Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kolec Traboini: Kush po e mbyt Shkodrën?

| E merkure, 08.12.2010, 09:59 PM |


 

S.O.S. SCUTARI!

 

KUSH PO E MBYT SHKODREN?

 

Për faqe të zezë të atyre që kanë sot karrike rrotulluese, që fluturojnë çdo javë nëpër botë me paratë e taksapaguesve, që ushqehen si parazitë, si rriqna në trupin e këtij populli të urtë, këtij populli që nuk bzanë edhe kur ja vënë duart në fyt, e përmbytin dhe e mbytin si dele

 

Nga KOLEC TRABOINI

 

Mendja më shkon gjithë ankth në Shkodër. Marr në telefon dy herë në ditë. Njerëzit anipse në pikë të hallit kanë shpresë. Por uji që ngrihet po pushton qendrën e qytetit duke zbeh e dekurajuar edhe me optimistin. Dhe kanë të drejtë. Që të vijë uji i Liqenit deri në Parrucë kjo nuk ka ndodh kurrë sa njihet historia e Shkodrës. Flas për qytetin se Nënshkodra e ka pasë këtë rrisk gjithmonë. Historia e përmbytjeve të qytetit ka nis vetëm atëherë kur Drini është ndarë në dy degë. Para 100 e sa vjetëve ra termet dhe toka pësoi një të çarë. Një masë e madhe uji si ka lënë shtratin e vjetër që kalonte nëpër Lezhë është bashkuar me Bunën. Deri atë kohë Buna ishte e lundrueshme e Shkodra një nga limanet e njohura dhe me Bezistenin, qëndrën tregtare, ndër më të bukurit në Ballkan.

 

Shkodranët kishin lidhje të drejt përdrejta me Europën. Vinin anije me gjithçfarë flamujsh. Madje kur Shkodra, pas vdekjes së Skënderbeut, ka qënë rrethuar në një qëndresë prej 10 vjetësh, të vetmen lidhje me botën ka pas anijet që vinin me ndihma nga Venediku që kishte protektorat mbi qytetin. Edhe në kohën e sundimit otoman Shkodra megjithëse u paralizua, vazhdoi të mbetej një liman. Madje në shekujt 17-19 u zhvillua jashtë mase sepse banorët e këtij qyteti filluan të merreshin me tregti, madje tregtarët shkodranë shkonin me anije deri në Odesë dhe blinin gzofra të shtrejta. Nëpër këtë rrugë detare ka ardhur dhe një prej veprave të Rembradit në Shqipëri. Mirëpo pas mbushjes së Bunës me prurjet inerte të Drinit, Shkodra e humbi gjallërinë si nje nga qëndrat më të mëdha tregtare në Ballkan dhe kryeqëndra e të gjithë trojeve shqiptare, anipse e ndarë në katër vilajete. Aq i madh ishte emri i këtij qyteti për dy brigjet e Adriatikut sa Krajl Nikolla, që e donte për kryeqytetin e mbretërisë së vet të Malit të Zi, meqë nuk e realizoi këtë ëndërr hoqi dorë nga froni. Por kjo është aspekti historik. Shtrati i vjetër Drinit, i cili ishte shumë më i madh se degëzimi i ri që çonte në Bunë e kalonte përmes Lezhës u pakësuar nëpër vite sepse sasia e ujit që lëshonte diga e Vau Dejes ishte e vogël.

 

Shumë mendjeshkurtëve iu duk ky shtrat i vjetër i panevojshëm. Sa herë kam shkuar në Shkodër këto vite kam pyetur veten ku shkoi shtrati i vjetër i Drinit, ai shtrat prehistorik. Thuaj është zhdukur. Dukej si një prroskë. Është mbushur me inerte? Janë hedhur materiale për të fituar tokë nën indiferencen e shtetit që mbyllte sytë.

 

Tani që u hapën portat e Digës në maksimalen e derdhjeve, Drini kërkoi shtrat, po ku ta gjejë? E gjithe masa e ujit rrodhi në atë degë Drini që shkon e takohet me Bunën. Ne kërkojmë shkaktar në qiell e i kemi shkaktarët në tokë. Harrojmë se Shkodra është vendi i reshjeve të gjata. Gjashtë muaj pasi kish ikur në Stamboll një nënpunës i Perandorisë pyeti kolegët e vet me telegraf, "A ka pushue ala shiu në Shkodër?" Pra nuk është gjë e re shiu. Nuk është i papritur. Të paktën kush është shkodran këtë e di. Ndaj është krejt marrëzi të thuhet se e ka fajin Liqeni që është ngritur. Ky argument nuk funksionon, aq me tepër të kujton argumentin satirik të janarit se gjoja ishte fryrë deti.

 

Niveli i Liqeni nuk ngrihet e rrezikon qytetin prej ardhjeve e derdhjeve të Prroit të Thatë, Cemit apo derdhjeve në Mal të Zi. Qyteti rrezikohet drejtpërdrejtë vetëm prej Kirit sepse pendat e vjetra të krijuara për të mbrojtur qytetin nga verilindja janë lënë pas dore e janë prishur. Nuk investohet për atë pendë Kiri asnjë lekë, madje gjasat janë që ajo të jetë shkatrruar nga ata që janë ngulur pas 90-tës. Prandaj kur thuhet se Shkodra u mbyt prej lumejve që derdhën në liqen nxjerr krye dukshëm një rrenë politike. Për të fshehur faktin se i vetmi shkak i përmbytjes së qytetit janë derdhjet e menjëherëshme nga portat e hidroçentralit të Vaut Dejës, duke bërë që Drini me furinë e tij t?i presë rrugën Bunës. Pra nëse nuk do të shkarkoheshin tërë portat e Vaut te Dejës, nuk do të kish përmbytje në qytet, por pjesërisht vetëm në zonën e Nënshkodrës. Kjo është e vërteta prej të cilës të gjithë shmangen si djalli nga temjani. Nuk thonë fare se portat duheshin hapur gradualisht që në nëntor kur u dhanë shënjat e para të rrezikut të përmbytjeve. Por askush administrativisht nuk e vuri veshin, sepse merreshin me politikë bajate, me të shara në parlament, me idiotsira, madje edhe atëherë kur liqeni po sulmonte lagjet në hyrje të Shkodrës.

 

Kush nuk ngeli pa mend në ato debate idiote kur u miratua buxheti per vitin 2011. Sikur ishin mbledhur pozitë e opozitë t?i hiqnin brekët njëri-tjetrit që t?ua shihte bota. Dhe ua hoqën njëri-tjetrit. Dhe bota i pa dhe ngeli pa mend se sa të bukura i kanë bythët politikanët tanë, sa tua ketë zili edhe një këngëtare mediokrre si top dhjami që i këndon prapanicës së vet.

 

Ndërkohë, pa lajmëruar fare, qenë hapur të gjitha portat e digës duke derdhur maksimumin e mundshëm të ujit të Liqenit të Vaun e Dejës. Dhe është e natyrshme që Drini u bë një lumë i egërsuar që e përplasi furinë e vet në lumin Bunë e cila thuajse ndaloi. Si rrjedhim u fry liqeni sepse nuk kish më derdhje. Po të vjen çudi se askush nuk thotë të vertetën se këtë katastrofë e ka shkaktuar mosshkarkimi me kohë i ujrave e në mënyrë graduale, gjithashtu dhe lënien e Bunës në cektësi deri në atë shkallë sa çudi si nuk ka dalë nga shtrati një herë e përgjithmonë duke pushtuar brigjet.

 

Qënia e Digës së Vaut të Dejës, është thënë prej vitesh nga specialistët, e ka vënë Drinin nën fre, pra nën kontroll e jo jashtë kontrollit. Po kush i dëgjon specialistët? Kush të dëgjon po të thuash se po plasi edhe diga e Shtodrit në veri të qytetit, Shkodra rrafshohet. Mos guxo ta thuash se të quajnë sabotator. Rrezik të bëjnë atë që bëri diktatura duke pushkatuar një ushtarak sepse kish thënë se po e plasëm digën e Shtodrit, partia do ti kthejë këmbët e diktatura merr fund.

 

Sot specialitetet i bën politika. I bën mbrapshtia, sepse kemi plot energji elektrike, eksportojmë me bollëk dhe çmimet e energjisë shtohen sa thua ne paguajmë për energjinë tonë më shumë se paguajnë të huajt që e blejnë nga ne. Veç një shkërdhatoqeverisje mund ta pranojë rritjen e çmimeve të energjisë në këto kushte kur këtë energji populli po e paguan aq shtrejtë, jo vetëm si kosto por edhe me travajë duke u përmbytur. Kur do të vijë ajo kohë kur për ato hidroçentralet populli i Shkodrës, që e pëson disa herë në vit prej tyre, të thojë: duam përqindjen e fitimit që të kalojë në favor të zhvillimi të Shkodrës.

 

As mos prit të ndodh kjo. Përkundrazi Shkodra duhet të paguaj një haraç më të lartë se në kohën e perandorisë otomane e të mos marrë asgjë prej taksidarëve të rinj që marrin për çdo mall që qytetari i këtij vendi blen, madje edhe ushqimet, në shumën prej 20 përqind, një taksim katastrofik në kushtet e një varfërie të plotë të shqiptarëve.

 

E për mbrapshtitë e veta shumëkush që zë kryet e politikës a shtetit në këtë vend ja vë fajin vetëm natyrës. Kur nuk bëjnë fajtor edhe Zotin. Veç ai ka mbetur pa u ba fajtor në këtë vend...

 

Fundi fjalës ajo që po ndodh sot në Shkodër nuk është përmbytje, por mbytje, sepse pas 50 vjet tortura mizore Shkodra në 20 vjet pati një abandonim total prej planeve e buxheteve qeveritare, por jo prej demagogjive elektorale. Ku është thellimi i Bunës, ku është Shkodra turistike. Pse ka aq shumë papunësi në Shkodër?

 

Ah po, ndoshta do të hartohet ndonjë projekt i ri për ta bërë Shkodrën Venecia....

 

Digat punojnë maksimalisht, shiu ka kohën e stinën e vet e s'do tia dijë, përmbytja vazhdon, u harruan fjalët e purpurta për liberalizimin e vizave. Kaq ishte. Si kripa në ujë. Sa të shkoni ju në Venecja po jua sjellim Venecjan në Shkodër. E çfarë Venecie, që ta mbani mend për 100 vjet?

 

Zgjidhje e mirë e për faqe të zezë të atyre që kanë sot karrike rrotulluese, që fluturojnë çdo javë nëpër botë me paratë e taksapaguesve, që ushqehen si parazitë, si rriqna në trupin e këtij populli të urtë, këtij populli që nuk bzanë edhe kur ja vënë duart në fyt, e përmbytin dhe e mbytin si dele, se fundja ku kanë aq para këta njerëz sa të shkojë në Europë duke patur në xhep nga 1000 Euro të thata, kur edhe ato pak orendi e bagëti që kishin ua mori Buna.

 

Ah, të kishte të merrte kjo Bunë edhe politikën e grindjeve, përçarjeve, sharjeve, korrupsionit, tarafit, papunësisë, gënjeshtrave e demagogjisë...

 

Ti merrte me oxhak e me buxhak e ti çonte në det, për të mos u kthyer më kurrë .

 

4 dhjetor 2010