E enjte, 25.04.2024, 01:23 AM (GMT+1)

Editorial

Engjëll Koliqi: Europë, shpëtoje Europën në Kosovë!!!

E marte, 01.01.2008, 03:06 PM


                                                                     EUROPË
                             SHPËTOJE EUROPËN NË KOSOVË
                                                       !!!

Me njohjen e pavarësisë dhe me pranimin e menjëhershëm të Kosovës në radhët e veta, BE ia rikthen Kontinentit të Vjetër vlerat e civilizimit të mirëfilltë, që i kanë rrëshqitur dhe humbur ndërmjet intereseve të njëanshme. Pranimi në BE i popullit të Nënë Terezës, është pasuri e madhe dhe bekim për Europën!

Shkruan: Engjëll KOLIQI

Engjëll Koliqi
Nga  mbledhja e fundit e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, më 19 dhjetor 2007, në një masë u la të nënkuptohet se për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, deri te statusi final, OKB-ja ia hodhi topin Bashkimit Europian (BE-së), duke i hapur njëherësh dritën jeshile për njohjen e pavarësisë dhe marrjen a administrimit nga UNMIK-u.
Duke pasur parasysh vlerat e larta të civilizimit, që dalin nga traditat e bekuara arbërore, aftësitë dhe shprehitë e punës, tashmë të dëshmuara gjithandej nëpër botë, të qytetarëve të Kosovës, pasuritë njerëzore dhe ato natyrore-tokësore, pranimi i Kosovës në BE nuk sjell telashe as vështirësi, por përkundrazi Europës i sjell pasuri dhe bekime! Me t’u pranuar Kosova në BE, qytetarët e saj do të pajiseshin me pasaporta europiane dhe do të shkonin në vende të ndryshme për të kërkuar punë, pa paguar mafian që merret me trafikim njerëzish. Nëse nuk gjejnë punë, secili kthehet në shtëpinë e vet, sepse nuk e ka më problemin e kalimit të sërishëm të kufirit. Nga ana tjetër, ekspertët europianë do të vinin në Kosovë dhe mbas hulumtimeve e përgatitjev e të duhura logjistike, do të hapeshin shumë xehërore dhe do të ndërtoheshin shumë fabrika, ku përveç punëtorëve vendorë do të nevojitej fuqi punëtore edhe nga jashtë.
Kur i kemi parasysh këto, mund të themi se pranimi i Kosovës n’Europë do të ishte me interes të gjithanshëm. Jo vetëm kaq, por Kosova brenda, edhe do ta shpëtonte BE-në nga rreziku i shpartallimit, që po i kanoset nga dita në ditë. Nuk duhet harruare se me pranimin e Kosovës në BE, natyrisht që do të qetësohej Ballkani dhe do të garantohej kështu qetësia e paqja e qëndrueshme për mbarë kontinentin.
Kur shihen lëvizjet dhe tendencat për pranimin e Rusisë dhe të Turqisë në BE, shtrohet pyetja: - Si mund të pranohen n’Europë dy vendet që mbi 80% të territorit të tyre e kanë në Azi e që gjithëherë kanë qenë kancer brejtës dhe shkatërrues i Europës, e të anashkalohet dëshira dhe gatishmëria e anëtarësimit në BE të vendeve ballkanike, si: Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Kroacia... ?!
Le të shpresojmë se dinamika e përshpjetuar e zhvillimeve dhe ngjarjeve të fundit në hapësirat ballkanike dhe gjithandej nëpër botë, kanë zgjuar edhe diplomacinë e mbase edhe ndërgjegjen e liderëve europianë dhe ata – përfundimisht do të merren seriozisht me të gjitha problemet përbrenda dhe rreth Europës dhe do t’i zgjidhin ato drejt e sipas prioritetit të natyrshëm. Nëse e shohin realitetin me sytë e vet të natyrshëm, liderët europianë do të duhej ta marrin vendimin dhe pa vonuar ta njohin shtetësinë dhe sovranitetin e Kosovës dhe ta pranojnë menjëherë në BE këtë vend të vogël, që do t’u sillte pasuri dhe bekime të mëdha. Me një fjalë, pranimi i Kosovës në BE, faktikisht do të ishte vetë shpëtimi i Europës. Që të shmangen problemet dhe krizat e thella, deri në rreziqe të shkatërrimeve në masë, BE duhet të nxitojë dhe këtë hap historik ta ndërmarrë brenda vitit 2008. Me këtë hap të guximshëm, Brukseli do t’i sillte pasuri dhe bekime Europës, nga njëra anë, kurse nga ana tjetër do t’i fikte të gjitha shpresat dhe ambicjet e kryemafiozit Putin, për ta trazuar dhe rrezikuar Europën dhe përgjithësisht botën, për t’i realizuar projektet e tij mafioze, me rreziqet e mëdha që po ndërmerr, me autoritet e Iranit dhe të Koresë Veriore. Me pranimin e Kosovës në BE, Putinit do t’i fikeshin shpresat për ndezjen e Ballkanit të trazuar e të nxehtë! Ai më nuk do të kishte argumente që “të fuste turinjtë” në politikat ballkanike, që don të thotë se Europa përfundimisht do të shpëtonte prej sindromit të luftës në Ballkan. Nëse ndodh kjo, Serbia menjëherë do të “dorëzohej” dhe vetë do të interesohet t’i ndjek procedurat legale të njohjes si shtet në OKB dhe do të kërkonte pranimin në BE. Në këtë mënyrë, përfundimisht do të mund të fillojë kultivimi praktik i fqinjësisë së mirë, projekt ky i paraqitur nga Ekipi i Unitetit, në bisedimet për status, para faktorit ndërkombëtar.
Duke i mobilizuar detajisht të gjitha këto që u thanë më parë, me plot gojën mund të bërtasim: - Europë, shpëtoje Europën në Kosovë! Ashtu qoftë – Amen!

Lecco, 1 janar 2008



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora