E marte, 31.03.2020, 02:42 PM (GMT+1)

Komente

Ylli Popa: Ramizi fshehu ilaçet e Enverit

E diele, 30.12.2007, 03:15 AM


Ylli Popa
INTERVISTA / Akademiku i njohur 77-vjeçar rrëfen jetën e tij. Si u bë mjek i Enver Hoxhës, si mjekohej diktatori, takimi me Nexhmijen e Ramizin natën e fundit të Hoxhës, kur vdiq Enver Hoxha dhe si u njoftua kjo

Në cilin vit jeni diplomuar për mjekësi?
“Në vitin 1954”.

Pse zgjodhët mjekësinë? Kishte ndonjë lidhje të ngushtë mes jush edhe këtij profesioni?
“Po kishte një lidhje shumë të ngushtë”.

Që ishte...?
“Sepse unë jam prej një familjeje elbasanase, ku në rrethin tim të ngushtë, madje shumë të afërt, kisha 5 mjekë”.

Pesë mjekë në Shqipëri në vitet ‘50?!
“Po”.

Para viteve ‘50?
“Po, para ‘50-ës, sepse unë e fillova fakultetin në vitin 1948 dhe e mbarova në 1954, gjashtë vjet ishte mjekësia në atë kohë, në Rumani, Bukuresht”.

Si ishin pesë mjekë në familjen tuaj?
“Vëllai i gjyshit tim nga nëna, ishte mjek. Filip Papajani quhej. Ka qenë një nga mjekët e Pogradecit, unë kështu të paktën e mbaj mend atë, të vendosur në Pogradec. Prej Elbasanit kishte shkuar në Pogradec, ishte zhvendosur atje. Filip Papajani ishte mjek, ndoshta mjeku i parë i Pogradecit për atë kohë. Ai edhe shkruante, ishte edhe shkrimtar, poet domethënë, me pseudonimin Lipi. Janë librat e tij të kohës që ka shkruar. Pastaj kisha vëllanë e babait mjek, ishte mjek ushtarak, ishte major që në kohën e Zogut, Petraq Popa. Pastaj kisha një mjek tjetër, Simon Popa, ishte i ati i Kol Popës, që ka qenë nënkryetari i Akademisë së Shkencave më parë. Pastaj kisha një mjek tjetër, i cili ishte, Stilian Nosi, nga familja e njohur Nosi të Elbasanit, që ishte mjek edhe ka qenë shumë i dashur, i preferuar nga populli, shumë zemërmirë, dëshironte të ndihmonte njerëzit. Pastaj kisha vëllanë e Kol Popës, i cili ishte mjek në Nju-Jork. Një nga anesteziologët e parë të Amerikës. Ai mbaroi fakultetin në kohën e luftës italo-greke, e mbaroi në Bolonjë e nuk erdhi më në Shqipëri, po iku drejt në Amerikë dhe u vendos atje”.

Pra, kishit pesë mjekë në familjen tuaj dhe ju shkuat në atë që mund të quhet rrugë familjare...?
“Po, pak a shumë”.

E përzgjodhët vetë mjekësinë?
“Po, madje kur unë bëra kërkesën për bursë në atë kohë, kërkoheshin 3 fusha ku duhet të zgjidhje, unë që të tre i vura për mjekësi. Mjekësi, mjekësi dhe mjekësi. Dhe fitova mjekësinë”.

Fati solli që të ishit student i mjekësisë?
“Ka edhe një fenomen tjetër, është për të qeshur kjo. Ne në Elbasan e kishim zakon, nuk e di a është më sot apo jo, që fëmijët e vegjël, ditën kur bëhen motakë ata vihen në syni, dhe në një çarçaf të madh të bardhë, ku në mes vihej fëmija e rreth tij viheshin objekte të ndryshme, të profesioneve të ndryshme, një çekiç, një fletore, një stilolaps. Meqenëse një nga xhaxhallarët e mi ishte mjek, dikush nga ato vuri stetoskopin. Unë, fëmija, lihem në mes edhe njerëzit janë rreth e përqark dhe shikojnë se ç’do të kapi fëmija në ato momente”.
 
Dhe ju kapët stetoskopin?
“Unë kisha kapur stetoskopin, ma thanë ata. Unë që fëmijë, kur nuk e mbaj mend, mua më thërrisnin mjeku i vogël dhe psikologjikisht unë isha i përgatitur për mjekësi”.

Profesor, ju shkollën e mesme e keni mbaruar në Elbasan?
“Po, në Elbasan”.

Edhe nga shkolla e mesme në Elbasan shkuat në Bukuresht apo jo?
“Po, shkova në Bukuresht”.

Cila ishte diferenca midis Shqipërisë dhe Rumanisë në atë kohë?
“Kishte diferencë të madhe”.

Në ç’kuptim?
“Në sensin se Elbasani në atë kohë kishte 14 mijë banorë, kurse tani është rritur disa herë më tepër. E dyta është se në kohën e Zogut kishte një varfëri të madhe, kështu që, kjo ndjehesh. Por, kishte nga ana tjetër një korrektësi të madhe nga njerëzit, varfëria përballohej me dinjitet. Familjet, kishte shok të mi në shkollë atje, të cilët e dija që ishin të varfër shumë, e vinin të arnuar, por ishin të pastër si të thuash. Mësoheshin nga familja, nga nëna e nga baba, mënyrën e sjelljes së tyre, me korrektesë. Edhe mësuesit në atë kohë ishin shumë të përkushtuar”.

Cila ishte diferenca me Rumaninë?
“Rumania ishte goxha e zhvilluar. Bukureshti në atë kohë quhej Parisi i vogël”.

A ishte e vështirë për një djalë që vinte nga Elbasani me 14 mijë banorë të orientohej në një qytet të madh, siç ishte Bukureshti?
“Jo, nuk ishte shumë e vështirë”.

Përse?
“Sepse kurioziteti të bënte të shëtisje, të shikojë, të regjistroje. Në atë kohë që vajta në Rumani, dija italisht. Që në moshë të vogël, unë e kisha praktikuar italishten dhe e dija mirë. Rumanishtja është gjuhë neolatine, shumë e ngjashme, shumë e afërt edhe unë me të thënë të vërtetën as nuk e mbaj mend se sa kohë zgjati që unë të mësoja gjuhën rumune. Kështu që, ato i kapa shpejt. Pastaj edhe komunikimi, me shokët rumunë në fakultet ishte pak a shumë e njëjta psikologji si e jona”.

Ju jeni kthyer në Shqipëri në vitin 1954?
“Po”.

Cili ishte niveli i mjekësisë në momentin që ju u kthyet nga Rumania?
“Sigurisht, po ta krahasosh me sot është shumë më mbrapa. Edhe sot mund të jetë shumë mbrapa me vendet e tjera shumë më të zhvilluara. Mbrapa për sa u përket pajisjeve, por se dija e mjekëve është më përpara sesa ajo që ka qenë në ato vite”.

Në 1954 si ishte gjendja? Sa mjekë kishte Shqipëria në atë kohë?
“Nuk e di me të thënë të drejtën. Nëpër spitale, unë isha në spitalin qendror, ose më mirë me thënë se unë sa erdha këtu mua më thërret ministri i Shëndetësisë në atë kohë, Medar Shtylla, i cili më njoftoi që unë do të emërohesha në Fakultetin e Mjekësisë për të dhënë biokiminë. Kiminë biologjike. Unë kiminë e kam dashur shumë në atë kohë. Veçanërisht kimia biologjike mua më shkonte shumë sipas shijes sime, sepse ajo më sqaronte shumë mekanizma, shumë gjëra, nga sëmundjet mjekësore. Kishte shumë mekanizma që po të dije biokiminë e kuptojë më mirë. Prandaj unë iu përkushtova kësaj. Megjithatë, unë i thashë që kam mbaruar për mjekësi, por ai më tha që dua që ta bësh”.

Si u specializuat për kardiologji?
“Mbas 4 vitesh, në 1958 deri në 1962, në Moskë”.

Pra, keni kompletuar atë që mund të quhet kuadri i vendeve të Lindjes, Rumani dhe Moskë, keni shpenzuar 10 vjet të jetës suaj apo jo?
“Po, po”.

Ku u specializuat në Moskë?
“Është interesante, sepse unë u specializova në një klinikë që quhej “Pjataja Savjetskaja Balnica”, që në shqip do të thotë “Spitali i Pestë Sovjetik”, ku profesor ishte një shumë i njohur atje, Llukomski, ishte polak me origjinë. Edhe thoshin se ishte nga një familje e ngritur poloneze, përveç asaj, ai kishte qenë në atë ekipin e mjekëve të Stalinit”.

Në atë ekipin që u pushkatua apo në ekipin tjetër?
“Jo, ky nuk u pushkatua, sepse ky erdhi pas zbulimit të komplotit të mjekëve në atë kohë. Erdhi grup tjetër mjekësh, por unë nuk e di nëse ajo është e vërtetë apo jo, sepse është shumë misterioze. Por, ky Llukomski ishte një njeri me autoritet dhe ishte një njeri që jetonte vetëm, ishte i përkushtuar ndaj mjekësisë. Por, unë tentoja të zhbiroja, të kuptoja dhe gjëra të tjera nëpërmjet tij. Madje, një herë e pata pyetur pse Stalini e mban një dorë në gjoks, nga krahu i majtë, e pata parë edhe në fotografi dhe filmimet e kohës. Më shpjegoi që Stalini vuante nga një sëmundje hipertensioni arterial, sëmundje hipertonike. Hipertensioni në atë kohë nuk kishte mjekim, kishte barna të cilat kur erdha unë këtu, i gjeta edhe ato ilaçet, të cilat sot as nuk përdoren më. Sipas tij, Stalini bënte hemorragji të vogla cerebrale, si pasojë e hipertensionit edhe këto shkaktuan ndryshime të karakterit të tij, ndryshime që konsistonin në shtimin e mosbesimit të tij ndaj njerëzve të afërt”.

Pra, kishte një shpjegim shëndetësor mosbesimi i tij?
“Po, edhe të izolimit të tij, u bë shumë rrezik domethënë, më i egër, nuk qe pa pasoja për popullin në atë kohë”.

Profesor, cilat ishin diferencat midis Bashkimit Sovjetik dhe Rumanisë, ju i njihnit të dyja vendet në atë kohë...?
“Rumania në atë kohë ishte një vend i lidhur shumë me Perëndimin, veçanërisht me Francën. Unë kisha profesor, të cilët shkonin edhe jepnin mësim, që në atë kohë në Paris, që jepnin mësim atje edhe njiheshin, edhe librat që kishin botuar ishin të shtëpive botuese franceze”. 

Ndërsa Bashkimi Sovjetik ishte më i izoluar?
“Ishte më i izoluar për të paktën nga ana e tyre, pastaj Bashkimi Sovjetik në atë kohë, thoshin këta që kishin rrëmbyer tokë nga Rumania, kishin një armiqësi të madhe. Pavarësisht se kur erdhi regjimi komunist i asaj kohe, u bë një propagandë e madhe për t’i afruar, për t’i sheshuar mosmarrëveshjet”.

Në cilin vit u vendosët pranë grupit që merrej me mjekimin e Enver Hoxhës dhe si ndodhi kjo?
“Kjo ka ndodhur gradualisht, sepse unë më përpara, kam zbatuar disa porosi nga Enveri. Për shembull, profesor Fejzi Hoxha, i cili ka qenë një mjek nga Gjirokastra, shumë i mirë dhe profesionist, e më duket se ka pasur një miqësi me Enver Hoxhën të mëparshme, pasi ishin pothuajse të së njëjtës moshë, pak a shumë. Më thonë që duhet të shkojmë në Korçë për të vizituar profesor Kondën. Profesor Konda ishte një profesor që merrej me albanologjinë dhe veçanërisht ai punonte për origjinën tonë pellazgjike dhe kishte mbledhur argumente në këtë drejtim dhe i kishte botuar në një libër, që kishte bërë emër. Për këto arsye, Enverit i takonte të interesohej për shëndetin e tij. Si i tillë, Enveri donte që të tregohesh karshi tij”.

Ju nisi direkt Enver Hoxha për ta vizituar?
“Po. Jo direkt, por dërgoi haber domethënë. Ajo që ishte më interesantja ishte se Enveri kishte edhe të ëmën gjallë, aty në shtëpi, në atë kohë. Ishte e moshuar, kishte disa probleme shëndetësore, e një ditë, mjekët që e mjekonin, më thanë që do të bëhet një konsultë për mamanë e shokut Enver. Shkoj dhe unë atje dhe mora vesh që është sëmurë, e vizitova edhe u thashë: çfarë ka këtu ndonjë gjë të veçantë se mua më duket e thjeshtë diagnoza këtu. Kjo ka qenë mbasi isha kthyer nga Bashkimi Sovjetik si kardiolog. Ç’kishte ndodhur? Ajo në kuadrin e sëmundjes së zemrës, kishte bërë edhe një grumbullim likuidi, uji në pleurë, tha radiologu që e kishte marrë në Spitalin Ushtarak për ta ekzaminuar. Në fakt jo radiolog, por një ndihmës që lante filmat. Ai i dërgon një letër Kardi Hazbiut dhe bën një lloj denoncimi që mjekët nuk po e mjekojnë mirë, të ëmën e Enver Hoxhës, edhe sepse ai dyshonte që kjo të ishte tuberkulare, pasi edhe ndodhte që grumbullimi i ujit ishte me origjinë tuberkulare, kurse për mua ishte kardiake. Edhe për mjekët e tjerë që e mjekonin ishin për nga ana kardiake e saj. Por, ky denoncimi mori rrugë, e ata më thirrën për të sqaruar diagnozën. Unë pa e ditur këtë, sepse pastaj më thanë se si ishte puna. E kuptova pastaj që ishte nga zemra, pasi ishin shenjat, pulsi, rrahjet e zemrës, mëlçia e zmadhuar, marrja e frymës e kështu me radhë. Edhe i thashë që kjo është një diagnozë për studentët të viteve të larta të mjekësisë”.

Dhe nga ky moment, ju vendosën pranë grupit të Enver Hoxhës?
“Jo, iku kjo, pastaj pas kësaj, në vitin 1973, Enveri bën një krizë kardiake, sepse ai vuante prej vitesh nga diabeti i sheqerit, domethënë që nga 1948, ndoshta. Mirëpo, diabeti njihet si një sëmundje që i godet enët e gjakut kudo qofshin, në zemër, në tru, në veshka, në aortë e kështu me radhë. Përveç asaj, ai pinte duhan shumë, ai kishte edhe mbipeshë të trupit. Për ne, mjekët, këto janë tre gjendje që predisponojnë për sëmundjet e zemrës”.

Në cilin muaj pësoi atak Enver Hoxha?
“Në kohën që vajta unë. Më thërrasin në klinikën speciale dhe atje rastin e Enverit ma paraqiti Nexhmije Hoxha, e shoqja e Enverit. Më bëri përshtypje në atë kohë se Nexhmija që fliste kur drejtohesh për Enverin, i drejtohesh shoku Enver. Për mua, ishte anormale që bashkëshortja t’i drejtohej ashtu, sikur ishte nëpunëse në atë familje. Në fakt, aty kam kaluar 12 vjet ndoshta”.

Keni qëndruar 12 vjet pranë Enver Hoxhës?
“Po, edhe Nexhmija ka qenë gjithmonë shumë e kujdesshme, si nëpunëse në shtëpi”.

A është e vërtetë se ajo që e drejtonte realisht Enver Hoxhën ishte Nexhmija?
“Jo. Ajo e ndihmonte. Për shembull, Enveri për shkak të diabetit kishte probleme të syrit, të leximit, e duhej dikush që t’i lexonte letrat që vinin nga ambasadat e huaja apo të tjera”.

Sa i rrezikshëm ishte ataku që Enver Hoxha kaloi në 1973?
“Infarkti i miokardit është gjithmonë i rrezikshëm në fillim. Përveç asaj, Enverit sëmundja iu zgjat një çikë. Ai ishte vendosur në vilën numër 4, nga liqeni, rezidenca qeveritare aktualisht. Atje ishte edhe Garda e Republikës. Ai u bllokua atje se ndërkohë po ndërtohej shtëpia e re këtu dhe nuk kishte ku të kthehej. Ne vazhduam të qëndronim atje, i gjithë ekipi mjekësor”.

Prej sa vetash ishte i përbërë ekipi mjekësor?
“Shumë ishin. Ishte Fejzi Hoxha, që ishte kryemjeku. Ishte Nikolla Shurbani, që ishte një kardiolog i mirë edhe në spital drejtonte klinikën, i cili ishte gjithmonë i pranishëm aty. Pastaj ishte mjeku i familjes që ishte Isuf Kalo. Pastaj ekipi erdhi duke u shtuar”.

Sa ishte numri maksimal i ekipit që mbani mend ju, i kalonte 10 vetat?
“Jo nuk i kalonte 10 vetat”.

A është e vërtetë që në vitin 1973, kur Enveri kaloi infarktin e miokardit, profesor Fejzi Hoxha i dha një mjekim gabim?
“Jo, nuk është e vërtetë”.

Gjë që është komentuar në shtyp si një gjë për ta eliminuar...?
“Fejzi Hoxha, në asnjë mënyrë. Për herë të parë e dëgjoj këtë”.

Ka qenë e shkruar më parë në gazeta?
“Gazetat duan sensacione”.

Sa kohë Enver Hoxha mbeti i pamundur për të ndjekur zhvillimet në vend?
“Ne atje vazhduam deri në muajin prill të vitit 1974, katër muaj”.

Që nga kjo kohë keni vazhduar ta ndiqni rregullisht gjendjen shëndetësore të Enver Hoxhës?
“Po, po, me shumë kujdes”.

A ishte e vështirë të ishe mjek i Enver Hoxhës?
“Shumë prej mjekëve të Stalinit, apo të diktatorëve të tjerë, kanë pasur një fat tragjik. Por, Enveri dinte t’i krijonte vetë marrëdhëniet e mira me mjekët e tij, sepse në dorë të mjekëve ishte. Nuk kishte aty për të treguar as superioritet, as kokëfortësi, as mosbindje. Ai ishte i bindur në porositë tona. Ai nuk donte që të ekzagjerohej në këtë drejtim”.

Ju personalisht a kishit frikë?
“Kisha frikë”.

Nga se?
“Në një krizë të Enverit, kjo vazhdoi edhe më tutje. Vendosëm ta ndiqnim nëpërmjet monitorit të elektrokardiografit dhe iu vendosën elektrodat në gjoks. Në ekran aktiviteti i zemrës regjistrohet, çdo rrahje e zemrës regjistrohet”.

Për 10 vjet Enver Hoxha flinte me elektroda?
“Jo, jo çdo natë. Në raste nevoje, kur paraqitesh rasti, sipas indikacioneve mjekësore, ai pranonte këtë dhe sigurisht ne nuk rrinim në dhomë, por kishim rregulluar në mënyrë të tillë që fijet e elektrodave të ishin të gjata edhe aparati të ndodhej jashtë dhomës së tij. Por, ato elektrodat regjistronin aktivitetin. Të them të vërtetën kur bëhej një veprim i tillë, mua më pëlqente”.

Përse?
“Më pëlqente sepse Enveri flinte atje, unë e kuptoja nga aparatura që ai ishte i qetë e po flinte dhe e ndiqja të gjithë aktivitetin e zemrës. Por, vendi jonë ku ndiqnim aktivitetin e Enverit ishte në bibliotekën e tij, me libra shumë të mrekullueshëm”.

Në ç’gjuhë?
“Në frëngjisht kryesisht. Ai madje porosiste libra nga jashtë, që herë pas herë i vinin pakot e librave edhe ai kënaqesh vetë. E kishte si ditë feste hapjen e librave, sepse ishin libra luksozë, të tipave të ndryshme dhe kënaqej me to. Ai lexonte shumë vetë edhe kishte një kulturë, një bagazh shumë të mirë. E pra, ne vendosnim atë aparatin në darkë se do të rrinim gjithë natën atje. Vendosej një termos me kafe të ngrohtë, edhe një pjatë me mollë, edhe mund të pinim kafe që të mos flinim. Unë nuk doja të flija, sepse doja të shëtisja në bibliotekë. Një natë, isha vetëm tek aparati. Duke parë raftet, më kap dora një libër, ishte në frëngjisht ai libër. Ishin kujtimet e Berjas, ministrit të Brendshëm të Bashkimit Sovjetik, Berja. Ishte gruzin, nga Gruzia, nga Gjeorgjia, si vetë Stalini. Kujtimet e Berjas, u bëra kurioz edhe e mora librin, e fillova të lexoja disa gjëra. Formova bindjen sikur nuk ishin tamam kujtime të vërteta të tij. Duke kaluar fletët, kur shikoj nga mesi i librit një faqe të nënvizuar”.

Ishte nënvizuar nga Enver Hoxha?
“Duket nga Enveri. Ishte e nënvizuar e gjithë faqja dhe u bëra kurioz se çfarë i ka interesuar Enverit. Kur çfarë gjeta, një gjë jashtëzakonisht kurioze. Duke lexuar më kapi syri emrin e Llukomskit, profesorit tim në Moskë. E lexova me kujdes. Tregonte Berja: Thirra në zyrë profesor Llukomskin. E i thoshte që unë të kam thirrur këtu për një çështje shumë sekrete edhe për këtë që do të bisedohet këtu nuk do t’ia tregosh njeriu. Po që nga kjo kohë që do të dalësh këtu, do të jesh i ndjekur, i survejuar. Ai u tremb, thoshte për Llukomskin, u zverdh edhe u vesh me djersë, e natyrshme kjo. I thotë di ti ndonjë ilaç që mund të shkaktojë ngritjen e përnjëhershme të tensionit të gjakut. Unë të thashë më sipër që Stalini vuante nga hipertensioni. Por, i thoshte që nuk ta kërkoj tani, hajde mbas një jave, mendohu edhe të ma sjellësh atë ilaçin nëse ekziston. Por, kur doli ky, i tha që të kesh kujdes se do të jesh i survejuar. Ky nuk kishte rrugë tjetër vetëm që ta çonte ilaçin. Edhe e çoi ilaçin. Në atë kohë Stalini bashkë me anëtarë të tjerë të Byrosë Politike, ishte mbas Luftës së Dytë Botërore, mblidheshin të gjithë bashkë në një tavolinë të madhe, e hanin darkën bashkë, shikonin filma të kohës së luftës, dëgjonin edhe melodi të vjetra të kohës, bisedonin për luftërat, betejat etj., etj. Një natë, thotë Berja, unë isha ulur në krahun e djathtë të Stalinit, në krahun e majtë ishte Molotovi. Gota e tij me verë, ishte pak e prekur. Na kërkoi falje se shkoi në banjë më duket. Unë pashë majtas-djathtas, thotë Berja, i shpëtova shikimit të njerëzve, e nxora nga xhepi ampulën, e theva edhe e hodha në gotë. Vjen Stalini, ulet edhe ngre gotën dhe thotë: Hajde të pimë. Në një moment të caktuar i drejtohet Berjas, mos më ke hedhur gjë këtu brenda. Ky u tmerrua, por e mbajti veten edhe i tha: Jo shoku Stalin, si ta bëj këtë. Pastaj Stalini i tha, që bëra shaka edhe e piu gotën”.

Kjo qe nata e fundit e Stalinit?
“Më duket se kjo qe nata e fundit, sepse unë kam lexuar edhe librin e të bijës së Stalinit, Svjetllana Alilujeva, “23 letra një mikeshe”, madje duhet ta kem në shtëpi. Ajo tregon që Stalini nuk ishte i rregullt në mjekimin e hipertensionit. Madje, kishte një shërbyese atje në apartament që i mbante ilaçet në një komodinë, edhe i jepte kokrrat. Ajo kur shkoi të nesërmen në mëngjes, Stalini ishte në tokë, në buzë të krevatit kishte rënë dhe ishte në gjendje koma”.

Kjo ishte pjesa që Enver Hoxha kishte nënvizuar?
“Po, kjo ishte”.

U tmerruat në ato moment?
“Sigurisht dhe ja thashë Petrit Gaçes, në radhë të parë. Edhe ai më tha: O bo bo, jemi në rrezik”.

Profesor, po flisnim më parë për frikën që ekzistonte te grupi i mjekëve të diktatorit Hoxha. A kishte raporte personale midis jush dhe liderit komunist, apo ishin vetëm raporte pune?
“Në përgjithësi ishin marrëdhënie pune. Domethënë, ne shkonim kur na thërrisnin, kur kishte ndonjë shqetësim, ose thjesht për t’i bërë një matje tensioni, një kontroll të zemrës e kështu me radhë. Unë e kuptoja që ai nuk e ka mendjen te ne, në kokë kishte problemet e tij të mëdha, edhe ikte: Tungjatjeta, tungjatjeta. Por, kishte raste kur vetë Enveri të ngacmonte që të flisje, në sensin që ai donte të dinte, për shembull, sigurisht kur ai bënte pyetje, në lidhje me spitalin ose kur dëshironte të bisedonte për libra”.

Për çfarë lloj librash bisedonit?
“Më nxiste vetë për libra dhe ai kishte një memorie të jashtëzakonshme, mbante mend shumë emra, autorë, ngjarje, ata të luftës i dinte, shtëpitë ku kishin qenë të strehuar në kohën e luftës, i dinte të gjitha. Çështjen e librave e kishte shumë qejf, ai kishte kuptuar që edhe unë kisha lexuar, që e kisha pasion dhe që e kam edhe tani për librat dhe leximin”.

Cila ishte pjesa që i interesonte më shumë nga letërsia apo nga librat në përgjithësi?
“Ai edhe romanet i dinte, edhe librat historikë, edhe librat filozofikë, i shikoja nga biblioteka”.

A kishte ndonjë admirim për ndonjë personazh të caktuar historik?
“Jo, nuk e kishte shprehur. Për të thënë të vërtetën, ai emocionohej shumë për Kosovën. Unë kam dëgjuar shumë gjëra që e shiti e bëri. Duhet ta kesh që ta shesësh, kur nuk e ke, nuk ke çfarë mund të shesësh”.

Grupi i mjekëve që merrej me mjekimin e Enver Hoxhës ishin vetëm shqiptar apo edhe mjekë të huaj?
“Jo, ka pasur edhe mjekë të huaj”.

Që ishin?
“Ishte një mjek francez që ishte Pol Miljezi, që vinte. Para se të shkoja unë, ai takohesh me të, nuk e di nëse e vizitonte apo jo, por gjithsesi kishte dijeni për shëndetin e tij. Më kujtohet që në një vizitë që më thirrën mua të bëj në shtëpinë e vjetër ne kishim transferuar shërbimin tonë mjekësor në një dhomë, që të ishte afër atje. Ky ishte në një dhomë që kishte një vatër, një oxhak të ndezur, ka disa ditë që ka dalë nëpër gazeta, Enveri aty me një shall me ngjyra katrore dhe zjarri ndezur. Unë po kërkoja veten time aty se mos e gjeja. M’u kujtua episodi që po të përshkruaj tani. Më thirri Enveri atje, ishte edhe Nexhmija. Ishte gjithmonë e pranishme aty. Gjatë asaj kohe kishte një dobësi, një këputje. Unë e pashë me stetoskop, pashë që i kishte shumë të çrregullta rrahjet e zemrës. Ne i themi bigemini, kishte një rrahje normale dhe një rrahje jonormale. Ky është një fenomen që ndodh shumë edhe te njerëzit e shëndoshë e nuk preokupohemi shumë. Por, kur ndodh te një i sëmurë që sapo ka kaluar infarktin e miokardit është shumë e rëndë për neve, sepse ajo mund të transformohet në çdo çast, themi ne, në çdo moment, në fibrilacion ventrikular. Domethënë, që zemra nuk rreh më, por fibrilon. Unë e pashë, që ai po më shikonte me kujdes. U mundova që ta mbaj veten. Aty e pashë veten që u mbulova me djersë të ftohta”.

Përse?
“Nga gjendja e tij, edhe nga rreziku që mund të paraqitesh nga kjo bigemini. Pastaj vendosëm që të bisedoj me Miljezin. Miljezi krijoi një grup specialistësh francezë, një ekip si tonin këtu, të cilët do të ishin në korrent me ndryshimet që do të kishte Enveri gjatë sëmundjes. Të gjitha analizat tona këtu shkonin atje, ato i analizonin dhe dërgonin mendimin e tyre. Në një moment të caktuar më thërret Hysni Kapo, në zyrë. Ai më thotë: Duam që të sjellim mjekë nga jashtë, si thua të sjellim nga Perëndimi apo nga Kina, Lindja. Unë i them që ata të Perëndimit që unë i njoh më mirë, janë specialistë shumë të mirë, sigurisht, por kanë disavantazhin, që ata vijnë edhe ikin. Kurse mjekët kinezë mund të vendosen për një farë kohe këtu, i ke në dispozicion. Kjo na interesonte më shumë. Edhe ata e vendosën më vonë vetë, që të vijë një ekip nga Kina”.

Sa mjekë?
“Katër mjekë”.

Kardiologë?
“Jo, njëri ishte kardiolog. Një mjek shumë i dëgjuar kardiologjie që kishte mbaruar në SHBA, sepse ata kështu e kishin. Ai kishte qenë edhe mjeku i Hoshiminit, Sekretari i Parë i Vietnamit, pasi edhe ai kishte bërë infarkt miokardi përpara pak kohësh e ai shkonte e vinte me avion special te Hoshimini për ta mjekuar”.

Për sa kohë qëndroi grupi kinez?
“Grupi kinez qëndroi gjatë, ndoshta dy muaj”.

Me ilaçet e Enver Hoxhës merreshit ju apo kishte njerëz të besuar?
“Kjo ishte e rregulluar në këtë mënyrë. Neve si ekip mjekësor vendosnim që duhet ky ilaç, edhe jepnim indikacionin. Ilaçi blihesh nga një grup tjetër njerëzish, ku kishte edhe njerëz të Sigurimit brenda e sillesh ilaçi këtu, depozitohesh në farmacinë e familjes. Atje kishin një infermiere shumë të mirë, shumë të besës, që e donte seriozisht Enverin edhe vetëm ajo mund të futesh në farmaci”.

Vetëm ajo ishte personi i besuar që mund të depërtonte në farmacinë e familjes dhe t’i jepte ilaçe Enver Hoxhës?
“Ajo hynte dhe dilte aty. Ajo i jepte infermieres së turnit, që t’ia jepte Enverit. Kishte një kontroll shumë të fortë”.

Në ç’kuptim? Ka pasur fjalë që sikur mjekët kanë ndikuar për të përshpejtuar vdekjen e Enver Hoxhës?
“Nuk ka mundësi. Ne ishim 10 mjekë atje. Propozimi i ilaçit që do të jepej, një paracetamol, një vitaminë, do të shtrohej në konsultë. Ilaçe pa konsulta nuk jepeshin”.

Në disa kujtime të nxjerra në një gazetë, ju jeni shprehur që në një moment para vdekjes së tij, ju edhe profesor Bajram Preza keni sjellë një ilaç për parkinsonin e nuk ja dhatë. A mund të ma shpjegoni këtë detaj?
“Po, ia kam kujtuar edhe Ramiz Alisë në një konferencë, ai nuk e mbante mend dhe pastaj u kujtua. Domethënë, neve kishim diagnostikuar, Bajram Preza, se ishte një sëmundje neurologjike parkinsoni, një sëmundje e rëndë”.

E kishte të rënduar parkinsonin Enver Hoxha?
“E kishte të rënduar. Bajram Preza ngulte këmbë që ka parkinson. Kjo u shkoi mjekëve francezë dhe neurologu francez mendoi që nuk i dukej se ishte ashtu, duke mos e parë të sëmurin, por e mendoi nga përshkrimet, nga ekzaminimet. Atëherë u vendos që Bajram Preza dhe unë të shkojmë në Vjenë. Atje ishte një profesor shumë i dëgjuar, me famë botërore, për parkinsonin, Birkmajer, kështu quhej. Mirëpo, pse shkova edhe unë këtu, se unë isha kardiolog, por ilaçet që jepeshin për parkinsonin kishin veçori që irritonin anomalitë e rrahjeve të zemrës. Domethënë, ato jepnin bigeminira, ekstrasistola. Unë i thosha: Hë more Bajram. Ai më thoshte: Ky është ilaçi. Po çfarë ilaçi, i thosha, se më prish punë mua. Atëherë shkuam ne të dy te Birkmajeri, ai e konfirmoi diagnozën e parkinsonit, nga përshkrimi, nga të gjitha të dhënat edhe i thashë unë: Dakord i jepni ilaçe, por këto i japin shtime të rrahjeve të zemrës. Shiko, më thotë, unë kam një ilaç që po e provoj vetë tani. Sipas propozimit të tij, ishte prodhuar ky ilaçi. Më thotë që ka mjekuar 70 vetë deri tani edhe e shikoj që ka rezultate të mira në këtë drejtim. Po të doni, na tha, mund t’ju jap disa kokrra që ta provoni edhe ju. Dakord, i thamë, faleminderit. E shkon ai edhe sjell një shishe peniciline, pak më të madhe, por me tapë llastiku, peniciline. Aty kishte 10 kokrra nga ky lloj ilaçi dhe i thamë: Faleminderit. Kur erdhëm ne nga Vjena, në aeroport na priste makina e Sulo Gradecit. U futëm në shtëpinë e Enverit. Aty në bibliotekë na priti Ramiz Alia dhe Nexhmija. U ulëm të katër në tavolinë. Filloi profesor Preza të tregojë për profesor Birkmajer dhe në një moment bie zilja e telefonit të shtëpisë. Pastaj na thotë Nexhmija që më kërkon Enveri lart, ishte në shtrat Enveri sipër. Edhe na tha që ne të vazhdojmë se do të vinte shpejt. Bajrami vazhdoi të bënte shpjegimin e tij, kjo rastisi me ilaçin që na dha profesori në Vjenë, e nxori ilaçin edhe ia dha Ramizit. Nexhmija nuk ishte aty, ishte sipër. Ramizi e mori ilaçin, e pa. Ishte pa etiketë, pa emër, një tapë që mund të hapej, edhe i thotë Bajramit, pasi pa një herë nga dera: Fute në çantë ilaçin. U çudit Bajrami se ishte njeri shumë i ndershëm edhe i thotë Ramizit që ishte një profesor i madh, e ka provuar këtë ilaçin dhe ka veçori të mira. Pa prapë nga dera Ramizi dhe i thotë përsëri: Bajram fute në çantë atë ilaçin. Nuk donte ta shikonte Nexhmija”.

Për çfarë arsye?
“Jua tregoj unë përse... Pastaj herën e tretë po ashtu, i tha: O Bajram fute ilaçin se ta shpjegoj unë se si është puna. E mori ilaçin e futi në çantë. Pastaj erdhi Nexhmija edhe nuk e pa këtë skenë. O Bajram, i thashë kur dolëm jashtë, se ai përsëri edhe jashtë filloi të shpjegonte që ti e pe vetë se ai ishte i zoti në punën e tij e kështu. O Bajram, i thashë, nuk është problemi i ilaçit, por ky ilaç po t’i jepej shokut Enver tani, ai është në fund të jetës dhe nuk ka çfarë mund t’i bëjë një ilaç. Pastaj do të fillonte muzika se çfarë i dhatë, çfarë ilaçesh i dhatë, sepse do të lidhej fundi i tij me ilaçin pastaj”.

Dhe ju do akuzoheshit që e helmuat...
“Ramizi e kapi këtë punë. Unë e pyeta Ramizin nëse do të na shpëtosh ne?! Po, po, më tha”.

Kur u përkeqësua gjendja e Enver Hoxhës? Kur e mësuat lajmin që ai po vdiste?
“Shenjat e parkinsonit u theksuan shumë. Ai kishte periudha, ku nuk mund të ngrinte dot as dorën mbi kokë, por nga ana mendore ishte në rregull”.

Kur ka vdekur realisht?
“Enveri ka vdekur më duket në mbrëmje. Madje, ndodhi që ishte me perfuzione në atë kohë që ishin të domosdoshme për të mbajtur të ngritur tensionin e gjakut etj., etj. Punonin infermierët, mjekët e tjerë po ashtu ishin të shpërndarë. Aty në dhomë u ndodha unë dhe Petrit Gaçja kur vdiq Enveri. Ne e konstatuam këtë dhe e dinim që te dhoma fqinj ishte Ramiz Alia me një anëtar të Byrosë Politike atëherë. Edhe atëherë na thanë që duhet t’i thuash shokut Ramiz. Shkuam atje dhe ata prisnin pas derës edhe na pyetën: Hë si është... I thotë Petriti që shoku Enver mbaroi. Atëherë ky anëtari i Byrosë i thotë Ramizit: Të na rrojë Partia. Ishte formulë kjo në atë kohë. Me një interval disa sekondash i thotë: Të rroni ju shoku Ramiz”.

Cili ishte ky?
“Hekuran Isai”.

Pra, që në momentin që Enver Hoxha vdiq kishte ardhur drejtuesi i ri...
“Edhe unë këtë kujtova. Atë të Luigjit XIV. Mbreti vdiq, rroftë mbreti”.

Mbas kaq kohësh jeni i sigurt profesor që nuk ka pasur asnjë ndërhyrje për vdekje të parakohshme të Enver Hoxhës?
“Jo, jo, asnjë. Këtë e vërtetoi autopsia. Shyqyr që u bë autopsia, sepse nuk u bë autopsia e Mehmet Shehut, ka fjalë sa të duash tani”.

Ju keni qenë mjeku i tij dhe keni qëndruar 12 vjet mjek i Enverit. A e ndani tani mjekimin si një pacient nga aksioni i tij politik, a jeni kritik ndaj aksionit të tij politik si një ndër njerëzve më diktator të Shqipërisë?
“Po. Madje unë e rekomandoj këtë, ato që prononcohen ndryshe dhe shkruajnë ndryshe. Duhet ndarë veprimi mjekësor nga veprimi politik”.

A kishit rezerva politike për Enver Hoxhën në atë kohë?
“Po, kisha rezerva. Edhe kishte, se po ta mendoje, unë personalisht nuk isha dakord me egërsinë e luftës së klasave, nuk isha dakord me politikën ekonomike, me izolimin e vendit. Kishte edhe shumë gjëra që u bënë mirë, duke filluar nga drita dhe uji”.

Guxonit t’i thoshit ndonjë nga këto rezerva Enver Hoxhës?
“Jo, nuk hapesha, as nuk diskutohej”.

Ylli Popa: Si ka ndryshuar Berisha

Akademiku i njohur 77-vjecar rrefen njohjen me Kryeministrin aktual, bisedat per sistemin komunist dhe veprimet e Ramiz Alise ne vitin 1990. Si shkroi artikullin “Ne kerkim te kohes se humbur” ne “Zerin e Popullit”

Profesor, ju keni qene deputet, si ndodhi?

“Une kam qene njeri qe punoja shume. Ato kerkesa qe duheshin per ate pune, une i plotesoja. Por ka te ngjare qe edhe Enveri te kete ndikuar, mund te kete qene edhe porosi”.

Ne cilin vit jeni zgjedhur deputet?

“Kane qene dy legjislatura 1982-1986 dhe 1987-1991”.

Ne cilin vit e keni njohur Kryeministrin aktual, Sali Berishen?

“Qe kur ka qene student. Qe ne vitet ‘70”.

Cilat kane qene raportet tuaja me te?

“Raporte shume, shume te mira”.

Ne c’kuptim?

“Po, sepse mua Saliu me pelqente ne ate kohe. Ishte nje djale shume energjik, shume punetor, lexonte shume. Une i kam dhene shume libra atij qe ishin libra te ndaluar te kohes domethene. Per shembull, kam dhene “Pavijonin e kancerozeve” te Sorxhenicin, e shume libra te tjere, qe ai i perpinte, i lexonte me qejf. Prandaj me pelqente Saliu, se ishte multilateral ne kete drejtim”.

Si ishte cilesia e ketij si mjek?

“Ishte e mire. Edhe per te semurit interesohesh, edhe per kerkim shkencor”.

A ka qene ndonjehere Sali Berisha ne grupin mjekesor te Enver Hoxhes?

“Jo, nuk ka qene”.

Ne asnje rast?

“Jo. Ne asnje rast”.

Po interes politik shprehte ne ate kohe?

“Me Saliun, une bisedoja. Ishim kritike per shume gjera. Po une e theksoj kete qe, duhet me e ndare poziten tone politike ose mendimin tone, gjykimin tone, per mendimin e te semurit dhe cfaredo qe do te perfaqesoje ai ne vetvete. Per neve, i semuri eshte i semure, kushdo qofte”.

Cili ishte mendimi juaj per regjimin, a kishte kritika, a bisedonit me njeri-tjetrin, a e kritikonit regjimin ne biseda informale me njeri-tjetrin?

“Bisedonim me nuanca. Pastaj nuk kishte ndodhur qe te bisedonim me shume njerez. Do te bisedosh me nje edhe me ate mund te bisedosh hapur, ndersa me nje tjeter mund te bisedosh pak me mbyllur. Por, une me Saliun bisedoja hapur”.

Rreth c’vite, qe ne fillim?

“Qe ne fillim, pothuajse qe ne fillim”.

Si kane qene raportet tuaja te mepastajme?

“Jo si perpara. Sigurisht, ai u mor me politike, une vazhdova ne rrugen time, ai kishte preokupimet e tij dhe kohe nuk kishte me qe te takoheshim, qe te bisedonim. Por, edhe kur u be President, une isha te Komiteti i Helsinkit, shkoja te zyra e tij e pija ndonje kafe atje, me Kujtim Cashkun, me shoke te tjere te Helsinkit. Pas viteve 1994, pati nje ndryshim. Une them qe Saliu i tanishem nuk eshte me ai i asaj kohe”.

Ne c’kuptim?

“Te ketyre kontakteve tona, te ketyre bisedave tona. Pastaj une them qe Saliu ka ndryshuar shume. Ne sensin qe kur Saliu mendohet se duhet bere nje reforme ne Akademine e Shkencave, jemi dakord, ti je Kryeminister dhe te lejohet te besh kete. Por, une kam 10 vjet qe drejtoj Akademine e Shkencave dhe kam filluar reformen ne Akademine e Shkencave bashke me koleget e mi te Kryesise, qe javen e pare kur ne u emeruam ketu. Sepse neve donin te na emeronin, kurse ne thame jo, do te ndryshojme rregulloren e kesaj akademie dhe do ta demokratizojme. Do te bejme zgjedhje te fshehura dhe aplikuam keto ndryshime. Saliu as nuk pyeti, te me thote domethene: O Ylli do te bej nje reforme, ti si mendon?. Une 3 here kam kerkuar me leter nga Akademia e Shkencave, me firmen time i kerkoj takim, asnjehere nuk mora gje. Saliut duket i kane transmetuar disa kritika ne drejtim te punes se tij shteterore. Por, une kete nuk e ndryshova, keshtu isha edhe ne kohen e Enverit me Saliun. Une me Saliun bisedoja per gjera qe ishin kunder. Qe ne kohen e Enverit. Pse une do te ndryshoja tani, do te kisha frike nga Saliu?!”.

Kane qene kritika publike apo jo?

“Me shoket ketu, me njerezit. Ne shtyp jo. Ka dicka, dicka kam folur. Te ne ka denoncues sa te duash. Nuk doja t’i beja publike keto marredhenie per shkak te raporteve qe une kam pasur me Saliun. Por, te veprosh ne kete menyre, tani ka ndodhur skandali me i madh ne Akademine e Shkencave. Tani ky institucion me ligjin e dyte qe ka dal pas ketij viti, sepse doli nje ligj qe reformonte, qe u moren institutet, u quajt se institutet i ka Akademia Sovjetike, tipi bolshevik, keshtu eshte shprehur. Kur e degjova ne Parlament nje nate, qe foli Neritan Ceka, ne mbrojtje te Akademise dhe degjoj Saliun, qe thote se ajo eshte Akademi e tipit sovjetik etj., etj. Thashe une: O bo bo, mua me akuzon Saliu qe dashkam te mbaj nje Akademi te tipit sovjetik”.

Kjo eshte ceshtje personale profesor qe lidhet me konceptet?

“Nuk e di”.

Profesor, nje nga gjerat te cilat ka mbetur nje pjese e rendesishme e historise se transformimeve ne Shqiperi eshte artikulli qe ju botuat ne gazeten “Zeri i Popullit”, ne dy numra. Behet fjale per nje artikull te botuar ne prill te vitit 1990. Si ju lindi ideja per kete shkrim?

“Ti me kujtove mua dicka tjeter, qe une dua ta permend ketu, sepse nuk mund ta permend ne asnje vend tjeter. Dy vjet perpara ketij artikulli, ‘Ne kerkim te kohes se humbur’, qe beri buje ne ate kohe, une kam shkruar nje artikull tjeter, ne mars te vitit 1988. Edhe ai shkrim paraqiti shume interes ne ate kohe, cuditerisht per mua. Si ishte puna...? Na thote drejtori i spitalit, ishte zakon atehere ne spital qe nje here ne jave shefat e klinikave mblidheshin dhe diskutonin per probleme te ndryshme, se po afron koha qe duhet bere raporti vjetor i spitalit. Une u cova dhe thashe qe nuk jam dakord me kete raport vjetor, ne i kemi bere raportet per cdo klinike te vecante dhe mua nuk me interesonte se cfare problemi ka dermatologu apo okulisti. Per mua eshte humbje kohe, i thashe, prandaj nuk do te marr pjese ne kete. Po jo duhet te behet, me thoshte ai, edhe une i thosha qe nuk behet e ngulja kembe. Nje nate me merr ne telefon pas dy-tre ditesh. Shiko me thote, se do te vije shoku Manush Myftiu, do te vij ne mbledhjen tone, te lutem shume ju jeni klinika me e madhe ne spitalin tone dhe ju keni rezultate, thote drejtori, merrni pjese ne kete. U ula per gjithen naten edhe shkrova, nuk fjeta fare. Shkrova nje artikull dhe doli ne gazeta. Por, para se te dilte ne gazete, shkuam atje, ne nje salle te madhe i gjithe spitali, mjeket e infermiere. Kishte ardhur sekretari i pare i rajonit. Eshte vellai i ambasadorit tone qe kemi pasur ne Greqi heren e fundit. U ulem aty ne nje tavoline te gjate dhe lexova shkrimin tim, e pati shume sukses. Ai shkrim ishte ndertuar ne dy pjese, njera ishte jo thjesht per kardiologjine, por edhe per probleme te tjera shendetesore, ndersa ne pjesen e dyte une kisha kapur kryesisht aftesine dhe paaftesine e kuadrit. Une e kisha kryesisht per klinikat ose per mjeket, shefat ne ate kohe qe merrnin kuader te dobet, sepse te dobetin e komandoje me lehte, kurse me te aftin dhe me te zotin do te kishte me shume probleme. Une nuk pyesja fare per problemet e tyre, merrja gjithmone kuadro te mira. Mirepo, duke e trajtuar ne kete menyre, une kalova edhe pak kufijte e spitalit, e kapa dhe si parti, si shtet, kuadrot ne pergjithesi si caktoheshin. Kur u ktheva une ne vend, thote ky Hajro Zeneli, qe ishte sekretar i pare i rajonit: Profesor, mire ishte kjo, por duhet te kesh bere shume armiq me kete referatin. Armiq nga kush, i thashe une. Nga te paaftet, me tha, se i godite me shume. Nuk me shqeteson, i thashe, se i paafti nuk e kupton dhe eshte i paafte. Ne fakt edhe kur dolem jashte, njerezit qe me dhane te paret doren per fjalimin e mire, ishin te paaftit. Kete artikull e moren. Ishte Musa Ulqini, qe ishte gazetar te “Zeri i Popullit”. Ishte cun i ri dhe vinte shpesh ne spital per te kerkuar artikuj, pasi mbulonte shendetesine. Une vete nuk shkruaja dhe e dergoja te koleget e mi. Pastaj jo vetem kaq, por mbas dy ditesh me thone qe na lejo qe kete artikull ta perkthejme ne anglisht dhe frengjisht per t’ia dhene revistes “Albani Nouvelle”, qe ishte per boten e jashtme. Pastaj me thirren ne nje zyre ne Komitetin Qendror dhe me pergezuan per kete. U habita edhe vete se c’ishte ky reagim. Sidoqofte, dukej qe partia ne ate kohe donte nje mbeshtetje qe ka edhe zera nje cike kritike, me te ndryshem ne ambientin tone.

Kurse per shkrimin ‘Ne kerkim te kohes se humbur’ u stimulova nga nje Plenum i Komitetit Qendror qe u be ne ate kohe, ne vitin 1990 ndoshta, ne muajt e pare. Nuk e di sipas radheve, por Ramiz Alia ne ate kohe dha disa teza me liberale, me te shtendosura. Atehere une thashe qe po shkruaj edhe une dicka dhe filloj te shkruaj. Rastesisht takoj Teodor Kekon, afer shtepise sime, ai ishte ne ate kohe ne gazeten “Drita” dhe me kerkoi nje artikull. Une i thashe qe kam filluar te shkruaj nje artikull, e kam te perceptuar, pasi kisha filluar ta shkruaja, pergjysme ishte. I thashe se po te donte mund ta vinte ta shikonte. Ai erdhi ne shtepi, pasi aty afer ishim. E lexoi dhe vuri duart ne koke: Bo bo, me tha, po kjo eshte nje bombe! Te nesermen me tha: Shiko, gazeta ime nuk ka tirazh e do te humbase ky kryeartikull dhe eshte me mire qe ta dergosh te “Zeri i Popullit”. Me dha edhe keshill qe ne fund fare, pjesa e fundit te lidhet me pjesen e fillimit nga ana teknike, pasi une nuk e dija dhe e bera si me tha ai. Meqenese ishte dicka artikulli e mund te paraqiste rrezik per njerezit e shtepise, une i mblodha gruan, vajzen edhe dhendrin qe eshte Mihal Tase, mjek kardiolog. I thashe, merreni kete artikull edhe shikoni, ta jap kete apo jo!”.

Dhe cila ishte pergjigjja?

“Po, jepe”.

Po me strukturat e Partise se Punes e kishit konsultuar artikullin?

“Me askend”.

Cili qe reagimi pas botimit?

“Reagimi ka qene interesant shume, sepse shume njerez u treguan tejet te entuziazmuar. Pastaj, pas disa ditesh e moren veten si me thene nga ky shok, se ishte nje shok i vertete. Filloi nje situate xhelozie, qe kete artikull mos e ka shkruar Ramiz Alia, edhe e ka vene ky emrin...”.

Po reagimi i Ramiz Alise cili ishte?

“Jo vetem reagimi i Ramiz Alise, por i gjithe Byrose Politike ne ate kohe ishte qe, mire ai dha mendimin e tij, nese keni nje mendim tjeter uluni e shkruani per te dhene nje pergjigje”.

A keni pasur besim se Ramiz Alia mund te kishte dore ne transformimin e sistemit ne ate kohe?

“Ky ka qene nje opinion i pergjithshem, qe une e mbaj mend shume mire ne ate kohe. Pasi vdiq Enveri, njerezit kishin shume shprese se Ramiz Alia do te bente ndryshime. Por, kaloi nje vit, dy vjet, tre vjet dhe ndryshime nuk ndodhen”.

Per cfare arsyesh sipas jush?

“Ishte disiplina e partise, kishte anetar byroje qe ishin shume te eger. Mua me ka ndodhur ne ate kohe, se une beja vizita edhe neper shtepi. Shkova te nje oficer i vjeter, per shembull, i cili ishte i semure nga zemra dhe pasi piva kafen e shtepise, sipas zakonit, me thote: Ajo qe pritesh shume nga ai ne ate kohe, nuk po realizohet. Nese ka frike ndonje gje ose e pengon njeri, te dali e te na thote me ze te larte ne televizor, ne qe kemi luftuar edhe pushken mund ta kapim prape per ta ndihmuar!”

Ju keni marre pjese ne takimin e Ramiz Alise me intelektualet, si e mbani mend ate takim?

“E kam shume te qarte. Une ate dite kam qene me temperature 39 grade, ndonje viroze apo gjendje gripale, por megjithate vendosa te shkoj. Gjate rruges takoja njerez te njohur qe shkonin ne mbledhje, asnje nuk e dinte se per cfare behej mbledhja”.

Askush nuk kishte biseduar me te paraprakisht?

“Jo. Shoku Ramiz mori nje karrige dhe u ul mes nesh aty. Mes 40 vetash qe ne ishim aty, nuk e dinim as vete ne, se per cfare ishte. Ashtu sic e ka Ramizi me shaka: He more shoke do filloni ju perpara apo te filloj une. Por, per cfare te fillonim ne?! Ai perpara foli per arritje te partise dhe per presionet qe behen, thirrjet per ndryshime dhe qe ne duhet t’i mbrojme. Foli ne menyre te ashper per armikun e klases etj., etj. Pastaj na pyeti ne, se si e mendoni kete pune per pluralizmin. Aty pati nje tutje te pergjithshme”.

A eshte e vertete qe asnje nga ju nuk i kerkoi atij ndryshime?

“Jo, ishte problemi qe te kete pluralizem mendimi, apo pluralizem partiak”.

E permendi dikush aty fjalen pluralizem partiak?

“Po, po, qe te gjithe thane qe nuk eshte koha per pluralizem. Por, ne ate kohe dihej se partia deshironte pluralizem mendimi. Ismail Kadare, per shembull, iu drejtua direkt: Shoku Ramiz - i tha - une jam shkrimtar dhe nuk merrem me politike. Saliu foli per pluralizem mendimi, nuk eshte koha akoma per pluralizem partiak. Me nje fjale nuk u dha ndihme. Kur dola qe aty, takova nje mjek, dhe i thashe: Mor Beni, cfare beri shoku Ramiz keshtu. Po kjo mbledhje donte edhe nje pergatitje. Nese ti mendon qe duhet pluralizem partiak, merreni nja 4 ose 5 vete aty edhe i thuaj perpara qe nuk ecet me keshtu”.

Ju mendoni se Ramiz Alia donte apo nuk donte pluralizem?

“Deri aty nuk donte”.

Jeni i sigurt?

“Po, po, jam i sigurt”.

Atehere, cila ishte arsyeja e mbledhjes?

“Po druhesh, druhesh nga te tjeret. Ne ate kohe u fol qe do behen demonstrata, do derdhet gjak. Ai druhesh nga keto veprime. Per shembull, ne artikullin tim, kishte reparte ushtarake ne Vlore apo ne Korce qe kerkonin te vije filani se cfare ka dashur te thote ‘Me kohe te humbur’. Domethene ishte nen presion”.

Si i keni pritur ndryshimet e viteve 1990 per krijimin e PD-se e me pas...?

“Si nje ngjarje shume te madhe, qe patjeter do te kishte pasoja”.

Pas 17 vitesh pluralizem, mendoni se demokracia shqiptare eshte ende problematike?

“Po, kete e mendoj”.

Ne c’kuptim?

“Ka shume veprime qe nuk perputhen me demokracine sot. Prape tranzicioni nuk ka mbaruar tek ne. Nga vitet ‘87 apo ’88, une isha deputet ne ate kohe dhe vjen nje deputet nga Holanda apo Belgjika, nuk e di. Keta per ta nderuar, sic behej ne ate kohe, i benin nje shetitje me makine deri ne Vlore, ne Sarande dhe rruga kendej nga Gjirokastra. Kete deputetin e shoqerova une ne Sarande. Ne mbremje, ne Sarande, pame ne nje kryqezim rruge aty nga bregu nje grup femijesh te nje kopshti me bluza te bardha, te pastra, te kapur bluza nga bluza secili, si ecje tradicionale dhe kendonin nje kenge. Ky i huaji u mahnit dhe me tha: Sa e lezetshme. Gjithashtu me tha se cfare thote kenga e une ia perktheva ne frengjisht. Interesant, me tha, por keta tha kur te rriten do te jene besnik te medhenj te partise”.

Ne c’kuptim?

“Ajo qe merret ne ate moshe do te ngeli shume gjate”.

Pra, ju po thoni se formimi qe ne kemi marre eshte shume e veshtire te transformohet?

“Po, shume e veshtire”.

Ky eshte defekti me i madh qe kemi, sipas jush?

“Po, ky eshte nje nga defektet tona. Shume nga veprimet tona te sotme jane te asaj kohe”.

Derivati i deformimit qe kemi marre ne ate kohe?

“Po. I tille eshte edhe militantizmi partiak edhe sot”.

Cili eshte niveli i mjekesise apo nuk shkoni me?

“Jo, nuk shkoj me”.

Prej sa vitesh?

“Prej 15-18 vitesh”.

Si eshte dita juaj, me se e kaloni kohen?

“Ketu une tani po pres prej 6 muajsh, te dorezoj Akademine e Shkencave, sepse mua me ka mbaruar mandati. E kemi caktuar vete ne per 2 mandate nga 4 vjet, jane maksimalja dhe do te dorezohet pa asnje kompleks. Edhe une pres ta dorezoj kete. Por, gjate kesaj kohe ndodhin edhe gjera te papelqyeshme. Ka disa dite qe del nje artikull ne nje gazete. Gazetarja me citon mua se une kam dhene nje interviste atje, goxha te gjate, kur une s’e kam dhene kete interviste. Por, si ka mundesi xhanem. Per probleme shume te rendesishme, ku une jap rekomandime qe anetaret e Akademise se Shkencave te jene shefat, e instituteve etj., etj,. Dhe qe une javen tjeter do te jap emrat e Akademise se Shkencave, kush jane keta?! Une kritikoj Ministrin e Arsimit qe pse reformen studentore po e ben ne kete menyre”.

Nuk e keni dhene ju kete interviste?

“Absolutisht asgje. Madje, mora ne telefon dhe i thashe. Mire do te interesohem une me thote shefi i saj. Pastaj me bien ketu gazetaren. Ajo erdhi dhe filloj te qaje e shkreta, nje vajze e re. Moj vajze, i thashe, si ka mundesi qe ti me citon mua, sikur ke biseduar me mua dhe ti je ne fillim te karrieres tende. Keshtu do ta vazhdosh karrieren tende...?”.

Cila ishte pergjigjja qe moret?

“Ajo filloi te qaje: Me fal, me fal, me fal”.

Profesor, keni jetuar ne tre kohe. Kohen e mbreterise, nuk po e fus luften, kohen e komunizmit dhe aktualisht. Cila ka qene me mbreselenese?

“Ka qene koha e luftes, interesante”.

Perse?

“Sepse ka pasur nje orientim te tille dhe nje pjesemarrje te tille te popullates qe ka qene shume e rendesishme. Une si fis vij edhe nga familja Nosi, qe ishte Lef Nosi dhe qe nje personazh shume i njohur dhe u pushkatua ne ate kohe. Ai gjyshen time e kishte mbese. Ai bie vellai i stergjyshes sime dhe per te pare mbesen vinte ne shtepi te ne. Ne ate kohe une isha 12 vjec, kalama akoma. Kisha rastisur ne cardakun e shtepise. Ka ardhur Lefi dhe pinte kafe, ishte edhe Kol Paparisto, nje personalitet biolog, si dhe pjesemarres i Luftes Nacionalclirimtare. Kola ishte i majte dhe Lefi ishte i djathte, si tani e mbaj mend qe Lefi i jepte argumente qe, shiko se komunizmi ishte keq, ata nuk kane familje, motra martohet me vellane etj.. Kola mundohej ta shpjegonte qe nuk eshte ashtu, keto jane shpifje dhe ato kane familje etj., etj. Ky debat midis tyre edhe u acarua pak. Por, aq sa mund te lejohet me acarimin. Mua me mbeti ne mendje qe atehere. Domethene, kishte nje pjesemarrje ne jeten politike te kohes, shume te fuqishme. Llogarit qe une isha 13 vjec dhe djali i pare i shtepise. Mua me lane qe te benim propagande ne zonat e Cermenikes, te tjeret ishin te armatosur, por une isha 13-vjecar ne ate kohe edhe kam kaluar nga Funari i Elbasanit deri ne Orenje te Cermenikes, fshat me fshat, per 2 jave me radhe. Paraqitnim nje skec, nje pjese teatrale gjoja, ku mblidheshin fshataret qe shikonin se une luaja rolin e nje bariu te vogel, i cili me ne fund u vra. Kur do me varrosnin, me vinin ate flamurin e kuq ne trup dhe me thoshin: Aman mos qesh ketu, sepse mos dilte keq. Ishte e gjithe popullata e perzier”.

Kryetarja e Kuvendit te Shqiperise, Jozefina Topalli, ka kerkuar dekorimin e Lef Nosit per faktin qe eshte nje nga firmetaret e aktit te Pavaresise se Shqiperise?

“Ai ka marre pjese ne kete akt, ka qene ministri i Postes dhe ka qene shume aktiv, njeri me dinjitet. Une kur erdha ne Akademi, nje nga reformat qe doja te beja, edhe e bisedova me koleget, njerezit te cilet jane perzier me politiken ne ate kohe, por nuk kane lyer duart me gjak, te rishikoheshin. Ai mund te kete qene me Ballin apo me Zogun, ka marre pjese gjashte muaj apo nje vit, ka punuar gjithe jeten me kontributin e tij, si ta humbasim kete njeri neve. Kam biseduar me koleget e mi ketu, me Kristo Frasherin, me Rexhep Meidanin me Shaban Demirajn, Jorgo Bulon, Eduard Sulstaroven etj., dhe kane qene te gjithe dakord. Beme nje konference per Ernest Koliqin, se ai ka qene nje figure qe donim ta preknim dhe Jorgo Bulo e paraqiti ne nje menyre shume dinjitoze dhe nuk e permendi fare ate bashkepunimin e tij me italianet, por kontributin qe ka dhene ai per letersine. Asnjeri s’e permend kete si nje reforme ne Akademi dhe qe do te vazhdonte edhe me tutje”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT