E premte, 29.03.2024, 03:24 PM (GMT)

Shtesë » Lajme

Benazir Bhutto, Martire e paqes

E hene, 31.12.2007, 02:59 AM


Martire e paqes

Nga Redin Hafizi, Miçigan

Benazir Bhutto
E para femër që është zgjedhur të drejtojë një shtet post-kolonial musliman është ekzekutuar më 27 Dhjetor. Benazir Bhutto, dy herë kryeministre e Pakistanit dhe aktualisht lidere e opozitës kundër presidentit Musharaf, ka humbur jetën pas një atentati. Personi që ka qëlluar me armë znj. Bhutto ka qëlluar kundër të ardhmes jo vetëm të Pakistanit, por kundër të ardhmes së një procesi paqësor për Pakistanin në veçanti dhe muslimanët e Lindjes së Mesme në përgjithësi. Për këtë arsye, një ndër funksionarët pakistanezë, Rehman Malik, këshilltari i saj për sigurinë, ka thënë: "Ajo vdiq si martire", dhe për kulturën muslimane kjo shprehje vlen sa pavdekësia.

Bhutto, 54 vjeç, ka vdekur në Spitalin e Ravalpindit, pas plagëve që kishte marrë në atentat. Policia, në deklaratën e saj është shprehur se një kamikaz ka nisur të shtjerë me armë kundër lideres së opozitës dhe më pas ka shpërthyer vetveten, duke krijuar viktima të tjera nga njerëzit që merrnin pjesë në mitingun që Bhutto po organizonte në qytetin e Ravalpindit.

Përgjegjësia

Hetimet e para ende nuk kanë dhënë ndonjë rezultat, thjesht për elementin kohë, por Al-Kaida ka marrë përsipër atentatin, publikisht. Madje, në një deklaratë të kësaj organizate terroriste thuhet se, atentati është kryer posaçërisht me urdhër të numrit dy të Al-Kaidës, Ayman Al-Zawahiri.

Një pistë tjetër, mund të jetë edhe lufta politike dhe kjo pistë mbrohet shumë fuqishëm prej mbështetësve të Banazir Bhuttos, një lidere e vendosur kundër diktaturave ushtarake dhe në të njëjtën kohë promovuese kryesore në arenën ndërkombëtare të traditave më të mira të zonës.

Vendi është në prag të luftës civile, sepse shumë prej mbështetësve të ish-kryeministres mendojnë se, presidenti Musharaf ka gisht në këtë vrasje edhe pse ai ka nxituar të deklarojë se kjo është vepër e terroristëve, kundër të cilëve ai është në luftë si aleat i SHBA dhe vendeve të koalicionit, por ai kurrë nuk i është përgjigjur akuzave të Pakistanit, zona kufitare me Afganistanin, është streha e liderëve të Al-Kaidës.

Musharaf, si kryetar shteti ka detyrimin dhe përgjegjësinë që të mbrojë çdo qytetar të Pakistanit dhe në veçanti lideren e opozitës, femrën që po luftonte të sillte pranverë në mes të dimrit për popullin e saj, në radhë të parë dhe për gjithë popujt që terrorizmin e kanë armikun kryesor.

Nuk diskutohet që përgjegjësia është e Presidentit Musharaf për ekzekutimin e lideres së opozitës vetëm dy javë përpara zgjedhjeve dhe ky fakt bëhet më i verifikueshëm kur më 3 Nëntor 2007, Benazir Bhutto protestoi ashpër ndaj vendimit të Gjeneralit Musharaf për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme, një gjendje që shpesh diktatorët e përdorin për krime të zeza, të cilat do të fshihen nga faqe ligjore.

Gjashtë ditë më pas, më 9 Nëntor 2007, me urdhër të Gjeneralit Musharaf, Bhutto është mbajtur në arrest shtëpie, duke i ndaluar asaj në këtë mënyrë fjalimet nëpër takime elektorale. Manifestimi në Raëalpindi ishte një miting elektoral.

Në një situatë të tillë, Presidenti i një vendi nuk mund të dalë e të ankohet se nuk i mbron dot qytetarët e vet, pasi ka marrë një vendim për gjendjen e jashtëzakonshme, pra, gjithçka e ka vetë në dorë si Komandant i Përgjithshëm.

Përgjegjësia kryesore për vrasjen e Benazir Bhuttos bie mbi Gjeneralin Musharaf.

Britania

"Benazir Bhutto mund të jetë vrarë nga terroristët, por terroristët nuk duhen lejuar që të vrasin demokracinë në Pakistan", ka thënë kreu i qeverisë britanike, Gordon Brown, të enjten.

Crawford, Texas

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George W. Bush, tha pasi mori lajmin: "Shtetet e Bashkuara dënojnë këtë akt burracakësh të ekzekutuar prej vrasës ekstremist, të cilët kërkojnë të gjunjëzojnë përpjekjet e Pakistanit për demokraci. Ata që kanë kryer këtë krim duhet të nxirren para drejtësisë".

Në këtë mënyrë, Presidenti amerikan i ka vënë ultimatum Gjeneralit famëkeq për të gjetur urdhërdhënësit dhe për t'i çuar ata para gjykatës.

Kanada

Në Kanada, kryeministri Stephen Harper, e ka konsideruar vrasjen si një kërcënim për demokracinë. Ai ka shtuar se, zgjedhjet e 8 Janarit janë shumë të rëndësishme për demokracinë në Pakistan. Ndërsa, ministri i Jashtëm i Kanadsë, z.Maxime Bernier, e ka konsideruar atentatin si një përpjekje antidemokratike.

Profili

" Vajza e Shaheed Zulfikar Ali Bhutto (një lider politikan dhe ish-kryetar qeverie) dhe e Nusrat Bhutto (ish-anëtare e Parlamentit dhe zv/kryeministre e Pakistanit). Pra, Benazir Bhutto, vjen nga një familje me lidhje të forta në politikë.

" Në moshën 16 vjeç shkon në Universitetin "Harvard".

" 1973, i ati bëhet kryeministër i Pakistanit.

" 1977, në Pakistan vendoset gjendja e jashtëzakonshme, babai i Bhuttos arrestohet dhe ajo vetë vendoset në arrest shtëpiak.

" 1979, babai i Benmazir Bhuttos varet. Ajo bëhet lidere e Partisë Popullore të Pakistanit. Gjashtë vjetët e ardhshme i kalon në ekzil ose në arrest shtëpie.

" Prill 1986, Bhutto kthehet në Pakistan.

" Martohet në Dhjetor 1987 me Asif Ali Zardarin (biznesmen, dy here i zgjedhur anëtar i Parlamentit)

" Bëhet kryeministre e Pakistanit në 1988, por presidenti i vendit e shkarkon qeverinë në mënyrë të paligjshme pas 20 muajsh, pikërisht në Gusht 1990.

" Vjen sërish në pushtet kur partia e saj fiton zgjedhjet në 1993.

" Qeveria sërish shkarkohet në mënyrë të paligjshme në Nëntor 1996.

" Pas viti 1996, Bhutto shkon në Angli për t'u kthyer në vitin 2007, për të luftuar për demokraci në Pakistan.

" Fëmijë: Bilawal, Bakhtwar dhe Aseefa.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora