E premte, 19.04.2024, 09:20 PM (GMT+1)

Mendime

Kiço Blushi: "Mosmarrëveshja" e shqiptarit me "Shqiptarin"

E premte, 10.12.2010, 10:57 PM


"Mosmarrëveshja" e shqiptarit me "Shqiptarin"

 

Nga Kiço Blushi

 

Më në fund një "Mosmarrëveshje" e munguar! Një mosshje" e munguar! Një mos-marrëveshje e qenë, e pranishme, sendërtare, ngatërrestare, konfliktuale, por e pathënë, d.m.th, e pashkruar. Ky nuk është testament i një qytetari të zakontë, por i shkrimtarit Kadare. Ka një ndryshim thelbësor mes testamentit të një qytetari, qoftë edhe të pasur, me testamentin e një shkrimtari. Mjafton kjo, besoj, për të kuptuar rëndesën, n'daç pendesën e nevojshme që u lipset të gjallëve të kuptojnë "mosmarrëveshjen" që vazhdon të lesharapërojë mes vedi, mes shqiptarësh, mes unit dhe tjetrit, mes mitit dhe historisë, mes dëshirës dhe pamundësisë, mes destinit historik dhe yshtjes propagandistike të liderit partiak, mes të sotmes dhe të djeshmes apo edhe mes fqinjësh sherrxhinj. Mosmarrëveshja ka qenë dhe është një shqisë e trashëguar ngërç-ndjellë-sjellëse, e vendosur folklorisht në rresht të parë të psikës, sjelljes e veprimit tonë, ndoshta për të na mjegulluar horizontin, për të na vonuar historikisht, e njëkohësisht edhe për t'u vetëshfajësuar si struci nga gabimet apo krimet që më së shumti i shkaktojmë në përditshmëri vetes, kombit, ardhmërisë, besimit prej kuturusë. Trashëgimia e Mosmarrëveshjes nuk na të lejon të shohim e të kuptojmë se e keqja që i shkaktojmë tjetrit, tokës, bashkësisë, duhet përjetuar si e keqe ndaj vetes. Vullneti për të jetuar bashkë, kësisoj rrënohet pambarimisht nga dhuna e Mosmarrëveshjes, këtij kanceri që na pengon të kemi veshë për të komunikuar. E pra, si ka rastisur që fjala marrëveshje të jetë ngjizur nga lidhja e foljes marr me fjalën vesh, çka do të thotë jo të kesh, po pranosh ose jo të marrësh vesh, që do të thotë se as veshët nuk i kemi të prirur për të dëgjuar e kuptuar tjetrin?...Si ndodh që, po të shtohet një MOS, kuptimi transformohet dramatikisht në Mosmarrëveshje, një gjendje kjo ku e ku më fatkeqe se të jesh i lindur shurdh?

Ka ardhur koha, - ndoshta paksa si tepër vonë, - të njohim veten: kush jemi ne shqiptarët, të çfarë realisht jemi ne qytetarët e mosveshtë, në ç'raport ndodhet, "Shqipëria e mendjes" me "Shqipërinë e çmendjes", "Shqipëria e qeverisë" me "Shqipërinë e shtëpisë", "Shqipëria jashtë" me "Shqipërinë brenda", "Shqipëria e robërisë" me "Shqipërinë e lirisë"; përse, dreqi e mori, më se një herë ka ndodhur (edhe tash, në liri, mjerisht!) që armiqtë më të mëdhenj të vetes qëllon të jemi e të bëhemi vetë ne?! Përse liria, sipas Kadaresë, më tepër edhe se "filozofia e robërisë", na tjetërson kaq kollaj, duke na hasmosur me njëri-tjetrin, madje edhe me veten, me mjedisin, me historinë, me Evropën, me vullnetin e bashkësisë apo edhe me "shpirtin e kombit", i cili presupozohet se mëkon pavetëdijeshmërisht bashkëjetesën në mirëkuptim e në marrëveshje? Dhe, tekefundit, përse ne na tërheq për hunde mosmarrëveshja dhe konflikti nga një hon tek tjetri, nga përmbysja në përmbytje dhe anasjelltas? Pyesni veten: Shkodra antikomuniste e përmbytur këto ditë, a do ta gjejë dot nesër rrugën e marrëveshjes, "vullnetin për të jetuar bashkë", përveçse me Zotin, që do të thotë se edhe antikomunizmi, prej zhgënjimit, mund të të çojë si peng a si gjaks te mosmarrëveshja jonë klasike? A mos shkodranëve dhe nënshkodranëve u thuhet, me gjuhën e urrejtjes e të përmbytjeve, d.m.th, të mosmarrëveshjes, të ikin nga sytë këmbët? A mos për këtë "zbehje të vullnetit për të jetuar bashkë, si komb", për këtë "moskuptim të tejzgjatur"e të qëllimtë, ka faj vetëm politika, të zgjedhurit, krerët, halldupët, makutët, pra papërgjegjshmëria e trashëguar nga një qeveri te tjetra, përherë të drejtuara nga kryeministra delirantë të mosmarrëveshjes? Natyrisht, një testament, qoftë edhe i Kadaresë, nuk i zgjidh dot të gjitha këto dilema, aq më tepër që edhe të tjerë burra të urtë, para tij, i kanë shtruar këto qilima të dyshimit e mëdyshjes, mbi të cilat ne nuk kemi begenisur të ecim si evropianë, por si anadollballkanikë të karfosur. Sepse jemi të përmbytur, në radhë të parë, moralisht. Më shumë se uji, se shirat dhe fatkeqësitë e natyrës, ne na ka përmbytur mosmarrëveshja. Për këtë mjafton të ndjekësh një seancë nga Kuvendi a një mbledhje qeverie. Ditën që Shkodra po mbytej, kreu i qeverisë fliste për moszbukurimin e Tiranës me flamuj më 28 nëntor, njëlloj si priftërinjtë e curufjepsur që ziheshin për seksin e engjëjve (janë femra apo meshkuj?), teksa hordhitë osmane po pushtonin Kostandinopojën...

'Njëqind herë e meriton shkarkimin, po unë nuk e bëj këtë, jo, nuk e bëj, jo se nuk e meriton, por se je kryetar i PS-së!'...Ha, ha, hi, hi!...Edhe me çizmet në ujët e "të gjithë lumenjve të Ballkanit" që po zaptonin Shkodrën e Nënshkodrën, kryeministrit nuk i dilte kjo e keqe! Peng e kam që nuk e shkarkova për Flamurin!...'Ja, ja, më erdhi mesazhi, doni ta lexoni?' Hi, hi, hi!...E pra, Kryeministri më i shquar i mosmarrëveshjes, Berisha, prej njëzet vitesh e mban të ndezur sherrin, ngërçin, konfliktin. Si rezultat, gjysma e Flamurit me gjasme kërkon 28-ën, gjysma tjetër 29 Nëntorin. Kjo është çështja jonë më madhore, lëmshi ynë mbarëkombëtar këtu e në diasporë: njëra kokë e shkabës vazhdon të shikojë nga e djathta, tjetra nga e majta!...E pra, ne ende nuk e dimë kur duhet ngritur Flamuri! Në mort, në festa, në përmbytje e katastrofa, ne na komandon mosmarrëveshja dhe moskuptimi i ndërsjellë e i pakuptimtë. (Para ca ditësh u rrahën në Kuvendin e Maqedonisë deputetët shqiptarë me njëri-tjetrin!). Ndërsa në shtetin amë kryeministri i Mosmarrëveshjes këtë e quan politikë, kjo është Himalaja e pushtetit të tij, kjo ja ngazëllen shqisat: të tallet publikisht, të poshtërojë kundërshtarët, madje edhe qytetarët që e kanë votuar, ditë e natë, në qeveri e në Kuvend, në rrugë e në tribuna, në zi e në kremtime, mjaft që t'i dalin kamerat përpara! 'Ha, ha, ja zure sytë gjolit; hi, hi, ju nuk e doni tunelin, nuk e doni, po jua them unë këtë, ju nuk votoni për tunelin!'...Ndërsa Shkodra po mbytej me kuç e me maç!...."Dukuria e talljes, e panjohur më parë tek ne, ose për të qenë më të saktë, e fshehur me kujdes...përbënte një nga lajmet më të zeza të kronikës shqiptare. Shpallja, dhe jo vetëm ajo, por pranimi i saj, dhe jo vetëm pranimi, por estetizimi, për të mos thënë himnizimi i saj, ishte me të vërtetë një faqe e re, fatkeqësisht e errët në jetën e kombit; ajo që do të bënte të mundur daljen e politikanëve pa atdhe"... Ndoshta, më sak, dumbabisht duhet thënë: E krerëve pa din e pa iman!

***

Si për të ilustruar "Mosmarrëveshjen", fill pas botimit të librit të Kadaresë, ndodhën dy ngjarje të tjera, veç sherrit të lartpërmendur për Flamurin. Kombëtaristët iu vërsulën filmit "Shqiptari" të një regjisori gjerman, pasi ky film, sipas tyre, prishte imazhin e Shqipërisë; ndërkohë kryetari i komunitetit mysliman, fill pas liberalizimit të vizave dhe mosdhënies së statusit vend kandidat për në BE-, pat shkuar te kryeministri për të marrë prej tij miratimin e ndërtimit të një xhamie në qendër të Tiranës, meqë kryetari i Bashkisë (të cilit, sipas zotit Selim Muça, i kishte folur në vesh Allahu), por ja që tani po del se...se Rama e pat gënjyer zotin Selim pikërisht në ditën e Bajramit, thjesht "për t'i marrë votat e myslimanëve"! Të dyja këto ngjarje në dukje pa lidhje, në të vërtetë kanë lidhje direkte me Mosmarrëveshjen, e cila mesa duket, jo vetëm në sferat e larta të politikës, por edhe të artit, madje edhe të fesë, nuk le rast pa e treguar fuqinë e vet shkërbërëse. Kështu, kreu i myslimanëve që mburret aq shumë me tolerancën fetare, ashtu si hoxha i Shkupit që predikonte në xhami kundër gjaurit Skënderbe, ndërtimin e xhamisë në qendër të Tiranës e kërkon për kapar, si allishverish elektoral për zgjedhjet e ardhme: njëherë përkrah socialistët, kur Rama i premtoi xhaminë, më pas demokratët, ç'ka do të thotë se edhe ai kërkon të bëhet aktor me peshë i Mosmarrëveshjes kombëtare, pa e vrarë mendjen për atë që quhet interes kombëtar, harmoni apo imazh i asaj Shqipërie që i ka këputur lidhjet me teoritë e ministrit të jashtëm turk, Davutoglu për ringjalljen e perandorisë osmane....Kjo sepse ne më së tepri qeverisemi nga Mosmarrëveshja: më jep xhaminë të të jap votat! Njëlloj sipas dogmave të socrealizmit, shqiptari vihet kundër "Shqiptarit" për hiçmosgjë, për një imazh fals, për interes vetjak, për dukje; jo për thelbin, për rrënjët, e as për atë që në të vërtetë jemi e dëshirojmë të jemi: evropianë. Sot shqiptari nuk merret dot vesh me "Shqiptarin" pa rrëmuar e zbuluar rrënjët e veta evropiane, pa e zhveshur historinë e vet nga lëvozhgat otomane të nënndërgjegjes: halli im i ha kokën hallit tënd!....Duhet ringritur vullneti, bindja dhe besimi për të jetuar në bashkësi, në mirëbesim e mirëkuptim. Këtë me sa duket nuk e sjell ADN-ja e gjakut, as gjeografia, as "balta që është më e ëmbël se mjalta", por kthjelltësia, në radhë të parë e atyre që drejtojnë....Por mjerisht krerët tanë nuk kufizohen " vetëm me përçmimin e moralit, por do të shkonin më larg: do të ngrinin kultin e mungesës së tij"...Prandaj, "lëngata e vjetër shqiptare, të bëhesh me grekun për inat të osmanëve, ose me osmanët për inat të grekëve e serbëve, ishte rikthyer...Shqipëria është e sëmurë...Sëmundja...është e rëndë, si çdo lëngatë që do të prodhohej brenda saj...Duke iu shmangur filozofimit në cekëtinë...mund të thuhet se asnjëherë doza e ndotjes morale në Shqipëri nuk ka qenë më e lartë se sot...Ishte fjala për një zgjedhje, që për shumë njerëz ngjante ogurzezë: Ta duam Shqipërinë në mënyrë primitive, apo ta shesim në mënyrë moderne?"...Nj'i kët operacion antishqiptar po e kryen, me sukses të plotë, gjeneratori i Mosmarrëveshjes edhe në kët gjasme demokraci.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora