E premte, 19.04.2024, 06:44 AM (GMT+1)

Kulturë

Ali Aliu: Sfida morale në një roman

E enjte, 02.12.2010, 10:36 PM


Sfida morale në një roman

 

(Ibrahim Kadriu: Gloria në mes, roman, botim OBRA GVG, Tiranë 2010)

 

Nga Ali Aliu

 

Ibrahim Kadriu (1945) e ka filluar krijimtarinë letrare që në fund të viteve gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar (Netët e Karadakut,  poezi, 1969). Këtë rrugë e ka ndjekur në vazhdimësi dhe vazhdon të jetë i pranishëm në letërsinë shqipe, si autor poezish, tregimesh dhe romanesh. Shquhet sidomos në llojin e prozës së gjatë (mbi 15 romane), dhe me romanin më të ri “Gloria në mes”, Ibrahim Kadriu artikulon veprën më të realizuar në këtë lloj letrar.

Ajo që vihet re si veçanti tematike në shkrimet letrare narrative të këtij autori, pra edhe me këtë rast, është informimi i pasur i realitetit tone të sotëm, i përditshmërisë,i ambientit dhe i rrethanave, i kontradiktave dhe sfidave të brendshme të tij, veçmas në rrafshin etik, historik dhe social. Ai e ka të lindur syrin që vëren të padukshmen për syrin e rëndomtë, mbase falë edhe përvojës së tij gati gjysmëshekullore publicistike të cilën vazhdon ta ushtrojë edhe aktualisht. Një faqe realiteti të tillë të ngjeshur, të fundviteve nëntëdhjetë (mund të thuhet – prania e jehonës së ngjarjeve historike të atyre viteve) shfaqet i gjallë edhe në rrëfimin e romanit, sidomos përmes dy personazheve kryesorë, Dilës dhe Bal Tuzit. Fragmentet që sjell autori nga jeta e tyre dramatike dhe tragjike, hedhin dritë të fuqishme mbi ngjarjet e kohës, sa te rezistencës ndaj dhunës, sa të katandisjes morale pas përfundimit të konfliktit, pas kthesës historike…

Në këtë tekst të shkurtër mbi romanin më të ri të Ibrahim Kadriut,  “Gloria në mes”, do të provoj që, duke riportretizuar dhe njëkohësisht duke parafrazuar profilin e dy kryepersonazheve të artikuluar nga vetë autori, të sjell aromën tematike të tij, përkatësisht kurajën e veçantë të autorit për të sfiduar nj? an? të sëmurë të ambientit tone sot. 

 

Dila

 

Është personazhi strumbullar i romanit që shfaqet e zhduket sa i vërtetë dhe sa fluror, sa real dhe sa imagjinar. Mbi jetën e saj, lexuesi, njësoj si narratori, do të dijë vetëm kaq: lindur në një fshat afër kryeqendrës, e martuar për njëfarë Sefo, për të cilin dimë edhe më pak, ( i nënkuptojmë anët e tij të shëmtuara si puna e sojit të atyre  që përherë e kanë vaj me pushtetin – edhe me të huajin, - me këtë rast edhe para lufte), (99); dimë po ashtu se ajo, Dila, bën një vrasje, dhe provon të zhduket nga faqja e dheut, pa lënë gjurmë, që i shkon dhe nuk i shkon përdore; bredh si një hije, duke ndërruar emër oreçast (njëri nga ata është edhe emri Gloria); thjesht ikën nga bota që e rrethon, ikën nga njerëzit… Krimin e bën në rrethana absurde: Sefa, pra burrë i saj, i sjell një mik të rëndësishëm, me pushtet, në shtëpi, me të cilin do ta lerë vetë Dilën, deri sa të kryejë një punë diku. Ky, miku me pushtet, provon ta dhunojë, përkatësisht e dhunon Dilën, e cila bën krimin. Është një episod tragjik që të sjell ndërmend sojin e “burrave” që zënë miqësi me pushtetarë përmes grave të veta…

Bredhja e Dilës në hapësirën shqiptare duket si një fanar që shtegton herë duke lëshuar dritë dhe here në terr. Ikën nga të gjithë, njësoj si para lufte (99), gjatë saj dhe njësoj edhe pas saj, - neveritet njësoj nga mjedisi, nga njerëzit që i duken si të përdalë, të shthurur dhe imoralë. Kudo gjendet dhe shkel Dila, sjell në dritë të botës këtë katandisje të mjedisit… E tillë ajo tretet dhe humbet horizontit në vizionin, në mbamendjen e lexuesit – si një copë re që zhduket përtej malesh…

 

Bal Tuzi

 

Është personazhi i dytë i rëndësishëm i romanit “Gloria në mes” i Ibrahim Kadriut që njësoj si edhe Dila, ikën nga njerëzit; është po ashtu vazhdimisht në kërkim të jetës dhe mjedisit të qetë, në kërkim të të qenit në vetmi të plotë, pa rënë në sy nga bota përreth. Edhe ikja e tij nxitet nga ambient i kontaminuar moralisht; si shkrimtar ai ka ngasje ta portretojë atë gjendje, bartësit dhe përhapësit e sëmundjes. Prandaj edhe ai është vazhdimisht në kërkim të një këndi të qetë, të një kthine mbase më të pastër jashtë dhe brenda, prej nga, do t’i nënshtrohet  zërit të brendshëm, shqetësimit krijues, të lërë dëshmi për një kohë që lëngon dhe përçudnohet nga dita në ditë. Kështu, autori i romanit Ibrahim Kadriu, lidhur me këtë personazh, do të praktikojë teknikën narrative të romanit në roman…Por më duket më me interes për lexuesin, të sjellim, fare shkurtimisht përfytyrimin e tij, të Bal Tuzit mbi botën tonë të vërtetë sot, të cilën imagjinata e tij krijuese e artikulon në shkrimet narrative, fragmente të shkëputura nga të cilët sjell citate autori i romanit. Ajo që duam të theksojmë në mënyrë të veçantë me këtë rast është se pikërisht fragmentet e zëna ngoje, që vijnë roman në roman, përkatësisht rrëfim në rrëfim, janë kapitujt më të realizuar artistikisht, por njëkohësisht edhe më me guxim krijues, që është veçanti dhe vlerë domethënëse e romanit...

 

Përfytyrimi i Balit shkrimtar  mbi realitetin e botës sonë, që rrezaton nga citatet narrative të përmendura, vjen dëshpërim dhe zhgënjim dramatik dhe i pangushëllueshëm nga bota dhe njerëzit përreth. Afërsisht këto janë vatrat e shqetësimeve të Balit krijues: thënë shkurt, realiteti aktual, përditshmëria e drejtpërdrejtë, e afërt, konkrete; jehona e afërt e ditëve, viteve të kaluar, edhe ajo e rezistencës në fund të shekullit njëzet, edhe ajo e para luftës dhe gjatë saj, dhe, me theks të veçantë ajo e pasluftës, përkatësisht e ditëve tona. E përfshin, e pushton Balin shkrimtar dhe njeri një zhgënjim dhe dëshpërim i papërballueshëm nga marrosja, përbindshmëria, tjetërsimi i vlerave, i idealeve të të rënëve, të bartësve të rezistencës dhe luftës. Bal Tuzi shkrimtar dhe njeri, njohës i madh i rrethanave, i situatave të shumta dramatike dhe vendimtare, i njerëzve të shumtë, i dëshmitarëve të tri kohëve të zëna ngoje, njohës i bëmave dhe aktorëve të vërtetë dhe të rremë, i pafuqishëm të vërë dorë për të mire, për t’ia ndalë turrin babëzisë së egër, për të zbardhur vlerat nga jo vlerat – Bali vendos të lërë dëshmi, të përjetësojë fate, biografi, bëma të njerëzve të gjallë. Bën aq dhe atë që mund ta bëjë një krijues…

Atë që bën Dila gjatë shtegtimit të vet – edhe frymë etnie, edhe traditë etnie, edhe metaforë që fanitet dhe tretet, edhe gjurmë që kudo shkel e padiktueshme lë gjurmë dhe sfidon, heq maska dhe lakuriqëson deformimet dhe shëmtimet, thjesht jehonë e shtrirë në hapësirë, po ashtu edhe Bali shndërrohet në kronist që përjetëson pikërisht një nga etapat më të sëmura të ambientit tone sot. Dhe, me këtë rast, dëshiroj të theksoj në mënyrë të veçantë shqetësimin frymëzues që e nxit përditshmëria jonë, e që, siç thashë, është vlerë qendrore e romanit Gloria në mes, si rrallë në letrat shqipe… Mbase rrëfimet e ngjashme, të Diles dhe Balit, njëri në ikje të heshtur dhe tjetri në ikje duke rrëfyer e përjetësuar realitetin, nuk janë pa shanse fare, të paktën,të kthejnë vëmendjen, të bëjnë jehonë, të japin alarmin drejt këndelljes… Është alarmi q? p?rcjell romani “Gloria n? mes” i Ibrahim Kadriut.



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora