një shërbim të keq, kurse një media që ofron si model një ide përjashtuese – e çfarëdo lloji qoftë dhe pavarësisht nga qellimi – ma e pakta duhet konsiderue e dhunëshme në aspektin verbal. Aq ma keq kur kjo dhunë asht e vetëdijshme, e qëllimëshme, e mbrapshtë.  Kjo do të thotë se, ashtu si asht e drejtë e patjetërsueshme liria e informacionit dhe e kritikës, por gjithmonë ne kufijte e respektimit të tjetrit; nuk egziston deontologjikisht as e drejta e gjykimit jashtë këtyne normave e mendimit ndrysh, pa të cilin një shoqni demokratike nuk mund të ecë përpara.

Sa do t’i vemë në jetë këto parime, asht në dorën tonë. Por edhe mosrespektimi i tyne asht në damin tonë, të prestigjit e të emnit tonë të mirë.

Uroj që bashkëpunëtorët e ZSH nuk do t’u shmangen respektimit të këtyne normave.



(Vota: 11 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora