E marte, 23.04.2024, 07:34 AM (GMT+1)

Kulturë

Verria: Personazhet e mi kanë qenë fatkëqinj

E diele, 30.12.2007, 12:09 PM


Nga Alma Mile

Albert Verria
Rolet e “pozitivëve” janë shumë të rrallë në galerinë e tij. Është i ndërgjegjshëm për këtë. E quan fat, sepse për të realizuar një rol të tillë, duhet zotësi, por nga ana tjetër, nuk mund të renditet në radhët e atyre personazheve që spektatori dëshiron t’i ngjajë. “Këtu luaj rolin e Soll Lilit, tek filmi “Agimet e stinës së madhe”, një qen bir qeni, këtu luaj rolin e një spiuni tek “Operacioni zjarri”, që hidhet nga shkëmbi, këtu rolin e një djalli…” Përmes 70 fotografive, aktori Albert Verria, hap për publikun në këtë fundviti galerinë e roleve të tij. Dy ditë më pare, në galerinë “Zenit”, aktori ekspozoi një kolazh me fotografi nga filmat dhe dramat ku ka interpretuar. Janë kryesisht foto bardhë e zi, që aktori thotë se i ka mbledhur me shumë vështirësi nëpër arkiva. Ai është xha Sulo tek “Kapedani”, beu tek “Koncert në vitin ‘36”, i famshëm për shprehjen “U bëre ti moj e bija e Pandos të më turpërosh mua…”, Kopi tek “Rrethimi i vogël”, Kaporal Pelegrini tek “Në fillim të verës” me shprehjen “Po çfarë kini me mua. Mamma mia…”, e shumë e shumë të tjera… Por ato janë vetëm një pjesë e atyre karaktereve që Verria ka fiksuar në skenë dhe në ekran.
Së shpejti ai do të hapë edhe dy ekspozita me fotografi të tjera. “Kam patur një fat sa të mirë edhe të keq. Kam luajtur karaktere personazhesh që kanë përfunduar në burg, janë pushkatuar, janë hedhur nga shkëmbi, janë mbytur… Por si aktor, këto role karakteri, qofshin edhe shumë të vogla i konsideroja si role të mëdha dhe i kam dhënë shumë rëndësi dhe kam bërë të mundur që ato të depërtojnë thellë tek njerëzit”. Verria tregon se ka nga ata që nuk ia dinë emrin e vërtetë, por e thërrasin me emrin e personazhit. Albert Verria kalon nga njëra foto në tjetrën dhe teksa të tregon rolet, çuditet edhe vetë si ka mundur të futet nën lëkurën e atyre “njerëzve të huaj”. “Aktorët kanë një të drejtë që nuk e kanë të tjerët. Ne mund të luajmë princër, mbretër, kriminelë, njerëz të përçudnuar dhe u japim jetë me pasionin tonë”, - thotë ai me një lloj kënaqësie të fshehtë. Është i ndërgjegjshëm që në shumicën e herëve spektatori e ka urryer përsonazhin që ka mishëruar dhe se teksa ndjekin filmin presin me padurim që një njeri aq i mbrapshtë të shkojë në djall.

Kjo nuk është edhe aq e lehtë, pasi “sikundër dhe aktorët e tjerë, nuk kemi asgjë të përbashkët me këto karaktere”. Edhe pse është e qartë që për të realizuar një karakter të tillë duhet të kesh “stofin” e duhur, Verria është modest dhe thotë se meritë të veçantë në vizatimin e karaktereve dhe në tjetërsimin nga një figurë në tjetrën, kanë regjisorët, që sipas tij ia kanë zbërthyer deri në detaj karakteret e personazheve.

Pavarësisht roleve të spiunëve e bejlerëve, roli që e ka bërë të famshëm Verrinë është ai i xha Sulos, tek filmi “Kapedani”. Një nga filmat më të dashur për publikun shqiptar, i famshëm për batutat “Kur të shkul mustaqen e majtë ti do të shkrehësh topin e majtë…”, “Me kë e pe me atë me xham, apo me atë pa xham”, apo “Kujt i bën Dapi – Dupi ti more!”… Batuta, që jo vetëm të bëjnë të qeshësh sa herë i dëgjon, por që kanë hyrë dhe në zhargonin e përditshëm. Kur ka luajtur këtë rol, Verria ka qenë vetëm 32 vjeç, ndërsa duhet të futej në lëkurën e një të moshuari. Sigurisht që nuk ishte e thjeshtë. Ishte një aventurë që ndërmerrnin regjisorët Fehmi Oshafi dhe Muharrem Fejzo, që zbuluan nën mimikën e Verrisë, aktorin e duhur për rolin. “Duhet të shikoja plastikën, të mbarsja veten me mendime patriarkale, konservatore, gjë që unë si Albert nuk i kisha dhe mbi të gjitha duhet të urreja dhe femrat, që ishte jashtë dëshirës sime”. Verria pranon se ka qenë një punë vërtet e vështirë, por që teksa e sheh në ekranin e televizionit, si një ndër filmat e rrallë që i ka rezistuar kohës, beson se ia ka dalë deri në fund. “Roli i xha Sulos më ka dhënë emër dhe kënaqësi. Kam qenë vetëm 32 vjeç dhe filmi është realizuar në vitin 1970. Më ka bërë një publicitet të jashtëzakonshëm, por më ka bërë edhe dëm, sepse më mbajnë të gjithë si armik i betuar i grave. Mund të jem në rol, por si individ i respektoj dhe i dua shumë”, - thotë Verria duke qeshur, i cili vetëm një muaj më parë u shfaq në skenën e “Këngës Magjike” nën petkat e Xha Sulos, duke “flirtuar” me Çiljetën.

Gjatë karrierë 45-vjeçare, ka realizuar mbi 100 role në film e teatër. Momentalisht po përgatitet për një tjetër film televiziv me 15 pjesë xhirimet e të cilit fillojnë rreth muajit mars. Sërish një nga ato rolet “negative”. “Ç’ti bësh”, - thotë Verria, i cili edhe pse ka një personalitet artistik të skalitur në detaje, është në merak të vazhdueshëm. E ndien dashurinë e spektatorit dhe kjo e bën të ndiejë përgjegjësi edhe më të madhe karshi tij. “Duhet të ruaj reputacionin tim, ndryshe humbas gjithçka. Kjo është lufta ime e përditshme me djallin që kam brenda vetes.”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora