E premte, 29.03.2024, 08:47 AM (GMT)

Shtesë » Historia

Shkodra, një histori deri në '39

E premte, 10.12.2010, 07:56 PM


Shkodra (Scodra) është një nga qytetet më të lashta dhe më të mëdha të Shqipërisë, qendër e rëndësishme ekonomike dhe kulturore. Shtrihet në skajin jugor të Ultësirës së Mbishkodrës pranë liqenit të Shkodrës, në lartësinë 16 m, ndërmjet lumenjve Drin e Bunë, malit të Taraboshit dhe kështjellës së Rozafës.

 

Shkodra është themeluar aty nga shek. IV p.e.r në kodrat përreth Kështjellës së Shkodrës. Ishte qendër e fisit Ilir të Labeatëve dhe gjatë sundimit të Gentit u bë kryeqendra e shtetit Ilir. Të kësaj periudhe janë monedhat e prera me emrin e qytetit. U pushtua nga romakët më 168 p.e.r. Nëpër Shkodër kalonte rruga e njohur tregtare - ushtarake që vinte nga V dhe nëpër luginën e Drinit kalonte në Kosovë e më tej. Më 1040 u pushtua nga serbët dhe ishte më pas kryeqendra e Zetës. Gjatë shek. XIV u bë qendër e rëndësishme komune autonome me institucione të zhvilluara dhe më pas qendër e feudalëve Balshaj. Më 1396 u pushtua nga venedikasit, sundimi i të cilëve u ndërpre nga një varg kryengritjesh të popullsisë.

 

Shkodra u bëri ballë dy rrethimeve osmane, më 1474 e 1478-79 dhe ra në duart e tyre pas një mbrojtje që pati jehonë ndërkombëtare. Ishte vendlindja e humanistëve M. Barleti e M. Becikemi. Pas pushtimit popullsia u shpërngul, qyteti u rrënua sa u kthye në fshat. U rimëkëmb dhe në shek XVII arriti 1800 shtëpi. U bë qendër kryesore ekonomike e Shqipërisë së Veriut dhe e sanxhakut të Shkodrës. Lulëzuan zejtaritë, punimi i armëve, i mëndafshit, argjendaria etj... U ndërtuan shtëpi dykatëshe prej guri me çardak, pazari, Ura e mesit etj. Në shek XVIII u bë qendër e pashallëkut të Shkodrës nën sundimin e Bushatllinjve (1775-1831). Edhe pas rënies së pashallëkut, banorët kanë bërë një varg kryengritjesh kundër pushtuesit osman (1833-1836, 1854, 1861-62, 1869).

 

Zhvillim të madh ekonomik Shkodra arriti në mesin e shek. XIX. Më 1870 kishte 50.000 banorë. Përveç si qendër e vilajetit, ishte nyje e rëndësishme tregtare për gjithë Ballkanin perëndimor me 3500 dyqane. Më 1807-1808 ishte ndërtuar bezistani. Punoheshin pëlhurat, veshjet kombëtare, lëkurët, duhani, baruti etj. Tregtarët kishin agjencitë e tyre në vende të huaja dhe u ngrit një organizëm i posaçëm për rregullimin e punëve tregtare, si dhe një gjykatë tregtare e drejtoria e postave për shërbime të huaja. Që më 1718-ën ishin hapur agjenci konsullore të disa vendeve të huaja. Si port përdorej Oboti, por sidomos Ulqini dhe më vonë Shëngjini. Me ndërhyrjen e fuqive të huaja në mesin e shek. XIX u themeluan seminari jezuit dhe kuvendi françeskan.

 

Gjatë viteve të Lidhjes së Prizrenit, Shkodra ishte vatër e rëndësishme e lëvizjes kombëtare. Banorët morën pjesë në luftimet për mbrojtjen e tokave shqiptare dhe nënshkruan botërisht në sheshin kryesor të qytetit protestat drejtuar fuqive të mëdha. Dega e Lidhjes për Shkodrën që pati edhe gardën e vet, ishte nga më veprueset dhe dha ndihmesë për mbrojtjen e Plavës e Gucisë, Hotit e Grudës dhe në Luftën për Ulqinin. Ajo u shtyp e para me armë nga Porta e Lartë.

 

Shkodra ka qenë në këtë periudhë gjithashtu një qendër e rëndësishme kulturore. Përmendet biblioteka e Bushatllinjve, për të cilën në vitet 40 të shek. XIX u ngrit ndërtesa që shërbeu më pas si seli e degës së Lidhjes. Libra me vlerë u grumbulluan edhe në bibliotekat e urdhrave katolikë. U themeluan shoqëri letrare, kulturore e sportive, si shoqëria "Bashkimi" dhe "Agimi". U ngritën shtypshkronja, ku u botuan edhe të parat gazeta e revista brenda kufijve të Shqipërisë. Më 1878-ën u ngrit e para bandë muzikore e vendit dhe në Shkodër, nisi puna e fotografëve Marubi, nga e cila trashëgohet një fototekë shumë e pasur.

 

Shkodra është vendlindja e P. Vasës, Z. Jubanit, L. Gurakuqit, F. Shirokës e mjaft shkrimtarëve të mëdhenj. Nga dhjetëvjeçari i fundit i shek. XIX, Shkodra nisi të humbiste rolin e madh ekonomiko-tregtar, më 1895 kishte 36.000 banorë. Ngritja e punishteve të mëdha (manifakturave) solli shtimin e punëtorëve me mëditje (elhakçinjve) dhe në fillim të shek. XX këtu shfaqet për herë të parë lëvizja punëtore në Shqipëri. Më 1901 u bë greva e parë e punëtorëve, ndërsa më 1905 u festua për herë të parë 1 maji në Shqipëri.

Shkodra, gjatë luftës Ballkanike dhe gjatë Luftës I Botërore u bë pre e synimeve të shteteve fqinje, e Malit të Zi dhe e Serbisë. Populli i Shkodrës mbajti për shtatë muaj me radhë qytetin kundër ushtrive rrethuese malazeze e serbe, të cilat hynë në qytet më 23.4.1913, me tradhtinë e Esat Toptanit, duke dëmtuar rëndë qytetin dhe duke djegur pazarin. Por, ato u detyruan më 14.5.1913 të linin Shkodrën, e cila në bazë të vendimit të Konferencës së Ambasadorëve në Londër ishte pjesë e Shqipërisë, por duke u vendosur nën një administrim ndërkombëtar.

 

Me shpërthimin e Luftës I Botërore forcat Malazeze përsëri hynë më 27.6.1915 në Shkodër. Më 22.1.1916 qyteti u pushtua nga Austro - Hungaria dhe u bë qendra e zonës së tyre të pushtimit. Me mbarimin e Luftës u vendos përkohësisht administrata ushtarake ndërkombëtare dhe më 11.3.1920 Shkodra u bashkua administrativisht me Qeverinë kombëtare të Tiranës. Në gjysmën e dytë të vitit 1920 ajo përballoi një rrezik të ri; ndërhyrjen ushtarake të shtetit serbo-kroat-slloven.

 

Shkodra ka qenë një nga vatrat kryesore të lëvizjes demokratike-revolucionare në vitet 1921-1924. Në zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese (27.12.1923), me shumicë dërrmuese votash, fitoi opozita. Natën e 31-të të majit 1924 forcat revolucionare morën nën kontroll qytetin dhe nga këtu u nisën për në Tiranë.

Në vitet 1924-1939 pati një zhvillim industrial të ngadaltë, u ngritën fabrika të vogla dhe punishte të industrisë ushqimore, të tekstilit e çimentos. Nga 43 që ishin më 1928 ato arritën 70 më 1938. Më 1923 Shkodra kishte 20.000 banorë, ndërsa më 1939 kishte 29.000.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora