E merkure, 24.04.2024, 06:29 PM (GMT+1)

Mendime

Zija Çela: Uji në shtëpi dhe uji në brinjë

E marte, 07.12.2010, 09:47 PM


Uji në shtëpi dhe uji në brinjë

 

Nga Zija Çela

 

Mua nuk më vjen turp që jam shqiptar, as në këtë situatë, dhe as në të mëparshmet. Përkundrazi, nëse do të duhej, jam i gatshëm ta shqiptoj kudo publikisht. Edhe në Parlamentin Europian. Ajo çfarë ka thënë një deputete e këtij institucioni ("Mua do të më vinte turp, po të isha..."), dhe e ka deklaruar ndershmërisht në Tiranë, nuk i referohet Shqipërisë e shqiptarëve, por klasës sonë politike. Madje, sipas meje, jo tërë politikanëve. Prandaj, çdo transferim i qëllimshëm i këtij konteksti të ngushtë në një plan gjithëpërfshirës, siç ka nisur të predikohet, është një keqpërdorim abuziv dhe i papranueshëm. Aq më tepër në rrethana të tilla, kur e kemi lakun në fyt, dua të them ujin në fyt.

Po, sot do të vihesha në zor nëse do të duhej t'i shpjegoja dikujt gjerë e gjatë adresën e shtëpisë sime. Sepse, me drojën mos dukesha patetik apo folklorik, nuk do të mund t'i thosha: Or mik, sot shtëpia jonë është Shqipëria, e kësaj shtëpie po i hyn uji nga të katër anët!.. Dhe vërtet, përveç Shkodrës së përmbytur rëndshëm, ngjan se shqiptarët s'kanë më çati, përmbytje të pjesshme po ndodhin ngado në vendin tonë. Të tjera vende, fqinje a më larg në kontinent, kanë njëkohësisht të njëjtin hall.

Po, sot vihesh në zor kur dëgjon politikanë që këto rrethana gazepi i konceptojnë si kohë muhabeti. Sepse, tashmë lipset veprim dhe jo shamatë, qoftë dhe i ashtuquajturi debat parlamentar që, të thuash të drejtën, edhe në situata normale kthehet në dyluftime të hatashme, në përleshje verbale dhe çartje morale. E megjithatë, si zgjedhës dhe si qytetar, tekefundit as për këtë s'kam pse të ndihem i turpëruar. Them me vete, a do të isha unë ndryshe, me demek, "burrë më i mirë"?! Them përsëri, a nuk është kjo shfaqje pjesë e identitetit tonë kombëtar, pjesa më e papëlqyeshme dhe rrënuese?! Prandaj, në vend që ta fshehim, ta përmirësojmë, jap një përgjigje.

Po, mua do të më vinte turp ta kyçja gojën para Qeverisë, t'i bëja fresk e temena Kryeministrit, ta shisja shpirtin tek shefi për një karrige, të mos tregohesha kritik i rreptë për çfarë s'është bërë dhe kur do të bëhet, me fonde e me afate qartësisht të përcaktuara. Mirëpo jo tani, sepse gjithçka ka kohën e saj. Tani është ora e urgjencës së përgjithshme. Koha e Noes, në njëfarë kuptimi. S'dihet kur ka ndodhur përmbytja biblike, por thuhet se vetë Noe jetoi 950 vjet. Si është e mundur?! Shpjegim tjetër s'ka, përveçse i tillë ishte kalendari i Zotit. Dhe vetë Zoti, kur ia dha arkën dhe gjithë çfarë i duhej, të shoqen nuk ia dha. Atë e dënoi si mëkatare. Bota mbarë sot është një arkë në oqeanin e boshllëkut, ndërsa Shqipëria si sulja (lundër) hollake e shkodranëve. Është përfytyrim i gabuar të mendosh se dikush ka për të rrojtur sa Noeja, në këtë lundër jemi mbledhur të gjithë, të virtytshëm e mëkatarë dhe ose shpëtojmë, ose mbytemi bashkë.

Po, sot të vjen zor të tregohesh qorr me sy në ballë. Mjaft të ngresh kokën dhe të shohësh malet. Nëse Polonia, Italia, Franca etj., po dynden nga bora, jo më fushat, jo më çukat e kodrat, por as malet tona nuk zbardhin sivjet. Tomori, Jezerca, malet e Krujës, Maranaj e Cukali, Alpet e bjeshkët e nalta pa borë në dhjetor?! Në vend të reshjeve kristaline ka rënë shi, shi dhe gjithnjë shi. E bora është ujë i lidhur, ujë i rezervuar që lëshohet pjesë-pjesë edhe në motin e thatë të beharit. Kështu që tani reshjet i kemi të dyfishuara, shi plus shi që nuk "u nguros" në male, në gjithë ato male, në gjithë ato rrëpira, në gjithë atë basen ballkanik kah shtrihet Drini i Zi plus Drinin e Bardhë. Koncepti marksist i fitores përfundimtare të njeriut mbi natyrën ka rënë përfundimisht në epokën e ngrohjes globale, e cila ka sjellë ndryshime rrënjësore klimaterike. Njeriu modern, me sjelljen e tij në tokë, po e provokon vetë ndëshkimin e të Plotfuqishmit. Dhe kështu, pastaj, mundësitë e tij kthehen në pamundësi, sepse çfarë është njerëzore nuk mund ta mposhtë atë që është hyjnore.

Po, sot të skuqet faqja dhe ndien zor kur sheh ngazëllimin e disave, fërkimin e duarve dhe festën e maskuar që bëjnë mbi fatkeqësinë e të tjerëve. Dhe, prapë të vjen turp nga mënyra hileqare si i qasen dramës, duke shpifur, duke sajuar, duke manipuluar dhe inskenuar mort.

E kemi kthyer mohimin në profesion dhe kemi harruar kurajimin njerëzor. Zoti mund t'i falë mëkatarët, por nuk e fal mëkatin, aq më pak mëkatin që përsëritet me ndërrim të portave politike, herë nga njëra palë e herë nga tjetra. Por gjithnjë duke prodhuar mjegull e lagështirë, domethënë, ujë përmbi ujë. Në krahasim me atë që na ka depërtuar në shtëpi dhe lëpin muret açik, në të vërtetë ky është më kërcënues, sepse gërryen tinëzisht. Është ujë që na hyn në brinjë dhe disa i sëmur, disa i trishton, disa i çmend. Mua, më falni për sinqeritetin e tepërt, më bën me vdekë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora