E merkure, 24.04.2024, 06:28 AM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Elmedina, unë dhe muhaxhirunët (2)

E enjte, 09.12.2010, 10:58 PM


Elmedina, unë dhe muhaxhirunët (2)

 

Nga Kastriot MYFTARAJ, Gazeta Sot

 

UEJL është ana tjetër e medaljes së Islamit në trojet shqiptare. Ky universitet u krijua nga ndërkombëtarët si një gjetje e mesme që shqiptarëve të Maqedonisë të mos u jepej një universitet shqiptar të cilin e patën kërkuar kahmot dhe që ishte një prej arsyeve për të cilat luftuan në 2001. Kështu u dhanë një universitet ndërkombëtar në Tetovë, por ku do të mësonin kryesisht shqiptarët. Ky universitet është konceptuar si një laborator i deshqiptarizimit intelektual të gjeneratave të të rinjve shqiptarë në Maqedoni. Njëjtë siç ka bërë edhe Islami. Ajo çka ndryshon është veç kahja e vektorit. Hoxha i Xhamisë së Isa Begut në Shkup, Ramadan Ramadani dhe Veton Latifi, kryemanipulatori intelektual i UEJL janë anë të së njëjtës medalje.

Nuk është ironi e vogël që ideuesi dhe realizuesi i UEJL (Universiteti i Europës Juglindore në Tetovë), Max Van der Stoel ka diplomuar në Universitetin e Leiden në Holandë, i cili mburret për një histori të ngjashme me atë të Universitetit të Tetovës, atij tjetrit që u hap në fillim ilegalisht, pasi nuk u lejua nga qeveria maqedone. Kur u krijua Republika Holandeze në shekullin XVI, pasi provincat spanjolle, Vendet e Ulta, u rebeluan kundër Filipit II, qeveria rebele holandeze vendosi që të krijojë edhe një universitet. Krejt ashtu si shqiptarët e Maqedonisë, edhe holandezët në atë kohë nuk kishin veçse universitetin e Leuven, i cili u përkiste pushtuesve spanjollë. Meqënëse qyteti Leiden kishte bërë luftën më heroike kundër spanjollëve, qeveria holandeze i ofroi qytetit si shpërblim që të zgjidhte midis uljes së taksave dhe një universiteti. Qytetarët e Leiden zgjodhën universitetin. Holandezët sot janë krenarë për Universitetin e Leiden, si për faktin që ai është një prej më të vjetërve në Europë, ashtu edhe për rrethanat në të cilat u krijua. Edhe Van der Stoel, si i diplomuar në Leiden, është krenar për këtë gjë.

Nëse Van der Stoel do të kishte ndjekur precedentin e universitetit të vet, atëherë ishte dashur që investimi që u bë për UEJL, të ishte bërë për Universitetin tashmë ekzistues të Tetovës, se tekefundit UEJL po hapej si një universitet kryesisht

për shqiptarët e Maqedonisë, gjë që e pranonin edhe vetë ndërkombëtarët, duke filluar nga vetë Van der Stoel. Van der Stoel në atë kohë ishte Komisioner i Lartë i OSCE për minoritetet nacionale dhe ishte angazhuar për të zgjidhur konfliktin mes shqiptarëve dhe sllavo-maqedonëve në Maqedoni. Në shekullin XVI mbreti Filip II i Spanjës shpalli të famshmin dënimin me vdekje për të gjithë banorët e Vendeve të Ulta (ku bënte edhe Holanda e sotme), për shkak se ata qenë rebeluar kundër sundimit spanjoll. Në shekullin XXI, një holandez, Van der Stoel, shpalli dënimin e shqiptarëve të Maqedonisë me një universitet absurd. Georg Christoph Lichtenberg (1742-1799) ka thënë dikur: "Sot ne po provojmë që të përhapim dijen kudo. Por kush e di nëse në shekujt që do të vijnë nuk do të ketë universitete për të rikrijuar padijen tonë të kaluar"

Elmedina është produkti më interesant i këtij kombinimi forcash që kanë vepruar dhe veprojnë për manipulimin e mendjes së shqiptarëve, dhe që janë Islami dhe ai që mund të quhet religjioni postmodern, aspekti intelektual i Globalizimit, që vetëpërcaktohet si postnacionalizëm liberal, por që në fakt është imperializëm intelektual i qendrave ndërkombëtare selektive, të cilat shënjestrojnë një nacionalizëm dhe i krijojnë hapësirë tjetrit. UEJL është një shkollë religjioze sado e habitshme që të duket kjo. UEJL nuk nxjerr intelektualë, por klerikë të religjionit postmodern. Tekefundit ai që përfiton nga kjo është nacionalizmi sllavo-maqedon, se Maqedonia praktikisht mbetet shtet nacional i sllavo-maqedonëve.

Elmedina dhe gjenerata e saj kishin pritshmëri të mëdha, por ato pësuan zhgënjime të mëdha: "Ne kishim dëgjuar se lufta ishte bërë për të drejta. Ne pritnim të ndryshonin shumë gjëra. Ne të shkretët ishim gjenerata e pritjeve: që pritëm tetot që nuk flisnin shqip, që pritëm shoqet që s'dallonin gj dhe xh (sa qeshnim me ato), kurse tash prisnim të ndryshonin shumë gjëra. Dhe, tash kur aq shumë kemi pritur, vallë a kemi faj që 'kemi shpirtin në fyt'? A kemi faj që vuajmë nga ankthi? Që kemi frikë se mund të ndodhë diçka? Që kemi frikë të protestojmë, sepse i barazojmë me luftën? Jo, jo, ne nuk kemi faj. Jemi studentë që mësuam "psikologjinë e turmës" në shkollë fillore. Atëherë e dinim si do të reagonin xhaxhallarët e tetot tona, kurse tash duam të mësojmë çka është elitë. A mund të jenë pjesa e saj disa nga ne? Apo do bëhemi pjesë e turmës dhe do analizojmë psikologjinë tonë nga brenda? Sa mund të analizohet një situatë derisa je brenda saj? Më mirë të mos e them... Që të mos i dëshpëroj edhe më shumë bashkëmoshatarët e mi".

Elmedina duhet ta dijë se si lufta në Maqedoni, ashtu edhe  ajo në Kosovë u bë se SHBA kanë një strategji ballkanase, sipas së cilës duhet të ketë sa më shumë qendra krize të konservuara, të cilat t' i qëndrojnë Europës në oborrin e saj si mina të pashpërthyera. Kështu Europa do të ketë nevojë për vazhdimësinë e pranisë së SHBA si protektor që garanton sigurinë e saj, gjë që me përfundimin e Luftës së Ftohtë erdhi duke u vënë në dyshim. SHBA e dinë se Europa i shikon me dyshim shqiptarët muslimanë, prandaj nuk e ngacmon atë më tepër se sa duhet, duke u dhënë më tepër të drejta shqiptarëve, si në Kosovë, ashtu dhe në Maqedoni. Pikërisht për shkakun se shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë janë muslimanë, procesi i denacionalizimit intelektual bëhet vetëm në një kah tek shqiptarët dhe jo tek sllavët. Në këtë kuadër strategjik, vetë ekzistenca e shqiptarëve është në rrezik, se ata janë një ekspedient taktik dhe jo një aset strategjik amerikan. Nga kjo pikëpamje, identiteti musliman i shqiptarëve shndërrohet në një rrezik ekzistencial për ta.

Do të ishte interesante sikur Elmedina ta rishkruante artikullin e saj në 2030, në 2050, në dy periudha të tjera 20 vjeçare të jetës së saj. Dinamika e historisë nuk ka për t' u ngadalësuar, vetëm ka për t' u përshpejtuar. Dinamika e tensionit dhe e alarmit që përjetonte Elmedina në 20 vitet e para të jetës së saj, mbetet në zhvillim të plotë. Vetë Elmedina e pohon këtë kur shkruan: "Jemi gjeneratë e pritjes. Rini me 'shpirt në fyt', me frymëmarrje atipike, me takikardi ose bradikardi. Pse jemi gjaknxehtë për gjëra të pavlera? Pse presim në ankth? Pse një krismë e zakonshme barasvlerësohet me një luftë?"

Sepse është instinkti i vetëruajtës nacional, i formësuar tek arhetipi shqiptar gjatë historisë, i cili çon sinjale alarmi nga nënvetëdija në vetëdijen e Elmedinës dhe të bashkëmoshatarëve të saj. Arhetipi percepton realitetin në të cilin jeton Elmedina sipas kategorive të veta eksperienciale tejhistorike dhe ato i japin përfundime të pagabueshme. Elmedina duhet t' i zbërthejë sinjalet e koduara arhetipale kështu: Pas të gjitha gjasave, dikur në ardhmërinë jo të largët, nga pikëpamja e kohës historike, edhe ajo ka për të qenë një nga ato tetot, për të cilat një vajzë në Turqi ka për të pyetur gjyshen se përse kjo teta nuk flet si ne. Se dinamika e historisë ka për t' i flakur shqiptarët muslimanë nga

trojet e tyre në këtë anë të Ballkanit, duke i dërguar në Turqi. Luftra të tjera do të vijnë në të ardhmen jo të largët, edhe më të mëdha se tre luftrat që përjetoi Elmedina në 20 vitet e para të jetës së saj. Dhe kur Elmedina rreket të bëjë analizën e situatës, ajo nuk mund t' i shmanget pyetjes se a ia vlen që fati i shqiptarëve të indeksohet me Islamin?

Unë kam përshtypjen se ka qenë me një rëndësi simbolike fakti që Rebeca West, autorja e librit më të famshëm të udhëtimeve për Jugosllavinë, "Black Lamb and grey falcon: a journey through Yugoslavia", ishte e dashura e Herbert G. Wells, autorit të librit të famshëm "Time machine". Në librin e Wells tregohet për një makinë me të cilën mund të udhëtohet në kohë, në të shkuarën dhe në ardhmëri. Në Ballkan shpesh e ardhmja historike është një udhëtim në të shkuarën.

Për epokën e luftrave ballkanase që përjetoi Elmedina, jep një përcaktim interesant Robert D. Kaplan, i cili sot është një nga studiuesit më të njohur amerikanë të çështjeve ndërkombëtare, posaçërisht të regjioneve të krizave gjeopolitike. Robert D. Kaplan udhëtoi në Ballkan në gjurmët e Rebeca West, për librin e së cilës thoshte se e mbante gjithherë me vete në udhëtimet e tij dhe se do të donte që të humbte gjithçka përveç tij. Robert D. Kaplan në librin e vet "Balkan Ghosts", tregon një episod nga vizitat e veta në Jugosllavi, në fillim të viteve 1980: Në çdo udhëtim që bëja në Beograd, unë bëja një vizitë në apartamentin e ish-shtetarit dhe studiuesit të njohur, Milovan Djilas (Gjilas). Pas vizitave të para bisedat tona u bënë gjëra të llojit të mistereve të frikshme, sepse unë zbulova që Djilas kishte gjithherë të drejtë. Ai qe i aftë të parashikonte të ardhmen. Teknika e tij qe një gjë e thjeshtë për një europiano-lindor, por një gjë e vështirë për një amerikan: ai dukej se injoronte gazetat ditore e mendonte vetëm historikisht. E tashmja për të qe thjesht një shkallë e së shkuarës që lëvizte shpejt në të ardhmen, çka dukej e pakonceptueshme për analistët konvencionalë, ishte gjithherë rezultat i natyrshëm për të". (Robert D. Kaplan: "Balkan Ghosts", "First vintage Departures Edition", New York 1994, f. 74)

Kjo mënyrë të menduari e Djilas u verifikua të ishte realiste nga ngjarjet e viteve 1990, kur në ish-Jugosllavi filloi një epokë luftrash, që vazhduan 10 vjet dhe që në analizë të fundit qenë një riciklim i konflikteve historike midis nacioneve të kësaj hapësire. Pas të gjitha gjasave edhe ardhmëria e kësaj pjese të Ballkanit do të jetë një udhëtim në të shkuarën, tekfundit të afërt, duke konsideruar luftrat e fundit në regjion. Do të ketë luftra të reja në Ballkan, do të ketë Rebeca Ëest të reja që do të shkruajnë. E ndoshta Rebeca West e ardhmërisë do të vijë edhe në Përshefc pasi të ketë lexuar shkrimin e Elmedinës dhe do të meditojë mbi këtë vajzë shqiptare të cilën luftrat e reja e dëbuan nga vendi i saj, e bashkë me të dhe krejt popullsinë shqiptare muslimane. Jo në Perëndim, siç shpreson dikush, por në vendet islame, në Turqi, se Perëndimi, me sa po duket, në të ardhmen jo të largët do të bjerë nën kontrollin e forcave që do të dëbojnë edhe muslimanët që gjenden tashmë atje. Dhe Turqia do t' i dërgojë shqiptarët muslimanë të dëbuar në zonat kurde, që t' i përdorë kundër kurdëve. Dhe kështu shqiptarët muslimanë do të përjetojnë luftra të reja atje ku menduan se do të gjenin më së fundi prehje. A mos ndoshta rrëfimi i Elmedinës i cili filloi në një fshat rrëzë Sharrit, do të përfundojë në një fshat të Anadollit, në Kurdistanin turk?

A mund të bëhet diçka për ta ndryshuar këtë, apo mos ndoshta ashtu si në tragjeditë e vjetra greke, heroi, heroina në këtë rast, shkon drejt fatit të paracaktuar tragjik, i/e shtyrë nga një seri gabimesh? Unë nuk mund të bëj asgjë për ta ndryshuar këtë rrjedhë. Unë dhe Elmedina jemi shqiptarë, por ne të dy jemi aq larg sa ç' do të ishte sikur të jetonim në dy planete të ndryshme, në dy skajet e galaksisë sonë. Ne të dy jemi ndarë që para se të lindnim, qëkurse Muhameti shkoi nga Meka në Medinë së bashku me një grusht mbështetësish militantë, të cilët u quajtën muhaxhirunë. Midis ne të dy shqiptarëve, vendlindja dhe vendbanimi i të cilëve gjenden shumë më pranë njëri tjetrit se Meka dhe Medina, ndodhen muhaxhirunët e shkretëtirës arabike që na ndajnë secili sa një vit dritë largësi. Këtë Elmedinën unë nuk do ta njoh kurrë dhe nuk dua që ta njoh.

 

kastriotmyftaraj@sot.com.al



(Vota: 9 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora