E diele, 23.02.2020, 02:47 PM (GMT)

Editorial

Reshat Kripa: Jemi edhe ne, i nderuar zoti President!

E enjte, 02.12.2010, 09:59 PM


Jemi edhe ne, i nderuar zoti President!

 

Nga Reshat Kripa

Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të Përndjekurve Politik Demokratë të Tiranës

 

            Pritëm ftesën tuaj për pritjen që do të organizonit me rastin e 28 nëntorit,  festës kombëtare të Shqipërisë. Pritëm, pasi e dinim që protokolli i kësaj pritjeje përmbante pjesmarrjen edhe të përfaqësuesve nga shoqëria civile. Por ajo nuk erdhi. Madje në mbrëmje, kur ndoqëm atë ceremoni në ekranet e televizioneve, vumë re pjesmarrjen e shumë përfaqësuesve të shoqërisë civile. Vetëm nga shoqata e jonë nuk kishte përfaqësues.

            Pyetëm veten: Si ka mundësi që Presidentit të Republikës (më falni, ndoshta jo juve, por punonjësve të protokollit tuaj) të mos u bjerë ndër mend që në Shqipëri ekziston një Shoqatë e të Përndjekurve Politikë, më e madhja në vend, me tridhjegjashtë degë në të gjitha rrethet, antare e Shoqatës Ndërkombëtare të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit me qendër në Berlin dhe me kryetar kroatin Jure Knezoviç? Si ka mundësi që Presidenti, ati i të cilit, ndjesë pastë, ka qenë i kësaj shtrese të harrojë për t’i bërë një ftesë?

            T’ju themi të drejtën nuk mundeshim t’u kthenim përgjigje këtyre pyetjeve. Nuk mundeshim sepse nuk e besonim. Pyesnim veten: Ku kemi gabuar që nuk na ftoi? Mos vallë në disa shkrime kritike apo deklarata në konferenca shtypi lidhur me presidencën? Nuk e dimë, por edhe nuk mund ta besojmë.

            Ne nuk jemi kundërshtaret tuaj, i nderuar zoti President. Në rast se kemi shprehur mendime të kundërta me veprimet tuaja, kjo ka ardhur pasi ky është funksioni i shoqatës dhe ne nuk mund të dalim kundra vetes tonë. Këtë e kemi bërë vazhdimisht, jo vetëm ndaj jush por edhe ndaj kujtdo tjetër. Për t’u bindur për këtë mjafton të lexoni shkrimet tona të botuara ndër vite në faqet e shtypit të përditshëm.

            Na lejoni t’ju përmendim disa të dhëna përsa shkruam më sipër.  Para dy vitesh ju dekoruat njerin nga inisiatorët e krijimit të shoqatës tonë, të paharruarin Bujar Kaloshi. Në ceremoninë e dekorimit, çuditërisht harruat të thërrisnit përfaqësuesit e shoqatës tonë. Në vend të tyre kishit thirrur përfaqësuesit e një mikro shoqate tjetër që nuk e dimë se kë përfaqësonte. Ishte ndërhyrja e zotit Xhevdet Kaloshi, atit të të dekoruarit, që ju detyroi t’i telefononit dhe kërkonit ndjesë ish kryetarit të shoqatës tonë, të ndjerit Skënder Qëndro.

            Vitin e kaluar ish kryetari ynë pati një takim me ju, ku ju kërkoi që në listën e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë të përfshiheshin edhe propozimet tona. Ne atëherë ju propozuam pesë kandidatura, të gjitha të goditura dhe sipas kritereve të caktuara. Keni bërë shumë propozime, por për kandidaturat tona nuk paska patur vend. Në të kundërt, kandidatura të tilla si ajo e Vangjel Kostës, që në ndërgjegjen e tij mban dënimin politik të Agron Ficos, Adnan Ballës dhe Kastriot Marës apo të tjerëve që Kuvendi i Shqipërisë i hodhi poshtë, dërgoheshin nga ana e juaj për emërim.

            Ne ju a themi hapur, i nderuar zoti President, nuk kemi qenë dakord me ju edhe kur dekoronit ata që na vranë dhe na masakruan. Më lejoni të përmend këtu prokurorin Skënder Breca (paçka se më vonë e anulluat atë vendim) apo gjykatësit Njazi Jaho dhe Fatmira Laskaj. Nuk kemi qenë dakord edhe kur dekoratën e akorduar martirit Havzi Nela, me rekomandimin e cilit të ashtuquajtur të përndjekur politik,  ia dorëzuat ish gruas së tij, që ligjërisht e kishte ndarë disa vjet më  parë  se  ai  të ekzekutohej, duke lënë në hije vëllezërit e tij që kishin sakrifikuar për të.

            Nuk e dimë nëse ju i quani gabime këto që përshkruam më sipër.  Ne jemi një shoqatë serioze që zbatojmë me rigorozitet statutin tonë, që i shtrëngojmë dorën kujtdo që del në mbrojtje të interesave tona por që edhe i kundërvihemi atyre që dalin kundër. Këtë parim kemi patur edhe kur dergjeshim qelive të egra të burgut komunist. Kështu kemi vepruar edhe në lidhje me personin tuaj. Ju falënderuam dhe ju a ditëm për nder kur na nderuat me pjesmarrjen tuaj në ceremoninë mortore të ish kryetarit tonë, por nuk mund të rrimë pa ua vënë në dukje ato që, për mendimin tonë, janë veprime të gabuara.          

            Para disa muajve lexuam në median elektronike një njoftim se një delegacion i Kombeve të Bashkuara i paska kërkuar Shqipërisë të dënojë krimet e komunizmit. Lidhur me sa më lart është ngritur komisioni i hetimit të krimeve të komunizmit. Ne mendojmë se duhet ta ndihmojmë këtë komision me të gjitha mundësitë tona.  Por ndihma nuk mund të bëhet kur në organet e drejtësisë vazhdojnë të qëndrojnë ende ish persekutorët tanë.

            Këto janë vrejtjet tona. Për sa më lart ne ju drejtohemi juve dhe ju themi se jemi edhe ne, i nderuar zoti President.  Mos harroni!



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT