E shtune, 20.04.2024, 01:48 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Monumentet shqiptare ende trajtohen si pjesë e Serbisë

E premte, 03.12.2010, 10:31 PM


UNESKO hap "dyert" e Kosovës për Serbinë

 

Nga Bruna Merko, Bota sot

 

Lajmi se Rusia ka nënshkruar dje marrëveshjen me UNESKO-n për të investuar dy milion dollarë në monumentet dhe trashëgiminë kulturore në Kosovë, ka bërë xhiron në media të ndryshme të botës për dy arsye. Së pari, sepse Rusia po investon në ato monumente që i cilëson serbe dhe për Serbinë, kjo e fundit, nëpërmjet ministrit të Kulturës, Nebojsha Bradiç, i cili e ka përshëndetur dje lajmin. Ndërsa arsyeja e dytë, është se në të gjitha artikujt ky lajm është shoqëruar gjithmonë me një "historik të shkurtër' për ngjarjet e vitit 2004, ku "vandalistët shqiptarë" kanë rrezikuar seriozisht monumentet, që janë nën ombrellën e UNESCO-s. Marrëveshja e nënshkruar në Paris, sipas ministrit serb të Kulturës, është e aplikueshme për vitin 2010-2011 dhe specifikon se fondi ka për qëllim të investohet në Patrikanën e Pejës, Manastirin e Deçanit, Graçanicës dhe Kishën ortodokse në Prizren. Projekti serb vazhdon edhe më tej se Ministria e Kulturës ka përgatitur projektin për restaurimin e fasadave dhe pjesëve dekorative të Manastirit të Deçanit si dhe restaurimin e muraleve të Patrikanës së Pejës, Graçanicës dhe Kishës në Prizren. Sipas agjencive bëhet e ditur se ky vendim është bërë në bazë të rregulloreve të përcaktuara në Rezolutën 1244. Dy vjet që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës dhe një nga segmentet më të rëndësishme të jetës së një populli, kultura vazhdon ende dhe sot trajtohet si pjesë e Serbisë. Betejat që, duhen bërë në vazhdimësi nga politika dhe institucionet tona, si në kancelari të ndryshme të botës, por veçanërisht në UNESKO, humben pa filluar mirë. Ndërkaq Serbia nga ana tjetër, vazhdon normalisht me projektet e saj kulturore, mbi ato që ajo i quan trashëgiminë kulturore të saj. Institucionet tona, si Akademia e Shkencës, por edhe Ministria e Kulturës, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, nuk bëjnë asgjë, së pari të hulumtojnë dhe vërtetojnë se ato janë monumente të shqiptarëve, duke filluar kështu nga gjeneza e problemit. Të pyetur shpesh herë nga "Bota sot', ish-ministrat e Kulturës, janë shprehur se Kosova ka ende probleme shumë të ndjeshme që presin zgjidhje. E në fakt duket se kultura ende nuk ka fituar statusin "çështje e ndjeshme", por vazhdon të konsiderohet si një çështje që duhet të marrë vetë 'udhë'. Monumentet dhe trashëgimia kulturore ku tashmë është arritur marrëveshja që Rusia të investojë dhe Serbia të realizojë, prej kohësh janë një rast i mirë që institucionet evropiane, por mbi të gjitha UNESKO, i hap dyert Serbisë të vazhdojë pa pengesë aktivitetin e saj në fushën e trashëgimisë kulturore në Kosovë. Ndërsa Kosova dhe institucionet e saj, duket se aktualisht janë shumë të 'përqendruara' në këto ditë fushate elektorale, ku premtimet për zhvillim të kulturës nuk do të mungojnë me siguri.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora