Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


At Zef Valentini - Botohen 11 vepra të panjohura

| E premte, 03.12.2010, 08:44 PM |


U promovua dje korpusi prej 20 veprash i albanologut të njohur. "Albanolog, albanofil dhe studiues me famë qartësisht ndërkombëtare", ishte simpoziumi i mbajtur në nder të tij. Botuesi Ndriçim Kulla theksoi edhe njëherë se vepra e tij nuk është vlerësuar sa duhet

Njëmbëdhjetë vepra të reja të albanologut Aët Zef Valentini vijnë të botuara shqip. Prezantimi i tyre, pjesë e korpusit prej 20 vëllimesh, u bë dje në hotel "Tirana", përmes simpoziumit të titulluar "Albanolog, albanofil dhe studiues me famë qartësisht ndërkombëtare". I konsideruar si një ndër albanologët me kontribut të çmuar për kulturën shqiptare, por pak i vlerësuar, Atë Zef Valentini dha kontributin e tij në studimin e historisë, traditave zakonore dhe juridike shqiptare, vlerave intelektuale dhe humane. Korpusi prej 20 veprash, mbështetur nga Ministria e Kulturës është botuar nga "Plejad" dhe së fundi "55". Botuesi i "Plejad", Ndriçim Kulla, në fjalën përshëndetëse theksoi edhe njëherë faktin se Zef Valentini nuk ka marrë vlerësimin që i takon dhe se është tentuar që vepra e tij të mos botohet. Të njëjtat mendime Kulla i ka ndarë që kur ndërmori botimin e vëllimeve të para voluminoze të albanologut. "Edhe pse janë botuar 20 vepra nga Atë Zef Valentini, përsëri puna e tij shkencore dhe kërkimore është mjaft e gjerë dhe nuk mund të përmblidhet në kaq libra. Le të shërbejë kjo ditë, ky promovim që vepra e tij të zërë vendin që i takon", - tha Kulla. I pranishëm në këtë simpozium, ministri i Kulturës, z. Ferdinand Xhaferaj theksoi se, "kjo ceremoni promovimi është kurorëzimi i një prej projekteve në dobi të vlerësimit dhe njohjes në përmasat e duhura të veprës së një prej personaliteteve më të mëdha të kulturës së shkruar shqipe. Botimi për herë të parë në gjuhën shqipe i një korpusi prej 11 veprash të Valentinit, të panjohura më parë në kulturën shqiptare, është dhe mbetet një ndër objektivat parësore të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinise dhe Sporteve, i cili ka të bëjë me zbardhjen e një sërë veprave dhe dokumenteve me rëndësi sa i përket historisë dhe mendimit intelektual shqiptar". Për të nderuar figurën e Atë Zef Valentinit, të pranishëm ishin studiues dhe njohës së veprës së tij. Atë Mario Imperatori, në emër të Shoqatës së Jezuitëve në Shqipëri tha se, "Atë Valentini ishte para së gjithash një rregulltar dhe një misionar jezuit, dhe nuk duhet të harrojmë kurrë që krejt vepra e tij buroi prej një gurre të mirëfilltë shpirtërore dhe apostolike. Kështu, ai që Ernest Koliqi në vitin 1970 e cilësoi si 'ma i madhi albanolog i gjallë' dhe si 'shkrimtar i shqipes', do të jetë i njohur falë veprës së tij, si një studiues dhe një albanolog, dhe si i tillë i vlerësuar, edhe nëse nuk kishte kurrfarë doktorature akademike". Nga ana tjetër, Atë Vincenzo Malaj u shpreh se, "Atë Zef Valentini ishte një shpirt promovues, ndaj si në Shqipëri ashtu edhe në Palermo, krijoi rreth vetes një shkollë studimesh nga e cila dolën mjaft dishepuj të zotë". Në vitin 1955, Atë Zef Valentini bëhet titullar i Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Palermos dhe po aty themelon dhe drejton "Qendrën ndërkombëtare të studimeve shqiptare". Vepra prej 20 vëllimesh e promovuar dje në hotel "Tirana", është dëshmi e një pune të gjatë mbi 40-vjeçare të albanologut, vepra e të cilit është mbledhur në biblioteka.

 

Gazeta SHQIP