E premte, 29.03.2024, 07:11 AM (GMT)

Kulturë

Natalie Portman

E shtune, 05.05.2007, 11:59 PM


Natalie Portman, sa larg dhe afër Hollywood-it

Shikoni këtë foto dhe përgjigjiuni pyetjes: cila është pjesa më e mirë e Natalie Portman? Çfarëdolloj detaji anatomik që të keni menduar, përgjigjja është e gabuar. Pika e saj e fortë është truri. Është e diplomuar për Psikologji në Harvard, frekuenton kurset në hebraisht në  Universitetin e Jerusalemit dhe u përgjërohet profesorëve të saj të mos ia shohin filmat. Ja përse...

Nuk keni për ta parë kurrë të kërcejë lap dance me Kate Mos. Nuk keni për ta parë kurrë në një viedo porno amatore. Nuk keni për ta parë kurrë duke u shfryrë në tualetin e grave me një mikun e saj dhe duke dalë që andej e trullosur. Janë shumë gjëra që bëjnë yjet e Hollywood-it, por që Natalie Portman-i nuk ka për t’i bërë kurrë. Përveçse të zhvishet. “Inkuizitori i fundit” është filmi i parë nudo i saj. Por aspak seks në një skenë filmi, aspak një sekuencë torture. Personazhi i saj është ai i Ines-it, muza frymëzuese e Goya-s. Të gjitha këto në sheshin e xhirimeve. Në jetën private nuk ndodh asgjë e tillë, e turpshme.

Natalie bën një vështrim si të Audray Hepburn e ndërsa hipën mbi poltronë, tregon: “Kam parë kokainë për herë të parë në Spanjë, kur po xhiroja një film mbi Goya-n. Dikush më pyeti: “Do një vizë?”, dhe unë mendova “O Zot!”.

Në realitet e vetmja varësi e Natalisë janë çantat e vogla. Mundësisht me material sintetik, sepse përveçse është vegjetariane, vajza nuk dëshiron që të ketë asnjë lloj veshje lëkure. E njëjta gjë vlen edhe për këpucët. Zakonisht përdor atlete, kurse në raste speciale siç janë Çmimet Oscar ose Golden Globe, zgjedh Beyond Skin, një markë këpucësh “vegjetariane”. Mban vetëm vëthë conflict-free (gurë që nuk e kanë prejardhjen nga zona lufte). I blen në një vend që quhet Clarie’s, kushtojnë tre dollarë një palë dhe ajo betohet se janë identikë me diamantet e vërtetë. Makina e saj është një Prius me motor hibrid, pra ekologjik. Do ta kishte dashur të zezë, por kjo ngjyrë nuk ishte e disponueshme, prandaj zgjodhi një ngjyrë livande.

Çuditërisht normale

Pjesa më e madhe e veshjeve të saj janë të njëjtat që në moshën 14-vjeçare, që kur ndaloi së rrituri. Të gjitha rrobat janë vendosur në një dollap me përmasa normale, në një shtëpi me përmasa normale, në një zonë normale të Islandës, njëzet minuta larg prindërve të saj. Ka një kompjuter Mac, por e përdor vetëm për të kontrolluar postën elektronike dhe lajmet në sajtet e New York Times dhe Ha’aretz, një e përditshme izraelite (Natalie ka lindur në Jerusalem, bijë e një mjeku izraelit dhe në moshën tre vjeçe u transferua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës). Ka një televizor, por që në fakt nuk sheh asnjë program, përveç serialeve satirike Ali G. I pëlqejnë shumë komeditë dhe “Lebowski i madh” është filmi që ka parë më shumë herë. Ka dobësi për librat, të vendosura në mënyrë të rregullt nëpër rafte (në sheshxhirimin e filmit mbi Goya-n mori me vete rreth tridhjetë). Certifikata e diplomimit për Psikologji në Harvard, nën emrin Natalie Hershlang (mbiemri i saj i vërtetë), është pozicionuar në dhomë me një pamje të dukshme, pranë një kafshe pellushi, që dikur ka qeni e nënës së saj. Revistat e lajmeve rozë nuk i janë dukur kurrë interesante. Përveçse në dy raste: një herë për pushime ndërsa merrte rreze me topless, dhe njëherë ndërsa ishte duke sistemuar të brendshmet. “Është e vërtetë, nuk jam superskandaloze (fjalën super e përdor shumë shpesh ndërsa flet), por edhe unë jam dehur ndonjëherë. Në Madrid, ndërsa isha duke xhiruar “Inkuizitori i fundit”, kam kërcyer në një lokal deri në pesë të mëngjesit. Por është e vërtetë që aty ishte edhe babai im. Në përgjithësi dal shumë pak dhe kurrë me njerëz të famshëm”. Në të shkuarën Portman ka qenë e lidhur me aktorin Gael Garcia Bernal, por tani nuk dëshiron të flasë më për të.

Ama është e gatshme të bisedojë për argumente më pak private. Që nga filozofia e mosdhunimit të tribuve në Zelandën e Re e deri tek sistemi bipartiak që po pengon politikën amerikane. Pasi ke folur me të, sado inteligjent qofsh, fillon të vësh në dyshim bagazhin tënd të njohurive. “Ndonjëherë kur diskutoj me Natalinë për ndonjë libër ose film, më duket vetja sikur jam në shkollë të mesme, kurse ajo është mësuesja”, thotë Aleen Keshishian, me të cilin kanë qenë miq në Harvard dhe tashmë është menaxheri i saj.

Sa për sharmin, që cilin Portman e ka absolutisht të pashmangshëm, edhe pse shpesh nuk e përfill, si të ishte e pandërgjegjshme për të, një prej vlerësuesve është Mike Nichols, me të cilin Natalie ka bashkëpunuar tek “Closser” në vitin 2004, i cili e rendit në një listë shumë të kursyer ikonash të të gjitha kohërave. “Fakti që një bukuri kaq tronditëse mund të jetë edhe një aktore e shkëlqyer, është shumë i vështirë për t’u kuptuar. Ka ndodhur shumë pak herë dikur, me Greta Garbon dhe Luoise Brooks”.

Kush është Lolita?

Nëse e pyet për biografinë, ajo mendon se e saja është shumë e mërzitshme. “Kam pasur prindër të shkëlqyer. Më kanë rritur mirë dhe më kanë bërë të lumtur”. Kur ishte fëmijë, maksimumi i zbavitjes për Natalinë ishte të shihte filmin “Dirty Dancing”. Donte me çdo kusht të bëhej aktore, por prindërit e saj nuk ishin dakord. Kur ishte nëntë vjeç një zbulues talentesh të “Revlon” i afrohet në piceri dhe e pyet nëse donte të bëhej modele. “Jo, por do të doja një agjent”, përgjigjet teatralisht. Kur në moshën 11 vjeç firmosi kontratën e saj të parë për filmin “Leon”, një histori dashurie mes një vrasësi dhe një jetimeje, babai i saj vendosi kushtet. “Kishte vendosur se sa herë mund të thithja cigare në një skenë dhe sa herë mund të shaja. Në të vërtetë nuk më ishte lejuar kurrë të pija cigare. Madje, ai donte që të kishte njerëz pas meje që të nxirrnin tym”. Filmi ishte një sukses, por pati është pasoja të pakëndshme. “Lexoja artikuj që shkruanin se të mijtë duhet të kishin pasur kushedi se sa probleme, që më lanë të bëja atë personazh”. Ishte vërtet e neveritshme. Vazhdonin të më përkufizonin si “loliteske”. Kurse unë as që e kisha idenë se kush ishte Lolita”.

Atëherë, prindërit e Natalisë vendosën që ajo të mos ekspozohej shumë. Nuk duhet të fliste me fansat dhe as të firmoste autografe, përjashto fëmijët. Për këtë refuzoi pikërisht rolin e Lolitës në filmin e Adrian Lyne-së, në vitin 1997, dhe nuk luajti as në filmin “Shtrëngata e akullt” në po atë vit. Nuk pranoi as “Dirty Dancing 2”, dhe ky nuk ishte një vendim i lehtë. Por ndërkohë regjisorë si Woody Allen, Michael Mann dhe Tim Burton fillojnë t’i japin pjesë të vogla në disa filma (“Të gjithë thonë të dua”, “Heat-Sfida”, Mars Attacks”). Në këtë pikë Natalie Portman mund të kishte pushtuar Hollwood-in, por ajo zgjodhi kolegjin.

Një aktore në Harvard

Kështu regjistrohet në Harvard. Fillimet ishin të vështira. “Isha gjithmonë nervoze. Dëgjoja të tjerët që mendonin se unë isha aty sepse isha një aktore dhe jo sepse e meritoja”. Por i famshmi Alan Dershowitz, që ka qenë profesori i saj, e kujton si një nga studentet më të mira dhe inkurajoi të diplomohej për Psikologji. Por ndrojtja për faktin se ishte një aktore ishte gjithmonë e dukshme, dhe vajza i thoshte shpesh Dershowitz-it: “Shpresoj që të mos i shihni filmat e mi”.

Gjatë viteve të kaluara në kolegj xhiroi tre episode të “Luftë yjesh” dhe fitoi aq para sa mund të dilte në pension që në moshën 18 vjeç (edhe pse tani fiton rreth gjysmën krahasuar me Kate Hudson apo Lindsay Lohan). Mbretëresha Amidala e frenoi karrierën e saj: “Pas Star Wars të gjithë mendonin: Kushedi nëse ajo është vërtet në gjendje të recitojë”.

Prandaj erdhi filmi “Jeta ime në Garden State” në vitin 2004. Dhe pak a shumë në të njëjtën periudhë edhe “Kthim në Cold Muontin”, ku Portman-i ishte një vejushë e dëshpëruar gjatë luftës civile. Por hapin më të madh përpara e bëri me “Closer”, një film i Mike Nichols, ku ajo pranoi të xhironte një skenë me topless. Më këtë interpretim Natalie meritoi një nominim për Oscar dhe një Golden Globe. Por kur doli filmi, i dërgoi një email profesorit të saj Alan Dershoëitz, duke i thënë: “Ju lutem, mos e shikoni filmin. Është e turpshme të imagjinoj profesorin tim që më sheh gjysmë të zhveshur”.

Pas filmit “Closer”, Portman-i la Hollywood-in për të shkuar për gjashtë muaj në një universitet hebraik të Jerusalemit, ku studioi arabisht, hebraisht, historinë e Izraelit, të Islamit dhe antropolgjinë e dhunës (një kurs në hebraisht). Më pas u hodh në bamirësi me Foundation for International Community Assistance, një organizatë e zbuluar falë mbretëreshës Rania të Jordanisë, që ndihmon me mikrokredi gratë e papuna në vendet në zhvillim.

Në kthim interpretoi “H për Hakmarrje”, “Inkuizitorin e fundit” të Milos Forman. Tani, në pritje të një komedie romantike (“një nga ata filmat që do të doje ta shihje njëmijë herë, që e sheh ndërsa je sëmurë ose i trishtuar dhe të bën të harrosh problemet e tua”), ka xhiruar me Dustin Hoffman “Mr. Magorium’s Wonder Emporium”, ka recituar me Jude Law në “My Blueberry Nights (për t’u prezantuar në Festivalin e Kanës), është bërë Anna Bolena në një film që do të dalë dhjetorin e ardhshëm, me Scarlett Johansson dhe Eric Bana. E megjithatë, Hollywood-i vazhdon ta trembë. “Çdo herë që shkoj në ndonjë ndarje çmimesh apo mbrëmje gala, marr me vete pesë shohë shkolle. Puna është se në Hollywood janë të gjithë super të ëmbël dhe unë, që jam një vajzë normale, kam nevojë për miq që të më japin këshilla të mira dhe t’u besoj”. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora